Ferizaj: 59 të rinj në ISIS, 4 kanë vdekur


Vetëm nga rajoni i Ferizajt në luftërat në Siri dhe Irak janë të përfshirë 59 persona, 4 nga të cilët janë raportuar të vrarë në zonat e konfliktit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka nisur sot zbatimin e projektit më të ri: “Vetëdijesimi i të rinjëve mbi pasojat e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar”.

Zbatimi i këtij projekti, po bëhet në bashkëpunim me Institucionet komunale të arsimit, me bashkësitë fetare të rajonit të Ferizajt, shkollat e mesme, me shoqërinë civile, ndërkaq këtë nismë e ka mbështetur edhe MPB-ja. Zbatimi i projektit, nënkupton mbajtjen e ligjeratave më nxënës të shkollave të mesme të Ferizajt dhe të komunave të këtij rajoni.

Ligjerata fillestare u mbajt sot, me nxënës të gjimnazit, “Kuvendi i Arbrit” të Ferizajt. Veç nxënësve, të pranishëm në ligjeratë ishin edhe përfaqësues të MPB-së, KFOR-it, EULEX-it, ICITAP-it, OJQ-të.

Pas një vlerësimi të shkurtër të situatës aktuale të ndërlidhur me këtë temë të ndjeshme, nga aspekti policor, ligjëroi drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, Nënkoloneli Gazmend Hoxha, duke vën në pah procesin e radikalizimit dhe fazat e tij, siç janë: procesi rekrutimit, vendet e rekrutimit, identifikimi i caçeve, bindjet, mjetet e bindjes dhe rrezikun nga mundësia e përfshirjes së drejtpërdrejt në aktivitete terroriste.

Duke veçuar disa nga mënyrat e paraqitjes së ekstremizmit në vendin tonë, nënkoloneli Hoxha, vuri në dukje se, si rezultat i indoktrinimit me ideologji ekstremiste, viteve të fundit janë paraqitur edhe pasojat si: raste të jo tolerancës ndër fetare dhe ndër sektare, probleme dhe konflikte të ndryshme në mes të ekstremistëve islamist dhe besimtarëve islam, pastaj edhe përpjekjet për t’u bërë faktor politik dhe për të realizuar agjendën e tyre politike dhe ideologjike.

Në ligjëratë, edhe një herë u theksua shqetësimi, i pjesëmarrjes së kosovarëve në luftërat në Siri dhe në Irak, sidomos përfshirja e të rinjve atje dhe kalimi i tyre në organizatat terroriste, “Al Nusra dhe “ISIS” apo “ISIL”.

Duke folur me gjuhën e statistikave, nxënësve iu shpjegua se, vetëm nga Rajoni i Ferizajt në luftërat në Siri dhe Irak, janë të përfshirë, 59 persona, ku 4 persona nga ky numër janë raportuar të vrarë, në zonat e konfliktit. Nisur nga kjo, Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka ndërmarr dhe po merr masa parandaluese në bashkëpunim të plotë me institucionet relevante dhe me partnerët e saj. Njohësi i çështjeve të sigurisë dhe ligjëruesi tjetër, Shkëlzen Marevci, kontribuoi me temën: “ Shkaktari dhe viktimat e terrorizmit”.

Marevci, theksoi faktin se, “cak i organizatave terroriste janë kryesisht të rinjtë”, shih për këtë, “është i domosdoshëm qartësimi i mospërputhshmërisë së islamit me terrorizmin dhe fakti se nuk kanë asgjë të përbashkët”, nënvizoi Marevci.

Sipas drejtuesve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, obligim fetar i imamëve dhe predikuesve fetar është, interpretimi i islamit burimor. Fundja, mision i bashkësisë islame, është ndërtimi i shoqërisë tonë”, theksoi përfaqësuesi KBI –së në Ferizaj, Ilmi Rexhepi.

Interesimi i nxënësve për këtë temë ishte mjaft i madh. Ata, shtruan shumë pyetje për panelistët lidhur me këtë çështje, e cila siç u tha në ligjëratë, mbetet kërcënim për shtetin dhe shoqërinë kosovare.

Këtë javë, do të vazhdojnë ligjëratat edhe në shkollat tjera të mesme të Ferizajt, ndërkaq, synimi është që zbatimi i projektit dhe ligjëratat, të vazhdojnë edhe gjatë muajit shtator nëpër shkollat e mesme të komunave të tjera të Rajonit të Ferizajt.
Burimi24 maj 2016


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading