Vatikani ripohon se mund të ketë jetë edhe në planetë të tjerë


Duket se me kalimin e viteve Vatikani e ka zbutur qëndrimin e tij në lidhje me vendin e njerëzimit në gjithësi dhe madje tashmë beson se mund të ketë jetë inteligjente jashtëtokësore.

Astronomët në Observatorin e Vatikanit, të cilët studiojnë hapësirën nga viti 1582 kanë deklaruar se zbulimet e planetëve të rinj sitokësorë kanë përforcuar bindjen se mund të ketë jetë në planetë të tjerë.

Por, sipas tyre, edhe nëse mund të ketë jetë përtej sistemit tonë diellor, gjasat janë që të mos jenë vizituar nga ndonjë personazh me fuqi mbinatyrore i mitologjisë hebraike.

"Zbulimi i jetës inteligjente nuk do të thotë se ka Jezus tjetër. Mishërimi i birit të zotit është një ngjarje e veçantë në historinë e njerëzimit të gjithësisë." - ka deklaruar Hoze Funesi, drejtor i Observatorit të Vatikanit, në Romë, duke iu referuar besëtytnive të Lindjes së Mesme.

Funesi ka deklaruar gjithashtu se mbase njerëzimi nuk arrin t'i takojë ndonjëherë këto qytetërime jashtëtokësore.

"Ka mundësi që të ketë pasur jetë dhe mbase ndonjë formë inteligjente jete... Por nuk mendoj se do të njohim ndonjë Spok", - ka thënë Funesi, duke iu referuar një personazhi të serialit fantastiko-shkencor "Star Trek".

Por nuk është hera e parë që Hoze Funesi përmend mundësinë e ekzistencës së jashtëtokësorëve. Në vitin 2008 ai ka deklaruar se besimi në ekzistencën e jetës jashtëtokësore nuk bie ndesh me doktrinën kristiane apo vetë mitologjinë hebraike.

Komentet e tij të fundit janë publikuar në lidhje me zbulimin e planetit Kepler-452B nga agjencia hapësinore amerikane (NASA).

Sipas Funesit, zbulimi ishte "lajm fantastik". Në gazetën ditore të Vatikanit "L'Osservatore Romano", ai thotë: "Galaktika jonë përmban mbi njëqind miliardë yje. Nëse gjykojmë nga numri i ekzoplanetëve të zbuluar, duket se shumica e yjeve në galaktikën tonë, së paku ka gjasë, që të mbajnë planetë ku mund të zhvillohet jeta. Ndonëse nuk e dimë nëse dukuria e "tokës" është e rrallë apo zakonshme".

Sipas Funesit edhe nëse ka jetë inteligjente në planetë të tjerë, për të nuk përbën ndonjë problem për besimin kristian.

"Bibla nuk është libër shkencor. Gabojmë nëse kërkojmë përgjigje shkencore për pyetjet tona në Bibël. Ajo u përgjigjet pyetjeve të mëdha, si p.sh. 'Cili është roli ynë në gjithësi?'" - thotë Funesi.
Burimi5 gusht 2015


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading