NASA: Sonda "Kepler" zbulon një planet tjetër sitokësor në yjësinë e Mjellmës


Misioni "Kepler" i NASA-s ka konfirmuar planetin e parë të përmasave të nivelit të Tokës në zonën jetëmbajtëse rreth një ylli të ngjashëm me Diellin tonë. Ky zbulim dhe prezantimi i 11 planetëve të tjerë më të vegjël në zonat përkatëse jetëmbajtëse të sistemeve të tyre, shënojnë tashmë një rekord tjetër drejt gjetjes së planetëve të banueshëm nga njeriu.

Planeti i ri, mbiquajtur Kepler-452b është planeti më i vogël deri më tani i zbuluar në orbitë në zonë jetëmbajtëse (zona përreth një ylli ku planeti që ndodhet në orbitë mund të ketë ujë sipërfaqësor) të një ylli G2, si Dielli ynë.

Konfirmimi i Kepler-452b e sjell tashmë numrin e planetëve të konfirmuar nga misioni në 1030.

"Në 20-vjetorin e zbulimit që provoi se diejt e tjerë mbajnë dhe ata planetë, eksploruesi jashtëplanetar "Kepler" ka zbuluar planetin dhe yllin që deri tani i ngjajnë më shumë Tokës dhe Diellit tonë," - thotë John Grunsfeld, nd/administrues në drejtorinë e misioneve hapësinore të NASA-s, në Uashington, i cili vijon më tej me: "Ky rezultat emocionues na sjell një hap më prapë gjetjes së Tokës 2.0."

Planeti i zbuluar Kepler-452b është 60 përqind më i madh se Toka në diametër dhe konsiderohet i tipit supertokë. Ndërsa masa dhe përbërja e tij nuk janë përcaktuar ende, kërkimet e mëparshme lënë të kuptohet se planetët e përmasave të Kepler-452b kanë shumë mundësi të jenë shkëmborë.

Ndërsa Kepler-452b është më i madh se Toka, orbita e tij 385-ditore është vetëm 5% më e gjatë. Planeti është 5% më larg yllit të tij Kepler-452 se Toka nga Dielli. Ylli Kepler-452 ndërkaq vlerësohet si 6 miliardë vjeçar, 1,5 miliardë vite më i ri se Dielli, ndërsa ka të njëjtën temperaturë dhe është 20% më i shndritshëm me diametër 10% më të madh.

"Kepler-452b mund të themi se është kushëri më i madh e më i vjetër i Tokës, duke na dhënë kështu mundësinë të kuptojmë dhe të gjykojmë mbi zhvillimin e mjedisit në Tokë," - thotë Jon Jenkins, kreu i analizës së të dhënave të misionit "Kepler" në Qendrën Kërkimore "Ames" të NASA-s në Kaliforni, i cili drejton ekipin që zbuloi Kepler-452b.

"Është mahnitëse të mendosh se ky planet ka kaluar 6 miliardë vite në zonën e banueshme të yllit të tij, shumë më gjatë se Toka. Kjo përbën mundësi thelbësore për formimin e jetës, nëse përmbushen të gjitha kushtet dhe elementet e nevojshme për ekzistencën e jetës në këtë planet.” - përfundon Jenkins.

Për të ndihmuar në gjetjen dhe përcaktimin e karakteristikave të sistemit diellor Kepler-452 ekipi i ka zhvilluar vrojtimet në tre observatorë në Teksas, Arizonë dhe Havai. Matjet e mbledhura kanë qenë thelbësore për konfirmimin e natyrës planetare të Kepler-452b, si dhe për saktësimin e të dhënave për përmasat dhe ndriçimin e yllit të tij.

Sistemi diellor Kepler-452 ndodhet në distancë 1400 vite dritë në yjësinë e Mjellmës. Studimi i është dorëzuar dhe është pranuar për botim në periodikun zyrtar "The Astronomical Journal".

Përveç konfirmimit të Kepler-452b, ekipi ka rritur gjithashtu numrin e planetëve kandidatë nga 521 që nga vrojtimet e para të majit 2009, në 4696 planetë. Planetët kandidatë kanë nevojë për vrojtime të mëtejshme dhe analizat përkatëse për të verifikuar nëse janë planetë konkretë.

Dymbëdhjetë prej këtyre planetëve kandidatë, kanë diametra të barabartë ose dy herë më të mëdhenj se i Tokës, dhe orbitojnë në zonat jetëmbajtëse të yjeve të tyre. Nëntë syresh orbitojnë rreth yjeve me madhësinë dhe temperaturën e Diellit tonë.

Astronomët po prodhojnë tanimë katalogun e fundit në bazë të të dhënave fillestare katërvjeçare të misionit "Kepler". Analiza përfundimtare do të kryhet nëpërmjet softuerëve të sofistikuar që janë gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj gjurmëve të imëta treguese të planetëve të madhësisë së Tokës.
Burimi23 korrik 2015


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading