Tiranë: "Shqipëria është e pushtuar, vetëm ISIS mund ta çlirojë"


Të pandehurit që po gjykohen te Krimet e Rënda për vepra penale me qëllim terrorizmi, u shprehën dje haptazi në mbështetje të organizatës terroriste ISIS. Në seancën e radhës të procesit, i pandehuri Fadil Myslimani tha se Shqipëria është e pushtuar dhe se vetëm ISIS mund ta çlirojë.

Në vijim zbardhen të plota deklarimet e të pandehurve në sallën e gjyqit.

Fadil Myslimani

Kush tha që u çlirua Shqipëria?! Vetëm ISIS mund ta çlirojë Shqipërinë. Do t’i shohim të gjitha. Le ta shohin këta mafio-politikanë kur t’i vijë momenti i vdekjes, ashtu si i erdhi edhe Enverit, Mehmetit dhe shokëve të tyre. Nëse Shqipëria është çliruar, atëherë pse ikin në Gjermani të rinjtë dhe të rejat.

Ikin se është vend me politikanë të korruptuar. Presidenti i Republikës, ai, si e ka emrin, Bujar Nishani, gëzohet se merr fletëlavdërimi nga Perëndimi që po lufton terrorizmin. Edhe Asadi po merr fletëlavdërimi nga Rusia. Ne nuk jemi të pavarur. Pavarësia jonë ka marrë fund që në 1967-n. Ne jemi të varur nga Perëndimi e nga Lindja.

Genci Balla

Në provat shkresore të paraqitura nga Prokuroria janë edhe disa shkresa të Komunitetit Mysliman Shqiptar, për të cilën kërkoj të refuzohet dhe të deklarohet e pavlefshme. Në këto shkresa përmenden terma si “ekstremizëm” dhe “radikalizëm” kundrejt përcaktimit “mesatar”. Këto thënie cenojnë një nga të drejtat themelorë të njeriut, atë të ushtrimit të fesë. A mund ta dimë mbi ç’kritere vendos KMSH të përcaktojë sasinë e radikalizmit?

Unë do ta gjykoj KMSH, bazuar në Kuran, në atë Kuran që ata vetë e kanë shpërndarë nëpër Shqipëri që në vitin 1992. Nuk jemi ne radikalët. Shteti shqiptar është radikal. KMSH është radikal. A mund ta di zonja gjykatëse, Kurani është apo jo i vlefshëm për ju? Shteti sot po urdhërohet nga trashë-gimtarët e Enver Hoxhës. Nëse konfliktet tona zgjidhen me ligjet e shtetit, kjo është diktaturë.

Ndryshe ndodh nëse zgjidhen me ligjet e Kuranit. KMSH e cilëson si radikal çdo besimtar që është kundër tyre. KMSH është një dikaster i shtetit, që diktohet nga shteti. Rezultat i diktaturës është shkresa, ku Komiteti i Kulteve i kërkon Komunitetit Mysliman Shqiptar që të ankohet për xhamitë që nuk kontrollohen prej tij.

KMSH ka uzurpuar të drejtën e fesë, pa u marrë leje myslimanëve. Shtetit po. Atij i ka marrë leje. KMSH ka shkelur ligjet e fesë islame. Kjo nuk ndodh me asnjë nga fetë e tjera. Këto lloj shkelje ligjesh të Kuranit i konsideroj pjesë të fesë. Ata janë të paligjshëm. Hipokritë që kanë uzurpuar fenë islame. Do t’i numëroj shkeljet e tyre. KMSH ka inauguruar teqe, ku njerëz adhurojnë njerëz të tjerë dhe jo Zotin.

Askush nuk ka të drejtë, nuk meriton e nuk duhet të adhurohet përveç Allahut. KMSH pranon edhe fe të tjera. Ne nuk pranojmë fe tjetër. Festat fetare përcaktohen me hënë, kur rin hëna dhe duket me sy të lirë dhe jo me data të caktuara nga kalendari vetëm për të mos ia prishur parisë.

KMSH ka mbetur si shejtan memec, kur është sharë profeti në Shqipëri. Askush nuk ka reaguar. KMSH e ka bërë fenë pronë personale. Kush e cakton Bruçajn, kush e cakton Selim Muçën aty? Ekstremizëm i vërtetë është ai i Komunitetit Mysliman.

Gerti Pashja

(Në kohën që trupi gjykues ishte larguar nga salla e gjyqit.) Heshtja jonë e ka një kuptim. Të mbarojnë njëherë këta dhe do ta bëjmë edhe ne tonën. A e shikoni se si e bëjnë gjyqin këta? Gjyq është ky? Me dokumente të falsifikuara dhe të manipuluara.

Ne do të triumfojmë. Këtë ta dijë gjithë bota. Ne nuk i trembemi as plumbit, as litarit e as burgut. Masa të rrepta sigurie se u godit Franca. Qeveri me borxhe, që merr masa të rrepta sigurie. Ti s’ke para për pensionet. I merr borxh paratë. Do të luftosh terrorizmin ti.

Fadil Myslimani

Piktorit masonik i them të mos e kruajë me ISIS-in. Ata të ISIS-it nuk harxhojnë pasurinë e popullit. Ata nuk vjedhin, por qeverisin me ligjet e Allahut dhe jo ligjet e Amerikës, NATO-s, OSBE-së e BE-së. Shqiptarët nuk po ikin në Gjermani e në vende të tjera nga ISIS-i.

Politikanët mafiozë kanë bërë veprime homoseksualizmi, që janë për t’i hedhur nga 15-katëshi. Me ligjin e ISIS-it gjykohesh në vend. Nëse ke bërë faj, vritesh aty. Nuk ka si ligjet e këtyre, që bëjnë hetime, hetime pa mbarim. Të mbajnë në burg dy vjet dhe akoma nuk ka mbaruar gjyqi.
Burimi2 dhjetor 2015


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading