Nisi me "Konferencën Islamike" - dje ‘bamirësit’, sot rekrutuesit, nesër...


Ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë, shkrimtari dhe publicisti i njohur Luan Rama, në këtë intervistë rrëfen dhe analizon historinë e goditjeve terroriste në Paris. Ai është rikthyer në kryeqytetin francez vetëm pak orë pas masakrës së 13 nëntorit dhe tregon përshtypjet nga Parisi aktualisht. Pse u zgjodh Franca të goditej dy herë brenda një viti nga terroristët islamikë? A është e vetme Franca në luftën kundër terrorizmit? A është futur bota në një luftë të re dhe kemi të bëjmë me një luftë apo përplasje midis qytetërimeve? Si dhe kur është përfshirë Shqipëria në këtë luftë dhe sa jemi të rrezikuar nga kjo luftë? Çfarë mund dhe duhet të bëjmë për parandalimin e kësaj lufte?


– Zoti Rama, ju u kthyet në Paris pak orë pas masakrës. Si e gjetët atmosferën atje dhe si ka evoluar ajo ditët më pas?

– Ishte një atmosferë e çuditshme, një heshtje që mbizotëronte që në uljen nga avioni. Policët shumë të sjellshëm, por me një fytyrë të trishtë dhe të vendosur njëkohësisht. Qyteti ishte në heshtje. Mjekonte plagët e tij. Një Paris i plagosur, por i qetë, edhe pse në fytyrat e njerëzve kishte një lloj hutimi, një pyetje e kuptueshme për të ardhmen, të nesërmen. Refleksi im i parë të nesërmen ishte të shkoja në Place de la Republique. Ishte një ndjesi sikur gjithë bota ishte aty, një humanitet i tërë, njerëz të të gjitha ngjyrave, moshave, nëna me karroca, fëmijë që zgjasnin trëndafilë edhe pse nuk e dinin se ato fytyra përballë ishin ata që ishin vrarë një natë më parë. Letra dashurie, pentagrame, dhe fjalë të kurajos, të forcës, një kushtrim solidariteti që bën të mposhtet si frika ashtu dhe dhimbja. Sot gjithçka ishte e qetë. Francezët e kishin gjetur vetveten. Të gjithë mendonin se tashmë duhet luftuar vendosmërisht kundër terrorizmit, barbarisë…



– Prej disa ditësh gjithë bota jeton me tragjedinë e sulmeve terroriste që ndodhi në Paris. A ishte e rastësishme që Franca u godit dy herë brenda një viti?

– Sigurisht që jo! Franca ka kohë që është në gjendje të tensionuar dhe të angazhuar për të luftuar kundër terrorizmit dhe veçanërisht vitet e fundit, përballë atentateve të shumta e në rritje terroriste, shumë prej të cilave janë parandaluar, por që të tjerat fatkeqësisht kanë sjellë viktima të shumta dhe tronditje në jetën e njerëzve. Pas atentatit të janarit të këtij viti kundër “Charlie Hebdo”, të tjera tentativa u bënë deri sa arritën që më 13 nëntor të godasin në mënyrë të tmerrshme e barbare mbi njerëz të pafajshëm. Kësaj radhe nuk janë vetëm gazetarë apo hebrej dhe policë, por gjithë populli, kristianë e myslimanë bashkë si mbështetës të këtij shteti demokratik. Vetëm përmes barbarisë ata shpresojnë që të mbjellin tmerrin, frikën dhe të detyrojnë një vend siç është Franca, Anglia, Spanja, etj, që t’i lenë rehat në fuqizimin e tyre si forcë ushtarake, si një fuqi rajonale, që më vonë të mund të marrin marshin drejt Europës, drejt qytetërimit të Lirisë dhe të së Drejtës. Ja pse pas ngjarjeve të janarit, kryeministri francez deklaroi se “Franca është në luftë”. Ndonjë analist e quajti të nxituar deklaratën e kryeministrit Manuel Vals, por është e vërtetë se Franca ishte dhe është në luftë, përballë një armiku tepër barbar e të rrezikshëm që fatkeqësisht ka disa ithtarë brenda tokës së Francës, kësaj France që është treguar bujare me ata.



– Kjo nuk është një luftë vetëm e Francës, apo jo?

– Lufta e Francës është një luftë kundër xhihadizmit, terrorizmit, kundër radikalizmit, e cila tashmë po e angazhon në mënyrë maksimale gjithë klasën politike franceze, duke venë në dispozicion gjithë instrumentet materiale dhe juridike për ta fituar këtë luftë. Presidenti Holland dha sinjalin e parë përmes goditjes së fortë kundër ISIS. Një strategji e re po ndërtohet dhe me aleatë të rinj në këtë luftë, duke përfshirë edhe Rusinë, por duke punuar njëkohësisht dhe në hapësirën politiko-diplomatike siç është takimi aktual i Vjenës ku po kërkohet pothuaj nga të gjithë një zgjidhje politike në Siri për largimin e Bashar El Asadit dhe një tranzicion politik që do të kalojë përmes zgjedhjesh… Por prioriteti është goditja vendimtare e ISIS.



-Sipas jush, problemi ISIS është shqetësim i disa shteteve të veçanta?

– Mendoj se problemi ISIS nuk është vetëm një problem europian. Ai është një problem mbarë botëror. Është një problem jetik së pari për vendet rajonale të Sirisë, Irakut, Afganistanit, ku një shtet terrorist mund të avancojë (siç e kemi parë kohët e fundit) në marshin e vet të hegjemonisë së pushtimit dhe të krijimit të një Kalifati të madh duke ëndërruar botën e nesërme si një kalifat të tyre. Ka qenë Amerika dhe aleatët e saj të afërt, Franca, Anglia, e vende të tjera që kanë bërë të mundur ta stopojnë këtë marsh të vdekjes, duke mbështetur forcat liridashëse, por edhe duke ndërmarrë inkursione ajrore e ushtarake. Megjithatë, ISIS është dhe një problem europian, pasi në territoret europiane si në Francë, në Angli, Belgjikë e gjetkë, prej dy dhjetëvjeçarësh janë krijuar gradualisht vatra radikale integralizmi, ku terrorizmi është parë si e vetmja mënyrë për triumfin e “islamit” të tyre. Aksionet e ndryshme anti-franceze, janë kryer nën komandën e ISIS, mbajnë vulën e tij, pasi këta terroristë janë instruktuar dhe stërvitur për të goditur në zemër të Europës. Një vatër e vërtetë xhihadizmi është Malenbek në Belgjikë apo disa “qyteza” të Francës, veçanërisht në rrethinat e Parisit, Tuluzë, e gjetkë. Në instrumentet e reja juridike që po ndërmerren në luftën kundër xhihadizmit, parashikohet dhe një bashkëpunim me operatorët e mëdhenj të internetit si Google, Tëitter, Facebook, etj, që të mund të parandalohen mesazhet e urrejtjes dhe të thirrjeve për xhihad.



– Nuk janë të paktë ata që mendojnë se kemi të bëjmë me një luftë të re botërore…

– Mendoj se nuk mund të flitet për një Luftë të Tretë Botërore. Përmasat e një lufte botërore janë ndeshjet e shteteve të fuqishme apo aleancave të mëdha siç i kemi parë gjatë luftës së Parë dhe luftës së Dytë, dhe ku mbijetesa e njërës aleancë mbi tjetrën, varet vetëm nga kjo përplasje për jetë a vdekje. Ja pse viktimat kanë qenë me miliona. ISIS sot është një shtet i sapo krijuar dhe i vetmuar, i cili, pavarësisht rrezikshmërisë ekstreme që përfaqëson për tronditjen e ndërgjegjes së një vendi apo shoqërore nuk mund të shkojë më larg se kaq. Forcat demokratike janë shumë më të fuqishme, por duke ruajtur disa principe, ato nuk kanë dashur t’i kapërcejnë caqet e ndërhyrjes. Tashmë lufta është shpallur nga ana e ISIS dhe ndërhyrja duhet të jetë e fortë, konsekuente dhe vendimtare deri në shuarjen e këtij të ashtuquajturi shtet. ISIS sot të rikujton “asasinët” e kohës së mesjetës, kur të izoluar në një nga vendet e Sirisë e Palestinës, suleshin nga kështjella drejt një vdekjeje të sigurt për të vrarë me thika sa më shumë njerëz që të mund ta trondisnin psikikën e kundërshtarit. Dhe para këtij sulmi të befasishëm ata deheshin. Kjo dehje për kamikazët sot është shpirtërore, pra nga ana e predikuesve, të imamëve integristë që përgatisin kështu bomba me fytyrë njeriu, të cilët nuk kanë asnjë lloj ndjesie për jetën njerëzore, dhe kokat mund t’i presin si trofe për xhihadin.



– Sa e rrezikuar është Shqipëria nga kjo luftë?

– Shqipëria është një zonë periferike e zhvillimit të kësaj lufte kundër terrorizmit, por që merr rëndësi të veçantë në kuadrin e një lufte strategjike, pasi ISIS kërkon ta kthejë Ballkanin (vendet e besimit mysliman apo të përzier) në një rezervë xhihadiste. Vendi ynë u bë problematik në kohën kur Shqipëria e futur dhe e bekuar nga Berisha në Konferencën Islamike u hapi dyert fondacioneve fetare e “bamirëse”, këtyre fondacioneve fantazmë me shtetas arabo-shqiptarë, te të cilët fshiheshin terroristë të kërkuar nga shërbimet sekrete perëndimore. Por kjo epokë mund të konsiderohet e kapërcyer. Shteti shqiptar aktualisht është në vigjilencë për të vepruar kundër çdo shfaqjeje xhihadizmi. Por, megjithatë, lufta kundër radikalizimit në mjediset fetare është një luftë e vazhdueshme pasi disa predikatorë shqiptarë, ashtu si në Kosovë apo Maqedoni, kanë predikuar xhihadin në mënyrën më të hapur, madje përmes mediave publike, dhe nuk janë cenuar aspak për deklaratat e tyre të nxitjes së urrejtjes. Ata që duhen luftuar sot janë predikuesit, rekrutuesit që ushqejnë dhe frymëzojnë xhihadin. Dhe për ta shteti s’duhet të ketë asnjë tolerancë, madje deri dhe në mbylljen e vendeve të kultit, siç po kërkohet sot edhe nga liderët politikë francezë. Që nga viti 2014, me marrjen e masave të reja juridike, Franca ka evoluar në këtë fushë në mënyrë që të luftojë më shpejt dhe më mirë terroristët dhe vatrat radikale. Dhe sigurisht, pa ngatërruar asnjëherë besimin e individit me prirjen radikale. Edhe Shqipëria duhet të rishikojë gjithë korpusin juridik në këtë drejtim.

Ndërsa lidhja e fesë me politikën në Shqipëri është një problem tjetër që kërkon një debat shumë të gjerë dhe urgjent, pasi një ditë, (meqë politikanët tanë sot mendojnë si të qëndrojnë në pushtet, duke u kërkuar votën dhe joshur vendet e kultit) shqiptarët do të gjenden përballë një partie fetare në krye të të gjitha partive të tjera! Por kur të shfaqet “boomerangu” të gjithë do të shastisen, ndërsa ata që e fabrikuan këtë katastrofë nuk do të jenë më.



– Çfarë mund të bëjmë ne si shtet dhe si shoqëri për t’i shpëtuar kësaj lufte?

– E thashë, duhet menduar gjithë strategjia e luftës kundër terrorizmit dhe instrumentet e kësaj lufte dhe së pari ato juridike, pasi nuk duhet lënë shteg për liri të shprehjes së pakufizuar: aty ku nxitet urrejtja aty duhet ndëshkuar!



– Pas gjithë këtyre arsyetimeve, a ka ardhur Luan, realisht koha të flasim pa dorashka për një luftë midis qytetërimeve?

– Sigurisht, ne jetojmë në një kohë kur ekzistojnë qytetërime të ndryshme, ashtu siç jetonin dhe shekuj më parë qytetërime të ndryshme si ai europian, (perëndimor), aziatik, arab, kinez, etj. Por edhe sot qytetërimet ekzistojnë aty ku mbizotërojnë kultura të ndryshme. Nuk është fjala për nivelet ekonomike dhe potencialet teknologjike, por së pari shpirtërore, kulturore. Hapësira të ndryshme gjuhësore japin e marrin brenda një sfere qytetërimi apo midis qytetërimeve. Por në qytetërim futet edhe politika dhe është ajo që krijon konflikte apo përplasje që i përjetojmë edhe sot. Psh, është e habitshme që në UNESCO, të “drejtat e njeriut” nuk janë të njëjta për të gjitha shtetet anëtare. Vendet e grupit të Konferencës Islamike (ku bën pjesë dhe Shqipëria) kanë një Kartë të veçantë të të “Drejtave të Njeriut”, ku të drejtat përcaktohen nga e drejta hyjnore, Zoti. Ky është një dallim. Por ka grupe, shtete, fuqi si ISIS, të cilët bëjnë përplasjen që t’u imponojnë të tjerëve, pra pjesës tjetër të botës, modelin e tyre kulturor. Këtu kemi të bëjmë me përplasje mes qytetërimeve por jo “lufte midis qytetërimeve” pasi ajo për çka lufton ISIS dhe grupet integriste terroriste, nuk është lufta e botës arabe, apo e vendeve të besimit mysliman. Lufta fillon kur do të imponosh me forcën e armëve një kulturë, një mënyrë jetese, një besim fetar, pra një “qytetërim” të caktuar. Pra nuk kemi një luftë qytetërimesh “Perëndim-Lindje”…
Burimi17 nëntor 2015


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading