Sforcimi i fesë mbi shqiptarët – thembra e Akilit që vret


Fanatizmin fetar te shqiptarët e kanë mbjellë dhe e mbjellin kryesisht kundërshtarët historikë të shqiptarëve dhe shtetet që për interesa të tyre gjeostrategjike mundohen t’i zgjerojnë kufijtë e konfliktit anti-Perëndim.

Kështu është vepruar që nga koha e fillimit të tkurrjes së Perandorisë Osmane nga Ballkani e deri më sot. Ndërkaq, sa herë që çështja shqiptare është shtruar në tavolinat e fuqive të mëdha, kundërshtarët e shqiptarëve e kanë sforcuar religjionin te shqiptarët, përkundër gjendjes reale në terren.

“Krenaria popullore e shqiptarit është mjaft e madhe. Kur dikush e pyet një shqiptar ç’është, para se t’i përgjigjet se është mysliman a i krishterë, ai do të thotë se është shqiptar. Kjo shprehje, duke e marrë parasysh kuptimin e saj, do të mund të shpjegohej se ai është banor i një vendi shkëmbor. Kjo mënyrë e manifestimit të individualitetit të tij është shkak i ndjenjave të veçanta nacionale, të cilat e mënjanojnë atë përçarjen e rreptë të këtyre dy feve. Shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë, flasin një gjuhë, i kultivojnë traditat e njëjta, kanë qëndrimet dhe zakonet e njëjta. Mburrja e përbashkët kombëtare e tyre është aq e fortë sa që nuk i ka lënë vend përçarjeve religjioze, që i ka ndarë njerëzit e këtij populli”.

Ky studim dhe vlerësim për çështjen e religjionit te shqiptarët nuk është bërë viteve të fundit, madje as para gjysmë shekulli, por ky vlerësim është bërë para më shumë se 120 viteve nga studiuesi anglez Thomas W. Arnold, një ndër orientalistët më me zë në botë, në librin “Historia e përhapjes së islamit” të botuar në vitin 1896, në kohën kur shumica e trojeve shqiptare ende ishin nën Perandorinë Osmane, në kohën kur, për shkak të analfabetizmit të popullatës, nuk ka pasur edhe shumë demagogë që janë munduar ta portretojnë me ngjyra religjionin te shqiptarët.

Se shqiptarët e kanë pasur një perceptim më të veçantë për religjionet sesa popujt përreth e dëshmojnë edhe shumë historianë të huaj, udhëpërshkrues dhe sociologë. Përshkrimi më i spikatur është i gazetares, shkrimtares dhe politikologes amerikane, Rose Wilder Lane në librin “Majat e Shalës” gjatë udhëtimeve të saja në Shqipërinë e Veriut në vitet e 1920.

Deklarimet se shqiptarët kanë fe të ndryshme por karakter, kulturë dhe etnografi të njëjtë ajo nuk i merr prej deklarimeve të të shkolluarve, ose politikanëve, por ajo i përjeton vetë në viset më të thella të Shqipërisë, ku shkollat pothuajse janë të panjohura për malësorët.

Nuk ka dyshim se qasja tradicionale e shqiptarëve ndaj religjioneve ka ndihmuar më së shumti në njohjen e të drejtës për të bërë shtet. Mirëpo, prapë se prapë, heterogjeniteti fetar i shqiptarëve ka qenë thembër e Akilit që kundërshtarët e kanë goditur vazhdimisht. Dhe po e goditin.

Pas çlirimit të Kosovës nga NATO administrata ndërkombëtare në Kosovë si në shumë segmente të tjerë, dështoi në perceptimin real të religjionit të shqiptarëve. Madje, për më keq, në kohën kur u sforcua ideja e ndeshjes së qytetërimeve pas ndërhyrjeve amerikane në Afganistan e Irak, paradoksalisht e pikëtuan shoqërinë shqiptare në përgjithësi e veçmas atë në Kosovë, si model se si duhet të koekzistojnë religjionet e ndryshme në një shoqëri të njëjtë. Për pasojë ua rriten morrat krerëve të religjioneve, myslimanë e katolikë shqiptarë, e po ashtu edhe ortodoksëve serbë, sa që ata filluan të bëhen faktorë në sytë e qytetarëve.

Edhe pse me Kushtetutë Kosova është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare, politikanët dhe krerët e institucioneve i thelluan bashkëpunimet me krerët fetarë, sa që u bënë edhe këshilltarë të ndërsjellë për çështje civile e fetare. Hoxhallarët e priftërinjtë i zunë vendet në rreshtin e parë të paradave politike, fushatave, përurimeve etj. etj.

Për t’i dhënë kulm sforcimit të religjionit në Kosovë ndihmoi edhe vetë kreu i OKB, Ban Ki Muni, që vizitën e tij historike në Kosovë e nisi në xhami dhe e përfundoi pak metra më tutje në kishë, një anomali brejtëse që nuk do të ndodhte edhe sikur të shkonte për vizitë zyrtare në Afganistan.

Për më tepër edhe administrata e Departamentit të Shtetit Amerikan nuk harron t’u çojë krerëve të institucioneve shtetërore telegrame urimi për "Bajrama e Shëngjergja"...

Në qoftë se Kosova edhe me Kushtetutë është shtet multietnik e multifetar, atëherë telegramet e urimeve për festa fetare duhet t’i përfshijnë edhe festat fetare katolike, ortodokse, rome, të ashkalive e të egjiptasve, por jo t’ua dërgojnë krerëve të institucioneve publike, por bashkësive fetare.

E shqiptarët e Kosovës, të zaptuar nga cubat e vet, s’po kanë forcë ta përçojnë zërin e të vërtetës përtej vetvetes. Se shqiptarët nuk kanë kaçik të bëhen model e as eksperiment se si bashkekzistojnë religjionet në një koqe vend, pasi që fuqitë që duan ta dështojnë këtë eksperiment janë shumë të mëdha, e ne jemi kaq pak për t’u bërë mish për top.
"Gazeta", 201530 korrik 2015


Komente

Jep koment

Ardian Haxhaj
Ardian Haxhaj
Publicist, shkrimtar, kritik letrar
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading