njoftohu | anëtarësohu
Aktualitet    Shkrime    Video    Thënie    Shpoti    ForumTerminologji    Dijeni

Shkenca do të zëvendësojë të mbinatyrshmin

Nga: Ismet Toto
Shkrimi është pjesë e polemikës së Ismet Totos me françeskanët Harapi e Fishta gjatë vitit 1934 në shtypin e kohës. Këtu është marrë nga përmbledhja "Bota e një djali kryengritës", Toena, Tiranë, 1997.



Nga shënimet e shkurtëra, që bëmë më lart, duket sheshit se evolucioni që bëri idea e perëndisë që nga njeriu primitiv e gjer tek Krishti, është i madh. Idea e zotit, duke dalë nga qarku i ngushtë i familjes, mbasandaj tribus, mbasandaj rracës, tani mori një formë universale. Zoti është tashti ati i gjithë njerëzimit dhe nuk shembëllen e as identifikohet me ndonjë gjë që mund të konseptojë truri i njeriut. Në këtë mënyrë vërtetohet teza, që zoti është një krijesë e mendjes njerëzore, sepse, siç u provua, duke u zgjeruar horizonti i mendimit të njeriut, ndërron formë dhe idea e zotit. Dhe sa më tepër ndërron formë e largohet nga jeta e përditshme, aq më tepër përparojnë e zhvillohen njerëzit, aq më pak e ndjejnë nevojën e zotit.

Mirëpo institucionet fetare kanë qëndruar më këmbë dhe ushtrojnë edhe sot një farë autoriteti në turmat e pazhvilluara të çdo populli. I gjithë përparimi në shkencë dhe në dituri, nuk ka mundur akoma të thyej definitivisht autoritetin e këtyre institucioneve. Po kjo nuk do të thotë se nuk do ta thyej një ditë.

Sot, një statistikë amerikane vërteton, çdo foshnje, çdo grua e çdo burrë amerikan ka në shërbim të tij një energji prej 50 skllevërish, po të llogaritet fuqia lëvizëse e motorëve që përdoret në atë vend për prodhimin e komoditeteve të ndryshme. Kjo nuk është një dhuratë e fesë, por rezultat i luftës, që iu bë asaj. Njeriu modern mblodhi lotët e derdhur nga ata që vuajnë aq shumë persekusionet e ndryshme të mesjetës fetare, i ktheu në avull dhe krijoi makinën lëvizëse, e cila bën të gjitha punët (Mbase një ditë do të bëjë dhe atë të mendimit!). Njeriu modern mori një grusht baltë nga varri ku shtrihen kockat e martirëve të mendimit të lirë dhe mbrujti teleskopin, me anën e të cilit shikon dhe studion thellësitë e qiejve, milionat e botëve, nebulave, galaksive, që na rinë reth e rotull dhe, për fat të keq, as në ato largësira nuk e gjen perëndinë krijuese të fetarëve primitivë!

P. A. Harapi e di më mirë nga unë, që shkenca po zëvendëson të mbinatyrshmen. Unë besoj se jo një njeri laik çfarëdo, por edhe P. A. Harapi vetë, kur i dhëmb koka ose kur e zënë ethet, nuk shkon të bëjë lutje apo sakrifica në altar, por thërret mjekun dhe i kërkon barna. Edhe në qoftëse ndonjë tronditje a shqetësim në sistemin nervor, do të bënte më mirë të shkonte tek S. Freud ose A. Adler, sesa të binte përpara ndonjë statuje, që simbolizon ndonjë shenjtor, të cilin populli i vogël e beson se bën mrekulli, mund të lëvizë sytë, dorën e ku di unë!...

A beson P. A. Harapi, se një statujë çfarëdo, e bërë nga baltë ose nga mermer, mund të bëjë mrekullira? Të lëvizë dorë e këmbë? Çfarë intelektualizme dhe adhurimi për shkencë shet në “Hyllin e Dritës” dhe çfarë thot për statujën, që lëviz, kur ndodhet përpara plakave, pleqve e foshnjave, që frekuentojnë kishën!?...

Nuk ndjej aspak nevojën të zgjatem në këtë pikë. Sot në vend të mrekullive dhe çudive të teologjisë, shkenca na jep ligjet e gjithësisë. Në vënd të magjisë, kemi kiminë e fizikën. Për krijimin e njeriut e të tokës, kemi zbulimet e ndritura dhe të arsyeshme të evolucionit dhe gjeologjinë. Për vizitat e djallit në tokë, na kemi mjete që luftojnë insektet dhe mikrobet. Është shkenca e vrazhdë, materialiste, që na shpie përtej errësirës në dritë. Vetëm shkencëtari, i cili mundohet të përshtatë njerëzimin te Gjithësia dhe Gjithësinë te njerëzimi, do prodhojë më në fund kryeveprën e imagjinatës njerëzore. Dhe kur të vijë ajo ditë, profeti dhe artisti do të mbeten të turpëruar...

Prandaj qytetërimi i sotëm është tokësor. Fakti që kleri i organizuar kërkon të thotë se ai është dakort me gjithë shpikjet e hapat e shkencës, provon çiltas se instikti themeltar i autokonservacionit është akoma i fortë edhe në priftërinjtë. Dhe do vijë dita që të pranojnë me taktikën e tyre që kanë përdorur për çdo hap qytetëronjës, se qielli nuk është më as misterioz, por një mekanizëm pafundësisht e përpleksur [1] që punon sipas ligjeve që rregullojnë atomet, elektronet e protonet e një cope guri. Do vijë koha të pranojnë që as jeta s’është dhe aq e errët, sepse shkencëtarët qysh tash “kanë përgatitur farë artificiale, të cilat, po mbillen, lëshojnë degë e fletë dhe prej materies pa jetë, prodhojnë celule [2] të gjalla që lëvizin, ushqehen, ndahen” dhe s’është aspak gabim i imagjinatës sonë, të themi, që shkenca do vijë deri në atë pikë, sa të fabrikojë njerëz; dhe jo idiotë, siç bën nganjëherë perëndia!..., por vetëm gjenij.

Njerëzit po e kuptojnë se nuk janë tjetër, veçse organizma të riprodhura, pa vleftë e pa rëndësi përpara madhështisë së natyrës. Njeriu modern duke i dhënë pozitën e gjykatësi të fundit suprem Mëndjes, gjurmimit shkencor, do të zhdukë padijen frikën dhe me zhdukjen e këtyre, vetvetiu që do të harrohen krejt dhe perënditë e vjetra me gjithë interpretimet e tyre. Edhe kimisti me biologun na e shpjegojnë jetën dhe vdekjen në mënyrë fare të thjeshtë. Aktivitetet marrrëdhënëse midis celulave të gjalla, të cilat mvaren nga lëngjet colloidal, prodhojnë jetën. Vdekja s’është gjë tjetër, veçse ngrimja e këtyre lëngjeve coloidalë, pikërisht siç ngurohet një e bardhë e vezës, kur e zjejmë. Nëqoftëse ka “ndonjë gjë të mshehtë” e të pashpjeguar në termat e forcave fizike dhe kimike, ai fakt nuk na intereson dhe s’ka as ndonjë rëndësi, sepse ajo gjë e mshehtë mund të anullohet aq lehtë nga forcat e shkencës, sa herë që t’i pëlqejë kësaj të fundit. Me sa është e mundur, që një e bardhë e vezës së zjerë të kthehet një cilësitë e para, aq është e mundur për një kufomë të ngjallet. Dhe nëqoftëse ka ndonjë fuqi mistike të panjohur në punën e gjallërisë, ajo fuqi as është e zonja ta ndalojë vdekjen, as ta zhdukë. [3]

Prandaj që të vdesim burrërisht, duhet ta kuptojmë vdekjen nga kjo pikëpamje e thjeshtë shkencore dhe biologjike, d.m.th. të riedukohemi dhe të shuajmë emisionin e madh përpara vdekjes që provon shumica e njerëzve, i cili shpjegohet si efekt i instikteve të tyre natyrale të autokonservacionit, dhe që i bën ata të besojnë e t’u çelen rrugën fetare për insistimin e tyre në një antiklimaks (rrojtje e shpirtit edhe mbas vdekjes) në dramën e jetës. Por përveç këtyre përrallave fantastike të priftërinjëve, të cilave u ka dalë boja fare në këta dy shekujt e fundit, s’kemi asnjë arsye që të besojmë në këtë antiklimaks.

Na kemi një dëshirë aq të nxehtë për pavdekshmëri” thot Mendelsohni “një siguri të brenshme aq të madhe për vazhdimësin e personalitetit tonë psihik, sa medoemos në këtë pikë nuk mund të jemi të gabuar”! “Kjo, do të ishte njësoj” thotë një kritik i tij “sikur të thoshim: jam i sigurt se një ditë do të bëhme zengjin, sepse ma thotë një zë i brendshëm që do të bëhem”! Aq kredi sa meriton ky i dyti, meriton dhe ai i pari.

Njeriu normal nuk rron jetën sepse shpreson në pavdekshmërinë e shpirtit apo sepse ndien një nevojë të madhe të gjejë shkakun e fillimit të botës. As që ka nevojë të domosdoshme për etikën e fesë. Njeriu rron krejt natyrisht, si çdo gjë e gjallë brenda në natyrë. [4] Ai rron sepse brenda në celulat që e përbëjnë, brenda në organizmën e tij ndjen një qejf, një kënaqësi, një gëzim, kur është gjallë.

Është koha, pra, të thuhet edhe në gjuhën shqipe një fjalë e lirë; është koha të themi se organizimet fetare, me gjithë supersticionet etyre, me tërë sistemet e tyre filosofike e fiskale, janë anakroniste dhe nuk i përgjigjen më kohëve. As që është e mundur me ndonjë mënyrë të bëhen këto eksponente të kulturës dhe të qytetërimit, siç duan të predikojnë edhe sot të gjithë ditën shenjtorët, sado të nguruar, mund të lozin synë!


Tiranë, 1934


Shënime:
1. G. Santayana, filozof amerikan i sotëm është i bindur që mekanizma është universale, sundon dhe më të thellat kufi të shpirtit.
2. Edmund Wilson, A Conversation in the Galapagos.
3. S. Harding, Modern Thinker, f. 327-328.
4. "Qëllimi i gjurmimit është të gjejmë "qysh" dhe jo "pse"; është të zbulojmë ligjet e jo shkaqet... fjala shkak duhet të mos ekzistojë më në fjalorin filozofik." - August Comte.

Komente

Legjion
Legjion 1 korrik, 2007 - 18:28
Citim:
Është koha, pra, të thuhet edhe në gjuhën shqipe një fjalë e lirë; është koha të themi se organizimet fetare, me gjithë supersticionet etyre, me tërë sistemet e tyre filosofike e fiskale, janë anakroniste dhe nuk i përgjigjen më kohëve. As që është e mundur me ndonjë mënyrë të bëhen këto eksponente të kulturës dhe të qytetërimit, siç duan të predikojnë edhe sot të gjithë ditën shenjtorët, sado të nguruar, mund të lozin synë!


Tërë shkrimi hapi rrugën ndaj kësaj akuze që është dhe vendimtare, përveçse mjaft e qartë. Feja mund të ketë patur rol qytetërues e dijendërtues ndoshta... para 5000 vjetësh për fiset nomade të shkretëtirës në Azi... Që kur preku truall ilir në erën tonë e vetmja gjë që solli ishte prapambetje, vrasje e shkatërrim pervers të shkencës dhe metodikës së dijes. Dhe e vetmja lëndë mbi të cilën qëndron sot kjo fe është frika e subjekteve të saj ndaj vdekjes.

Kjo frikë që mposht çdo arsyetim justifikuar me terma të tipit "bota e brendshme" shfrytëzohet në një proces të mirëfilltë ekonomik ofrim shërbimesh. Si e tillë feja kërkon madje të ngrihet në nivel politik duke qenë se me kongregacionet e veta i ofron politikanit mish për top, pra votues të kontrolluar.

Në vend të përmirësojë stokun tonë njerëzor, feja e ka mbajtur në vend numëro për një mijë vjet e gjysmë dhe madje e ka çuar dhe mbrapa. Për ne shqiptarët sidomos ka qenë gjëmë kombëtare, duke qenë se gjysma e kombit na u thith e na u përdor për ngritjen e teokracisë ortodokse në jug të gadishullit (Greqisë), një pjesë aspak më e vogël u dëbua në Turqi si "popullsi turke" dhe po aq rëndon mbi fenë dhe tjetërsimi i kulturës, së pjesës së mbetur, me gjithfarë importesh nga Azia, duke na zhbërë folklorin, doket, mënyrën e jetesës dhe botëkuptimin vendas, këto që janë organika e një kombi.

Sot fetë e cilido lloji qëndrojnë pengesë duke i djegur badjava energjitë kombëtare me idiotësi fetare, energji që mund të përdoren për 100 gjëra më konstruktive se sa të çuarit ujë në hullitë e Lindjes.
1
udhetar i kesaj bote 12 janar, 2009 - 11:54
Zoti e ka lidhur njeriun me dy ligje. Njeri zbatohet ne kete bote.Dhe ky eshte qe kushdo qe punon ne kete bote qofte besimtar ap ojo besimtar e merr shperblimin e vet dhe kete e shohim te gjithe.Por eshte edhe nje ligj tjeter qe zbatohet ne boten e pertejme. Ai thote se kush nuk beson ne kete bote do vuaje ne boten tjeter. Te gjithe e dime qe vdekja do te vije e se prej saj nuk ka shpetim. Te gjithe e shohim se shume te pasur po futen ne varr pa as edhe nje gje pervecse emrit te tyre I mire ose I keq. Deri ne diten e fundit njeriu do zhvillohet ne shkence sa do mund ti gjeje ilacin shume semundjeve pervec vdekjes qe vjen nga Allhu dhe pleqerise.
2
demetra
demetra 12 janar, 2009 - 12:07
Po m'doket e ki ni lufte me vetvetën sa i përket përceptimit t'ateistëve.
Sa i përket asaj t'fundit - ndiq nyjen -, ndoshta osht pakëz e ngutshme, po t'paktën po çapurritim...
Ju?
3


Jep koment
Kahu postar nuk bëhet publik.
Hap/mbyll ndijëzat
:);):(:D:ahaha::p:lolo::?:ok::sarkast::fyu::!:irat::qysh:
Faqosja: Lër një rresht hapësirë mes kryeradhësh. Kahet në rrjet kthehen vetiu në nyje.

RSS kryesore Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Emërtimet | Botëkuptimet | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2010 SH