SHBA: Kryhet terapia e parë gjenetike kundër plakjes së njeriut


Elizabeth Parrish, kreu ekzekutiv i kompanisë "Bioviva USA Inc." është tashmë njeriu u parë që ka kaluar me sukses terapinë gjenetike për anasjelljen e plakjes, duke arritur të zhbëjë rreth 20 vite nga shkurtimi normal i telomereve të saj.

Vlerësimi me pikë i telomereve përllogaritet sipas gjatësisë së telomereve të rruazave të bardha të gjakut (limfocitet "T"). Ky rezultat bazohet në gjatësinë mesatare të telomereve në popullatën amerikane të grupmoshës së saj. Sa më të larta pikët e përftuara, aq më "të reja" janë qelizat.

Në shtator të vitit të kaluar, Elizabeth Parrish ka marrë dy terapi eksperimentale gjenetike të kompanisë që drejton: njërën për mbrojtje ndaj humbjes së masës muskulore me kalimin e moshës, dhe një tjetër për të luftuar rrallimin e qelizave staminale përgjegjëse për sëmundjet dhe problemet e ndryshme që vijnë me plakjen.

Trajtimi synonte fillimisht të demonstronte sigurinë e gjeneratës së fundit të terapive gjenetike të kompanisë. Por nëse të dhënat e përftuara deri më tani janë të sakta, ky duket të jetë shembulli i parë i suksesshëm në botë i zgjatjes së telemereve me anë të terapisë gjenetike te njeriu.

Terapia gjenetike është përdorur më parë për zgjatjen e telomereve në qeliza laboratorike dhe te kaviet, por asnjëherë deri më tani te njerëzit.

Telomeret janë segmente të shkurtra ADN-në të cilat përmbyllin skajet e kromozomeve, duke vepruar si amortizues kundër konsumimit dhe dëmtimit. Ato shkurtohen me çdo ndarje të qelizës, duke u shkurtuar me kalimin e kohës deri në pikën kur nuk mund ta mbrojnë më kromozomin dhe duke shkaktuar kështu plakjen e trupit.

Në shtator të vitit të kaluar, të dhënat e përftuara nga rruazat e bardha të gjakut të pacientes nga laboratori i posaçëm i "SpectraCell" për testime klinike në Hjuston, Teksas, tregonin se telomeret e saj ishin shumë të shkurtra për moshën që ka, duke e bërë pre të sëmundjeve që vijnë me plakjen që herët në jetën e saj.

Muajin e kaluar, pas testeve të kontrollit në të njëjtin laborator, telomeret tregonin gjatësi ekuivalente me rinimin e pacientes deri në 20 vjet, nga gjatësia 6,71 kb në 7,33 kb. Kjo do të thotë se rruazat e bardha të gjakut të pacientes (leukocitet) janë rinuar biologjikisht.

Këto rezultate janë verifkuar deri më tani nga një "HEALES" një OJF me seli në Bruksel dhe "Biogerontology Research Foundation", një organizatë me seli në Britaninë e Madhe të cilat veprojnë në fushën e kërkim-zhvillimit mjekësor kundër plakjes.

Sipas vetë Elizabeth Parrish: "Terapitë aktuale ofrojnë përfitime minimale për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e plakjes. Për më tej, ndryshimi në stilin e jetës ka impakt të kufizuar në trajtimin e këtyre sëmundjeve. Përparimet e fundit në bioteknologji janë zgjidhja më e mirë, dhe nëse këto rezultate rezultojnë të sakta, do të thotë që me këtë eksperiment kemi shkruar histori".

Kompania bioteknologjike "Bioviva" do të vijojë me monitorimin e gjakut të pacientes në vitet në vazhdim, ndërsa do të nis me testimin e disa terapive të reja gjenetike për zhbërjen e plakjes dhe të dëmeve të tjera biologjike në trup që vijnë si pasojë e plakjes.
Burimi25 prill 2016


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading