Tiranë: Kreu i KMSH-së dëshmon në gjyqin e xhihadistëve


Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, u pyet dje si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj dy imamëve të vetëshpallur dhe shtatë të bashkëpandehurve të tyre të akuzuar për “terrorizëm” në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Bruçaj u kërkua si dëshmitar nga pala mbrojtëse, për t’u pyetur në lidhje me një shkresë të dërguar prej tij Prokurorisë për Krimet e Rënda, në fazën e hetimit të kësaj çështjeje. Përmes shkresës në fjalë, KMSH-ja informonte se 10 xhami në Shqipëri ishin jashtë juridiksionit të tij dhe cilësoheshin si problematike.

Ndër to ishin edhe xhamia e Tiranës së Re dhe ajo e Mëzezit, që frekuentoheshin nga të pandehurit në proces, të akuzuar për rekrutimi dhe dërgim në Siri të disa besimtarëve myslimanë. Për gati një orë, Bruçaj iu përgjigj pyetjeve të të pandehurve.

Ai u akuzua në vijimësi prej tyre si bashkëpunëtor i amerikanëve, si dhe i instruktuar nga trupi gjykues për dëshminë e tij. Gjatë seancës së djeshme u hoq dorë për thirrjen si dëshmitar të ish-kreut të KMSH-së, Selim Muça.

DËSHMIA

“Në cilësinë e kreut të KMSH-së i kemi kthyer një kërkesë për informacion Prokurorisë për Krimet e Rënda për xhamitë, që nuk i kishim nën juridiksion. KMSH-ja u kërkoi informacion myftinive në rrethe dhe informacioni i mbledhur i është përcjellë prokurorisë. Të gjitha shkresat e dërguara nga KMSH-ja kanë qenë dërgim informacioni. Problematika ishte që këto xhami nuk janë nën juridiksion e KMSH-së.

Imamët e tyre nuk janë zgjedhur nga ne. Ne nuk kemi asnjë lloj komunikimi me këto xhami”, tha Bruçaj në lidhje me shkresën e dërguar në prokurori. Kur i pandehuri Genci Balla tha se në këtë shkresë KMSH-ja kishte pretenduar se në xhamitë jashtë juridiksionit predikohej islami radikal dhe ekstrem, dëshmitari Bruçaj tha se nuk kishte informacion të tillë. “Shkresa që ka ardhur nga Myftinia e Tiranës, i përmend xhamitë si të ndërtuara pa leje. Nuk kemi informacion më të detajuar për veprimtarinë e tyre”, tha Bruçaj.

Gerti Pashja e pyeti dëshmitarin nëse janë të detyruar të gjithë myslimanët shqiptarë të përfaqësohen nga KMSH. “KMSH-ja ka një marrëveshje me shtetin shqiptar për menaxhimin e jetës fetare. Xhamitë janë nën juridiksionin e KMSH-së. Kush nuk e ndien veten të përfaqësuar në bazë të ligjeve në fuqi, aplikon për krijimin e një shoqate dhe bën xhami tjetër”, tha Bruçaj.

Kreu i KMSH-së iu përgjigj pozitivisht të pandehurit Pashja në lidhje me faktin se Komuniteti që drejton, e njeh një botim të Kuranit në shqip të vitit 1992 dhe e ka shpërndarë atë nëpër xhamitë e vendit.

PËRPLASJET

Në pjesën më të madhe të pyetjeve, të pandehurit kërkuan shpjegime se c’kuptonte dëshmitari me “terrorizëm”, “xhihad”, “radikalizëm”, “a quhej terrorizëm të ndihmoje myslimanët në Siri” apo edhe “ai që zbaton Kuranin a quhet ekstremist”. Pyetjet nuk u lejuan nga gjykata, ç’ka u përcoll me situata tensioni në sallën e gjyqit. “Për çfarë na e keni sjellë pra? Për ta parë?”, u revoltuan të pandehurit.

Gjatë seancës, trupi gjykues urdhëroi nxjerrjen nga salla të dy personave nga publiku, të cilët shprehën pakënaqësi pse dëshmitari nuk përgjigjej. “S’ka problem,- tha i pandehuri Zeqir Ymeri duke iu drejtuar dëshmitarit,- se Ambasada Amerikane e ka sjellë aty ku është”.

I pandehuri Genci Balla “shpërtheu” kur gjykata nuk e lejoi të pyeste dëshmitarin se ç’kuptonte me ekstremizëm. “Ai është pjesë e shtetit. Ai është mësuar prej jush çfarë të thotë. Të gjithë ata që janë aty janë spiunë të shtetit. Ai dhe lloji i tij kanë bërë të krishterët dhe çifutët miq dhe myslimanët armiq. Unë nuk e njoh KMSH-në dhe ai nuk më përfaqëson mua”, tha Balla.

Ndërsa të pandehurit Zeqir Ymeri nuk iu pranua pyetja për dëshmitarin nëse dinte arabisht apo jo. “Ty targute të ka caktuar Amerika avokatë të atij, që nuk na le asnjë pyetje”, iu drejtua ai kryesueses së seancës. Edhe në çastet e largimit nga salla e gjyqit, një nga të pranishmit i tha dëshmitarit se “kur të dalësh para Allahut, nuk ka për të shpëtuar as prokuroria e as Edi Rama!”.
Burimi9 mars 2016


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading