Kush është kreu i grupit të shqipfolësve të ISIS-it


Lavdrim Muhaxheri, që tash është lideri i luftëtarëve shqiptarë në grupin paraushtarak të Shtetit Islam të Irakut dhe të Shamit (ISIS), në luftë në Siri e Irak, ka punuar për KFOR-in amerikan, në kampin “Bondsteel” dhe për NATO-n në Afganistan.

Ai në Ramazanin e viti 2013 ka qenë pjesë edhe e aktiviteteve të BIK-ut në Kaçanik, gjë që dëshmohet nga disa foto që botohen për herë të parë. Tre persona janë arrestuar dhe i katërti është në kërkim dhe të gjithë dyshohen për terrorizëm- aktivitete që i kanë bërë të lidhur me Lavdrim Muhaxherin.

Gazeta "Express" sjell rrëfimin për jetën e tij, për inkuadrimin në lëvizjet ekstremiste dhe ngritjen në pozita udhëheqëse në grupet e luftëtarëve të afërta me "Al-Qaida".

Lavdrim Muhaxheri, apo i njohur si "komandant Muhaxheri", është zgjedhur në vitin që shkoi komandant i shqiptarëve që janë pjesë e krahut të rebelëve kundër regjimit të Bashar Al-Asadit, por jo i pjesës që kërkon demokraci për Sirinë, por i krahut që kërkon një Siri me sheriat – grupet e afërta me “Al-Qaida”.

Së paku një i intervistuar nga "Express", i kthyer nga llogoret e luftës në Siri, kishte mohuar që ai është komandant. Ai tha që është vetëm garantues për shqiptarët që hyjnë në mesin e xhihadistëve.

Ai punoi si krah pune në Kampin “Bonsteel” për një periudhë të caktuar, deri në vitin 2010. Pas kësaj, tregojnë miqtë e tij, ai ruajti raporte dhe rekomandime të mira nga punëdhënësit e tij - KFOR-i amerikan sa që me anë të një kompanie private, si shumë të rinj kosovarë, udhëtoi për të punuar në Afganistan, në kampet e NATO-s. Atje kishte punuar afro dy vite.

Miqtë e tij tregojnë për "Express" se Lavdrim Muhaxheri është lidhur me rrymat ekstremiste vetëm kah fundi i viti 2012, fillimisht në shoqatën lokale “Parimi”, nga e cila me vonë u krijua shoqata “Rinia Islame - Kaçanik”, ku Lavdrim Muhaxheri ka pozitën e “Emirit” - udhëheqësit të krahut ushtarak të organizatës.

Lavdrim Muhaxheri iu bashkua luftës në Siri, si muxhahedin, në vitin 2012, për t’u kthyer një vit më vonë. Ai deri në gjysmën e ramazanit të vitit 2013 ishte në Kosovë, ku më pastaj iu ribashkua luftëtarëve në Siri, ku edhe mori pozita udhëheqje.

"Express" ka siguruar fotografi ekskluzive nga aktivitetet e këshillit të "Bashkësisë Islame të Kosovës" në Kaçanik, këshill që udhëhiqet nga Florim Neziraj.

Gazeta ka provuar që të kontaktojë me Lavdrim Muhaxherin për të marrë një koment të tij në lidhje me punët e tij në kampin “Bonsteel” të KFOR-it dhe punën e tij në kampet e NATO-s në Afganistan, por ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Pyetjeve nuk u janë përgjigjur as grupet me të cilat është i lidhur Lavdrim Muhaxheri.

Lavdrim Muhaxheri u bë i famshëm fillimisht me një video në "Youtube" ku ai bënte thirrje për t’u bashkuar të rinjtë shqiptarë mysliman luftës në Siri.

Ai më vonë mori rolin kryesor në sqarimin e përplasjeve të brendshme në kampin e rezistencës kundër Bashar Al-Asadit, ku ishte edhe i pari nga shqiptarët që haptas konfirmoi që ekzistonin përçarje të thella në mesin e revolucionarëve, përçarje deri në ndjekje të njëri-tjetrit për vrasje. Këto grupe janë pajtuar me marrëveshje.

Tash Lavdrim Muhaxheri udhëheqë togën e shqiptarëve, duke përfshirë edhe shqiptarët nga Shqipëria e Maqedonia, në strukturën brenda ISIS-it e përbërë nga të huajt, që janë me mijëra. Nga mbi 10 mijë ushtarë sa i ka ISIS-i, llogaritet që mbi 2 mijë janë të huaj nga Evropa. Lavdrim Muhaxheri i raporton drejt për së drejti komandant “Ebu El-Bagdadit”.
Burimi27 qershor 2014


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading