Tiranë: Skënder Bruçaj zgjidhet kryetar i organizatës "Komuniteti Mysliman i Shqipërisë"


Skënder Bruçaj, një 38-vjeçar i shkolluar në Turqi dhe i zgjedhur nënkryetar i katërt i Komunitetit Mysliman Shqiptar dy muaj më parë, u votua dje si pasues i Selim Muçës, që dha dorëheqje për arsye shëndetësore.

Kryetari i ri mori 88 vota përballë rivalit të vetëm Dorian Demetja, që mori vetëm 8 vota. Bruçaj, prej vitesh drejtues në universitete, ishte propozuar si kandidaturë nga Komuniteti Mysliman.

Sipas zyrës së shtypit të Komunitetit Mysliman, Këshilli i Përgjithshëm, i mbledhur dje në mbledhjen e tij të zakonshme, zgjodhi z. Skënder Bruçajn si kryetarin e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit Selim Muça, kandidaturat që fituan të drejtën për të garuar për këtë post ishin: z. Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së; z. Skender Bruçaj, nënkryetar i KMSH-së; z. Dorian Demetja, drejtor i Burimeve Njerëzore pranë KMSH-së.

Kryetari në detyrë Selim Muça në fjalën e tij falënderoi bashkëpunëtorët e ngushtë dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për mbështetjen e vazhdueshme në përmbushjen e kësaj detyre.

“Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që më keni dhënë në çdo moment. Të njëjtën gjë shpresoj ta bëni edhe me pasuesin tim në këtë detyrë të shenjtë e fisnike”, u shpreh z. Muça.

Përfaqësuesit myslimanë i shprehën z. Muça mirënjohjen për kontributin e dhënë në këto vite. Ata vlerësuan gjithashtu rolin e tij efikas në drejtimin e institucionit dhe angazhimin maksimal në kryerjen e detyrës.

Këshilli i Përgjithshëm e shpalli Selim Muçën kryetar nderi dhe anëtar të përhershëm të Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, me motivacionin: “Për kontributin e vyer në konsolidimin e vlerave fetare dhe atdhetare në shoqërinë shqiptare”.

Sipas Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu u tërhoq nga gara, duke e quajtur të mjaftueshme dhe një përgjegjësi të madhe detyrën që kryen aktualisht si nënkryetar i KMSH-së.

Ndërsa dy kandidatët e tjerë prezantuan platformat dhe vizionin e tyre për të ardhmen e institucionit, duke kërkuar bashkëpunimin dhe kontributin e të gjithë myslimanëve. Gjatë prezantimit pati diskutime dhe pyetje të ndryshme në lidhje me programin, por edhe mbi çështje që preokupojnë Komunitetin Mysliman.

Procesi i votimit për zgjedhjen e krye-tarit të ri u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Nga 101 anëtarë që ka Këshilli i Përgjithshëm, në votim morën pjesë 99 vetë.

Fitues me shumicë votash u shpall z. Skënder Bruçaj. Selim Muça i dorëzoi, në shenjë simbolike, kryetarit të ri çallmën dhe xhyben e tij, duke i uruar suksese dhe mbarësi në këtë mandat pesëvjeçar. Më pas, z. Bruçaj me dorë mbi Kur’an bëri betimin konform statutit përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.


Kushtet për kryetar

Haxhi Selim Muça u rizgjodh kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar pas votimit të zhvilluar me 21 Mars 2009, me 85% të votave nga 88 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së.

Sipas statutit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, kandidati për kryetar duhet të plotësojë disa kushte. Kryetar i Komunitetit Mysliman zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar me shtetësi dhe kombësi shqiptare që nga lindja, me qëndrim jo më pak se dy breza në Republikën e Shqipërisë, që nuk ka shtetësi të dyfishtë, që ka mbushur moshën 40 vjeç dhe që ka përvojë pune drejtuese në organet e Komunitetit Mysliman mbi 10 vjet.

Kandidati që propozohet për kryetar duhet të ketë kryer medrese dhe fakultet teologjik, fakultet teologjik islam ose medresenë dhe fakultet laik. Preferohet të njohë gjuhë të huaja, ara-bisht, mundësisht edhe një gjuhë të Bashkimit Evropian. Kandidati duhet të jetë me origjinë nga një familje me tradita dhe moral të lartë Islam, aktivist i njohur për kontributin e dhënë në shërbim të fesë Islame, me përvojë në fushën e drejtimit dhe të thirrjes në Islam, me figurë të pastër morale.


Bruçaj, i shkolluar në Turqi

Skënder Bruçaj ka lindur në rrethin e Malësisë së Madhe më 22 qershor 1976. Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në vendlindje, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga KMSH drejt Turqisë në vitin 1992. 1996-kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi. Më pas ai ndoqi studimet në Institutin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Bosforit, ku pasi mbrojti gjuhën angleze, vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale – dega Psikologji. 2000-2011-kreu studimet pasuniversitare. 2008-Drejtor i Qendrës së Planifikimit të Karrierës në Universitetin “Epoka”. Shtator 2008-Kryetar i Komisionit të Hartim-it të Dosjes për hapjen e Universitetit “Hëna e Plotë-Bedër”. Shtator 2011-dhjetor 2013-përgjegjës i Departamentit të Drejtësisë dhe zv/dekan i fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Bedër”. Dhjetor 2013 -nënkryetar i KMSH-së. Z. Bruçaj ka disa marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si referues në emër të Universitetit Bedër dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ai njeh disa gjuhë të huaja si anglisht, turqisht dhe italisht. Z. Bruçaj është i martuar dhe ka dy fëmijë (djem).


Kundërshtarët: Zgjedhja e kryetarit të ri, antikushtetuese

Sipas një grupimi të myslimanëve shqiptarë, zgjedhja e Bruçajt në krye të KMSH-së është antikushtetuese, sepse ai nuk ka 10 vite aty, por vetëm dy muaj; procesi ishte i dyshimtë dhe kryetari u zgjodh me 90 për qind të votave dhe në 8 mars, nuk kishte as prani të femrave në votime.

"E-zani i naltë", faqja online e "Aksionit Civil Mysliman", që thotë se ka synimin për të krijuar një platformë për idetë e një bashkësie myslimane, zëri i së cilës shpesh nuk është dëgjuar, ishte i pari që njoftoi, disa ditë më parë për mbledhjen “sekrete” të "Komunitetit Mysliman", dorëheqjen e Muçës dhe zgjedhjet e reja.

Disa orë, pas zgjedhjes së Bruçajt në krye të KMSH-së E-zani uroi: “Suksese Kryetarit të ri misterioz!”.

Sipas këtij sajti online, Bruçaj u zgjodh pasi Bujar Spahiu u tërhoq në momentin e fundit nga kandidimi pa dhënë arsye, duke e lënë të vetëm në garë përballë tij z. Dorian Demetja, në një mbledhje pa debate dhe diskutime.

“Megjithëse krejtësisht i panjohur për shumicën e votuesve në Këshillin e Përgjithshëm, megjithëse i kandiduar në një proces krejtësisht të pabesueshëm, Bruçaj ka arritur të marrë 88 vota, përkundër 8 të tillave, që ka arritur Demetja, megjithëse ky i fundit ka vite që është në krye të sektorit më atraktiv për njerëzit që duan të bëjnë karierë: Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun. Megjithatë, ndo-nëse i panjohur, ndonëse nuk ka paraqitur asnjë alternativë, asnjë program dhe asnjë profil publik për ta pasur si referencë në orientimin e votës, ai ka arritur t’i bindë mrekullisht 88 anëtarë thjesht me ekspozimin e tij vizual në një mbledhje. Këto çudira mund të ndodhin vetëm në Komunitetin Mysliman Shqiptar”.

Sipas tyre zgjedhja e tij është antikushtetuese, sepse "Edhe procedura me të cilën është zgjedhur, është në shkelje flagrante me kushtetutën e këtij institucioni, i cili kushtëzon që Kryetari i KMSH-së të ketë 10 vjet punë në këtë institucion. Bruçaj ka vetëm dy muaj që punon në KMSH duke u katapultuar fuqishëm në postin e bashkënënkryetarit të katërt, pa asnjë shkallë të ndërmjetme karriere. Po kështu, propozimi i bërë nga Kryesia është i pavlefshëm nga ana ligjore, pasi kjo kryesi nuk ka mandat legjitim, për shkak se vendimi për ndryshimin e saj, i ndërmarrë dy muaj më parë, nuk është miratuar ende në Gjykatë. Pra, megjithëse Këshilli i Përgjithshëm është ngritur arbitrarisht me mandate të vjedhura, megjithëse zgjedhjet u organizuan në mënyrë krejtësisht të dyshimtë, megjithëse u pengua çdo lloj kandidimi (duke mos lënë kohë për figura që mund të vetëofroheshin në garë), megjithëse statuti dhe ligjet në fuqi nuk e pranojnë kandidaturën në fjalë, përsëri duket se asgjë nuk mund ta ndalte z. Bruçaj. Kjo tregon se ka shpresa për ndryshime të mëdha në këtë institucion, pasi përndryshe nuk mund të shpjegohen kaq shumë shkelje për hir të tij. Interesante mbi të gjitha është se gjithçka ka ndodhur në një datë domethënëse, siç është 8 marsi, tepër interesante për një institucion ku prania e gruas është krejtësisht e padukshme."
Burimi9 mars 2014


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading