PO mësimit të fesë në shkollë


A duhet dhënë feja si lëndë mësimore në shkollë? Unë pa hezitim përgjigjem me një PO të madhe. Është domosdoshmëri, veçanërisht për ne që qarkullojmë një tollovi idesh dhe përfytyrimesh të paqarta për fenë. Dhënia e lëndës së fesë në shkollë është ide e shkëlqyer nëse zbatohet mirë dhe ndershëm.

Nuk e di në detaje kurrikulumin e shkollave sot, por ma do mendja se po të kenë vazhduar në traditën e arsimit klasik, aty vazhdojnë të jepen njohuri mbi historinë, kulturën dhe mitologjinë e Greqisë dhe Perandorisë Romake. Shpresoj, ndonëse nuk besoj, që të jepen edhe ide për mitologjinë Norse, atë Kineze, apo Indiane, për eposin e kreshnikëve, për legjendat e popujve të ndryshëm.

Në këtë vështrim është jashtë çdo logjike që në shkolla të mos mësohet asgjë për mitologjitë mbizotëruese sot. Dikush që mëson në shkollë për Zeusin e Athinën, Jupiterin, Marsin e Venusin, nuk ka përse të mos dijë edhe për Perëndinë që lindi vetveten duke mbarsur një virgjëreshë dhe që pastaj u sakrifikua dhe u ringjall për të shpëtuar mëkatet e njerëzimit; nuk ka përse të mos mësojë për Perëndinë që i pëshpëriti në majë të malit një libër të tërë një analfabeti dhe që ky pastaj e mbajti mend fjalë për fjalë, për t’ia diktuar atë të tjerëve; nuk ka përse të mos dijë për krijimin e gruas nga brinja e burrit, në mënyrë që në përjetësi të mbetej nën hyqmin e tij; për atë njeriun primitiv që ndërtoi një anije aq të madhe sa të mbartte nga një çift prej të gjitha kafshëve, bimëve, insekteve dhe organizmave që popullojnë planetin dhe t’i shpëtonte ato nga përmbytja e gjithë planetit; për atë tjetrin që u martua me motrën dhe pastaj ia lëshoi atë me qira Faraonit, për ta marrë prapë dhe për të bërë një fëmijë me shërbëtoren dhe një tjetër me të shoqen kur kjo ishte 90 vjeç, fëmijë të cilin u bë gati ta therte për ta bindur Zotin se sa i devotshëm ishte. Këto, dhe të tjera si këto është mirë të jepen mësim në shkollë, nga njerëz që i dinë dhe që dinë t’i trajtojnë për atë çka janë, sepse janë gjëra me të cilat luhet çdo të premte e çdo të diel nëpër faltore e tempuj.

Nxënësit e shkollave do të jenë më të përgatitur për jetën nëse mësojnë si ka lindur feja; përse ka lindur; kush e ka krijuar; për çfarë dhe si e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë. Duhet të dinë se si që në fillimet e saj, çdo fe, çdo besim, është përpjekur të ushtrojë autoritet dhe të justifikojë autoritetin; se si çdo strukturë fetare i ngjan një piramide, krejtësisht e ngjashme me piramidën e shtetit, dhe se si në krye qëndron ai që e quajnë jo rastësisht Zot, domethënë diçka që zotëron, ose zotëria, të cilit je i detyruar t’i bindesh. Se si nocioni i Zotit ngatërrohet shpesh me atë të Mbretit; se si Zoti është i gjithëpushtetshëm, ka pushtet, lidhet me pushtetin.

Nxënësit e shkollave duhet të mësojnë për moralin e fesë. Jo të interpretuar sipas konteksteve që i leverdisin këtij apo atij grupi apo individi në një çast të caktuar, por për moralin e vërtetë që mund të nxirret nga tekstet fetare me syrin e paanshëm të një intelektuali të shekullit të 21-të. Për mësimet e mira të saj – mos vidh, mos fli me gruan e komshiut, mos fyej, por edhe për mësimet e saj jo dhe aq të mira mbi mënyrën se si duhen trajtuar skllevërit; si dhe kur duhen rrahur gratë; me çfarë dhe sa duhen mbuluar ato; ose si duhen vrarë apo masakruar, plaçkitur e përdhunuar popullsitë që i nënshtron me luftë; si të bësh mëkate sa të duash dhe të të falen ato duke u lutur e duke hedhur pare në faltore etj. Shkolla është për të dhënë dije, jo për të predikuar. Duke dhënë dije, jashtë predikimit, shkolla do të përgatisë njerëz të ndërgjegjshëm, që dinë të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe t’i marrin vetë vendimet për jetën e tyre.

Shkolla ka mundësinë t’iu mësojë nxënësve të vërtetën se si janë përhapur fetë. Se si dhe kur dolën fetë monoteiste, si u shpikën ato abrahamike nga njerëzit primitivë të Lindjes së Mesme të katër mijë vjetëve të shkuara, si u përhapën ato me shpatë e me kërbaç, me dredhi e sa me mashtrim. Si kanë luftuar me njëra-tjetrën për ndarje territoriale – të mësojnë për perandoritë fetare, për fushatat fetare, për kryqëzatat dhe kryqëzimet, turrat e druve dhe gjuetitë e shtrigave, monopolizimin e dijes dhe mostolerimin e të menduarit ndryshe, shkatërrimin e kulturave paraardhëse dhe kontrollin total. T’iu mësojë se si janë futur fetë e ndryshme në popullin tonë dhe cili ka qenë roli i tyre i vërtetë në (pengimin e) krijimit të kombit. Të mësojnë edhe ç’mendonin rilindësit, ata që ngritën kombin shqiptar për fetë dhe rolin e tyre.

Nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë se si predikohen fetë nga njerëz të ndryshëm. Se si ndryshimet në predikim dhe interpretim kanë sjellë ndarje – ndarje të Krishterimit në katolikë, ortodoksë, anglikanë, evangjelistë, pentakostianë, presbiterianë, metodistë, të bashkuar, mormonë, koptikë, luterianë, e dhjetëra sekte të tjera. Ndarjen e myslimanëve në shia, suni, bektashinj, sufi, bahai, druzë, alevis etj. Se si të gjitha sektet janë të bashkuara dhe të ndara nga njëra-tjetra; se si jetojnë në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin, por edhe ia kanë shqyer dhe vazhdojnë t’ia shqyejnë gurmazin njëri-tjetrit sa herë iu jepet rasti.

Vetëm duke mësuar për fenë, nxënësit do të jenë në gjendje të mbajnë qëndrim të vetëdijshëm, intelektual, të ndërgjegjshëm dhe bindës në lidhje me to, të vendosin nëse do të duan t’i ndjekin apo t’i braktisin. Normalisht, në nëntëdhjetë për qind të rasteve, dikush që është lindur i krishterë mbetet gjithë jetën i krishterë, siç edhe ata që lindin nga prindër myslimanë mbeten të tillë, budistët mbeten budistë, hindutë mbeten hindu. Por edhe që shqiptarët përbëjnë përjashtim, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk e ka për gjë ta ndërrojë fenë për arsye strategjike, ekonomike, apo politike, të kthehen në myslimanë kur ua kërkon turku apo arabi me pallë e me para në dorë, në katolikë kur ua kërkon pronari italian, dhe në ortodoksë kur emigrojnë në Greqi. Megjithatë, do të ishte diçka e mrekullueshme sikur t’i lihej shkollës, një shkolle laike dhe të pavarur, roli i informimit të brezit të ri, dhënies së dijeve të nevojshme për të vendosur nëse do të besosh apo jo dhe, nëse po, çfarë feje do të ndjekësh, kujt do t’ia falësh besimit, priftit, hoxhës apo babait të teqesë. Apo që nuk do të ndjekësh asnjë denominim fetar zyrtar por do të besosh në diçka universale që s’ka lidhje me mënyrat e predikimit. Ose që do të arrish në përfundimin që të gjitha këto janë mitologji, dhe nuk do të besosh asnjërën prej tyre, megjithëse, ose më saktë, për shkak të faktit që i njeh kaq mirë ato, ngaqë i ke bërë në shkollë.

Në këtë kuptim, shkolla do t’i mësonte nxënësit se si feja nuk ka asnjë lidhje me shkencën, përveç pengesës që i është bërë dhe vazhdohet t’i bëhet asaj. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhje me politikën, me mënyrën se si drejtohet shteti, me vendimet që duhet të marrë një shtet, përveç përkrahjes që i bën krahut më antishoqëror të politikës, mbështetjes që iu bën atyre që pasurohen dhe duan të përjetësojnë pushtetin. Se si qytetarët e një shteti nuk ka përse, dhe nuk duhet kurrsesi të paguajnë taksa për të mbajtur në këmbë institucione fetare, të cilat shfrytëzohen vetëm nga një fraksion i popullsisë. Që shteti nuk ka punë të lejojë konkurrencën për ngritjen e objekteve të kultit në mes të kryeqytetit, për t’i bërë qejfin Vatikanit, Riadit, Athinës e kujtdo kryeqyteti tjetër fetar të botës.

Nëse vërtet qeveria shqiptare ka synim që ta japë në mënyrë të arsyeshme, të paanshme, jo-partizane, mësimin e fesë në shkollë, unë e përkrah atë me gjithë forcën. Kur them në mënyrë të arsyeshme e të paanshme, nënkuptoj që ai duhet dhënë jo nga njerëz fetarë, që kanë si synim të përhapin këtë apo atë fe, por nga mësues laikë, që kanë synim përhapjen e dijes, përhapjen e të vërtetës, ndriçimin e mendjeve dhe zhvillimin e intelektit të nxënësve të tyre.
"Mapo", 201622 prill 2016


Komente

kalimtar/e
Edi 
22 prill 2016, 17:08
Problemi eshte se mesimet fetare ka mundesi te jepen nga mesues "te thekur " fetare

Jep koment

Arben Kallamata
Arben Kallamata
Publicist, gazetar
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading