Libi: Mes refugjatëve kalojnë dhe paraushtarakë të ISIS-it


Në mesin e emigrantëve që vërshojnë drejt Evropës prej brigjeve libiane ka edhe militantë të Shtetit Islamik.

Një këshilltar i qeverisë në Libi, Abdul Basit Haroun i tha “BBC”-së se trafikantët i fshehin luftëtarët e ISIS-it mes refugjatëve, që mbushin anijet e nisura përmes Mesdheut. Haroun shpjegon se këtë informacion e ka nga vetë pronarët e mjeteve, në disa pjesë të Afrikës së Veriut të kontrolluara nga ISIS-i.

Grupi ekstremist ua lejon trafikantëve vazhdimin e aktivitetit, por u merr në këmbim 50% të të ardhurave.

Sipas llogaritjeve të OKB-së, vetëm këtë vit, detin Mesdhe janë përpjekur ta kalojnë 60.000 vetë. Më shumë se 1.800 prej tyre mendohet të kenë humbur jetën, gjatë një udhëtimi, që si shpeshherë kryhet me anije të mbushura përtej kapacitetit dhe të papërshtatshme për lundrim.

Sipas Harounit, ISIS po i përdor anijet për njerëzit e tij, që kërkon t’i dërgojë në Europë, dhe forcat policore europiane, sipas tij, nuk kanë sesi ta kuptojnë se kush është refugjat normal e kush jo.

Zakonisht, militantët ulen veçmas emigrantëve të tjerë dhe nuk i druhen rrugëtimit. Por, a ka një qëllim e gjitha kjo? Sipas zyrtarit libian, synimi është mjaft i qartë: xhihadistët po përgatiten për sulme të ardhshme në kontinentin e vjetër.

Në fillim të këtij viti, agjencia e kontrollit kufitar të BE-së, “Frontex”, pati paralajmëruar se kishte shumë mundësi, që luftëtarë të huaj të ishin duke përdorur rrugët e paligjshme të emigracionit për të hyrë në Europë.

Shteti Islamik, që kontrollon prej kohësh pjesë të tëra të Irakut e Sirisë, ka qenë mjaft aktiv muajt e fundit edhe në Libi, ku ka shfrytëzuar për depërtimin e tij luftën e ashpër për pushtet mes grupeve rivale, të krijuara në vend pas përmbysjes së Muammar Gaddafit.

Shtrirjen e tij në rajon e dëshmoi dhe sulmi i muajit mars në kryeqytetin e Tunizisë, ku humbën jetën 22 vetë. Të shtunën, megjithatë, ISIS mori një goditje të fortë me vrasjen e një komandanti të lartë të tij, Abu Sayyaf, të cilin Uashingtoni e konsideronte të përfshirë në operacionet ushtarake dhe financiare të grupit islamik.
Burimi18 maj 2015


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading