Feja dhe ateizmi


1. Prezantimi i temës



Nën këtë titull dy termash, i nderuar lexues, dëshiroj të përcjell një dialog apo bashkëbisedim me disa shkrime në shtyp, sidomos ato të botuara në gazetën “Sot”, si: “Po i bie grimi Atifetes” (29 dhjetor 2011), “Stabiliteti i Shqipërisë, vetëm në se drejtohet nga përfaqësues të komuniteteve fetare” (5 janar 2012), “Katolicizmi shtetëror kërcënon tolerancën fetare në Shqipëri e në Kosovë” (7 janar 2012), “Nacional-laicizmi islam dhe inferioriteti i shqiptarit të Maqedonisë” (28 mars 2012), “Rreziku që i vjen shoqërisë shqiptare në tranzicion” (5 prill 2012), “Fetë kërkojnë lejimin e simboleve dhe lëndë të posaçme në shkolla…” (26 prill 2012) të autorëve Iljasa Salihi, Pirro Prifti dhe Olsi Jazexhi e të tjera.

Të marra në grup, në to gjejmë të fokusuar e të lakuar fenë si faktor vendimtar (gati shpëtimtar) në jetën tonë politiko-shoqërore, si një çelës magjik të kapërcimit të krizave, fatkeqësive e mjerimit që na kanë pllakosur. Gjejmë në to një merak dhe kujdes të disa autorëve laikë për të tillë status dhe rol të feve në hapësirat shqiptare, që na rezulton i tepruar dhe i shtrembër. Secili, operon me besimin që ka zgjedhur dhe e përqafon, që e ka debulesë ose dhe me fenë, në përgjithësi; për këtë dukuri thjesht personale bën vërejtje e sugjerime orientuese, në një këndvështrim që kalon në maksimalizim të rolit dhe apologji të sforcuar të saj në jetën shoqërore. Vërejmë, kështu, një tejkalim të së drejtës dhe shkelje të disa parimeve bazë, të cilat janë bërë kulturë, pasuri dhe emancipim i njerëzimit, ndërsa kur shprehemi publikisht për këtë temë delikate, duhet të ruajmë masën.

Nuk i vëmë fare në dyshim sinqeritetin dhe synimet dashamirëse të autorëve për ndryshimin e tablosë së gjërave për më mirë e më mbarë, por, me të njëjtën dashamirësi e sinqeritet, po replikojmë, po hyjmë pakëz në debat, pa të cilin nuk shtyhet mendimi shoqëror; me synimin që publikisht të dalim me mendime sa më të sakta, shoqërisht të pranueshme dhe jo të hedhim në tregun e ideve çdo opinion që e kemi fiksasion personal, të shprehemi me ato fjalë që na rinë në majë të gjuhës, po që nuk përputhen me realitetet historike e jetësore dhe me disa parime e norma të sanksionuara, që janë dhe pasuri e progres i demokracisë moderne.

Një opinion i ngushtë, personal, se feja është gjëja më e mirë që ka gjetur kjo botë dhe nuk po di ta menaxhojë atë si duhet, madje, po i shmanget rrugës së zotit, nuk mund të jepet si parim udhëheqës në kohët tona moderne! Të mendosh se po larguam zotin, do të përmbyset dynjaja, se po “nuk ka zot, të gjitha lejohen”, siç është shprehur Dostojevski, i cituar dhe prej autorëve, e pa këtë besim nuk ke “vlera shpirtërore”, kjo është, të paktën, njëanshmëri dhe glorifikim i pamerituar! Shtylla fetare nuk është më si më parë në jetë. Shkurt, mendimi qytetar është gjithnjë i mirëpritur kur ai është shoqërisht i dobishëm dhe gëzon ose e fiton të drejtën e qytetarisë.

Na lind dëshira të shënojmë këtu paraprakisht dhe sugjerimin që nga autorët e mësipërm e ndonjë lexues me sedër fetare, të mos paragjykohem si “ateist i pandreqshëm” e “vegël e djallit”, sepse të tilla paragjykime, të pranueshme në botën fetare, në demokracinë moderne përbëjnë shprehje të një fanatizmi intolerant e të papëlqyeshëm, do të ishin cenim i vetë kësaj demokracie dhe shkelje e drejtpërdrejt e parimit demokratik të lirisë së ndërgjegjes. Se e drejta e kujtdo të jetë ateist e të shkruajë për këtë botëkuptim, në kohën tonë, është po aq njerëzore e kushtetuese, sa është edhe e liria e teologëve apo grupeve të caktuara njerëzish të jenë besimtarë e të shprehen në përputhje me iluzionet e tyre, sigurisht, duke i shtrirë këmbët, sa kanë jorganin.

Në qoftë se, në ndonjë vend teokratik të botës, ateistit i rezervojnë deri dhe dënimin me vdekje, kjo nuk është argument për stigmatizimin e tij, por dëshmi e fanatizmit, intolerancës fetare dhe e teokracisë. Ateizmi është e kundërta e fesë, e quan atë një iluzion dhe botëkuptim të papajtueshëm me konceptin shkencor të botës. Megjithatë, këtu nuk do të bëjmë fjalë gjerësisht për ateizmin, përveçse në masën që autorët e vënë atë padrejtësisht në shënjestër, i vardisen këtij botëkuptimi pa argument e fare pa moral, sepse u duket së kështu e glorifikojnë më mirë fenë, po në fakt, i bëjnë rrugë urtësisë popullore që thotë “i shari të shan”.

Fryma e çdo feje, vërtet e kërkon injorimin dhe stigmatizimin e ateizmit, por kultura dhe arsyeja e shëndoshë, në emër të të drejtave njerëzore, ka kohë që i ka thënë kësaj fryme: “Ndalu beg, se ka hendek!”

Në shkrimet e mësipërme operohet me disa koncepte e ide fikse, tradicionale prej shekujsh, të cilat sot bëhen të rrezikshme. Autorët nuk e përfillin fare polemikën shekullore të njerëzimit kundër fesë, nuk merren në konsideratë as ato mësime e ajo kulturë demokratike, të akumuluara historikisht e që përmbajnë përcaktime e sanksione të mëdha parimore të statusit të fesë.

2. Fetë, objekt i polemikës shekullore të njerëzimit



Historia e jetës së njerëzimit dhe kulturës botërore është dëshmitare e një polemike shekullore me bosht bindje-besim, shkencë-fe, si dhe me raportet e ndërsjella politikë-fe. Çdo vend e popull ka veçoritë dhe hesapet e veta për këtë kapitull. Ndaj dhe çdo replikë e disa objeksione ndaj shkrimeve të mësipërme, në thelbin dhe frymën e tyre, themi se vijnë si një fragment i asaj polemike të pandërprerë me idenë qendrore “e krijoi zoti njerinë, apo njeriu zotin”, dhe në vijim: po udhëheq besimi apo bindja shkencore; a duhet konsideruar feja element i identitetit kombëtar, të paktën, përbërëse e ndërgjegjes kombëtare, apo është një dukuri tjetër dhe e veçantë; a kanë më vend lakmitë e Faltores (Kishës) edhe për pushtet politik, apo ato janë ndarë përfundimisht; a ka në shoqëri një moral tjetër, veç atij fetar; cilat janë funksionet, roli e statusi i përgjithshëm që u mbeten e u takojnë sot bashkësive fetare në jetën e shoqërisë moderne; progresi i njerëzimit a nuk është nga habia e besimi në bindje, nga feja në shkencë etj.

Demokracia moderne i ka përpunuar tanimë disa parime e kritere gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, siç janë garantimi i lirisë së ndërgjegjes, ndarja e fesë nga politika, shtet e shkollë laike, “të besuarit” si zgjedhje e zgjidhje personale etj. të cilat duhen respektuar e pasuruar më tej.

Nuk po zgjatemi këtu pse janë marrë këto masa dhe pse u vunë të tilla sanksione kufizuese, pikërisht pas apogjeut të fesë në epokën feudale kur ajo ishte gjithçka: ideologji dhe politikë, ligj dhe ndërgjegje, kulturë dhe arsim, etikë dhe brumë e normë estetiko-artistike, ishte e vetmja infrastrukturë, e trajtuar si një “lule mos më prek”, që kush guxonte ta cenonte, i nënshtrohej inkuizicionit famëkeq, digjej i gjallë në turrën e druve, me kënaqësinë prej sadisti që një gjahtar pjek prenë e vet.

Parimi iluminist i lirisë së ndërgjegjes u kërkua si kundërpeshë e imponimit të dhunshëm politik-kishtar të dogmës fetare, sikurse dhe shpallja e fesë një “çështje personale”, është hapi emancipues i heqjes së forcës detyruese e indoktrinuese. Në volume të folklorit të popujve, në literaturën botërore, atë studimore dhe artistike, është pasqyruar e ilustruar polemika shekullore e njerëzimit; historia e ka të regjistruar gjithçka është kryer e manipuluar me anën e feve e në emër të tyre. Kjo kulture, këto tradita e parime duhet të jenë medoemos formim, pasuri dhe pikë referimi e çdo intelektuali publik dhe jo sentimentalizmat e ngushta, individuale të botës intime.

3. Të besuarit është zgjedhje dhe zgjidhje personale



Po në këtë sfond historik dhe përballë parimeve e normave të vendosura nga demokracia, çfarë, mendojmë se nuk shkon në shkrimet e mësipërme?

E nisim me pohimin se Presidentes së Republikës së Kosovës, që “po i bie grimi”, me shqetësimin e shprehur për “injorim të skajshëm (prej saj) të atyre që përfaqëson”, ku asaj i është hyrë padrejtësisht në hak, madje, mu në vigjilje të festës së fundvitit 2011. Që do të thotë, meqë ajo mban një emër mysliman, automatikisht duhej t`i përkiste kësaj feje dhe duhej medoemos të përfaqësonte ithtarët e saj e të mos devijonte nga feja e emrit që mban.

Kemi të bëjmë këtu me bindjen e rreme sikur “feja lind bashkë me njeriun” dhe sikur emri nuk është simbol konvencional, por një vulë fetare e thatë për secilin, siç mbetet e tillë rrethprerja (synnet-i) për meshkujt, e bërë që në fëmijëri dhe përsëri jo obliguese fetarisht. Dhe emri që mbartim, nuk shpreh një identitet fetar, ashtu sikurse i quajturi Luan nuk rezulton medoemos njeri i fuqishëm, apo e quajtura Rozë, nuk e ka automatikisht aromën e trandafiles etj.

Është mëse e saktë ideja e autorit se “presidentja nuk ka qenë e vetëdijshme kur prindërit e kanë “pagëzuar” me këtë emër”, madje, po shtojmë më tej, se ajo, në ato ditë, ka qenë vetëm “mish me dy sy” e “nuk i binte as maces me lugë”. Po pse duhet të pajtohemi me merakun e autorit që ajo nuk u rrit si një “myslimane e mirë” dhe mos t`i njohim asaj të drejtën njerëzore të mendojë e jetojë si ia do mendja dhe zemra e vet dhe kjo zgjedhje bëhet pas adoleshencës e më lart?

Kapja pas emrit është formalizëm i përdorur si diktat indoktrinues, një imponim, një shkelje e të drejtë së individit të mendojë lirshëm dhe të zgjedhë vetë se si duhet të jetojë. A nuk e di autori, nga historia, se shumica shqiptare janë sot myslimanë për motive e arsye rrethanore, e përqafuan atë dhe braktisën besimin e mëparshëm relativisht lehtë, për të garantuar një mbijetesë të vështirë?

Kurse pushtimin osman dhe importimin e fesë së re tek ne e gjetiu, autori nuk e koncepton si rastësi, po si vullnet suprem dhe nevojë jetike për shqiptarët! Po, siç ka ai të drejtën e tij të aderojë në islamizëm, të ndjejë dhe debulesë për atë fe, po ashtu dhe Atifetes e të tjerëve, duhet t’i njohë të drejtën të zgjedhin një besim (po ta ndjejnë nevojën për një gjë të tillë), ta ndryshojnë atë lirshëm me një fe tjetër gjatë jetës, ose të mos besojnë fare e të jetojnë si laikë apo ateistë, ashtu siç përcaktohet e sanksionohet, tanimë, kjo e drejtë edhe në konventat ndërkombëtare.

Autori, jo vetëm e injoron këtë të drejtë demokratike, por shprehet edhe me xhelozi pse politikania ka marrë pjesë në “Takimet e Gjeçovit”, ku evokoi Kanunin e Maleve, të cilit Kanun i tërhiqet dhe vëmendja se paska pamundësuar zbatimin e Sheriatit mysliman(!?).

Po ç’i hyn në hesap e në merak autorit Sheriati, kur vetë jeta e ka lënë atë në vendin që i takon? I kredhur në fenë e vet, ai, jo vetëm bëhet xheloz, por shfaqet me intolerancë ndaj katolicizmit, (të cilit i përkiste Gjeçovi, por jo dhe Kanuni i Maleve që ai sistemoi).

Nuk përcaktohet identiteti i askujt, as i politikanes së përmendur, me vizitën në një katedrale të pambaruar. Ajo, përkundrazi, bëri një hap dhe gjest mirësjelljeve e tolerance, që autori me fisnikëri duhej ta vlerësonte e përshëndeste, sikurse s`ka arsye ta rëndojë atë pse ditën e Bajramit, më 6 nëntor “e la me sy të zgurdulluar kah dera Myftiun e Kosovës, ndërsa refuzoi bindshëm këtë institucion të lartë”.

Nuk është dinjitoze për klerikun t`i mbeten sytë nga dera, në pritje me ankth se cila figurë po hynte; nuk është serioze as për autorin që vë kushtin ultimativ: “Dëgjo ti, moj presidente, o myslimane, o të bëjmë lanet fare”! Është në kapacitetet e mundësitë e çdo besimtari të kërkoj “referencën hyjnore, njohjen në mënyrë të prerë të një fuqie universale”, ta quaj atë “formën më të lartë të ndërgjegjes njerëzore dhe të asaj kombëtare” (gazeta ”Republika”, 1 nëntor 2007), por ky është vetëm një glorifikim subjektiv dhe apologjetik, që shpërfill parimin e madh kushtetues të lirisë së ndërgjegjes.

Respektimi i këtij parimi në demokracinë e vërtetë e trajton ndërgjegjen si pronë dhe monopol të secilit, nuk lejon ndërhyrje në përmbajtjen e saj, nuk dikton me kushtetutë e ligj, të themi, as ateizmin, në dëm të ndërgjegjes fetare, siç u veprua euforikisht dhe sektarisht në sistemin që lamë pas, nuk shfaq as ndonjë debulesë publike e glorifikim politiko-juridik të fesë, në dëm të ndërgjegjes laike e ateiste, siç po vegjetohet sot në shoqërinë tone.

Mesjeta po, “ndërgjegjen” e reduktonte vetëm në fe, në besim dhe shprehja “liri e ndërgjegjes” barazohej me “lirinë e fesë”. Brendia, përmbajtja e botës shpirtërore të njerëzve është e ndryshme nëpër individë e grupe njerëzish, ndryshon dhe nga një moshë në tjetrën, madje, edhe sipas gjendjes shëndetësore e humorit, në mos edhe sipas stinëve, mund të ndryshojë ajo edhe nga një fe në tjetrën si dhe nga feja në ateizëm. Ka perënduar ajo kohë kur sundonte rregulli: “O ndërgjegje fetare, o gjej vrimë e futu!”

Që para mbi tre shekujve, Xhon Lok theksonte se “Adhurimi i Zotit është aq personal, aq privat, sa është, të themi edhe mbjellja e tokës, martesa e vajzës, mënyra e shpenzimit të të ardhurave” etj. Feja hyn në shijet dhe gustot personale.

“Liria e lirive” është pikërisht liria e ndërgjegjes, mendimit e fjalës dhe jo thjesht “liria e besimit”, siç e ka ngushtuar këtë parim kryeministri ynë kohët e fundit. Feja është personale edhe për faktin se secili mund të thotë. “Unë besoj sipas mënyrës time”. Së dyti, po ai anglez i madh ka theksuar se “Feja e shtetarit është e vërtetë vetëm për veten e tij”.

Dera e faltoreve dhe zyrave fetare është e hapur për këdo të hyjë me dëshirë të lirë për falje apo vizitë, kurrsesi me detyrim e imponim. Kush shkon, është i mirëseardhur, kush nuk shkon, nuk ka pse të qortohet apo të mbahet inat. Perënduan kohërat kur heretikut i varnin gurin në qafë dhe e sillnin rrotull faltores!

Po nënteksti i pashkruar i shqetësimeve dhe arsyetimeve të autorit është se: “sa politikanë të hyjnë në faltore, aq do të jetë a rritet dhe kredibiliteti i fesë përkatëse”.

Feja i ndjen dhe i ka një nevojë jetike “patericat politike”. Sikurse dhe politikanët e shkelin rëndë kulturën politike, juridike, morale që ka akumuluar njerëzimi, kur përgjërohen publikisht me besimin e vet, me një nga gjërat të sanksionuara tanimë si më personalja.

4. Koha e teokracisë politike ka perënduar



Nuk është bindëse në shkrimet e sipërpërmendura as ideja se që të ketë stabilitet në Shqipëri, duhet të sanksionohet në Kushtetutë ndarja e pushteteve mes përfaqësuesve politikë të bashkësive fetare. Autori, ka montuar disa ngjarje trazirash, ia atribuon këtij kushti disa destabilizime gjatë kohërave dhe, në mënyrë fataliste, pohon se pa plotësimin e tij “destabilizimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.

Një trend i hatashëm kërcënimi! Kërcënon tjetri me qiellin, sikur ta ketë kapur atë me dorë.

Njerëzimi, me shumë vështirësi e sakrifica arriti të shkëputet nga teokracia feudale, të mos ketë fe zyrtare, ta ndajë fenë nga politika, t`i japë frymëmarrje laicizmit. Luftërat disavjeçare, krimet e gjakderdhjet, shpërdorimet e arbitraritetet shekullore prej binomit Politikë-Fe, arritën në një gjendje kaq kritike e flagrante, sa kësaj aleance të përgjakshme u bë e domosdoshme e imperitive t’i thuhej “Ndal!

Shpalosja prej Rilindjes Evropiane e parimit të laicizmit, është goditja e parë e madhe politike, kulturore, e emancipuese prej atyre lidhjeve arbitrare e antinjerëzore, që e ktheu fenë në statusin e vet adekuat. Sugjerimet e mësipërme, si remineshenca mesjetare, për ta rikthyer Faltoren në pretendimet e lakmitë e saj të kahershme dhe për ta bërë fenë në jetën shoqërore ca më faktor se ç`po gjëmon ajo realisht për mbijetesë, janë kërcënuese dhe bota po i përjeton sot me shumë shqetësim, me dhimbje e brengë.

Fetë kryesore, me “inatin e brendshëm” të tyre, me konfliktualitetin latent apo real-shpërthyes, mbeten rrezik potencial, “shpatë e Damokleut”, qoftë edhe jo me të tilla motivime, përmasa dhe alarme, siç janë konceptuar nga Samuel Hundikton-i në librin madhor “Përplasja e qytetërimeve”.

Teokracia politike ka perënduar, përmbajtja, tendenca e zhvillimeve dhe organizimi politik i shoqërisë janë iluminizmi, transparenca, demokracia, kodet civile-penale, etika laike, të drejtat e njeriut dhe vetë parimi i laicizmit, që po bëhet mbizotërues.

Ka qenë e njohur edhe ideja për kantonizimin fetar të Shqipërisë, por kjo do të ishte vepra më antikombëtare. Si në krejt botën, edhe në mjedisin shqiptar, koloriti i feve nuk përbën pikturë mozaiku, por faktor veçues, ndarës dhe, me këtë pamje, përmbajtje e rol, ato nuk e kanë as forcën politike gjithëpërfshirëse, as funksionin e kohezionit kombëtar. Veçim të njerëzve në jetë sipas besimit, ndarje e tyre edhe në varreza, këto bëjnë fetë.

Pra, jashtë feve, pa to, deri dhe në kundërshtim me to, është farkëtuar njësimi i vullnetit politik dhe kohezioni kombëtar që gjeti shprehjen e vet në vargun lapidar “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Ç’kupton autori me këtë sugjerim të integrimit të feve në politikë dhe ç’kërkon më tepër, kur në krye të pushteteve kryesore të shtetit e në qeveri, mjaft figura i kemi sot edhe si besimtarë të devotshëm, që kalojnë deri në ekstazë?

Mos duhet komunitetet fetare të trajtohen si subjekte politike dhe ti caktojnë vetë ato përfaqësuesit politikë prej teologëve apo figurave të tjera?

Mirë “Dëshmuesit e Jehovajt” ndjekin politikën e vet të abandonimit të politikës në fuqi, po dhjetëra sekteve fetare të tjera si do t’i bëhej halli? Në Shqipëri ka fituar të drejtë qytetarie parimi: pushteti i takon sovranit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Feja ka humbur çdo shans të angazhimit të drejtpërdrejt në politikë. Ku janë këto “fuqi intelektuale”, që u venitkan brenda bashkësive fetare dhe nuk shpërthejnë më dobishëm në jetën shoqërore?

Intelektualët me performancë fetare, janë qytetarë njëlloj si gjithë të tjerët, le të dalin në shesh të burrave, asgjë dhe askush nuk i pengon ata të debutojnë në politikë dhe të luajnë rolin e tyre përkushtues e atdhetar. Ç’epërsi do të kenë ata, në qoftë se hyjnë në politikë me prokurë nga komuniteti fetar përkatës? A nuk gjejmë edhe brenda vetë jetës së komuniteteve vese e mëkate njerëzore si dhe në botën laike? Në se titullarët e feve janë më pikantët, mos duhet ata ta lënë atë detyrë dhe të kalojnë në politikë?

Ngado që ta kthesh e si do që ta vërtitësh këtë sugjerim (sado dashamirës të jetë ai në mendjen dhe zemrën e autorit), nuk ia gjen dot justifikimin, vlerën konstruktive dhe modalitetet praktike për zbatim.

Bashkësitë fetare, në këtë tranzicion shqiptar, u rehabilituan e u organizuan, madje, edhe me më shumë kolorit e ndikime politike, e kjo është më se e mjaftueshme. E kanë me teprim dhe ngrohtësinë e mbështetjen financiare të qeverisë. Kanë dhe një Komitet të posaçëm të Kulteve.

Bashkësitë fetare po trajtohen nga politika më mire se djali i vetëm në familje. Në paçin forcë të mbajnë kohezionin e brendshëm si komunitet, të ushtrojnë moralisht influencë shpirtërore tek besimtarët (përfshi dhe politikanët e tillë) dhe të zbusin plagët e prapësitë e shumuara në jetën tonë; në mundshin të zmbrapsin dhe “sundimin e plotë shpirtëror të marksizëm-leninizmit (që autori, se me ç`mendje e quan “fe e rreme”), le ta bëjnë këtë vetë, pa atribute politike, atëherë ato mund ta kenë ndërgjegjen e qetë dhe s’ka pse të lakmojnë më tepër pushtet me karakter politik.

Papës dhe krejt armatës së klerikëve po i ngjiret zëri së thirruri për paqe, drejtësi e shuarje të konflikteve, porse jeta, politika, interesat bëjnë të tyren, bazuar në ligje e parime më të hekurta se dogmat fetare!

5. Kërcënimet me gjuhën fetare, nuk pinë ujë fare në ndërgjegjen shqiptare



Edhe dy artikuj në vazhdim, të njëjtit autor, kanë një konglomerat konceptesh e idesh të renditura pa normë e kriter, me opinione e koncepte të pasakta, të vogla e të ngushta dhe jashtë kohe, siç janë dhe orvatjet për përdorimin e gjuhës fetare për kërcënime e ultimatume.

Ç’është e nga doli ky “katolicizëm shtetëror” dhe pse e si e kërcënuaka ai tolerancën fetare në Shqipëri e në Kosovë? Ky shkrim, në një faqe gazete, me pretendimin se flet në emër të bashkësisë islame të krejt botës shqiptare, jep mesazhe e sinjale pakënaqësie, alarmi e kërcënimesh, kanosjesh e revanshi, se “kemi një diskriminim publik të islamit nga katolicizmi shtetëror, myslimanët shqiptarë trajtohen si qytetarë të dorës së dytë”, se “kjo njëanshmëri prodhon revoltë në masën e shqiptarëve myslimanë” se “myslimanët do të revoltohen politikisht një ditë”, se “do të prishet toleranca fetare. E, si pasojë, Shqipëria dhe Kosova do të përfundojnë si Libani, Qiproja dhe Jugosllavia, ku komunitetet fetare do të armiqësohen dhe myslimanët e lënduar do të refuzojnë pushtetin katolik e do të prodhojnë arealin e tyre alternativ” etj.

Me tërë këto deklarime ultimative, i nisur nga një realitet virtual në mendjen e tij, autori ynë, a nuk merr ca si tepër mbi ndërgjegjen e vet, duke kurdisur e ndjellë panik e anarki shoqërore në emër të feve e me anën e tyre?

Dhe të gjitha këto janë bazuar në alibinë e tij se “ndarja e shtetit nga Kisha në Shqipëri ka marrë fund”, se “si në Shqipëri edhe në Kosovë katolicizmi i institucioneve publike është i frikshëm” etj.

Është i pakuptimtë nocioni “katolicizëm laik”, i përdorur prej autorit, ashtu dhe shprehja e stisur “katolicizmi shtetëror”, bazuar në disa fakte që ai i grumbullon arbitrarisht, kurse fe të tillë nuk gjejmë dot në hapësirat shqiptare, as de fakto, as de jure.

Nuk e bën “shtetëror” atë “statujat e Nënë Terezës, Skënderbeut e klerikëve të tjerë katolikë nëpër shkolla, zyra e sheshe qytetesh”, as propaganda që bën kisha katolike në favor të vet, as vizitat e politikanëve për festat fetare, që mund të jenë edhe selektive.

Autori rezulton i mbyllur në botën e vet të brendshme, prej nga i shpërthejnë fanatizmi e debulesa islame, xhelozia dhe një frymë e theksuar intolerance ndaj katolicizmit. Brenda mureve e guaskës së çdo feje, ku secila pretendon se e ka qiellin monopol të vetin, vetvetiu, ato, midis tyre, potencialisht, edhe me heshtje, janë, edhe në konflikt me njëra-tjetrën, edhe në garën për joshjen e njerëzve, merren me gjuetinë e shpirtrave, si një vazhdim i moderuar i ish-“gjuetisë së shtrigave” të së kaluarës.

6. Ndarja e fesë nga shkolla, arsimi laik është një fitore e madhe e demokracisë, që duhet mbrojtur me çdo kusht



Feja e konsumoi veten, në kohët moderne ajo po përpiqet si të mbahet e justifikohet, ka qenë e po bëhet gjithnjë e më problematike për progresin. Fjala e fundit e arsyes dhe demokracisë është ndarja e plotë e fesë nga shkolla. Kështu që zërat e komuniteteve në Tiranë e në hapësirat e tjera shqiptare për ndryshimin e nenit 7 se: “arsimi publik është laik” i projektligjit “Mbi arsimin parauniversitar”, për futjen e “mësimit të fesë”, lejimin e simboleve apo lëndë të posaçme në shkolla, janë lakmi klerikale për indoktrinim fetar dhe shkelje të parimit demokratik të laicizmit e atij të lirisë së ndërgjegjes.

Laiciteti është një nga parimet dhe shtyllat e arsimit modern; feja, (po e themi, se është edhe në të mirën e komoditetin e saj), është përjashtuar definitivisht nga shkolla, ku pushtetin, tanimë, e ka marrë definitivisht shkenca.

Pa shikoni: Na qenka bërë e diskutueshme Teoria e Evolucionit, cicërojnë teologët dhe u dashka thirrur për ndihmë dogma e revelacionit! Po kundër cicërimave të feve për revelacionin, para disa viteve iu desh edhe një herë 84 akademive të botës të riafirmonin Teorinë darviniste të Evolucionit. Dogma fetare mbahet mbi besimin e jo mbi bindjen, kështu që përligjja e saj në shkollën laike, është një stërkëmbësi, që do ta vinte në shënjestër vetë fenë.

Po hajde gjeje se ç`i thotë mendja Ministrisë tonë të Arsimit e Shkencës për këtë pikë! Duke qenë e Shkencës, ajo i jepet presionit dhe, në një fare mënyre, do të vërë nën sqetull edhe Fenë e shenjtë, si lëndë të veçantë, “në lëndët me zgjedhje”, sa për t’i bërë qejfin; sikur shkencat humane dhe mësuesit laikë aktualë, nuk i dhënkan ato njohuri të përgjithshme mbi këtë dukuri.

Se ç’program do të ketë kjo lëndë e re dhe a do t’i shërbejë kauzës së fesë apo do t`i heqë petët lakrorit dhe do të ndërgjegjësojë më shumë nxënësit për natyrën e pathemeltë e problematike të saj, kjo i përket të ardhmes! Se feja, si me imazhin, ashtu dhe me historinë e saj, nga shekulli në shekull, më shumë po lë për të dëshiruar sesa për t’u lartësuar.

Klerikët e ndjejnë rënien e frekuentimit të faltoreve, ndaj i bëjnë ismet mënyrave se si të shtojnë e të tërheqin grigjën. Shoqëria civile dhe ajo zyrtare janë vetë në gjendje të hartojnë kurrikulat mësimore të shkollës. Lëndët shoqërore në shkollë, me arsim laik e kulturë laike, i kanë dhe njohuritë e duhura historike për dukurinë e fesë.

Ndaj, nuk shkojnë më, as kërkesat, as kërcënimet me gjuhën fetare, siç po na shfaqen, ato nuk pinë ujë fare në ndërgjegjen shqiptare!

7. Laicizmi, është bërë parim mbizotërues në shoqërinë moderne



Në rrugëtimin shekullor, progresi shoqëror, hap pas hapi e çarmatosi dhe e kufizoi së tepërmi pushtetin e fesë. Shteti laik, ligjet laike, arsim laik, kulturë laike, etikë laike, mjekësi shkencore, liri e ndërgjegjes, besimi me zgjedhje dhe çështje personale etj. janë betejat dhe arritjet e mëdha të progresit me themele të shëndosha. A nuk po vëmë re se si po kacavirren organizmat fetare për njërin apo tjetrin problem jetësor, deri dhe në atë të menaxhimit të varrezave, që e mbajnë si monopol?

Tek ato thërret nostalgjia e ish “kohëve të arta”, siç peshojnë dhe pretendimet për monopol të “hyjnores”, “të shenjtës”, “të mistershmes”, ku mendja e “dobët” njerëzore nuk depërtuaka dot! Incidentet, konfliktet dhe polemika me fenë, edhe këtej e tutje nuk do të pushojnë në jetën e njerëzimit.

Por laicizmin francez, një autori të mësipërm ia dëshiron mideja e i thotë mendja ta konceptojë si “synim të thyerjes së Kishës Katolike dhe zbythjes së saj nga institucionet shtetërore”, kurse laicizmi është gjithëpërfshirës. Ai pozicionohet ndaj të gjitha besimeve pa dallim.

Po ashtu, atij ia do pjesa subjektivisht të thotë sikur “Çfarë Ataturku bëri, është se pasi shkatërroi Kalifatin, … bëri që të kishin shtetin për “kalif” dhe jo më sulltanin”. “Ali Hoxha, Hoxhë Alia”! “Prish bute e bën kënaçe”.

Po të ishte vërtetë kështu, atëherë, shteti turk, teokratik ishte e i tillë do të mbetej. Po me të tillë lojë fjalësh dalin mendime të luajtura! Laicizmi është parimi i shumëkërkuar si një nevojë jetike e kundërpeshë e ish-frymës sunduese teologjike e teokratike, i gjetur nga mendimi politiko-shoqëror iluminist dhe i vënë në dispozicion të njerëzimit, i cili e mënjanon fenë, e lë qerren fetare të zvarritet me forcat e veta, pa grasatim shtetëror të rrotave, kurse njerëzimit i çel dritën jeshile të vazhdojë rrugën me lokomotivat e shpejta, me avionë reaktivë apo anije kozmike.

Koncepti i laicizmit sanksionoi se mënyra fetare e të ndjerit, menduarit dhe jetuarit nuk është më e vetmja, as ezauruesja; me atë koncept nisi epoka e mënyrës reale të jetës.

Edhe më absurd e anakronik është përdorimi dashakeq nga autori i konceptit “nacional-laicizmi”, sepse ai ka për shpirt e do t’i jap përparësi termit “nacionalizëm fetar”.

Mandej, shqiptarët i emërton “myslimanë të zënë robë nga pushtetet ortodokse” dhe konfliktet maqedono-shqiptare, kërkon t`i potencojë, jo vetëm si konflikte me terma etnike, por si “konflikt që në bazat e tij ka edhe elemente fetare”.

Po a është për t’u evidentuar këtu motivi fetar dhe për çfarë shërben kjo? Ky motiv është vetëm mjet, kurse bazë dhe qëllim, përmbajtja themelore e konflikteve është etnike dhe vetëm etnike. Maqedonasi edhe mund ta ketë virulent motivin fetar, kurse shqiptari nuk i ka dhënë e fare e nuk i jep përparësi e konsideratë këtij motivi. Dëshira e autorit ta bëjë fakt, ta përligjë edhe intolerancën e konfliktin ndërfetar, mbetet një alibi në opinion i tij personal.

Nën ombrellën e persekutimeve etnike, ai dëshiron të qajë edhe hallin e fesë islame, ta nxjerrë atë sa më të persekutuar. Dhe kjo është më e thjeshta që mund të themi. Se po t’i referohemi mirë historisë, gjithë fqinjët tanë, shovinizmin imperialist të tyre ndaj trojeve shqiptare dhe vetë shqiptarëve, gjenocidin dhe etnocidin e egër, krahas ndërsimit të fanatizmit e intolerancës fetare, ashtu e kanë pasur më komode ta kanalizojnë si konflikt ndërfetar. Demek, i tillë është vullneti hyjnor, të cilin nuk e kundërshtojmë dot.

Me pasionin e theksuar islamik, me avokatinë që ka marrë për sipër, autori ynë, me dashje apo pa dashje, bën po këtë lojë të fqinjëve tanë shovinistë. Edhe osmanët na trajtonin si milet islamik dhe nuk na e njihnin kombësinë, siç ua njihnin popujve të tjerë, por as kjo sjellje pushtuesish nuk është argument. Në fund të fundit, i mëshojmë fuqishëm idesë brilante të Henri Kisingerit se çdo vërtitje me fenë e në emër të saj, përbën vetëm pretekst për qëllime politike e strategjike. Sjellja e shovinizmit sllav e grek ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, është ilustrimi më adekuat i kësaj ideje.

Na paska, sipas njërit prej autorëve, dhe “ligjërim imperialist e Tiran-o-centrik, i bazuar në ideologjinë dinsëze të nacionalizmit të Tiranës, e cila lufton Islamin dhe kërkon t`i tregojë shqiptarët si laik, por me simbole të krishtera”. Dhe këto stigmatizohen si “sulm ndaj Islamit dhe identitetit islamik të shqiptarëve të Maqedonisë, … si turpërim i tyre, nga një analist dinsëz i Tiranës, i cili vuan nga racizmi kundër arabëve e popujve myslimane, e u jep mend burrave e grave të Kosovës dhe Maqedonisë mbi pan-shqiptarizmin”.

Hajde gjeja fillin këtij mllefi në këtë renditje fjalësh! Po si mund të xhonglorizohet kështu me gjuhën dhe logjikën njerëzore?

Të stisura prej autorit dhe në përputhje me tërë brumin e tij janë i ashtucilësuari e i shumëshpalosur “inferioriteti i shqiptarit të Maqedonisë”. Përgjithësisht, ”Xhahilët e Shkupit”, dhe xhevahire të tjera çoroditëse e paskrupull, ndërsa krejt tjetër është problematika e bashkëkombësve tanë nën juridiksionin e Maqedonisë. Pastaj vjen opinioni teologjiko-eklektik “Shkupjan mysliman, me din dhe iman” (“Sot”,12 maj 2012) po i njërit prej autorëve të mësipërm, i cili që në titull e me krejt përmbajtjen komglomerate, e montuar arna-arna, përbën një ekzaltim me ngjyrim të theksuar fetar, një shprehje e dëshirës së zjarrtë që “revolta të bëhej me parulla dhe simbole fetare, me slogane islame”.

Është anakronike analiza e interpretimi që u bën demonstratave të shqiptarëve në Shkup më 4 dhe 11 maj, me glorifikim islamik dhe me kundërvënie dhe shprehje të hapur të intolerancës e urrejtjes ndaj katolicizmit, ortodoksizmit apo të quajturve “kaurë shqiptarë”.

I lexon njeriu të tilla shkrime dhe për një moment çorientohet në kohë, i duket vetja sikur është në shekullin e 18 apo 19-të. Për autorin në fjalë bota mbetet e ndarë në myslimanë dhe antimyslimanë. Motivi dhe imazhi i shqiptarëve të Shkupit paraqitet ai fetar; demek është bërë “arrestimi i myslimanëve shqiptarë”; revoltat cilësohen “zëmërata islame”; thuhet se “janë prezente përleshjet me Islamin në Shqipëri, … përbuzje ndaj Islamit tregojnë edhe politikanët shqiptarë në Maqedoni, me projekte për deislamizim të shqiptarëve”; mediat e Perëndimit shpallen si “histerike ndaj Islamit”, Një tufë personalitetesh të medias, kulturës e politikës shqiptare shpallen “islamofobë” dhe vihen fare lehtë në shënjestër për çdo mendim kritik, vetëm pse nuk aderojnë në fenë islame apo nuk i servilosen asaj. Me bri është shfaqur në këtë shkrim edhe antiamerikanizmi. Gjithçka vërtitet rreth identitetit fetar dhe aspak për identitetin kombëtar. Më saktë, i dyti identifikohet me të parin!


* * *


8. Ja pse opinioneve të më mësipërme na duhet t`u kundërvihemi edhe me idenë e madhe të pasurisë kombëtare se: Për shqiptarin: “Tjetër është kombësia, tjetër feja”



Në parim, kjo ide qëndron edhe për popujt e tjerë, sepse fetë janë kozmopolite, të përhapura në shumë vende e popuj, por shqiptarët i kanë arsyet historike e argumentet më të forta për ta theksuar vijën e ndarjes midis tyre.

Autori ynë, më kot sillet nëpër histori për të gjetur rrethana se si “Shqiptarizmi do të ishte ndërtuar si një ideologji pro Islamit dhe jo si një ideologji kundër fesë”. Edhe vetëm kjo ide subjektive, është e mjaftueshme për të dëshmuar se me sa sforcim përpiqen disa të bëjnë apologjinë e fesë. Ai merakoset dhe gati po plas nga marazi pse “shqiptaria u definua si një ideologji nacionaliste-laike, intolerante dhe e dhunshme, e cila zhduku fenë në mesin e shqiptarëve, e ata u bënë një popull xhahilësh që i binin gjoksit duke u mburrur se janë vetëm shqiptarë e hiç myslimanë”.

I nisur nga një imazh i tij virtual i botës shqiptare, me idhull kuranin e biblën, autori viktimizon e torturon vetveten, duke u ngritur kundër botës reale e cila nuk përputhet me atë virtualen e tij. Shkrime plot alibi që krijojnë një gjendje vërtetë tragjikomike!

Përkundrazi, janë të gjitha provat, faktet dhe argumentet që nacionalizmi shqiptar mundi të mbruhej e të gatuhej vetëm pa fetë, jashtë feve, mbi to, me mënjanimin aktiv të tyre dhe kjo për fajin e vetë feve, për atë instrumentalizim politik antikombëtar apo antishqiptar të tyre.

Fetë, në botën shqiptare, nuk e kaluan dot provën më të vështirë gjatë lëvizjes dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare. Ato e humbën shansin kur kombi kishte nevojë dhe koha shtronte në rendin e ditës lidhjen e një kontrate bashkëpunimi e bashkëveprimi midis tyre.

As shqiptarizmi nuk e gëzoi përkrahjen e feve, as ndonjë “fondamentalizëm katolik” nuk ka shans “të nisë e të monopolizojë sërish shqiptarizmën”, siç i fanepset njërit prej autorëve.

U kapërcye ajo periudhë dhe u dogj shansi i selitjes së ndonjë dashurie të parë midis kombit dhe feve në botën shqiptare, e cila u shkërmoq mu kur duhej të ishte ngjizur, kur urdhri i kohës ishte për bashkim forcash atdhetare mbi dasitë dhe ndarjet fetare!

Ishte qartësia shkencore, patosi atdhetar dhe guximi qytetar i rilindësve tanë të shquar që shpalosën idetë e fuqishme: “Lëreni më një anë fenë, të shikojmë Mëmëdhenë”, “Nuk për kishë e për xhami, por për mësim e qytetëri, vritemi për Shqipëri”, “Edhe Krishti ndë na thëntë, se “jam grek, jakni pas meje”, do t`i themi: “Pa mblidh mendë, se shqiptari s`jen pas teje” etj. etj.

Mos vallë këto ide e mesazhe nuk janë më aktuale?

Nuk ka sot ndonjë katolicizim të nacionalizmit shqiptar, ashtu sikurse nuk mund të imponohet islamizimi i tij, siç do të dëshironte ndokush, duke parë ëndrra me sy hapur.

“Konflikti i vjetër … mes Islamit (bashkë me fetë e tjera) dhe nacionalizmit shqiptar”, i pasqyruar saktë në ideologjinë e Rilindjes sonë kombëtare, (krejt padrejtësisht i qortuar në këtë rast në opinionet e mësipërme), është ai gur themeli në ndërgjegjen kombëtare që nuk e lëviz dot askush.

Fetë i hyn në hak e në borxh shqiptarisë, po shqiptarët, me fisnikëri e zemërgjerësi, rezultuan tepër tolerantë. Ata i mbajtën fetë, por i bënë ato sus, përkundrejt intolerancave dhe instrumentalizimeve negative të tyre, shqiptarët institucionalizuan edhe virtytin e tolerancës ndërfetare.

Ku të bazohemi tani për një tjetër këndvështrim dhe rivlerësim të tyre?

Ne, bashkë me mbarë botën demokratike, me të drejtë evokojmë sot virtytin dhe mesazhin shqiptar të tolerancës ndërfetare, por kjo kulturë dhe fisnikëri shqiptare, merr vlerë, shkëlqim e madhështi vetëm në sfondin e atyre intolerancave midis feve, që burojnë nga vetë natyra e feve dhe që janë kaq shumë e pranishme e virulente ende në botë.

Kjo tolerancë u gatua si antikorp imunitar ndaj diversionit antikombëtar të feve kryesore e instrumentalizimit politik të tyre në shërbim të pushtuesve e fuqive shoviniste fqinje. Toleranca nuk është produkt i feve, por bërje sus nga vetë populli e potencialeve intoleruese të tyre shpërthyese.

Mirëpo, pa shikoni ç`xhevahire prodhon mendja e çoroditur prej pasioneve fetare: “Duke qenë se kosovarët nuk arritën të ndërtojnë një identitet të tyre pas shkëputjes nga Turqia, dhe procesi i tyre identitar etnik u imponua nga Tirana, tani që ata janë bërë shtet, po vazhdojnë sërish të huazojnë idhujt e nacionalizmit laik që Tirana prodhon”.

Të mos e kesh mendjen, me të tilla fraza, kur të duash e ke ngrënë sapunin për djathë! Është vënë në shënjestër Tirana, e cila “po prodhon një rrymë të re dinsëzash shqiptarë në Kosovë dhe në Maqedoni” dhe lexuesit i lind e drejta të klithë: “O natyrë, pse nuk ia ngrin pak mendjen njeriut, kur bën nijet të shfryjë në këtë mënyrë?”

Po natyra e ka lënë mendjen azgan, nuk e ka pajisë me siguresa, siç i vëmë ne vetë rrymës! Dhe, ashtu azgane, ajo, “na bën kalanë, po na bën dhe hatanë”!

9. Ateizmi është kulturë dhe aspiratë e njerëzimit



Po ka dhe një terren ku këta dhe disa autorë e politikanë të tjerë, (përfshi dhe ministrin Pollo për Censusin-2011), që shkelin me të dy këmbët në dërrasë të kalbur, pikërisht atëherë kur, të turbulluar prej patosit dhe ekstazës të ngrenë fenë në qiell, venë e gërricen hapur e publikisht me ateizmin, sikur këtë të dytin e kanë barrë dhe e mbajnë ata me bukë!

Këtu ata e vënë veten në telashe të papërballueshme. Ateizmi dhe ateistizimi konceptohen prej tyre si atribute të komunizmit e të enverizmit dhe jo si kulturë e aspiratë e popujve, që lindi bashkë me fenë dhe s`i ndahet asaj, duke e spostuar hap pas hapi, dhe jo me klithma mjerane, por ashtu, urtë e butë, nëpërmjet vetë përvojës së jetës, arsimimit, rritjes së mirëqenies dhe daljes zot e përballimit të vështirësive.

Vija grafike e progresit në rritje është fe – laicizëm – ateizëm. Mohimi i mohimit konsiston në rrumbullakosjen e mohimin e habisë nga feja, mandej vjen dhe mohimi i vetë fesë nga ateizmi. Ateizmi është i padëshirueshëm për teologjinë, që e ka besimin fetar absolute, por jo edhe për politikën demokratike, që bazohet në ndërgjegjen e lire.

Prirja e fuqishme e njerëzimit është marrja, pak nga pak e një nga një, e kompetencave, që i janë atribuuar një zoti virtual, ide e dogmë tanimë boll e plakur, drejt daljes për zot jetës e fateve të veta, vendosjes së pushtetit shkencor mbi ligjet dhe dukuritë natyrore, përballimit me forcat shkatërruese të tyre, me sëmundjet torturuese etj.

Me mëmën natyrë, kaq bujare e të dashur, po dhe shumë të ashpër, edhe me kryekrijesën e saj, po, është bërë shumë e ca më tepër i mbetet kohës të bëjë.

Feja nuk nxjerr njeri nga fatkeqësitë, nuk shpëton askënd nga rreziqet; ajo vetëm ngushëllon e qetëson shpirtërisht fatkeqët e të pashpresët! Besimtari, ç`është e vërteta, duke ia atribuuar të gjitha pushtetet e kompetencat perëndisë, jeton më lehtë shpirtërisht dhe po me lehtësi largohet nga kjo jetë!

Bota fetare i ezauron horizontet e veta me kategoritë e “engjëllit” dhe “djallit”, ku përfshin dhe ateizmin; jeta reale ka fenë, laicizmin, shkencën dhe derivatin e saj, ateizmin, si dukuri të ndërvarura midis tyre. Autorët tanë vazhdojnë të mbeten në botën e fesë, punë dhe drejtë e tyre, po pse duke iu kundërvënë ateizmit? Vetëm për hatër të fesë, sepse atë nuk e honeps teologjia.

Plagët shoqërore që nuk është fare në gjendje t`i kapërcejë feja, është shumë lehtë t`ja faturosh ateizmit, por ky është vetëm një trillim i mashtrimit të vetes.

“Ateizmi i përhapur shumë në Shqipëri, - pohohet në shkrimin e fundit, – … paraqet në shoqërinë shqiptare një anarki të plotë dhe një shthurje totale”. “Ajo që po i dëmton dhe nihilizon përpjekjet e Shqipërisë për integrim e prosperitet është ateizmi post-komunist, i cili me a(i)moralitetin e vet po shkatërron konceptet e shëndosha morale dhe familjen shqiptare mbi të cilën është ndërtuar Shqipëria”, – thekson po ai autor, në shkrimin kushtuar 100 vjetorit të Federatës Vatra (“Sot”, 27 prill), megjithëse pak më lartë e ka cilësuar të drejtë idenë e Nolit se “Fatkeqësitë e shqiptarëve nuk kanë ardhur kurrë nga diferencat fetare, por nga udhëheqësit fetarë”.

10. Me objeksionet e shprehura kundër ateizmit, teologjia ia heq vetes



Sikurse brenda botës fetare mund të besohet e të konceptohet në pafundësi mënyrash, ashtu dhe nga brenda kësaj bote ç`nuk dëgjojmë për ateizmin: dikush e quan marksizmin “fe të rreme”, tjetri thotë “komunistët nuk ishin ateistë, ata donin vetëm të zëvendësonin fetë e tjera me një fe të re, komunizmin” (Shekulli, 22 shkurt 2004) etj. Si e si që të shmanget kontrasti i ateizmit me fenë dhe prania e një kulture laike, që fuqizohet nga dita në ditë.

Intelektuali dhe analisti që arsyeton kështu, është tepër i ngushtë, shumë i kufizuar. Orvatjet për të lartësuar vlerat e fesë në kurriz të ateizmit, duke e stigmatizuar e denigruar atë, janë donkishotizëm i kulluar!

Intelektuali i kompletuar, nuk i bën fresk publikisht feve, të cilat, në thelbin e tyre, janë njëra kundër të gjithave, të gjitha kundër njërës e jo më kundër ateizmit. Ato nuk duan t`ja dinë se “ndërgjegje e lirë”, do të thotë “liri për cilëndo përmbajtje, nivel dhe formë të saj”. E, në qoftë se feja do të livadhisë në qejfin e vet, intelektualët duhet t’i thërrasin mendjes dhe publikisht të respektojnë parimet e normat më të avancuara.

“Ore zotërinj! Dojeni fenë sa qielli, po me ateizmin mos u hani e mos u matni. Lëreni ndërgjegjen njerëzore të zhvillohet lirshëm, ashtu siç lulëzon dhe vetë Ateizmi, natyrshëm, pa organizma të veçanta, pa as një imponim!”. Se, po të hapet ky kapitull, popujt e botës dhe vetë shqiptarët, kanë borxh të parashtrojnë kundër feve e klerikalizmit një aktakuzë të madhe, të fuqishme, të përgjakshme, me gjak që vazhdon të rrjedhë edhe sot e kësaj dite; kanë një dosje të madhe të sa veprave mizore, të mbytjes së mendimit shkencor që në djep; të instrumentalizimeve politike dhe fondamentalizmave fetare që nga Kryqëzatat e këtej, të “Natës së Shen Bartolemeut”, Qerbelasë, luftrave fetare, 11 shtatorin 2001 dhe sa e sa negativizma të tjera!

Shkurt, le të dalë një gazetë apo stacion televiziv e të praktikojë, të themi, një rubrikë javore me temën “Feja dhe Ateizmi”, siç i takon një demokracie pluraliste dhe opinionit shoqëror e brezave të rinj do të mund t’i servirej tabloja e vërtetë dhe e plotë e shumë gjërave.

Përndryshe, bashkësitë fetare, janë më mirë të qeta të ushtrojnë kultet brenda komoditeteve që u krijojnë politikat preferuese të tyre. Do të vijë dita kur bashkësitë fetare të mos e kenë këtë trajtim të veçantë, por të jenë në radhën e gjithë OJQ-ve të tjera. Po të ishte feja një ndjenjë “e lindur bashkë me njeriun”, nuk do të ishte bërë kështu “mollë sherri” e objekt i polemikës; s’do të kishte as forcë që ta shkulte atë nga shpirti! As milionat e ateistëve në botë, nuk ka sesi të përbënin një grupim që i bie të mirës me këmbë!

11. Fjalët denigruese në shkrimet publike janë dobësi, jo argument



Është shumë me vlerë sugjerimi i Volterit se “një fjalë e vendosur jo në vendin e vet, i ndryshon kuptimin frazës”. Po jo më pak e rëndësishme është, në radhë të pare, gjetja e fjalëve adekuate për ndërtimin e saktë të vetë mendimeve.

Leximi i opinioneve të mësipërme të lë shije jo të mirë edhe me përdorimin në tekst të shumë fjalëve denigruese, pasaktësive, manipulimeve e shtrembërimeve tendencioze të fakteve e figurave historike, përdorimit të disa ndajshtimeve, epiteteve përfolëse, pa vlerë e jashtë teme se:

- “si e shqipton x-i gjuhën amtare”,
- “sa i vlen mbështetja e huaj”,
- “ky spiuni” e “ai kryespiuni”,
- “një mësimdhënës i diskretituar për plagjiaturë”,
- “Qafirët e Rilindjes”,
- “ata kaurë den babaden”,
- “Instalimi i qeverisë së Lushnjës në Tiranë, sollën në pushtet një klikë njerëzish qafirë”,
- “nacional-laicizmi i shpifur, ideologji raciste dhe gjenocidale kundër popujve të tjerë”,
- “shumë kaurë shqiptarë”,
- “regjimet islamofobe”,
- “nacionalizmi laik shqiptar si utopi e dështuar”,
- “fondamentalistët laikë” e shumë të tjera.

Këto janë shprehje të dobëta, të sajuara e jo reale, shtrembërime flagrante, deri dhe shpifëse që dëshmojnë dobësitë dhe sforcimet e mendjes së autorëve për gjetjen e “argumentit” të dëshiruar.

Janë detaje, ku historia dhe figurat e shquara, vërtiten e prishen si lodra në duar të kalamajve, prandaj dhe s’ia vlen të merresh me to. Se mirë letra e bardhë e duron të zezën pa kriter e kufi, po lexuesi ç’kusur ka të vërë në provë atë çik durim?

Fetë në jetën e popujve, në historinë dhe jetën tonë, sistematikisht kanë shfaqur probleme dhe përherë mbeten problematike për emancipimin dhe progresin, për kulturën, mënyrën e jetës etj. deri dhe te reagimet në se duhen botuar në shqip “Vargjet satanike” të Selman Ruzhdiut etj. etj.

Së fundi, duke marrë shkas nga shkrimet e sipërpërmendura, po ndalemi edhe në këto dy ide të tjera.

12. Së pari, në botë është i pranishëm një koracim i tillë i pakufishëm e i plotfuqishëm i vetë “Hyjnores”, një aparat kolosal, sa e bën të tepërt e të dëmshme çdo apologji spekulative të besimeve prej laikëve



Çdo fe e quan për mburojë e çati kupën e qiellit, nga ku imagjinohet se një zot, (i përfytyruar gjithfarëllojshëm sipas çdo grupi besimtarësh, në mos dhe sipas çdo individi), që atje drejton gjithçka në botë, deri dhe rënia e çdo fije floku e gjetheje, ndodh sipas vullnetit të tij!

Bota fetare është ndërtuar e kurdisur në mënyrë të tillë që kush u ka hyrë apo u hyn në hak feve, personalisht zotit, rezulton i keq i vetes dhe i bën vetes dëm; ai tërheq mbi vete ndëshkimin hyjnor, edhe “me rrufe mbi kokë në mot të kthjellët”, ai destinohet edhe për në “zjarrin e xhehnemit”. Se, për ata që nuk e duan, hyu egoist e tiran, është vetë i tmerrshëm e i pamëshirshëm!

Atëherë, neve këtu në tokë përse na duhet të përflasim njerëz e të shtojmë edhe vatra të tjera konfliktesh me anën e feve e në emër të tyre? Avokatia dhe apologjia, është hapje e “Kutisë së Pandorës”, që më shumë e dëmtojnë fenë, sesa e ngrenë!

Se sforcimet e disa laikëve, apo dhe teologëve, bashkë me tërë këtë aparat e apologji në veprim, të çon në deduksionin sikur vetë hyu s`është në gjendje të mbajë në rregull, të ushtrojë kompetencat e të drejtojë punët, që i janë atribuuar!

Po jepen alarme që “njerëzit po i kthejnë shpinën zotit”, “njerëzimi po i largohet besimit”, “zotin po e mbështjell errësira” (dhe po supozojmë se alarmuesit e bëjnë këtë, se pse “aq mend kanë”, ose, “aq u ka caktuar ai vetë, kur ato u ndanë”), po vetë zoti ç`përpjekje bën të mos mbështillet nga errësira e për ta penguar këtë largim të njerëzve prej tij? O zot, ç`punohet këtu në tokë me emrin tënd! Dhe kështu, polemika s`ka mbarim, sepse s`kemi si e kapim qiellin me dorë!

Në mbështetje e shërbim të feve, që erdhi e u bë një profesion më vete në tokë, bashkë me gjurmët teokratike të disa politikave e sanksione nenesh kushtetuese, faqe gazetash e ekrane televizive në dispozicion, janë një numër i madh faltoresh, shkollash fetare, entesh botuese, shoqatash e subjektesh politike, një aparat hierarkik kolosal administrativ me qindra-mijë klerikë të angazhuar në këtë profesion të veçantë, të trashëguar që nga lashtësia për të mbajtur grigjën në vathë.

Është më se mjaftueshëm e i bollshëm gjithë ky arsenal, kështu që dalin të tepërt ata vullnetarë amatorë, të cilët digjen nga dëshira për t`u shprehur publikisht me lartësimin e kësaj apo asaj feje. Janë pikërisht këto orvatje të teprimit të lartësimit publik të ndonjë besimi, që dëshmojnë intolerancë, automatikisht ngjallin dhe reagimin e besimeve të tjera, duke cenuar, kështu, dhe tolerancën ndër-fetare në hapësirat shqiptare. Shkurt, feja duhet lënë në punët e veta, të jetë vetvetja, t`i mjaftojë vetes dhe të mbajë veten!

13. Së dyti, tabloja fetare e botës, kaq e larmishme, e ndarë dhe diverguese, ç`mund t`i japë sot njerëzimit?



Çdo ditë e më tepër po evidentohet kontrasti i dogmave fetare me jetën dhe progresin. Vetë jeta i sfidon fetë, sikurse dhe veprimtaria klerikale gjeneron telashe për jetën. Ndaj dhe nga grupimet e ndara e të izoluara të çdo besimi, duke krijuar secila një bashkësi e vëllazëri më vete brenda çdo populli e kombi, me koracim shpirtëror hermetik, po dëgjojmë tani gjithfarëlloj psherëtimash e zërash të dëshpëruar, mjeranë e qaramanë.

Dëmi më i madh është se, në këtë erë të globalizmit e integrimeve, ato e mbeten parcelizuese të njerëzimit, janë veçuese, ndarëse dhe konfliktuale të papajtueshme. Shpesh vërejmë që edhe politikat i marrin në konsideratë këto ndarje dhe stepen para disa barrierave apo kërkesave që motivohen fetarisht.

Po në këtë sfond e kontekst, logjika më e thjeshtë, brenda vetë botës besimtare, që po arsimohet, po shtrohet gjithnjë e më shpesh pyetja më elementare: “Përse po praktikohen në botë kaq shumë mënyra adhurimesh kundërthënëse e kundërvepruese, ndarëse e kundërshtuese; përkundrejt një zoti të vetëm në qiell, a nuk duhej të kishte bota vetëm një besim?”

Pse u krijuan më shumë fe sesa politika? Logjika më e thjeshtë, empirike i jepet gjithnjë e më shumë formulës: “Një botë, një zot, një vokacion e kauzë e njerëzimit!” Dhe faktikisht kudo në botë janë e po shtohen me shumicë njerëzit që mbajnë besimin vetëm në ekzistencën e një “fuqie të mbinatyrshme” në qiell e nuk kanë më lidhje, as me ndonjë lloj feje konkrete në tokë, as me faltore e klerikë, nga të cilët, çdo ditë gjithnjë e më shumë ata po zhgënjehen. Po edhe kjo lidhje mbetet jo fort e qëndrueshme, më shumë hipotetike.

“Në qoftë se ka Perëndi, ai është vetë po aq pranë meje, sa dhe cilitdo njeriu tjetër”, – pohonte që para një shekulli protagonisti i romanit “Gjeniu” (1915) të Teodor Drajzerit, një person publik dhe piktor i famshëm Juxhin Uitlla, të cilit, në vorbullën e jetës së tij, iu desh t`i vinte rrotull edhe sektit fetar “shkenca kristiane”. Dhe, po ai personazh i shprehte dyshimet e veta duke parapëlqyer nga poema “Langoi i Qiellit” vargjet: “Po ndjej nga mbrapa hapa gjithë tërbim, Një zhurmë, si zë hakmarrjeje, më buçet: “Po s`më pranove, s`ke gjëkundi shpëtim!” Pse, dhe Hyu me kërcënim po na gërthet? ”Perëndia e tij – së paku, për një farë kohe – ishte një Perëndi furtunash e tmerresh, njëkohësisht dhe përsosshmërie e qetësie shpirtërore”. Nga ana tjetër, ai edhe “po kuptonte se asnjë besim fetar nuk mund t`u jepte përgjigje pyetjeve të tij: Pse Anxhelan s`mundën ta shpëtonin?” etj, shprehet shkrimtari për personazhin e vet. Sipas gjykimit të vetë autorit në Epilog të romanit: “Të gjithë kërkojmë diçka që të jetë absolute dhe, në qoftë se nuk e gjejmë, e krijojmë. Feja është një fashë, e shpikur nga njeriu për të lidhur plagët shpirtërore, një guaskë ku ai futet, për t`u mbrojtur nga ajo që është e pashmangshme dhe ndërron vazhdimisht. …Ajo është vetëm një iluzion. … është Arsyeja supreme, por e kujt? … Asaj i veshim çdo gjë që s`jemi në gjendje të kuptojmë. …Nevoja e fesë nuk është një nevojë e përhershme e njeriut, si gjërat e tjera të jetës” (f. 735).

Ky grupim i madh, që mban vetë lidhje drejtpërdrejt me një “fuqi imagjinare”, iluzore, hipotetike, sipas gjendjes shpirtërore, edhe emrin e ka simbolik, për inerci, si një nofkë që nuk detyron askënd të jetë praktikant as si mysliman, as si ortodoks, katolik etj. dhe nuk e detyron të hyjë në vathën e kësaj apo asaj feje.

Numri i kësaj kategorie njerëzish është shumë herë më i madh dhe në rritje, se i atyre disa qindrave që zbatojnë ritet e disiplinën e faltoreve të një kulti. Po çlirimi nga klerikalizmi, ja një hap i emancipimit njerëzor, për të avancuar më tej drejt laicizmit dhe ateizmit. Dhe, sa më shumë njerëzit po i braktisin faltoret, aq më të mëdha bëhen përpjekjet klerikale për gjetjen e mjeteve të tërheqjes së tyre, ndër të cilët, politika mbetet mjeti më i preferuar e rezultativ me favoret që u krijon!

Në fund të fundit, askush nuk na ndalon të shprehemi publikisht, por vetëm se duhet të jemi sa më konstruktiv dhe të mos kalojmë në teprime subjektive!

Orvatjet për të argumentuar atë që dëshiron dhe jo atë që është realisht e duhet mbështetur, e çorientojnë opinionin, manipulojnë gjendjen në mënyrën “pa din e pa iman” dhe hapin punë!

Si për çdo gjë, edhe meraku e kujdesi i tepruar i disa laikëve për fenë, i shprehur publikisht, me mbivlerësime dhe apologji, janë shkelje e parimit të masës, tejkalim i të drejtës dhe prishje e balancave në jetën shoqërore!
"Republika", 201226 maj 2012


Komente

kalimtar/e
Elton Kabashi 
14 maj 2016, 00:26
Perpos voneses , ju lutem me lejoni t'ju pergezoj per perpjekjet qe beni per perhapjen e te se vertetes !

Jep koment

Hulusi Hako
Hulusi Hako
Shkrimtar, publicist, promotor i ateizmit shkencor
Prof. Dr.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading