Qeverisja moderne dhe degradimi deri në këtë farë feje


Asnjë argument bindës nuk gjendet për çdo prezantim shtesë të fesë në shkollë. Nuk i shërbejnë progresit as pritja me entuziazëm e këtij lajmi të qeverisë shqiptare nga Obama, nuk qëndron as justifikimi se kjo lëndë do mbrojë fëmijët nga viktimizimi xhihadist, i theksuar nga Rama; as ngërçet e stërkëmbsheve të krijuara nga besimet, nuk zgjidhen me këtë përkedhelje të re politike të tyre.

Përkundrazi, shtimi i kujdesit shtetëror për fatet e besimeve, i thellon premisat për ndërlikime të reja. Historia e kombit shqiptar është ajo e mënjanimit, e largimit të besimeve dhe jo e afrimit.

Po ta dinin më mirë në Perëndim odisenë e kombit shqiptar me besimet, si ato i kanë mohuar identitetin, gjuhën, shkollën, librin, deri dhe llojin e alfabetit, ndryshe do të reagonin. Se ka qenë ky diversion i egër i besimeve, që i çuan shqiptarët në cektësi dhe tolerancë ndërfetare, krijuan këtë kulturë e atribut, si produkt imunitar ndaj rolit përçarës dhe intolerant ndërfetar.

Populli e zdrugoi rolin e feve, i shqiptarizoi, u imponoi atyre kushte e kufij, dhe afirmoi e konsolidoi, kështu, identitetin kombëtar, që ato egërsisht ia mohonin.

Themelor mbetet parimi i laicizmit, kjo arritje madhështore e iluminizmit dhe progresit, që lindi enkas për kufizimin e ekspansionit dhe uzurpimit të jetës nga Kisha, për mospërdorimin më tej të autoritetit të shtetit dhe shkollës për fenë.

Ky parim, aq i domosdoshëm për shtetin dhe shkollën, një imperativ i padiskutueshëm e i pamodifikueshëm, e lë bashkësinë fetare në botën e vet, përjashton kategorikisht çdo përkëdhelje tjetër të feve në shkollë mbi ato njohuri që japin historia, sociologjia dhe librat artistike, i lë ato një zgjedhje dhe zgjidhje personale, private, siç janë veshja, qethja apo krehja, i njeh secilit lirinë si të dojë, të besojë, të ndryshojë kultin apo dhe të heq dorë nga çdo lloj feje. Kjo është përmbajtja e parimit të madh të lirisë së ndërgjegjes.

Laicizmi nuk është arenë e ballafaqimit të turli pikëpamjesh e opinionesh, siç po përpëlitet të na mbushë mendjen një pastor simpatik sot, por masë e thellë dhe e mënçur politike për t`i lenë ato në fikje të natyrshme.

Dhe fikja po ndodh realisht, frekuentimi i faltoreve po bie në mënyrë drastike, laiciteti po e zgjeron dhe thellon terenin e vet. I leni fetë si OJQ të thjeshta, siç janë të tilla me dhjetra grupime në shoqërinë civile, pa bonuse e benefice zyrtare dhe njerëzit do të dinë të zgjedhin vetë lirshëm sesi duhet menduar e jetuar.

Trajtimi i “besimit” vërtetë si çështje personale e jetës private, pa përkëdheli politike, kjo është rrjedha dhe logjika e jetës! Përpëlitja e qeverisë për çfardolloj informacioni profetar, shkollës i rivendos një prang e stërkëmbësh, nga të cilat ajo u çlirua me aq mund e sakrifica, deri dhe sublime.

Udhëzimi i ri qeveritar ka vënë në themel të vet premisën se duke i sqaruar fëmijët për cilësi “të mira, paqësore” që paskan fetë dhe xhihadistët janë “pseudo-besimtarë” e shpërdorues të fesë, do të imunizohen ata nga çdo indoktrinim fanatik dhe ekstremist!

Ky opinion, shumë i përhapur në qarqet politike, në mjaft analistë e intelektualë, është koracim tjetër, i sforcuar, demagogjik i sistemeve fetare; është dhe çorientim, çoroditje e re fatale që i bëhet njerëzimit.

Përkundrazi, xhihadizmi, si dhe fondamentalizmi është atribut i brendshëm i fesë islame, këtë e dëshmon krejt historia e kalifatit arab e atij osman, sanksionimi i “luftës së shenjtë” edhe në shumë ajete të Kuranit; krejt atë frymë që e ka të pasqyruar edhe në Bibël krishtërimi, të realizuar përgjakshëm me kryqëzatat, luftrat fetare dhe sa vatra të tjera zjarri fetarisht të motivuara e të ndezura ende në disa zona të botës. Qerbrelaja dhe Nata e Shënbartolemeut janë dy shembuj domethënës..

Aq më pak i takon qeverisë të vërë dorë në shkollë, se, me pozën për t`i vënë vetullat, faktikisht po ia nxjerr sytë!

Pyetja e parë e çdo fëmije është “zoti mësues, për cilën fe e keni fjalën dhe pse gjakosen ato me njëra-tjetrën?” “Po të rinjtë e lagjes time, Abdullai me Anthullën, që u dashuran, pse hasën pengesa për t`u martuar nga familjet me fe të ndryshme?” Pyetjet s`do rreshtin kur të hapet “kutia e Pandorës” nga shtatori e tutje, kur shkollës do t`i hidhet vello e errët e zisë, që po e endin forca të erëta të qeverisë dhe ministrisë.

Kur çdo fe, botërisht, pretendon monopol për zotin e vet dhe nuk janë në një fjalë, përkundrazi, mbartin urrejtje dhe intolerance latente, të veshura sot me petk diplomatik, ku ta gjejë shkolla një emërues të vetëm? Mos vallë në fjalën “fe”, apo në supozimin e një zoti, dogma mbi të cilin është bërë në tokë lesh arapi e shportë me karavidhe?!

Reformë të tillë tipike "të djathtë" që po ndërmerr "e majta" jonë, po habit dhe vetë "të djathtën", që është më e prirë për kësi veprimesh, po mahnit e lë me gojë hapur edhe klerikalizmin.

S`ka as Gjykata Kushtetuese, ajo administrative, apo Avokati i Popullit një klauzolë me kompetencën e denoncimit të delikteve të këtij lloji!

Akademia e Shkencave është strukur në hulumimet e veta, kështu që qeveritarët bëjnë ç`u shkrepet. Për të justifikuar direktivën e re qeveritare, shumë fedashës stigmatizojnë kushtetutën moniste të vitit 1976 që shpallte mohimin e fesë dhe përkrahjen e Ateizmit; gjithashtu i referohen kushtetutës së vitit 1998, e cila se ku e gjeti të shpall në preambol idenë “këtë popull me besim tek Zoti dhe vlera të tjera universale”.

Këtë e quajnë atë “argument dhe vlerësim kushtetues të besimit”. Po që të dy këto formulime janë shprehje të gabuara, të njëanshme, thjesht politike dhe euforike, sepse tagri i shtetit modern është të sanksionojë e garantojë vetëm parimin demokratik të lirisë së ndërgjegjes; kaq, pa hyrë fare e pa u marrë me këtë apo atë formë konkrete të kësaj ndërgjegjeje, as me ateizëm, as me besim apo me shijet e gustot personale.

Po kot nuk e ka theksuar dhe plaku i mënçur, i ndieri Sabri Godo gjendjen anormale se: “nga monizmi ne tranzicion u kalua nga njëri ekstrem në tjetrin, nga mohomi i gjithçkaje që lidhej me fenë, në servilizëm banal të shtetit ndaj saj”.

Më shqip e më qartë s`ka si të thuhet. Ne po drejtohemi nga ky lloj stani, i cili nuk ka bylmet tjetër! Debolesën e vet fetare e ka kthyer në një mjet komod të sundimit, se edhe dështimet ia faturon një fare vullneti hyjnor për të shkarkuar veten. Amerika nuk mund të shërbejë si model në këtë pikë. Sepse ajo, duke e patur në terezi me kushtet dhe progresin e vet, e ka shartuar në mendje pragmatizmin me teologjinë dhe përjeton alibinë sikur forcimin, zhvillimin dhe lulëzimin i paska dhuratë hyjnore. Të mirat që i krijon me mund e djersë, përfytyrohen sikur i vinë peshqesh nga qielli! Realitetin e krijuar, veshet me iluzion fetar, kur shumë të tjerë ushqejnë iluzione për t`i bërë realitet, me përjashtim të atyre fetare!

“S`do të predikohet fe, do të jepet kulturë fetare”, kjo tautologji arbitrare na vjen nga vetë titullarja ministrore! Sikur shkolla jonë e paska ezauruar qytetërimin e vërtetë botëror, dhe i paska mbetur vetëm aspekti fetar! Majde merre vesh këtë frazë ministrore. Ç`dallim paska midis të ashtuquajturës “kulturë të fesë” dhe tufës së dogmave të saj? Jo “Ali Hoxha”, po “Hoxhë Alia”.

Edhe përpjekjet e forcave klerikale, të mbështetura nga qarqet zyrtare dhe jo pak intelektualë sikur feja i përket kulturës së njerëzimit, janë tepër të diskutueshme. Kisha, vërtetë e ka vënë në dispozicion një arsenal kulturor material, po më i saktë dhe i njohur është fakti se ajo ka përdorur sistematikisht mjetet e kulturës të njerëzimit për joshjen me dogmat e veta.

Ajo iu qep, i uzurpoi, i ktheu dhe vuri në shërbim të vet skulpturën e arkitekturën, muzikën e pikturën, këngën, të orientuara nga temat dhe normat e saj estetike. Edhe që para marksizmit është theksuar se forca e muzikës kishtare nuk është meritë e fesë, por e vetë artit etj. Si duhen vlerësuar reformat e Mustafa Qemal Ataturkut? Po ai Lenini kaq tendecioz e muzhik të jetë treguar që e quante fenë “antikulturë”?

Debatet që ngjalli kjo “shpikja” e re qeveritare bëhen pjesë e polemikës shekullore të njerëzimit rreth idesë boshtore “ka apo nuk ka zot, e krijoi zoti njeriun, apo njeriu-zotin” etj. Përfundimisht po vërejmë se pas pëlhurës psiqiko-mendore që kanë endur sistemet fetare, pas një pluhuri të dendur syve, mbajtjes së obskurantizmit dhe ngopjes me lugë të zbrazur, na duhet tani të gëlltisim edhe këto lojra fjalësh të reja qeveritare-intelektualiste-klerikale e komentatoriste për fenë, të hedhim një perde të re me fjalë të ngatëruara, si me formë të drejtë gramatikore, por me pirueta dhe përmbajtje gjepurash.

Më absurdja e paradoksalja është se nasihatet hyjnore që u janë fanepsur të të ashtuquajturve profetë në ëndrrat e kohëve të errëta, se nëpër ç`ëndrra qeveritarësh po duan të fitojnë të drejtë qytetarie në kohët tona moderne.

Përpjekjet e reja qeveritare do të rezultojnë tullumbace që do t`u plasin atyre në duar. Lum kush të rrojë nga ky shtator e tutje për të parë dhe pjelljen e miut nga ky mal që po mbarset!

Qeveria na kujton alibinë e Nastradinit, që kur i thoshte kafshës së vet “stër gomar!”, atij i dukej sikur pillte flori. Se politika, si art i qeverisjes, duhej, ndaj dhe hyri në jetë. Po ku ta dinin pionierët e saj se qeverisja moderne do të degradonte deri në këtë farë feje?

Ky është dhe ngërçi më i madh, që na pllakos nga një rrotacion në tjetrin. Mbase koha do të gjejë çelsin, mënyrën efektive të ushtrimit të sovranitetit popullor.
"Shekulli", 201622 prill 2016


Komente

Jep koment

Hulusi Hako
Hulusi Hako
Shkrimtar, publicist, promotor i ateizmit shkencor
Prof. Dr.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading