Me dëshmitaren e Jehovait


Në një tarracë kafeneje po lexoja në celular një artikull tek revista gjermane “Focus“, ku thuhej se në galaktikën tonë, në Rrugën e Qumështit, ka diku 100 deri në 400 miliard yje.

Nëse marrim mesataren e supozimit, atëherë mund të thuhet se janë së paku 200 miliard, por nëse themi dhjetë për qind prej tyre janë si Toka, atëherë duhet të jenë 20 miliard qytetërime, thuhej në mes të tjerash. Sipas astronautit gjerman Ulrich Walter, në çdo 5000 vjet drite mirëpo mund të gjendet një planet si Toka.

Nëse është ashtu, atëherë në Rrugën e Qumështit, janë së paku 100 qytetërime tjera. Ndërsa astronautët optimistë thonë se në galaktikën tonë, gjenden diku katër milion civilizime, çdo 150 vjet drite. Në universin e vrojtueshëm, thotë fizikani dhe astronauti pesimist gjerman, gjenden më shumë se 100 miliard galaktika, ku duhet të jenë dhjetë triliarda diej dhe 100 milion civilizime...

Derisa po lexoja vura re para vete një hije, që u afrua duke lëshuar tinëz një fletushkë mbi tryezë. E vështrova ca i hutuar duke ngritur kokën sikur doja të them:"Arsyeja, zonjë?"

"Për të mirën tuaj", tha ajo, thua se kishte dëgjuar pyetjen dhe bëri dy hapa për t'u larguar me një buzëqeshje: "Merreni, fati juaj, përjetësia...", shtoi ajo.

"Ndaluni ju lutem, ndaluni", thash gati me zë të lartë derisa bëhej gati të ikte.

''Dëgjoni, para se ta lexoj... pastaj nuk di a kam kohë ta bëj, më rrëfeni shkurt ju lutem, për çfarë flitet aty? Pse fati im pikërisht sot? E pastaj, ku dini se pikërisht unë kam nevojë? “ Aq sa më shumë vështroja zonjën, aq më shumë rikrijoja konturat e asaj fytyre, që dalëngadalë më bëhej e njohur. Ajo bëri dy hapa drejt tryezës, lëshoi një valixhe me fletushka tjera përtokë dhe përsëri me atë buzëqeshje ëmbëlake tha: "Për të mirën tuaj!"

"Ju faleminderit zonjë, merreni fletushkën ju lutem, faljani dikujt tjetër. Unë nuk mund të besoj se ju silleni poshtë e lartë për të mirën e huaj...”

“Për çfarë atëherë?”, pyeti rrufeshëm.

“Për dobinë tuaj, nga egoizmi...”, thash vetëtimthi duke e parë në sy me një buzëqeshje, që mund të përkthehej edhe me: “Merreni dhe ikni ju lutem!”

Ngriti kokën, mori frymë thellë, më pa me një vështrim dinak duke shpërvjelur buzët dhe duke mbledhur vetullat tha: "Kjo fletushkë ju tregon rrugën se si shkohet në parajsë..."

"Në parajsë!?” bërtita. “Aha? Navigator qenka, një navigator pa anije kozmike?!" Ajo tundi kokën në shenjë mospajtimi duke marrë frymë thellë dhe nisi shfletimin.

"Shikoni, Jehovai ishte në fillim, pastaj..."

"Kush e krijoi Jehovain?", e ndërpreva me nxitimi.

"Ju po talleni!", tha me shpejtësi.

"Nuk po tallem!" thash me ngut nga frika se do të ikte.

''Natyrisht!'' tha ajo me ngut pa marrë frymë.

"Jo!?'', nxitova edhe unë. “Si mund të ekzistojë një qenie, që nuk shpërbëhet e zhbëhet kurrë dhe që nuk krijohet prej askujt dhe prej asgjëje, por është në gjendje të krijojë gjithçka?, pyeta duke e parë drejt në sy.

''Nuk kam kohë të ndalem tani në imtësi'', shtoi ajo, ''ky është udhëzues se si shkohet në parajsë...''

''Dakord, kjo fletushkë qenka doracak me udhëzime si të shkoj unë në parajsë, dakord, por ju nuk po e bëni për të mirën time, për tuajën...''

“Nuk është e vërtetë!” nguli këmbë përsëri plot nxitim.

“ Po?”, pyeta me shpejtësinë e njëjtë.

“Për tuajën!”

“Ju dëshironi të më përdorni si trampolinë. Me indoktrinimin tim, ju shpresoni parajsën, apo jo zonjë?”

„Nuk është e vërtetë!”

“A ju pëlqej unë?”

“Kjo nuk ka rëndësi!”

„A më doni mua?“

„Jo!“, tha me vendosmëri.

“Aha, nuk paska rëndësi, nuk më doni, atëherë pse keni atë dëshirë të zjarrtë të më merrni në parasjën tuajt?”

“Ju po talleni!!

“Fare!“, thash pa u vonuar asnjë çast. “Dakord zonjë, atëherë, më bëni mirë, unë duhet të paguaj katër euro, paguajeni ju, ju lutem! Kjo është bamirësi konkrete dhe Jehova regjistron në fletoren e vet...”

“Unë nuk ju njoh, pse të paguaj për ju!?”

“Tani nuk ju kuptoj zonjë. Ju jeni aq zemërgjerë sa dëshironi të më merrni në parajsën tuaj, mu aty ku do të shkoni edhe ju, pse? Pse më falni një parajsë aq të madhe, por jo katër euro?”

„Nuk mund të krahasohen qëllimet hyjnore në këtë mënyrë!”

“Ah, po, e si?”

“Unë dua që ju të zgjoheni dhe kuptoni se një ditë troket në derë vdekja...”

“Vdekja ekziston edhe për yjet...Zonjë, ju shpresoni se duke rritur numrin e atyre, që pranojnë këtë navigator si të drejtë dhe pakundërshtueshëm, atëherë ju shkoni në parajsë apo jo dhe, do të keni kopenë pastaj që mund ta drejtoni dhe komandoni, ta keni pushtetin mbi të dhe kryesisht, ta mbani grumbull të izoluar nga të tjerët?“

“Jo zotëri, Jehovain besojnë miliona njerëz...”

“Mirë”, e ndërpreva me nxitim, “kjo është interesante për statistikat, mirëpo nuk flet për saktësinë...sepse ajo që për ty është hyjnore, zonjë, për tjetrin është legjendë, pra këtij navigatori, i mungon vlera universal. Ju sigurisht mendoni se vetëm libri juaj është i saktë...”

„Po, mirëpo kam respekt për të gjitha librat e shenjtë...”

“Nuk besoj”, e ndërpreva me nxitim.”

“Si guxoni?”, ndërhyri ajo duke humbur durimin.

“E para, ju librat tjerë i konsideroni të shenjtë sa për sy e faqe. E dyta, sikur t'i konsideronit hyjnore, atëherë nuk do ta besonit tuajin, apo jo zonjë?

“Ky është paragjykim i ulët!“

“Oho, zonjë, më falni ju lutem, po nxeheni, keni durim ju lutem, megjithatë nuk besoj se keni respekt për librat tjerë të shenjtë...”

“Nga dini ju këtë?”

“Keni lexuar edhe librat tjerë?”

“Jo!”

“I keni në shtëpi?”

“Jo!”

“Atëherë nuk keni respekt, zonjë, por shpërfilljen tuaj, injorimin absolut, përktheni si respekt. Kështu mendoni të tregoni epërsi, ose tolerancë, ose qytetërim. Mirëpo ju nuk jeni as tolerante ndaj religjioneve tjera, as keni mirëkuptim, sepse puna që bëni, bëni për ta dobësuar grupin tjetër, përpiqeni t'i rrëmbeni besimtarët, apo jo zonjë?“

“Nuk është aspak e vërtetë!”, tha tanimë e skuqur në fytyrë.

„Ju dëshironi të rrisni kopenë tuaj, aq sa më shumë dele, aq më i lumtur dhe më i pasur bariu, apo jo zonjë dhe më thoni ju lutem, pse nuk vdesë asnjë klerik nga uria, por shumë fëmijë?”

“E si të jetojnë klerikët?“

„Si murgjit budist për shembull, që nuk marrin paga, por jetojnë nga ushqimet që u sjellin njerëzit! Pse ju duhen pagat dhe pasuria, kur kjo jetë është e përkohshme? Sepse kur duke ndihmuar të varfrin shkohet në parajsë, apo jo zonjë? Pse ata refuzojnë parajsën? Pse marrin nga i mjeri?“

„Po ju kuptoj, po ju kuptoj“, më ndërpreu ajo. „Kam këtu edhe një libër me shpjegime plotësuese.”, fshiu ballin dhe u përpoq ta nxjerrë nga fundi i valixhes.

„Edhe ai për parajsë zonjë, mos e nxirrni ju lutem!”

“Pse?” nxitoi me pyetjen.

“Bëhet fjalë për parajsën para apo pas vdekjes?” pyeta me shpejtësi të tepruar.

“Natyrisht pas vdekjes!” u përgjigj plot ngut.

“Nuk dua!”, thash sapo mbaroi mendimin.

“Si nuk doni?” pyeti dhe ofshani.

„Keni një libër që tregon si bëhet jeta parajsë për të gjallin, nëse po, e paguaj me kënaqësi?”

“Zotëri!”,

“Po zonjë?”

“E keni gabim!”

„Zonjë keni dëgjuar për Enver Hoxhën?”

“Ai që ka ndaluar religjionet?”

„I pat ndaluar“, thash, „nuk është më gjallë.”

“Ka gabuar...“, tha ajo.

„Do ta tregojë koha, mirëpo kjo nuk është me rëndësi, pyetja që shtrohet është, si mund njeriu të ndalojë zotin, por ai edhe pse i gjithëfuqishëm, edhe pse i gjithëdijshëm, nuk mund të pezullojë vendimin e Partisë së Punës, ose të dënojë Enverin!? Vdiq si një princ në moshë të shtyrë me mjekë rreth vetes dhe botës i tregoi se autoritetet hyjnore, mund të anulohen! Si është e mundur kjo zonjë”? Ajo heshti një çast dhe mori valixhen në dorë.

“Po, mirëpo në qiell digjet!”

“Si digjet ? Çfarë digjet, kur mbetjet e tij gjendet në Tokë, në Shqipëri?“

Ajo heshti duke luhatur kokën. “Zonjë, ne jemi në parajsë, mirëpo mungesa e mirëkuptimit, e dashurisë, na e bën jetën skëterrë. Lufta për t'i marrë besimtarët njëri tjetrit është hapi i parë për të treguar se çfarë mendoni për librat tjerë dhe si bëhet barrikada. Kjo nuk është as tolerancë, as respekt. Ne duke ëndërruar se jetojmë pas vdekjes, po humbim jetën të gjallë. Lëreni njerëzit të qetë ta jetojnë lirinë e vet. Zonjë, sapo lexova një artikull se ekzistojnë mbi njëqind miliard galaktika dhe ju mendoni se për atë qenie që paska ndërtuar ato e që ndërton vazhdimisht, unë dhe ju kemi vlerë më shumë se një buburrec dhe po ai, drejtuaka teleskopin tek fati jot dhe imi?

Zgjohuni zonjë, zgjohuni, jetoni jetën, sepse jeta është dhuratë dhe e mundur vetëm nëpërmjet dashurisë. Luftoni për ta mbrojtur këtë parajsë për brezat e ardhshëm, jo për t'i hedhur në iluzione dhe për t'i ndarë. Nuk duhet ndoshta përmendur se në emër të zotit janë vrarë qindra miliona njerëz dhe sot vriten, si dikur edhe sot për ambicie të një njeriu, por Jehovai, ose nuk mundet, ose nuk ka dëshirë, ose nuk ekziston, ose nuk ka kohë, por është iluzion të besohet se dikush kujdeset për ne.“ Ajo si e shtangur, pa asnjë grimasë në fytyrë dëgjonte dhe vazhdova tutje:

“Merrni ju lutem kartëvizitën time, telefononi herë pas here dhe kur të kuptoni se kam vdekur, më sillni ato fletushka, doracakë dhe atë libër. Atje kam shumë kohë për të lexuar dhe mësuar, meqenëse jetoj përsëri. Edhe një: nëse gjeni një libër të shenjtë që mëson njeriun si ta bëjë Tokën të jetueshme pa frikë: si të zhduket urrejtja, diskriminimi i njerëzve dhe i popujve, si të zhduket lufta, vrasja, dhunimi, si të zhduket lakmia, smira, diskriminimin gjinor, abuzimi me fëmijë, si të zhduken sëmundjet, varfëria, racizmi, atëherë silleni atë libër dhe ai do të jetë i shenjtë, me vlerë universale dhe unë nuk do ta marrë falas, por do ta paguaj dhe marrë pjesë në shpërndarje...”

“E ju, ju jeni shqiptar apo jo?”, më ndërpreu duke i rregulluar flokët dhe duke më larguar nga tema.

“Po, i tëri!”

“Jeni ateist?“

„Nuk e di, i besoj dashurisë, mirëpo ju jeni e bija e zotit M., apo jo? Para njëzet viteve kemi banuar ballë për ballë, në rrugën e Leibnizit, ndoshta nuk ju kujtohet, ishit e vogël...“

“E mundur...“

„Para diku dhjetë viteve ju patën vdekur prindërit në komunikacion?

„Po...“, tha duke parë këpucët.

“Dhe ju trashëguat një pasuri shumë të madhe si e vetmja pasardhëse...”

“Jo aq shumë sa mendojnë njerëzit...“

“Sidoqoftë, nëse vërtet ia doni të mirën njerëzve dhe dëshironi parajsën, atëherë shitni banesat dhe dhurojani njerëzve, që vdesin nga uria, njerëzve të pastrehë, sepse zonjë e dashur, skëterrën bëjnë shpesh ata që kanë shumë para, e pastaj, meqenëse kjo jetë është shumë e shkurtër, çfarë kuptimi ka grumbullimi i pasurisë? Për të krijuar ferrin dhe parajsën ballë për ballë? Zonjë, ata që kanë ferrin para hunde, e kanë pikërisht pse tjetri përballë ka parajsën! Pasuria është motër e lakmisë së tepruar; zonjë!„

Ajo shtrëngoi valixhen në dorë dhe u largua me hap të shpejtë duke tundur kokën. Unë thirra kamerierin dhe thash vet me vete: „Kur duhet dhuruar lekë, edhe besimtari më i devotshëm, harron zotin dhe parajsën! Zonja ka mundësi të shëtitet për të bindur njerëz, sepse jeton nga qiraja dhe nuk duhet as të punojë. Sa më shumë të bindë se si të varfër do të meritojnë parajsën, aq më e qëndrueshme, më e sigurt dhe më e paprekshme do të jetë parajsa e saj në këtë botë!”
"Zëri", 201524 gusht 2015


Komente

Jep koment

Naser Aliu
Naser Aliu
Publicist
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading