Ateizmin nuk e kanë shpikur komunistët (pj.2)
e premte, 1 shkurt 2008 / dea
Nga: Arben Kallamata Ky shkrim nuk pretendon aspak që t’i paraqesë shqiptarët si popull ateist apo të pa fe. Një përpjekje e tillë do të ishte në kundërshtim të plotë me bindjen time se karakterizimi dhe etiketimi i popujve apo i individëve në bazë të (mos)përkatësive fetare është i papranueshëm në një shoqëri të përparuar. Njerëzit janë njerëz, ndërsa bindjet e tyre fetare janë thjesht çështje vetjake. Megjithatë, unë do të përpiqem të mbroj idenë se shqiptarët janë një popull që ka dëshmuar historikisht lidhje të dobëta me fenë. Për lidhjet e dobëta të shqiptarëve me fenë përmenden shumë argumente faktikë dhe episodikë, të dokumentuara dhe të padokumentuara. Që në lashtësi ilirët kanë qenë ndoshta po aq pranë besimeve perse, Zoroastrianizmit sa edhe perëndive greke të Olimpit. Më vonë thuhet se ata ishin ndër të parët që e lanë këtë besim dhe iu kthyen krishtërimit. Ja si e përshkruan Peshkopi Fan Noli “përkushtimin” e Gjon Kastriotit, atit të heroit tonë kombëtar ndaj fesë: “Për sa i përket fesë Gjon Kastrioti ishte shqiptar tipik. Nuk ishte pasues fanatik i asnjë feje dhe i ndërronte besimet sipas drejtimit që i jepte lëvizjeve të veta politike. Si aleat i Venecias në 1407, ai ishte Katolik; pastaj si aleat i Stefan Lazareviçit të Serbisë, nga 1419 – 1426 u kthye në ortodoks; dhe më pas u kthye në mysliman kur lidhi aleancë me Muratin e II, nga 1430 – 1438; e përsëri në katolik në 1438 kur e gjeti veten aleat dhe qytetar nderi i Venecias dhe i Raguzës. Në fund vdiq i krishterë i mirë në 1443.” [1] Të ndarë në dy degët mbizotëruese të krishtërimit mesjetar, shqiptarët i hapën rrugën pa ndonjë keqardhje të madhe myslimanizmit. Duke shëtitur cep më cep Shqipërinë e fundit të shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, Edith Durham vëren se “Shqiptari është i paditur e i pamësuar, por nuk është budalla…Myslimanizmin dhe krishterimin ai i përcakton në një mënyrë të veçantë dhe shqiptare. Në zemrën e tij ai është i ndikuar kryesisht nga besimet e paragjykimet tradicionale, të cilat janë shumë më të vjetra se sa të dy feve të reja.” [2] Ndikimi dytësor i fesë në qenien e shqiptarëve u ka rënë në sy të gjithë studiuesve të historisë së Ballkanit dhe të Shqipërisë. Ai është element tipik shqiptar dhe përcaktohet nga rrethana historike, gjeografike, demografike dhe ekonomike krejtësisht shqiptare. “Çelësi i unitetit të shqiptarëve ishte gjuha. Feja, gjeografia dhe klasat për ta kishin qenë faktorë ndarjeje, prandaj në periudhën e reformave të mëdha Otomane Njerëzit e Tanzimatit ngulën këmbë që shqiptarët të vazhdonin me lidhjet e tyre të ‘miletit”, thotë Misha Glenny. [3] Lidhja e dobët e shqiptarëve me fenë (përkatësisht me krishtërimin) u shfaq më hapur në periudhën e përqafimit të myslimanizmit. Ky hap ende i pashpjeguar plotësisht u krye me vullnet të plotë dhe pa kurrfarë detyrimi. “…Nuk ka asnjë arsye për të menduar se ishte frika e persekutimit ajo që i detyroi shqiptarët të ndërronin besimin në myslimanizëm dhe të përqafonin besim të dyfishtë. Përkundrazi, ata u shtynë nga dëshira për të shmangur taksat për kokë dhe për të përfituar nga ndërrimi i fesë, kryesisht duke marrë ndonjë post në hierarkinë ushtarake të shtetit Otoman ... Në qoftë se taksat e vëna për të krishterët në komunitetet shqiptare në shekullin e 16-të shkonin deri në 45 akçi, në mes të shekullit të 17-të ato ishin ngritur deri në 780 akçi në vit. Për t’i shpëtuar fiset e tyre nga uria dhe rrënimi, pleqëria e komuniteteve shqiptare e këshilloi popullin e fshatrave që të përqafonte Islamin”. [4] Sikur hapi i përqafimit të fesë Islame të ishte mbështetur në motive shpirtërore, atëherë do të kishte vend për të menduar se ky popull la një fe për t’u kapur pas një tjetre që iu duk më tërheqëse. Por ajo që ndodhi në Shqipëri në shekujt 17 – 19 dhe në vazhdim ishte e rrallë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve, për arsye utilitare parapëlqyen të ruajnë dy fe. Ja si i është shpjeguar ky dyzim nga Edith Durham në fillim të shekullit të 20-të: “Pjesëtari i një fisi në Shqipërinë e Veriut në radhë të parë është shqiptar. Ai kurrë s’i ka përvetësuar mësimet e kristianizmit, as ato të islamizmit (flas vetëm për masat). Krishti dhe Muhameti janë dy “gomarë magjikë“ mbinjerëzorë, çdonjëri nga të cilët, po ta zbutësh, mund të bëjë çudira. [5] Edith Durham nuk mungon të verë në dukje se përpara kthimit të tyre në Islamizëm, ose përpara aventurës interesante të pranimit njëkohësisht të dy feve, shqiptarët janë ndjerë të braktisur, madje edhe të shfrytëzuar nga emisarët e feve të krishtera. Pra shkaqet e ftohtësisë së shqiptarëve ndaj fesë nuk duhen parë vetëm te karakteri i tyre, por edhe te sjellja e përfaqësuesve të feve kundrejt tyre. “Nuk ka pasur fare shkolla për priftërinjtë e vendit. Priftërinjtë e huaj shpesh nuk dinin as gjuhën dhe as zakonet e vendit. Peshkopët, shumica të huaj, përpiqeshin kush e kush të fuqizohej më shumë për vete.” [6] Për shqiptarët feja ishte fe dhe asgjë më tepër. Ndonëse ajo ndikonte në marrëdhëniet me shtetin, ajo nuk mund përcaktonte marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha, ajo nuk përcaktonte identitetin e njerëzve. Pra ajo ishte ashtu siç edhe duhet të ishte – një element vetjak besimi apo mungese besimi. Prandaj edhe vargu i Vaso Pashës “Feja e shqyptarit është shqyptaria”, ngjiti aq mirë te shqiptarët dhe u kthye në moto përfaqësuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky varg nuk ishte thirrje patetike për të arritur diçka të paqenë, siç përpiqen ta paraqesin sot disa pena që i janë vënë me zell dëmtimit të çdo simboli të Rilindjes Kombëtare; nuk ishte kushtrim lufte apo bori sulmi. Ishte thjesht ritheksimi i një të vërtete të vyer, të cilën ia vlente ta mbaje si udhërrëfyese për të mbijetuar si komb. Vetëm si i tillë, ai gjeti mbështetje të gjerë dhe u pranua nga breza të tërë shqiptarësh. Ata që luftuan për Rilindjen Kombëtare e pranuan Vaso Pashën. Ata që pasuan më vonë e ngritën edhe më lart. Megjithëse zyrtarisht mysliman, duke e parë se një mbret i krishterë do të ishte më i qëndrueshëm në një vend me prirje evropiane, Ahmet Zogu ngulmoi të martohej me një katolike. Përpara kësaj martese, nën shembullin e Ataturkut, ai kishte ndaluar me ligj mbulimin e grave me ferexhe, një hap që Franca po e gjen shumë të vështirë ta realizojë 70 vjet më vonë. Këto veprime nuk ia ulën aspak popullaritetin Zogut midis shqiptarëve. Edhe kundërshtarët e tij politikë të atëhershëm e të sotëm e sulmojnë për gjithçka tjetër, por jo për qëndrimin ndaj feve. Në këtë pikë ai gjeti mirëkuptim dhe miratim te bashkëkombësit. Ky ishte pikërisht terreni që gjetën dhe shfrytëzuan komunistët e Enver Hoxhës për ta shpallur ateist shtetin e tyre komunist. Goditja që ata i dhanë fesë frymëzohej nga mësimet e Stalinit, të cilat çoheshin në ekstrem duke marrë parasysh vendin ku po zbatoheshin, kushtet e një populli që nuk mund t’i përqasej verbërisë fetare dhe adhurimit të rusëve për Kishën e tyre. Goditja ishte pjesë e luftës për pushtet absolut dhe llogariste mirë lidhjet e dobëta të shqiptarëve me fenë. Ajo nuk u krye thjesht ngaqë Enver Hoxha ishte ateist. (Njerëz që e kanë njohur nga afër tregojnë se djalli i Hoxhave falej përpara se të hante bukë. Nuk është aspak çudi që thellë-thellë ai të besonte, ose të paktën të ishte supersticioz.) Goditja u bë sepse ai, Hoxha, nuk donte ta ndante me kërkënd pushtetin, njëlloj si mësuesi dhe ati i tij shpirtëror, Stalini. Në fund të fundit, ideologjia është vegël për të ushtruar pushtetin politik. Të mos harrojmë se edhe krerët e feve në Shqipërinë e pasluftës së dytë botërore ishin në pozicion jo fort të favorshëm në lëmin e marrëdhënieve publike. Më pak se gjysmë shekulli nga shpallja e Pavarësisë kushdo, por sidomos komunistët që ishin mjeshtër të propagandës, nuk e kishin fare të vështirë ta përqasnin myslimanizmin me pushtuesin turk, që e kishte mbajtur vendin për 500 vjet në errësirë. Po ashtu komunistët nuk hasën vështirësi për të bërë një lidhje midis Italisë fashiste, shkaktaren e një pushtimi të turpshëm dhe një lufte ende të freskët, me krerët e kishës katolike. Nuk kishin qenë të pakët priftërinjtë që kishin mbështetur pushtuesin. Ndërsa fqinji ortodoks jugor, Greqia, kishte kohë që vinte peshkopë e priftërinj në ballë të taborreve shoviniste që jo vetëm ulërinin për copëtimin e Shqipërisë dhe Vorio Epirin, por edhe i shoqëronin pëllitjet e tyre me veprime të drejtpërdrejta agresioni. Nga pikëpamja propagandistike, në vitet ’60 komunistët e kishin shumë të volitshme ta godisnin gogolin Fe. Nga ana shpirtërore, shqiptarët s’e kishin pasur shumë për merak atë. Nga vështrimi ekonomik, kjo ishte koha kur komunistët po përqendronin gjithë pasuritë e vendit në duart e tyre dhe atij fshatarit që po i shtetëzohej apo kooperativizohej toka dhe bagëtia, as i bëhej vonë se bashkë me to shkonte edhe pasuria e kishës dhe e xhamisë. Ndonëse nuk mund të thuhet se ndalimi me ligj i fesë në Shqipëri u bë me miratimin e plotë të popullsisë, ai u prit pa ndonjë ndjenjë të theksuar keqardhjeje apo dëshpërimi dhe, praktikisht, me përjashtim të disa enklavave (Shkodrës, Malësisë së Madhe e deri diku, Korçës) zuri rrënjë shpejt. Ndalimi i fesë u pasua me njësimin dhe zëvendësimin e vlerave shpirtërore. Vendin e Zotit e zunë krijuesit e Marksizëm-Leninizmit, Perëndia me katër koka e “klasikëve” fotografitë e të cilëve i gjeje kudo që hidhje sytë. Ata u bënë po aq të paprekshëm dhe të padiskutueshëm sa çdo krijesë hyjnore. Vendin e Mesias, Krishtit apo Muhametit e zuri Enver Hoxha. Njerëzit nuk betoheshin më “Për Perëndi!” por “Për ideal të Partisë”. Kishat u shembën dhe u zëvendësuan me vatra kulture. Vendin e priftit e zuri Sekretari i Partisë. Vendin e meshave e zunë format e edukimit. Vendin e Ferrit e zuri Spaçi. Vendin e Parajsës e zuri përralla e bukur e “komunizmit ideal” ku të gjithë do të punonin sipas aftësive (domethënë s’punonin fare) dhe do të paguheshin sipas nevojave (sa të donin). Mungonin vetëm harpat dhe pendët krahëve. Vitrina e Parajsës në tokë, kopshti i Idenit ishte Blloku i Udhëheqësve në Tiranë. Prej tij mund të përjashtoheshe sa herë që haje ndonjë mollë të ndaluar ose sa herë i donte qejfi Mesias, Zeusit, Zotit. Po të mëkatoje, duhej t’i hapje zemrën partisë, sekretarit të saj. Po të mëkatoje rëndë, përfundoje në Ferr – Spaç. Mëkatet e lehta faleshin. Edhe vjedhjet ishin kalimtare. Herezitë kundër Fesë Komuniste ishin të pafalshme. Ato dënoheshin me Ferr. Mallkimi ndiqte edhe të afërmit. Frika nga ndëshkimi i Zotit u zëvendësua me frikën nga ndëshkimi i Partisë-Shtet, ose Perëndisë-Enver. Jo rastësisht, Enver Hoxha krahasohej me Zeusin – Kryeperëndinë. Komunizmi shqiptar shpalli diçka që e quajti “ateizëm”, por në të vërtetë shkatërrimi i pushtetit të feve të deriatëhershme nuk kishte të bënte fare me Ateizmin, domethënë me mosbesimin në ekzistencën e një qenieje hyjnore të gjithëpushtetshme. Ai ishte vetëm zëvendësimi i një apo disa feve me një të re, me fenë Komuniste. Në Shqipëri pati shumë njerëz që hoqën dorë nga besimet tradicionale – Myslimanizmi, Ortodoksia, Katolicizmi. Pati gjithashtu shumë që, për shkak se u lindën dhe u rritën në atë klimë, por edhe për shkak se u detyruan dhe u bindën, përqafuan fenë e re, Komunizmin. Por gjithmonë pati nga ata (dhe numri i tyre erdhi në rritje) që nuk besonin as te njëra dhe as te tjetra. Madje edhe shumë nga ata që kishin besuar te Komunizmi, hoqën dorë prej tij kur e kuptuan se në ç’humnerë po e çonte vendin. Këta njerëz që s’besonin dhe s’besojnë as te fetë tradicionale dhe as te komunizmi nuk ishin dhe nuk janë as të pamoralshëm, as të droguar, as të çmendur, as të dhënë pas pijeve. Ata janë njerëz si gjithë njerëzit e tjerë, me vlerat dhe mangësitë e tyre. Jep koment
|