Tiranë: Kryeministri kërkon futjen e fesë në arsimin publik, nën diktimin e ndërkombëtarëve


Gjatë një festimi të organizatës fetare "Komuniteti Mysliman i Shqipërisë", kryeministri Edvin Rama, ka mbajtur një fjalim në podium duke u shprehur se qeveria socialiste ka një program për mësimin e fesë në shkolla.

Sipas kryeministrit Rama: "Projekti konsiston jo në cënimin e laicitetit, por në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm”.

“Do të fillojmë me një numër shkollash në zona urbane e rurale dhe për herë të parë nxënësit do të nxiten nga mësues të trajnuar enkas brenda dhe jashtë vendit të përvejtësojnë elementët e të folurit, premisat e dialogut, hapat e parë të të argumentuarit pa pasione, pa hatërmbetje, pa paragjykime, por duke zhvilluar sensin e përkatësisë falë dhe jo në pësim të dallimeve fetare”, ka vijuar më tej kryeminstri.

Kryeministri tha po ashtu se tekstet janë hartuar në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me komunitetet fetare në vend.
Burimi9 prill 2016


Komente

postieri
postieri 
9 prill 2016, 21:12
Citim:
Mesimi i fesë në shkolla

Kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë qe ne shkollat publike shqiptare, nxënësit te mësojnë mbi kulturën fetare.

Ky fakt sipas kreut te qeverise nuk do te cenoje laicitetin e sistemit arsimor, por do te shërbeje si nje arme e forte, për te mos u bere pre e propagandës se atyre qe kryejnë krime ne emër te zotit.

Me tej kreu i qeverise theksoi se kjo nisme do te nise ne shkolla urbane dhe rurale dhe se tekstet do te jene te harmonizuara me institucionet ndërkombëtare.

Deklaratat Rama i beri gjate fjalës qe mbajti ne aktivitetin organizuar nga Komuniteti Mysliman për profetin Muhamed.

http://vizionplus.al/mesimi-i-fese-ne-shkolla/


Citim:
Vendimi i guximshëm i Ramës: Orë mësimi fetar në shkolla

Qeveria shqiptare ka vendosur që të fusë orët e mësimit fetar në shkollat e vendit. Këtë e bëri publike sot, kryeministri Edi Rama në ceremoninë kremtuese të ditës së lindjes së profetit Muhamed, organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Z.Rama tregoi për herë të parë, detaje nga një plan i qeverisë që drejton, për futjen e orëve të mësimit fetar në shkolla.

Sikurse e pohoi në fjalën e tij, ky plan ka kohë që është duke u përgatitur dhe shumë shpejt nis implementimi.

Rama e argumentoi futjen e orëve fetare në shkolla, me faktin se shkolla është “vendi ku më së pari farkëtohet ndjenja dhe dëshira e përkatësisë, e përpjekjes dhe e nismave të individit me të tjerët, e nisjes në rrugën e njohjes dhe diturisë, e nxitjes së zbulimeve të mëdha e të vogla, duhet të jetë, duam apo nuk duam, skena kryesore e luftës për dritë, e betejës për qytetërim, e kultivimit të vëllazërisë mes gjithë fëmijëve tanë, qofshin myslimanë, qofshin të krishterë, apo të çfarëdo besimi tjetër qofshin”.

Në këtë pikë, z.Rama lajmëroi edhe projektin që disa e quajnë të guximshëm: “Ka ardhur momenti që me kurajë, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare, t’i çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije, mundësinë që të armatoset me instrumentet e dijes dhe që të mos jetë nesër, viktimë e propagandës tunduese të atyre që nuk kanë asnjë lidhje me profetin Muhamed, nuk kanë asnjë lidhje me profetët që i çelën rrugë qytetërimeve të sotme dhe që në emër të islamit kryejnë krime, të cilat janë të destinuara të ndëshkohen. Sepse janë të ndëshkuara qysh në librat e shenjtë”. rama noa6 Duke u futur më në detaje në planin e rrahur prej kohësh nga qeveria, z.Rama tha se ka marrë pëlqimin nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, që siç tha ai, “e mbështet plotësisht, projektin tonë të ri për ta kthyer shkollën publike në një hapësirë njohëse jo vetëm për shkencat, por dhe për fenë”.

Ky projekt, tha z.Rama, - konsiston jo në cenimin e laicitetit të shkollës sonë, por në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm, apo të ekstremizmit me kostum e me kravatë, nëse nuk arrin dot të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues civilizimesh dhe përparimi filozofik e social dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre e tundimeve të mëdha, që joshin dhe kthejnë në viktima fatkeqe të xhihadizmit apo të ekstremizmit politik, vajza e djem që s’kanë fuqinë e brendshme shpirtërore, pikërisht sepse iu mungojnë këto instrumente, për t’u përballur me vështirësitë e jetës.

Rama pohoi se janë shtypur edhe tekstet. Ai njoftoi se do të niset “me një numër shkollash në zona urbane dhe rurale”. Kurse tha se po “bashkëpunojmë me shumë institucione ndërkombëtare në Perëndim dhe në Lindje”.

Këtu, Rama detajoi: “Kemi thirrur në ndihmë ekspertë, të mirënjohur botërisht, të kulturës së civilizimeve dhe do të eksperimentojmë për herë të parë, falë teksteve të përgatitura në harmoni të plotë mes këtyre institucioneve, duke filluar që nga Observatori i Laicitetit në Paris dhe komuniteteve tona fetare në Shqipëri”.

“Për herë të parë, - tha z.Rama, - nxënësit do të nxiten nga mësues të trajnuar enkas, brenda dhe jashtë vendit, të përvetësojnë elementët e të folurit, premisat e dialogut, hapat e parë të të argumentuarit pa pasione, pa hatërmbetje, pa paragjykime, duke zhvilluar sensin e përkatësisë, pikërisht falë dhe jo në pësim të dallimeve fetare”.

Në shpalljen e këtij plani qeveritar për orët fetare në shkollat e vendit, z.Rama nuk sqaroi nëse kjo do të aplikohet vetëm në shkollat publike apo edhe në ato private dhe nëse do të nisin në arsimin nëntëvjeçar apo atë të mesëm.

Gjithashtu z.Rama nuk sqaroi nëse tekstet që ai tha se tashmë janë prodhuar, përfshijnë lëndë fetare nga të gjitha fetë, apo duke ia lënë në zgjedhje vetë nxënësit se cilat mësime teologjike dëshiron të marrë, të fesë Islame, asaj Kristian Katolike apo Kristian Ortodokse.

http://www.noa.al/artikull/vendimi-i-guximshem-i-r...

postieri
postieri 
10 prill 2016, 21:56
Citim:
Feja nuk është zgjidhja, por ndoshta vetë problemi
Mentor Kikia

Gjithmonë kam besuar se paqëtimi mes besimeve fetare në Shqipëri nuk është ndonjë dhunti e jona genetine, apo produkt i ndonjë edukimi apo tolerance të trashëguar. Më shumë më duket si indiferentizëm. Gjithsesi, pavarësisht arsyes, ky është një realitet i mrekullueshëm.

Deklarata e kryeministri për të futur lëndën e mësimit fetar në shkollë, ashtu siç pritej, prodhoi shumë reaksion.

Kjo, sepse nuk është e qartë, nëse në shkollë do të mësohet feja, pra predikimi, apo do të mësohet se çfarë është feja. Në qoftë e para, jemi para një gabimi historik, qoftë edhe ta mendosh. Në qoftë e dyta, një gjë pa zarar, që më e pakta që do të ndodhë, është se nuk do të prodhojë asgjësend. Unë nuk besoj fare që një libër në shkollë, me ca njohuri të përcipta, do të largojë njerëzit nga rruga e ekstremizmit. Nëse disa njerëz bëhen terroristë, kjo nuk ndodh sepse ata nuk kanë njohuri mbi fenë.

As sepse janë tërësisht të varfër dhe pa shpresë. Sepse xhihadistë në Siri ka edhe fshatarë Librazhdi me 200 metra tokë, edhe qytetarë Londre dhe Rome. Unë jam ateist dhe mendoj se kjo ndodh pasi problemi është vetë feja. Ndaj mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjmë është që shkollën te mos e ngatërrojmë me këtë punë.

Ekstremizmit shteti ti tregojë forcën e ligjit, duke mbyllur xhamitë-pinishte ku Kurani lexohet si tu teket kriminelëve sharlatanë që bëjnë thirrje për gjak. Ndërsa fenë ta lëmë aty, në qetësinë e vet. Kush të dojë le të besojë, kush të dojë le të mësojë Bibël e Kuran, kush të dojë ti drejtohet Krishtit e kush Muhamedit. Sa më larg fenë nga shteti, sa më larg nga politika, sa më parg nga shkolla, sa më larg nga kutitë e votimit. Këtë duhet të bëjmë sot e në të ardhmen.

http://www.noa.al/artikull/feja-nuk-eshte-zgjidhja...

postieri
postieri 
11 prill 2016, 21:46
Citim:
Nikolla: Nuk do fusim fenë në shkolla, por kulturën fetare



Ministrja e Arsimit Lindita NikollaMinistrja e Arsimit Lindita Nikolla ka folur sot në lidhje me futjen e fesë në shkolla. Nikolla sqaroi se do të futet kulture fetare dhe nuk do të predikohet feja, siç pretendohet nga skeptikët.

Sipas saj, do të jetë një lëndë e veçantë “Historia e besimeve fetare”, të cilët do ta japin mësuesit dhe jo klerikët. Këta mësues fillimisht do të trajnohen nga MAS.

Ministrja deklaroi se lënda hyn si projekt pilot në 5 shkolla 9 vjeçare dhe 5 të mesme. Ajo theksoi se do të konsultohen edhe me ekspertë.

“Nuk janë leksione fetare kurrësesi, sepse shkolla shqiptare është laike dhe do të mbrohet fortë laiciteti. Ka të bëjë me një specifikë të caktuar për mësimin e historisë së kulturave fetare dhe jo feja”, deklaroi ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

“Flitet për një modul të caktuar që mund të kapë 20 orë mësimore, por ky është një draft që po diskutohet. Grupi i ekspertëve të MAS po bashkëpunon me Osbervatorin e Laicitetit në Francë dhe jo vetëm”, sqaroi Nikolla.

http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/04/11/nikol...

postieri
postieri 
11 prill 2016, 22:47
Citim:
Lama: Futja e lëndës fetare në shkolla shumë e gabuar

Deputetja e LDK-së, Alma Lama, ka thënë se është e shumë e gabuar që të futet mësimi i feve në shkollat publike.

“Së pari duhet te sqarohet nga ana juaj se ky debat po zhvillohet në Shqipëri dhe për shkollat në Shqipëri dhe jo për Kosovën, kështu që unë nuk kam mandat të flas si deputete për atje, por vetëm, si një qytetare shqiptare”, ka thënë Lama.



Lama për Indeksonline ka thënë futja e lëndës fetare është e gabuar pasi që feja bie në kundërshtim me interpretimet shkencore të dukurive. Ajo thotë poashtu, se shkenca bazohet në fakte të provuara, ndërsa feja është dogmë.

“Arsyeja pse jam kundër futjes së lëndës fetare nëpër shkolla publike lidhet me një fakt shumë të thjesht dhe të rëndësishëm: feja bie në kundërshtim me interpretimet shkencore te dukurive. Shkenca bazohet ne fakte të provuara, ndërsa feja është dogmë, që shpjegon dhe interpreton botën sipas ideve qe nuk kanë asnjë bazë shkencore. Nëse fëmijët iu ekspozohen në të njëjtën shkollë të dyja interpretimeve, mendja e tyre do të çoroditej. Imagjinoni shpjegimin e teorisë se evolucionit, të cilën e mbështesin të gjitha akademitë shkencore në botë, se si mund të interpretohet në mësimet fetare. Konflikti është i pashmangshëm”, është shprehur ajo.

Deputetja, Lama për Indeksonline jep edhe disa argumente ku ajo i qëndron pas fjalëve që thotë dhe e shpjegon pse çështja për lëndën fetare në shkolla është komplet e gabuar.

“Së dyti, me futjen e lëndëve fetare në shkolla do të cenohej laiciteti i shtetit, që është në themel të shtetit shqiptar. Fete janë të shumta, respektohet liria e besimit, por vetëm si çështje private. Institucionet shtetërore as nuk ndërhyjnë as nuk influencohen nga fetë”.

“Së treti, luftimi i ekstremizmit fetar, me të cilën po përballet bota nuk mund të bëhet me futjen e lëndëve fetare nëpër shkolla, se po të ishte ashtu Arabia Saudite që ua mëson fenë në shkolla fëmijëve do të ishte vendi më i pastër në botë përsa iu përket ekstremistëve fetarë . Në fakt realiteti është plotësisht ndryshe, vendi më fetar në botë është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i ekstremizmit në botë”.

“Së katërti, njohuritë mbi fenë, rolin e tyre nëpër histori, luftërat fetare, kryqëzatat, pushtimet ne emër të saj mësohen aktualisht në histori, ndërsa toleranca ndaj të tjerëve, përfshirë edhe tolerancën fetare mësohet në lëndën e edukatës qytetare. Nëse në tekstet shkollore në Shqipëri ka mungesa të tilla është mirë të plotësohen këto tekste, por kurrsesi të bëhet lëndë e veçantë. Në rast se do të përgatitej një lëndë ku fetë të dekontruktoheshin dhe të shiheshin me kriticizëm, kjo do t'i alarmonte komunitetet fetare, të cilët do të çoheshin në këmbë kundër shtetit. Fakti që po e përkrahin idenë e Ramës tregon se ata janë të kënaqur me tekstet qe do të hartohen, e të kënaqur mund të jenë vetëm në rast se përputhen me agjendën e tyre, pra indoktrinimin”.

“Së pesti, indoktrinimi i fëmijëve është shkelje e të drejtave të tyre, edhe me konventa ndërkombëtare. Fëmijët nuk duhet të manipulohen nga asnjë ideologji, ata duhet të lihen të lirë derisa të arrijnë moshën e pjekurisë, e pastaj të vendosin nëse duan të besojnë në fe apo jo”.

“Së gjashti, kultura e qytetërimeve mund të mësohet, është shumë interesante, mund të bëhet lëndë për ndonjë klasë në shkollë të mesme ose thjesht të integrohet në lëndën e historisë, por kjo nuk duhet të ketë karakter fetar. Feja është pjesë e kulturës por qytetërimet janë shumë më shumë se feja”, është shprehur Lama për Indeksonline.

Së fundi, kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama duhet të tregohet tepër i kujdesëm në lidhje me këtë cështje, sepse si ka përgjegjësi jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë kombin shqiptar. ajo çfarë mund të bëhet në Shqipëri mezi pritet të imitohet nga Kosova e cila rrezikohet seriozisht nga ekstremizmi fetar. Çështjen e fesë si komb e kemi zgjidhur në kohën e rilindësve, nuk kemi pse ta hapim më. Ajo çfarë na duhet është rritja e nivelit arsimor që për momentin është për faqe të zezë, dhe ekstremizmi fetar ka si shkak kryesor injorancën. Le të angazhohemi pra si komb për ta luftuar injorancën, për të fituar dijen, për ta iluminuar mendjen, siç bëjnë kombet më të përparuara të planetit.

Lama thotë se nuk ka studim shkencor që thotë se nëse futen mësimet rreth fesë në shkolla do të luftohet terrorizmi.

“Nuk ka ndonjë studim shkencor që mbështet idenë se nëse futen mësimet rreth fesë në shkolla, do të luftohej ekstremizmi fetar. Është plotësisht e kundërta, me dije luftohet ekstremizmi, me zhvillim dhe mirëqenie, e po kështu me monitorim të objekteve dhe predikuesve fetarë, të cilët nuk duhet të lejohen të bëjnë propagandë antikushtetuese apo të nxisin urrejtje fetare. Një lëndë fetare në shkolla do të na çonte 200 vjet pas”, thotë Lama.

http://www.rtklive.com/?id=2&r=66462

postieri
postieri 
12 prill 2016, 17:44
Citim:
Këshilltari i MAS - Feja në shkolla, Leka: Debati zhurmnajë, tekstet do jenë falas, nuk cënohet laiciteti

Mësimi mbi fenë në shkolla nuk do të ketë asnjë kosto financiare për prindërit dhe nxënësit në 10 shkollat ku Qeveria ka vendosur të pilotojë projektin.

Agim Leka, këshilltar i Ministres së Arsimit tha në një intervistë për Ora News tha se materialet do të jepen falas.



Ai theksoi se informimi mbi historinë dhe kulturën fetare forcon laicitetin në shkolla.

Leka: Nuk ka asnjë rrezik predikimi në shkolla. Laiciteti i një shkolle nuk forcohet duke u frikësuar nga dija, nga informacioni, duke u mbyllur, duke izoluar.Përmbajtja e saj është histori për kulturën.Duhet të jenë të sigurt prindërit e të gjithë Shqipërisë dhe nxënësit se nuk do të kenë asnjë qindarkë shpenzime për të blerë këto materiale sepse unë besoj se do të jepen falas.

Debatin publik të hapur mbi këtë çështje ai e cilësoi një zhurmnajë.

Leka: Fëmijët dhe prindërit të mos shqetësohen nga zhurmnaja që po bëhet, nuk bëhet fjalë për futjen e fesë në shkolla, nuk bëhet fjalë për edukim fetar të nxënësve por bëhet fjalë për një modul, lëndë e cila do të zhvillohet në klasat e gjashta dhe në klasën e dhjetë. Do zhvillohet brenda një semestri, është modul me 18 deri në 20 tema.Shkollat janë 10 gjithësej të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, në qytete dhe fshatra pa bërë asnjë paramendim por janë gjetur ato shkolla që janë gjykuar nga ana profesionale, pedagogjike për tu pilotuar. Është duke u pregatitur një draft, i cili nuk mund të thuhet se është një lëndë sepse është një modul që ka historinë e feve dhe kulturës fetare.Kjo gjë nuk është vetëm për Shqipërinë, ne jemi të fundit që po e bëjmë këtë lëvizje. Shtete të tjera që kanë kaluar sistemin diktatorial, tranzicionin, e kanë aplikuar dhe po e bëjnë këtë proçes.

I pyetur se nga është marrë modeli që do të implementohet në kurrikula, Leka sqaroi:

Leka: Modelat e kurrikulave janë kombëtare, ne kemi studiuar një literaturë të bollshme nga të gjitha vendet e Europës, sidomos nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania. Kemi marrë këshilla nga specialistët francezë, italianë, specialistë të UNESCO-s, specialistë që merren me këtë çështje. Kemi shfletuar shumë materiale, grupi i punës ka punuar,është konsultuar me literaturë të shkruar, me tekste që na vinë nga jashtë që na janë vënë në dispozicion nga Universitete të Francës dhe të tjera. Është grumbulluar një përvojë e madhe. Nuk mund të kopjohet një kurrikul e një vendi tjetër në vendin tonë edhe në rastin e njohurive për fenë. Tre janë përqasjet në gjithë botën, nxënia në fe që është edukim fetar dhe as që bëhet fjalë për Shqipërinë, nxënia për fenë për problemet që kanë të bëjnë me kulturën dhe historinë e fesë dhe kjo është qasja që ne bëjmë. Ne nuk po studiojmë fenë në shkollë por po marrim njohuri për fenë dhe besimet fetare, e kemi detyrim. Është nxënëie mbi fenë.

http://www.oranews.tv/vendi/feja-ne-shkolla-leka-d...

postieri
postieri 
13 prill 2016, 11:47
Citim:
Ambasadorët, pro futjes së mësimeve fetare në shkolla

Duke e cilësuar Shqipërinë, si vendin besnik në luftën kundër terrorizmit, Ambsadori francez Bernard Fitoussi dhe ai gjerman, Helmut Hoffman mendojnë se futja e mësimit të fesë në vitin e ri akademik shqiptar është një përvojë unike dhe parandaluese tek të rinjtë të cilët rekrutohen përmes internetit. Këto opinione, dy ambasadorët i bënë publike një tryezë rajonale me fokus kwtw fenomen radikal. Në të njëjtën linjë mendimi ka qëndruar edhe zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea e cila shpjegoi se masat konkrete tashmë janë marrë dhe gjatë 2015-ws, nuk ka patur asnjë shqiptarë të bashkuar me luftën e ashtuquajtur fetare.

Tryeza rajonale me praninë e 7 vendeve të ballkanit perendimor u organizua dhe u mbështet nga Ambasada Franceze dhe ajo gjermane në Tiranë.

http://rtsh.al/lajme/ambasadoret-pro-futjes-se-mes...

postieri
postieri 
14 prill 2016, 17:33
Citim:
Selimi: Mësimi mbi fetë duhet futur në shkolla



KOSOVE- Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, i cili ka qenë anëtar i Komisionit shtetëror për liritë fetare, ka shprehur përkrahje të madhe për nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ta futur mësimin mbi fe në shkolla.

Në një intervistë për ‘Epokën e re’, ai ka folur për situatën e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë. Selimi tha se Qeveria duhet t’i qartësojë rregullat e këtyre vizitave, duke e shtruar si çështje edhe në Bruksel.

Ai i ka bërë thirrje edhe Prokurorisë së shtetit që t’i iniciojë rastet për krimet të luftës.

Po ashtu, Selimi ka pohuar se Enver Hoxhaj është personi më adekuat për postin e ministrit të Jashtëm.

Duke folur për nismat e tij ‘Gërmia Hill’ dhe ‘Dialogu ndërfetar’, ai ka thënë se tashmë këto nisma janë bërë nisma qeveritare.

Selimi ka hedhur poshtë pohimet e opozitës se inaugurimi i presidentit ishte bojkot ndërkombëtare, duke i quajtur këto pohime si ‘deklarata hejterash’.

http://www.balkanweb.com/site/selimi-mesimi-mbi-fe...

postieri
postieri 
14 prill 2016, 17:34
Citim:
Kreu i Myslimanëve për kulturën fetare në shkolla

“Nuk kemi arsye të trembemi nga feja që i mbyllëm dyert në komunizëm”

Ideja e kryeministrit Edi Rama që në shkolla të mësohet për kulturën fetare është mirëpritur nga kreu i Myslimanëve të Shqipërisë Skënder Brucaj.

Ai thotë se në shkollat publike duhet të jepen njohuri edhe për fenë, pasi shoqëria ka nevojë për njerëz të shëndetshëm.

http://www.abcnews.al/lajme/aktualitet/2/69744

postieri
postieri 
14 prill 2016, 17:35
Citim:
Rama: Kultura fetare të mbron nga radikalizmi fetar

Projekti më fundit i qeverisë shqiptare për futjen në shkollat shqiptare të mësimit të historisë së besimeve fetare, duket se ka ngjallur interes në opinionin amerikan. Kryeministri Edi Rama i cili prej disa ditësh po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA, ka dhënë më shumë spjegime gjatë një bisede në “Atlantic Council”.

“Ne kemi vendosur të aplikojmë edhe një projekt të ri ai për të njohur brezat e rinj në shkolla mbi kulturën dhe historinë fetare. Këto janë përpjekje konkrete për të mbrojtur shoqërinë tonë dhe për t’u bërë atyre të qartë kundër radikalizmit fetare dhe Islamit të vërtetë që nuk kanë lidhje midis tyre” ka spjeguar idenë e këtij projekti zoti Rama.

Sipas tij “…lufta ndaj ekstremizmit duhet të jetë e vazhdueshme dhe përgjigja më e madhe ndaj të ashtuquajturit Shteti Islamik nuk është vetëm lufta, por edhe arsmimi”.

“Është një luftë me terma afatgjatë. Duhet të jetë edhe reforma e parë për gjeneratën e re për t’u dhënë atyre mundësinë për të mos u përfshirë në propagandën e ISIS, qofshin nga Lindja apo Perëndimi” shtoi më tej ai.

http://rtsh.al/lajme/rama-kultura-fetare-te-mbron-...

ostrogot
ostrogot 
14 prill 2016, 18:37
Ky rrumpalla flet sikur Shqipëria është ndonjë vend arab apo afrikan që noton në islamizëm dhe jo sikur këtu janë gati të gjithë afetarë. Dha BE-ja urdhrin, ia morën në gojë këta bythëgrisurit direkt. Shtet kurvash.

Citim:
duke i quajtur këto pohime si ‘deklarata hejterash’.


...pirdhi më te kush qeveris.
postieri
postieri 
14 prill 2016, 18:44
Citim:
Edukata fetare, kërkese e BE

Futja e Edukatës Fetare ne shkolla është një kërkesë e Bashkimit Europian per luftën kundër terrorizmit. Ne kete proces, do te përfshihen 13 shtete te Europes, mes tyre edhe Shqipëria. E sapokthyer nga Brukseli, zv/Ministria e Arsimit, Nora Malaj, tregoi për nismën qe kane ndërmarre vendet e Bashkimit Europian per kryerjen e orëve fetare ne shkolla dhe edukimin e nxënësve për te parandaluar terrorizmin. Vitin e ri shkollor, Edukata Fetare do te zhvillohet vetëm ne 10 institucione arsimore, 9-vjeçare e te mesme. Mësimi rreth feve, nuk do te jete lende me vete, por e shkrire me tekstin e Edukatës Qytetare. Nxënësit e klasave te 6 dhe te 10 do te zhvillojnë 18 ore ne vit Edukate Fetare. Ambasadori Gjerman ne Tirane gjate nje aktiviteti ne gjimnazin “Petro Nini Luarasi” tregoi se dhe Gjermania e ka Edukatën Fetare, por si lende me zgjedhje dhe ne varësi te landeve. Ministria e Arsimit ka ngritur grupet e punës per hartimin e programeve mësimore te Edukatës Fetare, ore qe do te zhvillohen nga mësuesit e Historisë dhe Filozofisë.

http://vizionplus.al/edukata-fetare-kerkese-e-be/

postieri
postieri 
14 prill 2016, 19:47
Citim:
“Edukimi fetar krijon ndarje midis shkollës dhe familjes”

Nisma e Ministrisë së Arsimit për futjen e lëndës së edukatës fetare, e cila pritet të nisë nëpërmjet një projekti-pilot në 10 shkolla nëntëvjeçare dhe në gjimnaze, ka bërë që akademikë dhe profesorë të shprehen kundër saj.

Pavarësisht se, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla u shpreh gjatë një deklarate për mediet se, lënda nuk prek laicitetin dhe se për këtë çështje është duke u marrë në shqyrtim dhe mendimi i ndërkombëtareve, profesor Edmond Dragoti (Përgjegjës i Departamentit të Punës dhe Politikave Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale) rendit disa arsye përse është kundër kësaj nisme. Ai mendon se shqiptarëve asnjëherë nuk u ka munguar literatura për besimet fetare, por në këtë rast, imponimi apo dhënia në mënyrë të pavullnetshme e këtij lloj edukimi fetar në shkolla do të krijonte ndarje midis shkollës dhe familjes.

Ndërsa, përsa i përket faktit se kjo formë mund të jetë një mënyrë që ata të shmangin ekstremitetet fetare, profesor Dragoti mendon se, ekstremizmi apo terrorizmi fetar nuk përcaktohen nga edukata fetare. Shqiptarëve, sipas tij, u nevojiten njohuri përsa i përket dialogut ndërfetar apo historisë së feve në Shqipëri, por jo lënda e edukatës fetare.



Profesor, së fundmi Ministria e Arsimit po diskuton për futjen e lëndës së edukatës fetare në shkolla (9-vjeçare dhe gjimnaze). Por cili është mendimi juaj për këtë temë?

Ne kemi një përvojë historike të marrëdhënieve shumë të mira ndërfetare edhe për faktin, sepse kemi bashkuar interesat kombëtare, të cilat kanë qenë të kërcënuara historikisht, ndërkohë që sot ne si shoqëri nuk e kemi të nevojshme një ndërhyrje qoftë të imponuar, qoftë edhe spontane në përfshirjen e lëndës të edukimit fetar në shkollat tona.

Përse e konsideroni të panevojshme këtë nismë?

Jo vetëm për faktin, sepse shkolla jonë është laike dhe si e tillë nuk duhet të preket, por edhe për fakte të tjera. Për shembull, ne kemi disa fe dhe sekte në Shqipëri dhe secila prej tyre do të kërkonte që të kishte pjesën e vetë në këtë lloj edukimi. Elementet apo sektorët e tjerë të edukimit të nxënësve gjatë vitit shkollor dhe në mjediset e shkollës do të rrezikoheshin për t’u përjashtuar në shumë raste, prandaj kjo do të sillte një ndërhyrje të panevojshme në këtë rast. Po ashtu, nga ana tjetër, morali dhe edukimi fetar në përgjithësi pavarësisht nga vlerat e mëdha që kanë, përderisa nuk kanë impaktin e duhur në formimin e moralit shoqëror te fëmijët e sotëm, për arsye, sepse ata jetojnë në mjedise, që nuk praktikojnë fenë në familje. Prandaj imponimi apo dhënia në mënyrë të pavullnetshme e këtij lloj edukimi në shkollë do të krijonte një ndarje midis shkollës dhe familjes. Edhe në këtë aspekt, qoftë praktik, ne më shumë do të dëmtonim sesa do të sillnim dobi në edukimin e fëmijëve.

Një aspekt tjetër është se, shoqëria shqiptare nuk e ka pasur të nevojshme që të praktikonte gjatë gjithë kohës moralin dhe besimin fetar në përgjithësi, sepse në shumë raste ka qenë e angazhuar në zhvillimin e shoqërisë në tërësi, por edhe në mbrojtjen e interesave kombëtare, të të gjitha kohërave. Duke qenë tolerante në marrëdhëniet ndërfetare ajo ka respektuar çdo lloj besimi fetar. Të mësuar më ketë lloj tolerance, prania e feve apo moraleve të caktuara fetare në shkollë do të krijojë shansin dhe mundësinë, që fëmijët të orientohen drejt moraleve të ndryshme fetare dhe njëkohësisht mund të krijohen edhe ndasi fetare të natyrave të ndryshme. Pra, duke futur teorikisht shprehi, njohuri dhe moral fetar të feve të ndryshme, ne mund të krijojmë shanset dhe kapacitetet për ndasi fetare në nevojën, që mund të kenë në të ardhmen fëmijët për të praktikuar fenë.

Pra ju mendoni se kjo lëndë nuk do ta shmangë ekstremizmin fetar?

Ndërkohë të gjitha këto nuk kanë lidhje me ekstremizmin fetar, sepse ekstremizmi apo gjenerimi i emocioneve të forta në skajet e veta, sikurse është ekstremizmi fetar dhe terrorizmi në vetvete nuk përcaktohen nga edukimi fetar. Nëse ne do të arrijmë të kemi një edukim qytetar laik të suksesshëm kjo do të sillte padyshim ulje në nivelet e rigjenerimit emocional apo qëndrimet paragjykuese dhe diskriminuese, që sjellin terrorizmin, sjellje dhe diskriminim në vetvete kriminal. Pra si rezultat i të gjitha këtyre argumenteve që përmenda mendoj se gjenerimi i terrorizmit apo ekstremizmit fetar nuk kushtëzohet nga mësimi fetar, por kushtëzohet nga niveli i mësimit qytetar, i edukatës qytetare dhe i moralit qytetar. Kështu që kjo nuk ka lidhje me fenë dhe me edukatën fetare.

Po përsa i përket dialogut ndërfetar?

Natyrisht që në këtë drejtim do të ishte krejt i natyrshëm dhe i zakonshëm, ashtu sikurse çdo temë tjetër e ditës që funksionin në mediet tona, mjediset e përditshme, në ato shkollore etj. Dialogu fetar është i natyrshëm dhe i mundshëm që të bëhet në çdo mjedis. Por mësimi i rregullt fetar nuk kushtëzon edukimin qytetar, përkundrazi edukimi qytetar mund të ketë impakt edhe në atë fetar.

Nëse do të vendosej një lënd për historinë e feve në Shqipëri, do të ishit dakord?

Natyrisht që historia e fesë në Shqipëri është informacion dhe dije të domosdoshme, që njerëzit është mirë ta dinë, sepse fetë janë pjesë e zhvillimit historik të shoqërisë shqiptare. Zhvillimi i dijeve të tilla thjesht do të plotësonte edukimit qytetar të nxënëseve. Kjo është e nevojshme dhe është histori në vetvete, jo edukatë fetare.

Pra shqiptarët nuk kanë nevojë për literaturë fetare...

Ne nuk është se na ka munguar literatura fetare për të mos besuar, neve në përgjithësi na ka munguar interesi për fenë, sepse një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë sonë nuk e praktikon. Dhe kur mungon interesi për të njohur një gjë, nuk është e nevojshme që t’ua ofrosh këtë informacion.

Por, a mendoni se ky projekt-pilot mund të realizohet pa pasur mësimdhënës të përgatitur për këtë lëndë?

Një projekt tjetër pilot do të kërkonte paraprakisht përgatitjen e mësuesve dhe të edukatorëve të këtij niveli, sepse nuk mund që t’u referohesh shkollave teologjike që janë në Shqipëri. Unë kam rezerva të mëdha për nivelin e tyre shkencor dhe profesional, sepse nuk i njoh këto lloj shkollash ku ata janë përgatitur. Prandaj në këtë rast edhe Ministrisë së Arsimit do t’i duhej që të realizonte trajnime, kurse afatshkurtra apo afatgjata të përgatitjes së mësuesve të tillë.

Pra projekti i parë pilot duhet për mësimdhënësit?

Natyrisht që duhet të nisë nga përgatitja e mësuesve dhe edukatorëve, sepse të marrësh edukatorë të rastësishëm dhe të paformuar do të krijojë shanset, që ky projekt-pilot të dështojë që në fillim.

http://www.shekulli.com.al/p.php?id=415664

postieri
postieri 
14 prill 2016, 21:02
Citim:
Malaj: “Mësimet mbi fenë, do të ruhet laiciteti nëpër shkolla”

Modulit mbi njohjen e historisë dhe kulturës së fesë, i cili do të futet në kurrikul nga Shtatori i këtij viti, për klasat e 6-a, do të integrohet në tekstin e Edukatës Qytetare, ndërsa në kl e 10 parashikohet të jetë një modul më vete.

Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, tha se futja e kësaj lënde fetare duke ruajtuar identitetin e shkollës laike është rekomandim i dalë në një ndër mbledhjet ndërministriale në Bruksel.

Amasadori gjerman në Shqipëri Helmut Hofman, tha se lënda mbi besimet fetare nuk ka pse të demtojë, nëse ajo do të shërbejë vetëm për të informuar mbi historinë dhe kulturën e besimeve fetare.

Në Gjermani kemi një eksperiencë të gjatë lidhur me mësimdhënien e lëndës së besimeve fetare në Gjermani, por gjithsecili prej vendeve duhet ta vendosë vetë këtë gjë. Nuk besoj se është e gabuar që në kurrikul të shtohet një modul që të informon mbi besimet fetare.

Implementimi i lëndës së re mbi besimet fetare në shkollat tona nga shtatori i këtij viti do e rendisë Shqipërinë së bashku me 12 vende të Europës në luftë kundër ekstremizmit dhe terrorizimit.

http://rtsh.al/lajme/malaj-mesimet-mbi-fene-do-te-...

postieri
postieri 
15 prill 2016, 21:50
Citim:
Feja në shkollë, Fuga: Budallallëk pedagogjik, kultura fetare dhe feja, janë e njëjta gjë

Akademiku Artan Fuga e ka cilësuar idenë e futjes së mësimit të fesë nëpër shkolla si një budallallëk pedagogjik, në një intervistë të dhënë për Neës 24 në emisionin “Në tempull”. Sipas tij, kultura fetare dhe feja janë e njëjta gjë.

“Mund të krijohen konflikte mes prindërve dhe mësuesve, shkollës. Prindërit mund të thonë përse na ndërhyni në edukimin e fëmijës, kur me Kushtetutë thuhet se nuk është e detyruar. Detyron fëmijët të besojnë interpretimin e shtetit mbi fenë. Duhet shumë kujdes”- tha Fuga.

Sipas akademikut Fuga, referimi tek ekspertët e huaj për këtë çështje, bëhet për të shmangur hapësirën e diskutimit me aktorët lokale.

“Në momentin që paguhet nga qeveria, eksperti i huaj nuk mund të jetë arbitër në konfliktin që ka shoqëria me qeverinë”- u shpreh Fuga.

“Në shoqëri nuk mund të bësh eksperimente. Njerëzit nuk janë vetura që frenojnë dhe unë bëj kontrollin teknik të tyre. Në momentin që thua do zgjidhen 5 shkolla, ti e ke kufizuar problemin. Kur ti e zbaton krijon një realitet të ri që s’ka të bëjë me ato shkolla. Kujdes me këtë idenë pilot. Kujdes me përjashtimin e aktorëve shqiptarë, që njohin mentalitetin shqiptar. Ku e di eksperti në Gjermani apo në Paris, se cili është mentaliteti shqiptar. Unë e kuptoj që ka një hezitim përsa i përket emrit të lëndës dhe unë dua të them që ky hezitim nuk vjen si rezultat i një dyshimi momental, por sepse ashtu siç është menduar nuk ka zgjidhje. Eshtë për të ardhur keq.”- shprehet ai.

“Unë kam pyetur gjithmonë a ka klerikë ky vend. Me gjithë respektin e madh që kam për klerikët që njohin një të kaluar të vështirë. Problemi është që klerikët në pamjen time kanë pozicione shumë të mbyllura brenda komuniteteve të tyre për probleme sociale shpirtërore të Shqipërisë. Prononcohen shumë pak. E kanë shumë të kufizuar daljen e tyre në hapësira publike. Nuk i dëgjojmë. Mua më vjen keq për këtë. Ata bëjnë punën e tyre në komunitete, në familje, por unë do doja një artikulim më të gjallë. Ata duhet patjetër të reagojnë”-deklaroi Fuga.

http://www.javanews.al/feja-ne-shkolle-fuga-budall...

postieri
postieri 
15 prill 2016, 21:52
Citim:
Si do hartohen tekstet fetare

Pas debatit qe ka shkaktuar hyrja e lendes fetare ne shkolla, përfaqësues te grupit te punës sqarojnë projektin e qeverise. Ferrit Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Strategjike ne Ministrinë Jashtme, i ngarkuar per kete çështje, tregon ne emision “Kapital” se Edukata Fetare nuk cenon laicitetin e shkollës.

Kjo lende qe do testohet fillimisht ne 10 institucione arsimore, nuk predikon por jep njohuri mbi fenë, rolin dhe historinë. Ashtu si dhe me herët, drejtues te larte te Ministrisë se Arsimit edhe zoti Hoxha tregoi se kjo lende e rekomanduar nga ndërkombëtaret, synon edukimin e te rinjve kundër dhunës dhe terrorizmit.

Historiani Pëllumb Xhufi ka kundërshtuar nismën e qeverise. Sipas tij, ky projekt do te nxisë luftën fetare ne shkolla dhe sherr mes komuniteteve.

Projekti i qeverise shqiptare i rekomanduar nga ndërkombëtaret është mbështetur nga komunitete fetare ne shkolla. Edukata mbi fete do te zhvillohet 18 ore ne vit, për klasat e 6 dhe te 10. Programi do te jete i shkrire ne Edukatën Qytetare dhe mësimi do te zhvillohet nga mësuesit e Historisë ose Filozofisë.

http://vizionplus.al/si-do-hartohen-tekstet-fetare...

postieri
postieri 
21 prill 2016, 18:03
Citim:
Kisha Protestante e sheh si të dëmshme fenë në shkolla

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) thotë se po i përcjellë zhvillimet e fundit pas paralajmërimeve që vijnë nga Shqipëria për futjen e lëndës fetare në plan-programet e arsimit parauniversitar.

Kjo temë në Kosovë ka riaktualizuar debatin pro et contra futjes së lëndës fetare në sistemin arsimor të Kosovës. Kësisoj, përmes një komunikate për media, KPUK porosit zyrtarët shtetërorë të Kosovës që tё konsultohen paraprakisht me bashkësitë fetare, me popullin, me shoqёrinё civile, me profesionistë e ekspertë dhe me prindërit e fëmijëve që direkt apo indirekt përfshihen nё kёtё ndikim dhe përcaktim të së ardhmes tё arsimit dhe vendit tonë.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës e parasheh që bashkësitë fetare të jenë të përfshira në çështjet që ndërlidhen me fenë. KPUK mban njё qëndrim të pandryshuar publik të shprehur vite me radhë. Ne jemi të pajtimit që të vazhdohet me praktikën e deritanishme me ç’rast nxënësit e shkollave të Kosovës po pajisen me njohuritë bazike të fesë”, thuhet në reagimin e Kishës, përcjell koha.net. “Futjen e mësim-besimit të pjesshëm ose të plotë, në sistemin arsimor të Kosovës e konsiderojmë të hershëm, të dëmshëm për funksionimin e shoqёrisё sonë dhe shtetit. Prandaj, u bëjmë thirrje drejtuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për largpamësi, kujdes e maturi ndaj kësaj çështje tё ndjeshme për qytetarët tanë”, thuhet më tej aty.

Komuniteti Protestant Ungjillor i Kosovës qëndron kundër idesë së futjes së lëndës fetare, të plotë apo të pjesshëm, në korrikulin arsimor të Kosovës.

“Për dallim prej vendeve Evropiane dhe atyre të Lindjes që kanë traditë për ta mësuar fenë në shkolla, Kosova ka tjetër rrjedhë historike. Ne jemi shtet i ri dhe mos t’i shtojmë shtetit kёtё barrë. Imponimi i futjes sё lёndёs sё fesë mund të paraqes presion shoqëror e psikologjik fetarë mbi bashkësitë më të vogla fetare dhe anëtarët e tyre. Përveç kësaj, Kosova mund të nxjerr mësime nga dështimet e praktikës së mësim-besimit në shkollat publike në vendet tjera”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj Kishe, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përkufizon shtetin tonë si “sekular dhe neutral në çështjet e fesë”.

“Pra, Kosova jo vetëm që është laike por shumë më tepër është neutrale”, thuhet në reagim. “Futja e mësim-besimit në kurrikulin kombëtar mendojmë se e shkelë seriozisht paanësinë e shtetit në raport me fenë sepse krijon promovim të ndonjë feje të caktuar”, thuhet më tej aty.

Sipas Kishës Protestante në Kosovë ka faltore të mjaftueshme dhe feja mund të mësohet nëpër objektet fetare.

“Komuniteti ynë fetar është i vetmi me mungesë të theksuar të kishave dhe ne nuk e kërkojmë që të hapen objektet shkollore për predikimin e fesë tonë aty. Përgjigjen për mosvijimin e besimtarëve nëpër shërbesat a takimet tona fetare, ne predikuesit e fesë, duhet ta kërkojmë gjetiu ose ta lёjmё plotësisht tё lirë dhe nё ndërgjegjen e qytetarëve”, thuhet në njoftim. “Feja është çështje personale dhe krejtësisht vullnetare dhe edukata fetare është vlerë e familjes, dhe pse dikush sikur tё disiplinohet me anë tё fesë në shkollë për shkakun se nuk ka vijuar shërbesa fetare nëpër faltore të destinuara për qëllim të fesë”.

Futja e klerikëve fetarë në institucione shkollore, sipas KPUK-së nuk duhet tё ndodhë kurrë, sepse kjo, sipas saj, mund të përbëjë rekrutim të fëmijëve të moshës minorene për qëllimet e individëve të caktuar fetarë.

“Jemi të brengosur se si mund të trajtohen, bie fjala, figurat tona kombëtare me renome botërore siç janë Skënderbeu e Nënë Tereza, duke e ditur tashmë qëndrimin e predikuesve të ndryshëm ndaj këtyre figurave tona. Për një komunitet fetar ata janë personazhe kombëtare e për ndonjë pjesëtarët të komunitetit tjetër janë tradhtarë. Pra, në tema tejet të ndjeshme si kjo, rrezikohet seriozisht vetëdija dhe përcaktimi ynë kombëtar”.

Më tej, KPUK-ja thotë se në Kosovë nuk ka kuadro të mjaftueshëm, jashtë bashkësive fetare, për dhënien e lëndës fetare në shkolla.

“Prandaj, nuk mund të aplikohet sepse ngritja e kuadrove profesionale merr kohë, nuk besojmë se përbën prioritet shtetëror e as shoqëror futja e fesë nё shkolla”.

http://koha.net/?id=27&l=109485

postieri
postieri 
22 prill 2016, 10:09
Citim:
Feja në shkolla, akademiku kundër projektit të Qeverisë: U trondita kur e dëgjova!

Akademiku Artan Trebicka e ka cilësuar të gabuar nismën e Qeverisë, për futjen e fesë në shkolla.

“U trondita kur e dëgjova, sepse po të njëjtët njerëz para disa vitesh kur ishin në opozitë e kishin kundërshtuar këtë gjë dhe u trondita dhe se në këndvështrimin tim e quaj të gabuar që në shkollë të futet mësim feje dhe që ne jemi shtet laik, që feja është e ndarë dhe shkollat shtetërore në bazë të Kushtetutës janë të ndara nga feja”, tha sot Trebicka në Top Story.

“Nuk i takon një qeverie që të bëjë ndryshime të tilla që ka pasoja shumë afatgjata. Argumenti që nxori kryeministri nuk qëndron. Nuk më duket që terrorizmi në Shqipëri është problem dhe së dyti edhe nëse do të ishte, nuk ishte për arsyen se nuk bëhet feja në shkolla”, shtoi ai.

http://www.syri.net/2016/04/21/feja-ne-shkolla-aka...

postieri
postieri 
22 prill 2016, 10:44
Citim:
Propozimi paushall i Petrit Selimit

Sibel Halimi, sociologe, e quan të gabuar përpjekjen për të luftuar ekstremizmin duke futur në shkolla lëndën mbi fetë. “Në përpjekje për të luftuar ekstremizmin fetar të përfshihet në shkolla lënda mbi edukatën fetare, është një përpjekje e gabuar”. Sipas saj, rrjedhimisht, ekstremizmi fetar është pikërisht pasojë e radikalizimit të shumë çështjeve dhe tematikave shoqërore, të cilave është synuar t’u jepet përgjigje nëpërmjet fesë. “Prandaj nuk është e rastësishme që disa përfaqësues fetarë kur flasin për rëndësinë e kësaj lënde në shkolla, analogjinë e bëjnë me patologjitë sociale, të cilat ata i paraqesin si të tilla”, thekson Halimi. Sipas saj, kur kësaj i shtohet edhe pasiguria e funksionimit të shtetit, prindërit, shoqëria gjithsesi, vetvetiu do të jenë të prirë që brezin e ri ta orientojnë drejt fesë si mekanizëm kontrolli, porse jo drejt kultivimit të mendimit të pavarur për aspekte të gjithmbarshme shoqërore.

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, e cila për një kohë të gjatë është marrë me shtrirjen e radikalizmit fetar në Kosovë, thotë se Maqedonia është model për t’u vërtetuar se cilat janë pasojat e futjes së lëndës fetare nëpër shkolla. “Fillimisht nuk kemi të qartë se si është menduar të jetë kjo lëndë, e dyta kush do të kontrollojë mësimdhënësit, kush do të jenë ata, çka do të ligjërohet (predikohet) te fëmijët. Në Maqedoni është keqpërdorur nga grupe radikale të cilët kanë dërguar të emëruarit e tyre që të shtrijnë fetarizimin përmes lëndëve mësimore”, ka thënë Xharra. Ajo thotë se niveli arsimor edhe ashtu i brishtë, mosdhënia e mjaftueshme e njohurve shkencore do të orientojë lehtësisht gjenerata kah fetarizimi i tyre. “Pa harruar rrezikun e margjinalizimit të pakicave fetare nëpër klasa”, ka thënë Xharra

Gazetari i gazetës “Express”, Artan Haraqija, i cili tash sa vite merret me hulumtime në terren mbi shtrirjen e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar në Kosovë, ka thënë se deklarata e Petrit Selimit është kalkulim për vota. “Është bërë karakteristikë e çdo politikani kosovar, i cili pasi dështon në mbledhjen e votave gjatë procesit zgjedhor, apo pas dështimeve personale në politikë, të përdorë religjionin si mundësi shumë të lehtë për mbulim të dështimeve të veta”, ka thënë Haraqija.

Sipas tij, ideja e futjes së lëndës fetare nëpër shkolla është pikë së pari një nga kërkesat kryesore të islamit politik në Kosovë, një agjendë kjo e dëmshme me të cilën partia në pushtet, PDK-ja, bashkëpunon edhe përmes koalicionit parazgjedhor me të ashtuquajturën Parti e Drejtësisë.

“E dyta, mësimbesimi do të shkaktonte edhe përçarjen e parë në baza fetare prejse ka nisur punën shkolla shqip në Kosovë. Duke e pasur parasysh mentalitetin e familjes tipike kosovare, dhe përkushtimin në rritje ndaj fesë, një pjesë e konsiderueshme e familjeve kosovare nuk do të lejojnë fëmijët e tyre të qëndrojnë në klasë derisa ligjërohet për fenë që ata nuk i përkasin”, ka thënë Haraqija.

Sipas tij, kjo do të shënonte pra përçarjen e parë në shkollën shqipe të Kosovës dhe mbi të gjitha do të nxiste edhe telashe të mëdha në largimin e fëmijëve nga shkolla.


Prijësit fetarë pro lëndës fetare

Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, thotë se nuk duhet frikësuar nga edukimi dhe arsimimi i drejtë, duke mos e parë rrezik të keqpërdoret futja e mësimit mbi fetë në shkolla. “Edukimi dhe arsimimi i mirë dhe i drejtë për njeriun asnjëherë nuk është rrezik. Një kurrikulë e përgatitur mirë, profesionalisht dhe pedagogjikisht në çfarëdo lëmie përfshirë edhe lëndën e njohurive fetare, nuk mund të keqpërdoret, e sidomos kur ajo mbikëqyret nga ekspertët dhe hartuesit e saj”, shprehet doktori i shkencave islame.

Profesor Hamiti shton se para se të flitet për atë se kush do të ligjërojë në shkolla për mësimin mbi fetë, duhet të shihet se cila është materia për këtë fushë, për të cilën thotë se nuk ka asnjë përpjekje më të vogël rreth saj. “Para se të flasim për ligjëruesit, duhet të pyesim se cila është materia e përgatitur për këtë fushë?! Ne nuk kemi asgjë në këtë drejtim, asnjë hap sado të vogël”, shprehet Hamiti.

Edhe Ipeshkvia e Kosovës ka dalë me qëndrim pro lëndës fetare.

“Për hir të pasurisë që kemi trashëguar, nga të parët tanë, tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën në paqe, vlerësojmë se edukimi fetar duhet të zhvillohet nëpër kisha dhe xhami, ndërsa mësimi mbi fetë, mbi tolerancën dhe bashkëjetesën historike ndërfetare, mund të jetë në kuadër të arsimit publik”, thuhet në qëndrimin e Ipeshkvisë së Kosovës.

http://zeri.info/aktuale/86222/propozimi-paushall-...

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading