Aktualitet    Shkrime    Video    Thënie    Shpoti    ForumTerminologji    Dijeni
njoftohu | anëtarësohu

Minaretë nuk përbëjnë thelb të islamizmit


Nga:
Texh Hargei
Referendumi i Zvicrës për ndalimin e minareve është ksenofobik aty ku s'duhet, por nuk shkel liritë fetare të myslimanëve të Zvicrës. Minaretë janë simbolikë e xhamive të botës arabe dhe nuk ka ndonjë arsye teologjike se pse objektet e kultit në Perëndim duhet të përdorin kulla të tilla.

Qëllimi kryesor i tyre ka qenë të përcjellin thirrjen për lutje me zë të paamplifikuar. Sot kjo arrihet me anë të teknologjisë bashkëkohore, ndaj dhe minaretë nuk janë pjesë integrale e arkitekturës së xhamive. Xhamitë evropiane duhet të pushojnë së imituari pareshtur arkitekturën orientale dhe duhet të krijojnë vende të atilla lutjesh që përputhen me peisazhin.

Myslimanët që janë vendosur në Zvicër (dhe kudo tjetër në Evropë) nuk duhet të ngatërrojnë kulturën me besimin. Integrimi në mjedisin e ri do të thotë se ata duhet ta lënë pas bagazhin kulturor të vendit prej nga vijnë dhe të praktikojnë një myslimanizëm zviceran me rrënjë në shoqërinë ku tani jetojnë.

Ndonëse zviceranët janë bindur nga ekstremi i djathtë se minaretë përbëjnë problem, myslimanët e atjeshëm nuk ka pse i drejtohen mentalitetit të viktimës. Ata duhet ta kundërshtojnë vetë radikalizimin toksik të fesë së tyre që vjen nga përtej detit.

Vehabistët (dhe sektet e tjera të këtij lloji), që kanë fuqi të mëdha financiare nga shfrytëzimi i naftës dhe juridiksion të plotë mbi xhamitë më të shenjta të myslimanizmit, përçojnë urrejtje të tërbuar ndaj grave, obskurantizëm anti-demokratik dhe një kod ligjor arkaik, i cili përmban dhe ndalimin jokuranor të ndërtesave të feve të tjera në toka myslimane. Tani Zvicra iu bashkangjit Arabisë Saudite dhe Afganistanit në ndalimin e ndërtesave të feve të pakicës.

Kur muslimanët e Evropës i bashkohen kësaj teologjie të shtrembër pa u menduar gjatë e duke dëshiruar një sheriat mesjetar, duke mbrojtur vrasjet për nder, vrasjen me gurë, martesat e detyruara, veçantësim të myslimanëve dhe shoqëri paralele, ata thjesht ndjellin frikë dhe nxisin ndjenjën antimyslimane. Kur myslimanët e Evropës ngrenë lart e më lart doktrina të tilla si ferexhetë, ata s'arrijnë gjë tjetër veçse izolohen nga opinioni publik.

Vetëm kur emigrantët dhe të konvertuarit myslimanë të Evropës të hedhin tej ideologjinë e shtrembëruar të një kleri meshkujsh fondamentalistë do të ketë qetësim të paragjykimeve antimyslimane në Evropë. Ndërkohë, përveç ndalimit islamofobik të minareve, të drejtat fetare të myslimanëve të Zvicrës janë të paprekura. Ata sakaq kanë rastin e rralët të shkëpusin tashmë lidhjen me teologjinë sunduese të Lindjes dhe t'i rikthehen besimeve të pastra islamike.

(Dr. Texh Hargei, është kryetar i Qendrës Arsimore Myslimane të Oksfordit dhe imam i Kongregacionit Islamik të Samërtaunit në Oksford. Times)
Në:


Jep koment
Kahu postar nuk bëhet publik.
Hap/mbyll ndijëzat
:);):(:D:ahaha::p:lolo::?:ok::sarkast::fyu::!:irat::qysh:
Faqosja: Lër një rresht hapësirë mes kryeradhësh. Kahet në rrjet kthehen vetiu në nyje.

RSS kryesore Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Emërtimet | Botëkuptimet | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2010 SH