Prishtinë: Disa studentë kërkojnë hapësira për rite fetare brenda universitetit


Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë kërkuar që brenda objekteve të fakulteteve të ju krijohet hapësirë e veçantë për të kryer ritet fetare.

Një gjë tillë, siç transmeton kp, po përkrahet nga përfaqësuesit studentor, por ka edhe prej tyre që nuk e përkrahin një gjë të tillë.

Kërkesën për këtë kryetari i Grupit të Pavarur të Studentëve (GPS), Argjend Softolli pritet që ta dërgojë në rektorat, por që ende nuk është vendosur se kur do të dërgohet ajo.

Për t’u krijuar hapësirë për ritet fetare në njësitet akademike nuk po e shohin të arsyeshme disa nga studentët, pasi që siç thonë ata vendi për ritet fetare është në xhamia e kisha. Ata kanë theksuar që feja nuk duhet të ngatërrohet në institucionet edukativo-arsimore.

“Kemi marr si iniciativë që ta mbështesim kërkesën e studentëve. Neve personalisht na u është drejtuar një numër i madh i studentëve që kanë nevojë që ritet e tyre fetare t’i kryejnë brenda kampusit universitar. Unë si përfaqësues i këtyre e kam ngritur këtë çështje dhe e kam bërë edhe publike, dhe tash na mbetët neve që në ditët në vazhdim ta bëjmë kërkesën në vendin e caktuar, në rektorat dhe tek njësitë akademike. Ne mendojmë se ashtu siç kanë kërkuar studentët, mendoj edhe ne që nëpër secilën njësi akademike të ketë një dhomë lutje ku studentët do të mund të krijojnë ritet e tyre fetare dhe besojmë që kjo do të jetë lehtë e realizueshme”, tha Softolli.

Por, Softolli thotë se organet e universitetit do të kundërshtojnë këtë kërkesë, pasi që një gjë e tillë është në kundërshtim me statusin e universitetit, por edhe për kundër kësaj, ai tha për KP, se do të tentojnë të bëjnë ndryshimin e rregullores.

Gjithashtu, ai ka theksuar që krijimi dhe hapësirat për të kryer ritet fetare nuk janë pengesë, pasi që siç thotë ai, shqiptarët e kanë kultivuar frymën e tolerancës fetare.

“Normalisht organet e universitetit siç janë rektorati, dhe dekanët e njësive akademike, normalisht kanë për ta kundërshtuar sepse tash ligjërisht edhe statusi i universitetit nuk e lejon një gjë të tillë, por ne do të tentojmë që përmes një ndryshimi të vogël ta fusim edhe këtë brenda rregullores. Sepse siç e dini studentët kanë angazhime jashtëzakonisht të mëdha në këtë vend për shkak të problemeve ekonomike, sociale, dhe të tjera dhe munden dhe duhet që të qëndrojnë brenda kampusit universitar që të realizojnë lutjet e tyre. Ne shqiptarët kemi kultivuar një frymë të tolerancës dhe deri tash nuk ka pas ndonjë incident të karakterit fetar dhe të religjionit dhe mendoj që kjo nuk paraqet problem aspak”, tha Softolli.

Një kërkesë të tillë e sheh të drejtë edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Jusuf Thaçi, i cili tha se në parim nuk sheh asgjë të keqe që t’iu mundësohet zbatimi i detyrimeve fetare, duke theksuar që kjo të mos pengojë procesin edukativo-arsimor nëpër institucionet e arsimit.

“Në parim kudo që është e mundshme nuk ka asgjë të keqe që t’iu mundësohet zbatimi i riteve, përkatësisht i detyrimeve fetare. Në rastin konkret nëse e flasim për pjesëtarët e besimit islam, sipas islamit çdo besimtar mysliman e ka obligim faljen pesë herë në ditë në kohë të caktuar. Prandaj, në raste kur universitete, fakultete apo njësit akademike eventualisht kanë hapësira ku do të mund të lejonin që t’i kryenin këtë obligim, unë nuk shoh parimisht asnjë problem me këtë, sigurisht pa e penguar procesin edukativo-arsimor nëpër institucionet e arsimit të lartë, në këtë rast universiteteve”, tha ai.

Megjithatë, Thaçi ka theksuar që nuk duhet ngatërruar kryerja e riteve fetare kolektive nëpër institucione arsimore, pasi sipas tij në këso raste nuk mund të pretendohet që fakulteti të bëhet objekt i kultit fetar të cilësdo përkatësie fetare.

“Ajo çka nuk duhet ngatërruar në këtë debat është kryerja e riteve kolektive fetare nëpër institucione, në këtë rast askush nuk mund të pretendoj që universiteti apo fakulteti mund të bëhen xhami, pra, obligimet kolektive duhet të kryhen aty ku e kanë vendin, në xhami, në kishë, në objektet e kultit fetar të cilitdo përkatësie fetare. Në ndërkohë obligimet individuale që janë të përditshme dhe në kohë të caktuar nuk janë problematike nëse iu mundësohet zbatimi i tyre të secilit individ, qoftë në vendin e punës, në qoftë në studime, kudo qoftë”, ka shpjeguar Thaçi.

Me kërkesën e disa studentëve, nuk po pajtohen kolegët e tjerë, pasi siç thonë ata lutjet fetare mund të kryhen në vendet adekuate dhe jo në objektet edukativo-arsimore.

Studentja, Rinora Reshani, është shprehur se çështja e fesë nuk duhet të përzihet nëpër fakultet, duke e cilësuar të paarsyeshme kërkesën e studentëve.

“Nuk mendoj se feja duhet të përzihet, sidomos në çështjen e fakultetit, dhe nuk mendoj që është e arsyeshme si kërkesë, sidomos me u bo prej studentëve”, ka thënë Reshani.

Edhe studenti Ardian Gashi, tha për KP se nuk do të ishte e mirë që në objektet shkollore të kryhen detyrimet fetare.
“Nuk ma merr mendja që do të ishte mirë që në objekte shkollore me u fal apo diçka, por prapë se prapë nuk po di”, tha Gashi.

Këtë nuk po e përkrah as Kristian Hajdaraj, pasi ai tha se për ritet fetare janë xhamia e kisha.

“I kemi vendet ku mundemi me i krye ritet fetare, është xhamia, kisha, dhe nuk ma merr mendja që kampusi universitar është për këto”, tha Hajdaraj.

Ndërkohë në Rektorat kanë thënë se nuk mund të flasin për këtë çështje pa pranuar kërkesën.
Burimi17 prill 2016


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading