Aktualitet    Shkrime    Video    Thënie    Shpoti    ForumTerminologji    Dijeni
njoftohu | anëtarësohu

Shqiptarët dhe konferenca islamike


Nga:
Skënder Shkupi
Një nga orientimet e para të shtetit shqiptar që rilindi pas shembjes së diktaturës ka qenë hapja e madhe drejt botës. Izolimi i gjatë, njëfarë narcisizmi ideologjik e politik i një të kaluare tepër të trishtuar, sidomos në fushën e marrëdhënieve me vendet e huaja, mendjemadhësia donkishoteske e komunistëve që qeverisën vendin për gati 50 vjet e që e bënë shqiptarin një qenie qesharake tipike për sytë e Europës, kushtëzuan atë vrapimin e papërmbajtur të qeverive tona drejt anëtarësimit në të gjitha institucionet ndërkombëtare që shfaqnin shenjën më të vogël të dashamirësisë ndaj nesh. Kështu ndodhi edhe me anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike.

Nga pikëpamja juridike, nuk ka asnjë problem. Statusi i asaj Konference është liberal. Në të pranohen vende që kanë jo më pak se 5 për qind të popullsisë së tyre me përkatësi islame. Teorikisht, mund të bëhen anëtare edhe Franca me Gjermaninë. Ndërkohë, Maqedonia është anëtare vëzhguese. Por nuk është këtu problemi.

Në politikën e jashtme çdo vend ndërton strategjinë e tij dhe lëvizjet taktike në shërbim të saj, në funksion të interesave kombëtare politike dhe ekonomike. Në varësi të drejtpërdrejtë të atyre interesave, pa pikë dyshimi, është edhe imazhi i vendit. E ne duhet ta kemi të qartë, që, për imazhin tonë të keq kanë investuar me përkushtim, për 47 vjet, në radhë të parë, komunistët e Tiranës e, pas tyre, edhe ata që ne i quanim dikur “revizionistë jugosllavë” apo “monarko-fashistë grekë”.

Një shembull të shkëlqyer të kuptimit të rëndësisë së imazhit të shqiptarëve në sytë e Europës ka dhënë i ndjeri president Rugova. Politika e tij e rezistencës paqësore dhe e ndërtimit të një shteti hije, paralel me atë të pushtuesit, në kushtet e një terrori të pashembullt etnik, bënë copë e thërrime propagandën shekullore të Beogradit që synonte ta paraqiste shqiptarin e Kosovës si kriminel, të paditur e të paaftë për t’u vetëqeverisur. Ai ka qenë njeri nga faktorët e një ndryshimi gradual pozitiv të qëndrimit të vendeve europiane ndaj problemit të Kosovës.

Shqiptarët e Shqipërisë londineze, ndonëse në shumicë dërrmuese me përkatësi islamike, kanë qenë dhe mbeten të prirur ndaj Perëndimit. Në Tiranë, pak a shumë me të njëjtën përqindje dërrmuese islamike të popullsisë si në Shqipërinë tjetër, pihet po aq birrë sa në Berlinin protestant apo në Pragën katolike. Pra, Shqipëria multifetare, popullsinë e saj myslimane e ka të një lloji të veçantë, tepër të ndryshme nga ajo, të themi, e Arabisë Saudite apo e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ky është një fakt i cili nuk njihet sa duhet në Europë, e aq më pak në Lindjen e Mesme. Kjo mosnjohje apo keqnjohje nuk është e rastit. Dikush është i interesuar ta paraqesë Shqipërinë si një vend me predispozicion fondamentalist islamik, për të vështirësuar hyrjen e saj në BE apo në organizata të tjera Euroatlantike. Sepse duhet nënvizuar që Europa, me gjithë zhvillimin e saj të jashtëzakonshëm teknologjik, ekonomik e kulturor, ende ka një opinion publik që ndikohet nga paragjykime fetare të një kohe të perënduar.

Në kushte të tilla, meqenëse është ai opinion publik që do të kushtëzojë veprimet e parlamentarëve europianë për integrimin tonë ose jo në BE apo në organizata të tjera perëndimore apo mbareuropiane, ne duhet ta marrim seriozisht në konsideratë atë. Në këtë këndvështrim, anëtarësimi ynë në KI, fill pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri, ka qenë një hap i gabuar.

Cilat qenë argumentet e përdorura 15 vjet më parë për atë vendim:

a)Konferenca Islamike, me 54 anëtarë, ishte një forcë e madhe ekonomike dhe me kapitalet e anëtarëve të saj mund të ndikonte fuqishëm me investime në ekonominë tonë të shkatërruar nga sistemi absurd i planifikimit shtetëror.

b)Konferenca Islamike mund të na sillte një përkrahje të çmuar në fushën politike dhe në marrëdhëniet e shqiptarëve me botën në shkallë planetare.

Asnjë nga këto argumente nuk rezultoi i saktë.

Në ekonomi, me përjashtim të një mbështetjeje “serioze e të pakursyer” në ngritjen e xhamive në qytete e në fshatra të Shqipërisë, ndihmesa e vendeve islamike në fusha të tjera është tepër modeste.

Në fushën politike, është skandaloze që nga 54 anëtarë të KI, vetëm 4 (duke përfshirë edhe Shqipërinë që është anëtare e KI) kanë njohur shtetin e ri të Kosovës. Realisht, tre vende joshqiptare që e morën guximin të dëmtojnë marrëdhëniet e ngrohta me një vend sllav (pra të krishterë) si Serbia, janë: Turqia, Afganistani dhe Malajzia. Të tjerët nuk merret vesh a janë vërtetë “islamikë” apo e përdorin “islamizmin” si fasadë. Si ka mundësi që të mos njohësh “vëllezërit e tu myslimanë kosovarë” për hir të një miqësie me “kaurët e Beogradit”? Kjo pyetje mbetet në fuqi kryesisht për vëllezërit tanë shqiptarë myslimanë që ende besojnë se në KI, primare janë interesat shpirtërore. Në të vërtetë ata, islamikët e KI, bëjnë llogari. Ndërkohë ne jemi mësuar që nga koha e qoftëlargut, të mos bëjmë llogarira në interes të Kombit, por vetëm hesape të vogla e meskine, në interesin e ngushtë vetjak dhe shumë-shumë të atij fisnor.

Ky parashtrim nuk ka aspak për qëllim që të bëjë thirrje për një tërheqje demonstrative të Shqipërisë nga KI. Gjestet e forta në politikë sjellin më shumë dëm se dobi. Në KI, hyhej lehtë, por dilet jo pa vështirësi. Ka një rrugë të mesme: një qëndrim pasiv ndaj veprimtarive të saj, ulje niveli në përfaqësim dhe mungesa të studiuara në sesione të veçanta. Dalëngadalë, ne do të jemi de facto jashtë asaj organizate që nuk na ka sjellë kurrfarë dobie të prekshme por që, në të kundërt, mund të na ndërlikojë imazhin tonë si një vend me aspirata, formim dhe mentalitet kryesisht modern e perëndimor duke vonuar ecjen tonë, tashmë të pandalshme, drejt Europës.

Shekulli

Komente

Alban 
Citim:
Shqiptarët e Shqipërisë londineze, ndonëse në shumicë dërrmuese me përkatësi islamike, kanë qenë dhe mbeten të prirur ndaj Perëndimit.


Nuk e di se si del kjo "shumica dërrmuese me përkatësi islamike", po unë e sfidoj autorin të mos përdorë më këtë propagandë pa vlerë e dy shekuj të vjetër, sepse s'ka më kuptim të përdoren këto numra edhe sikur të shërbejnë për argumentin si më lart. Gjithë të dhënat nga '92 e mbrapa, si dhe nga departamenti amerikan i shtetit në 2007-2008, thonë se shqiptarët kapin deri në 74% jofetarë. Atëherë me çfarë statistikash po komenton autori?

Pse përjetësohet ky mit sllavo-otoman se shumica e shqiptarëve janë myslimanë, kur në fakt mund të themi pa asnjë droje se janë përveç se të pafe dhe ateistë implicitë. Feja nuk është trashëgimi gjenetike e aq më tepër që vetë statistikat sllavo-turke para dy shekujsh merreshin aforfe me kokë familjeje e nuk pyesnin njeri individualisht ç'besonte a ç'nuk besonte, a dinte ç'ishte "zoti" e feja a jo. Nqs. autori arrin të gjejë sot gjithsej 100 persona në Shqipëri që dinë se ç'është shehadeti (e le më ta kenë pranuar), unë bëhem hoxhë.

Për këtë e kisha vërejtjen e parë, ndërsa e dyta është aspekti juridik:

Citim:
Nga pikëpamja juridike, nuk ka asnjë problem. Statusi i asaj Konference është liberal. Në të pranohen vende që kanë jo më pak se 5 për qind të popullsisë së tyre me përkatësi islame. Teorikisht, mund të bëhen anëtare edhe Franca me Gjermaninë.


Karta e OKI-t e thotë shprehimisht se organizata ka për synim përhapjen e islamizmit. Kjo bie ndesh kokë më kokë me nenin 10, pika 2 të Kushtetutës shqiptare të vitit 1998, që përcakton asnjanësi të shtetit në çështjet fetare. Gjithashtu anëtarësimi në OKI është bërë pa miratimin e Kuvendit, gjë që kërkohet nga Kushtetuta e vitit 1998. Pra me Kushtetutën e sotme kemi dy shkelje të rënda juridike, gjë që përbën lëndë për Gjykatën Kushtetuese.
23 maj, 2008 - 20:20
1
kalimtar  MIRDIT Te pergezoj per shkrimet tua , une jom nje studente ne universitetin iliria po me vyn literatur per konferencen islamike .

MBES ME SHPRES QE TE MA DEGONI NE IMELIN TIM .SE KOM PER PUNIM SEMINARIK;
URIME VAZHDONI TE SHKRUNI KSHTU ;
KESI LLOJ SHKRIMESH;
19 mars, 2009 - 17:01
2
kalimtar  Te nderuar Zoterinj,

ky artikull duhet te merret si shembull ne boten e gazetarise shqipetare persa i perket pikpamjes gjuhesore. Leksiku, gramatika dhe nderthurja e tyre jane armet qe autori ka ditur t'i perdore ne menyre korrekte.
Habija dhe kenaqesia ime kthehen ne nje urim per njerez te ketille.

Me respekt Ervini.
14 tetor, 2009 - 00:38
3


Jep koment
Kahu postar nuk bëhet publik.
Hap/mbyll ndijëzat
:);):(:D:ahaha::p:lolo::?:ok::sarkast::fyu::!:irat::qysh:
Faqosja: Lër një rresht hapësirë mes kryeradhësh. Kahet në rrjet kthehen vetiu në nyje.

RSS kryesore Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Emërtimet | Botëkuptimet | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2010 SH