Kërkimi shkencor? Një term i huaj për Shqipërinë


Deri një vit më parë Shqipëria numëronte 59 universitete dhe shkolla të larta (15 publike, 44 private), një Akademi të Shkencave, një qendër të studimeve albanologjike dhe rreth 20 qendra të tjera të emërtuara për kërkimin shkencor.

Për një vend me vetëm 2.8 milion banorë aktivë bilanci numerik i institucioneve të shkencës dhe dijes është më se i mjaftueshëm, madje shumëfish më i lartë sesa vende të tjera më të zhvilluara evropiane.

Për shembull, referuar numrit të banorëve Shqipëria kishte 8-15 herë më shumë universitete sesa Britania e Madhe dhe Austria, – dy ish perandori të njohura për sukseset dhe arritjet shkencore e kulturore përgjatë historisë.

Me ndërhyrjen e ekzekutivit numri i universiteteve u përgjysmua, – 18 u mbyllën, pjesa tjetër plotësoi dokumentacionin dhe vijoi aktivitetin normal. Tani ka nisur procesi i kundërt, – MAS ka propozuar në qeveri dhënien e lejes për të paktën një universitet tjetër privat dhe se ligji i ri për arsimin e lartë pritet të hyjë në fuqi nga fillimi i muajit tetor 2015.

Tradita shqiptare, sidomos retorika politike, është e dhënë pas lojës së shifrave. Dhe në shifrat e numrit të universiteteve dhe qendrave kërkimore ne jemi ndër më të mirët. Por shifrat nuk janë gjithçka, – përkundrazi.

Referuar shifrave formale në kulmin e urisë (1989) Shqipëria pati fituar çmimin për vendin më të mirushqyer, më 2012-2013 në prag të krizës ekonomike na thuhej se rritja jonë ekonomike është pas Gjermanisë, kurse tani që mijëra largohen çdo javë për emigrim vijon të na thuhet se jemi vend lider rajonal në reforma dhe rritje ekonomike.

E njëjta logjikë absurde dhe fyese për inteligjencën e njeriut vlen edhe kur i referohemi arsimit. Për shembull, prej dy vitesh shteti ka krijuar monopol për studimet e ciklit të tretë, – një urdhër ekzekutiv ka ndaluar studimet e ciklit të tretë tek publiku dhe një urdhër tjetër i ka certifikuar këto si të drejta tek një universitet privat. Një teknikë e re pas së cilës, përveç humbjes cilësore, fsheh pas saj të paktën 5-7 milion euro fitim.

Gjithsesi, nëse një reformë e arsimit dhe shkencës pritet të ketë sukses varet nga tri faktorë: baza ligjore e organizative, kapaciteti profesional dhe buxheti në dispozicion.

Sipas vetë MAS buxheti ynë për arsimin dhe shkencën nuk ka kaluar asnjëherë 3% të PBB, kur standardi i vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim është minimumi 5%. Shpenzimet tona direkte për arsimin e lartë e kërkimin shkencor kufizohen në 0.4-0.6% të PBB, ndaj 1-3% e mesatares së vendeve të OECD.

Çdo vend i rajonit tonë ka përqindje më të lartë financimi sesa Shqipëria. Nga ana tjetër, asnjë vend rajonal nuk ka bërë më shumë ndërhyrje e ndryshime përgjatë dekadës së fundit në sistemin e arsimit të lartë sesa Shqipëria.

Ligji i ri krijon situatë të re, aktet nënligjore do duan një vit tjetër të miratohen dhe kështu, produkti i tij real do duhet të pritet pas 5-10 vitesh me shpresën se nuk do zhgënjehemi përsëri.

Kur analizohen të dhëna dhe tregues të tillë vazhdimisht lihet mënjanë një aspekt tjetër me rëndësi: institucionet tona universitare janë mësimdhënëse, jo kërkimore shkencore.

Në database të botimeve shkencore rajonale dhe evropiane Shqipëria nuk përmendet, nuk raporton asgjë, nuk është pjesë e projekteve me rëndësi dhe nuk ka potencial ndryshimi e konkurrence.

Fjala vjen, Maqedonia ka fituar 80% më shumë projekte sesa Shqipëria, Serbia 90%, Rumania 120% më shumë, Sllovenia 130% etj.

Ne jemi nga vendet e vetme ku fitimi nga projektet ka qenë më i pakët sesa vlera e taksës vjetore të anëtarësisë në konkurrim, pra që rezulton me humbje dhe që negocion me të tjerët mbulimin e humbjes.

Një analizë e detajuar e katër universiteteve më të mëdha publike në vend rezulton se gjatë 3-4 viteve të fundit secili prej tyre ka “djegur” fondin e kërkimit shkencor dhe se i gjithë bilanci shkencor janë ca konferenca rutinë, ca botime të pareferueshme, ca projekte formale me ndonjë partner të huaj dhe ca ekspedita të përbashkëta, kryesisht të nxitura e financuara nga të huajt.

Në arkivin shkencor në Bibliotekën Kombëtare gjatë 4-5-6-7 viteve të fundit nuk është raportuar dhe as shënuar asnjë, absolutisht asnjë projekt me rëndësi shkencore që vjen nga bota akademike dhe universitare.

90% e titujve janë botime me theks personal, nisma institucionale, pasqyrim i dokumenteve arkivore apo raporte rutine administrative, pa ndikim e risi në shkencë, në shoqëri dhe në bilancin shkencor e kulturor të Shqipërisë.

Shumica e atyre që publikut i shihet si shkencë, nuk ka asgjë shkencore, thjesht mall tregu fjalësh, siç kemi edhe mallra të tregjeve të shumicës. Përjashtim minimal përbëjnë disa degë specifike që lidhen me arkeologjinë, gjuhën apo kulturën shqiptare, – edhe këto larg standardeve që trashëguam nga Çabej, Riza dhe emra të tjerë shkencëtarësh që nuk jetojnë më.

Le ta ilustrojmë nga rasti i studiuesit ukrainas Novik, i cili si pjesë e ekipit shkencor të San Peterburgut hulumtoi dhe solli risi me vlerë për historinë tonë, për komunitetet e hershme shqiptare në Ukrainë, – studim që përbën lajmin kryesor nga seminari i 34-të Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqipe që u mbajt në Prishtinë.

A mund ta bënin institucionet tona, studiuesit tona, – a mund ta financonte shteti ynë një projekt të njëjtë? Jo dhe jo.

Një vend pa shkencë është një i sëmurë pa mendje, – jeton, ushqehet, lëviz, flet, grindet, kërcen, këndon, bën plazh, përdor edhe FB apo Twitter por nuk ka vizion, maturi, integritet, ndërgjegje, moral qytetar dhe as aftësi të dallojë vlerën nga antivlera. Produkti? Jeton por mbahet nga ilaçet dhe kujdesi i të tjerëve.

A nuk është kështu shoqëria e shteti shqiptar? Të flasësh për shkencën në një mjedis ku një e pesta mbajnë diplomat e universiteteve të mbyllura për fiktivitetin e tyre, apo ku temë kryesore politike mbetet përfshirja e madhe e personave të inkriminuar në vendimmarrje politike dhe ekzekutive, është si të krahasosh Naim Frashërin me turmat sharëse anonime që luajnë rolin e piranjave në komentet e tyre në blogjet tona mediatike e sociale.

Përgjegjësitë dihen, fajtorët dihen, praktikat negative dihen, zgjidhjet dhe shenjat e vullnetit të mirë për zgjidhje ende mungojnë. Në politikë ka gjithnjë vend për referim, ndaj kemi fatin të gjejmë pika referimi tek vende që janë njësoj si ne në tregues politikë e demografikë, por ndryshe nga ne në aspektin shkencor e vizionar. Cila duhet të jetë zgjidhja?

Le të hedhim sytë nga Maqedonia fqinje. Ata kanë arritur të jenë të suksesshëm në thithjen e financimeve nga projektet e BE, kanë strukturë aktive dhe funksionale aplikimi, kanë sistem shkencor kërkimesh dhe publikimi, kanë financim e buxhetim shumë më të lartë, kanë harxhuar disa dhjetëra milion euro për të blerë vitet e fundit laboratorë modernë për qendrat kërkimore, si dhe financojnë me kontratë detyrimi për shërbim 10 vjeçar në shtet, disa qindra e mijëra bursistë që pranohen në universitetet më të mira të botës.

Le të marrim Kroacinë e Slloveninë, dy vende shumë më të përparuara edhe se Maqedonia. Gjithçka shkencore financohet, profesorët dhe ekspertët nuk trajtohen si mësues rrogëtarë normativë (si në Shqipëri), por si institucione burimore për shkencën dhe kërkimet. Aktiviteti i tyre brenda e jashtë vendit financohet, të rinjtë e talentuar nxiten e financohen për studime jashtë, buxhetimi për shkencën është në rritje shumëfish më të lartë se ne, konferencat, botimet apo referimet shkencore janë më të larta në standard dhe më cilësore në shtjellim, teza e fusha kërkimi.

Natyrisht që për një vend ku mungojnë uji e dritat, ku informaliteti është i lartë, ku suksesin më të madh kulturor e kanë muzika tallava apo librat e porositur vetëlavdërues, ku krijuesit më të suksesshëm në shitje janë politikanët, ku antivlera sundon hapësirën publike dhe politike dhe ku nga 61 bashki vetëm 26 kanë biblioteka brenda territorit të tyre, – është demode dhe e vështirë të flitet për shkencën, kërkimin shkencor, produktin shkencor dhe nevojën jetike të tyre.

Ka një pakicë që mendon ndryshe, dhe kjo pakicë, kudo ndodhet dhe sido sillet, për mua është e mbetet shpresa e vetme e ndryshimit, e dijes, e shkencës dhe e ditës së largët në të cilën, – duke perifrazuar Musine Kokalari, – një kilogram llaç të mos ketë kurrë të njëjtën vlerë me një kilogram tru.
"Java", 201521 gusht 2015


Komente

Jep koment

Afrim Krasniqi
Afrim Krasniqi
Politolog, publicist, arsimtar
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading