KOASH-i paguan mësuesit grekë në Shqipëri


Kisha Ortodokse e Shqipërisë paguan mësuesit “vullnetarë” që japin mësim në gjuhën greke në zonat minoritare në jug të vendit tonë. Pagesën për këta misionarë e ka bërë kreu i kësaj kishe në vendin tonë, Anastas Janullatos.

Hirësia, përveçse ka marrë “uratat” e dhjetëra mësuesve që japin mësim të gjuhës greke në Jug të Shqipërisë, ka marrë edhe vlerësimet e shumta nga zyrtarët e lartë të shtetit grek.

Kur në vendin tonë festohej 102-vjetori i Pavarësisë dhe njëkohësisht me të kujtohej mes debatesh edhe çlirimi i vendit, në Parlamentin grek Janullatos merrte lëvdata për ndihmën që ka dhënë për mësimin e gjuhës greke.

Sipas ministrit të Arsimit të Greqisë, Andrea Loverdhos, në Gjirokastër punojnë me dhjetëra vullnetarë nga Greqia me “ndërgjegje kombëtare, ndërgjegje misioni”, të cilët paguhen nga Kisha Shqiptare. Konkretisht ai tha:

“Duhet të veprojmë me kujdes, znj. kryetare (e Parlamentit), me arsimtarët vullnetarë që kanë shkuar dhe japin mësim aty, – i takova në Gjirokastër – në shkollën që ka organizuar Kryepeshkopi Anastas dhe Mitropoliti lokal”.

I pyetur nga një prej deputetëve të “Agimit të Artë”, për çështjen e ushtarëve të vrarë në tokën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përse në fjalën e tij ministri nuk përmend “Vorio Epir”, por “Shqipëria e Jugut”, Loverdhos i është dashur të tregojë edhe detaje të tjera.

Numri një i Arsimit grek i është devijuar një pjese të pyetjeve të deputetit të “Agimit të Artë”, por gjithsesi ka këmbëngulur se shqipja nuk do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Greqi.

Ndonëse kjo është kërkuar shpesh nga përfaqësues të shoqatave të emigrantëve shqiptarë, përsëri duket se vendi fqinj nuk do të jetë gati për të futur shqipen si gjuhë të dytë.

Kjo nuk i ka penguar aspak fqinjët tanë që të interesohen për shkollat greke në disa zona në jug të Shqipërisë.

Duke iu referuar mësimdhënies në gjuhën greke, Loverdhos u shpreh se “këta djem e vajza shkojnë aty, marrin nga kisha një si shpërblim dhe asgjë më shumë. Duhet t’i shohim me më shumë kujdes dhe të shohim çështjen e pikëzimit të shërbimit që ofrojnë. Janë kryesisht djem e vajza nga Greqia e Veriut që shkojnë aty. Si ta them? Janë njerëz me ndërgjegje kombëtare, me ndërgjegje misioni. Dhe është e vështirë puna e tyre. Nuk është e lehtë”.

Loverdhos në fjalën e tij në parlament nuk është ndalur në detaje rreth mënyrës së pagesës dhe mbështetjes financiare, por duket se gjithçka ka qenë e qartë se Kisha Ortodokse në Shqipëri ka financuar për shkollat greke dhe pagesat e mësuesve.
Burimi11 dhjetor 2014


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading