SHBA: Skeleti i njeriut është në vetvete provë e evolucionit


Njerëzit janë gjitarët më të suksesshëm të planetit, por trupat tanë nuk do të fitonin dhe aq konkurse për sa i përket mënyrës si janë ndërtuar. Ky ishte mendimi në të cilin arriti takimi vjetor i antropologëve të organizatës amerikane për zhvillimin e shkencës "AAAS" (ndër botuesit kryesorë të materialeve shkencore në botë).

Me anë të objekteve dhe të shembujve të ndryshme nga fosilet e mbledhura, shkencëtarët dëshmuan se si pikërisht ato përshtatje anatomike që e kanë ndihmuar njeriun të jetë kaq i suksesshëm - si, fjala vjen, ecja në këmbë dhe truri i madh e i ndërlikuar - kanë qenë rezultat i një rimodelimi të vazhdueshëm prej një baze shumë më primitive që shfrytëzohej fillimisht për jetesë nëpër pemë.

"Kjo anatomi që kemi nuk është siç do ta kish bërë ndokush sot po t'ia niste nga fillimi," - thotë antropologu Xheremi De-Silva, i Universitetit të Bostonit. - "Evolucioni funksionon pjesë-pjesë e gradualisht", - vijon më tej ai dhe pasi merr një model këmbe të njeriut me 26 kocka pohon: “Këtë p.sh. nuk ke pse e modelon me 26 pjesë të lëvizshme."

"Këmbët e njeriut kanë kaq shumë kocka pasi paraardhësit tanë, disi të ngjashëm me majmunët e sotëm, kishin nevojë për këmbë sa më praktike për t'u kapur nëpër degët e pemëve. Por me largimin prej pemëve dhe duke filluar të ecin ngritur në këmbë, rreth 5 milionë vite më parë, këmbëve të njeriut iu desh të bëheshin më "të ngurta" - kështu dalëngadalë gishti i madh, i cili tanimë nuk përthyhej më, u drejtvijua me gishtat e tjerë derisa paraardhësit tanë zhvilluan një hark përgjatë shputës, i cili filloi të funksiononte si zbutës i goditjeve gjatë ecjes", - thotë De-Silva.

"Këmba u modifikua kështu për të qenë më e papërkulshme", shkon më tej ai. "Këto kocka kanë parë shumë deri sa kanë ardhur këtu".

Dhe vërtet këmba e njeriut lë ende sot shumë vend për spërdredhje para-mbrapa, ndërsa harku i shputës gjithashtu pëson shembje. Janë pikërisht këto arsyet e ndrydhjeve, dëmtimit të tendonave, shembjeve të thembrës dhe thyerjeve të kyçeve që pësojnë shpesh njerëzit.

Por këto nuk janë probleme vetëm të kohëve tona. Fosilet tregojnë për kyçe të thyera, që më pas janë shëruar, edhe 3 milionë vite më parë.

De-Silva vijon duke thënë se nëse trupi i njeriut do të modelohej me objektiv efikasitetin, atëherë skeleti i këmbës do të përngjante më shumë me atë të strucit, me kyçin dhe kockat e shputës të njësoheshin në një strukturë të vetme, e cila do t'i jepte kërcimin e nevojshëm hapit të njeriut - ndërsa shputa do të kishte vetëm dy gishta për ndihmesë gjatë vrapimit.

"Pse të mos kemi këmbë të tilla?" - pyet retorikisht De-Silva, por që gjithsesi merr përgjigje nga studimet shkencore. Një prej arsyeve pse njeriu nuk ka zhvilluar këmbë të tilla është fakti se strucët e kanë nisur ecjen e tyre ngritur mbi dy këmbë rreth 230 milionë vite më parë, në epokën e dinozaurëve, ndërsa paraardhësit tanë kanë vetëm 5 milionë vite bagazh në këtë drejtim.

Në vijim të takimit fjalën e mori Brus Latimeri, i Universitetit "CWR" të Ohajos, SHBA, i cili u hodh në analizën e shtyllës kurrizore. Sipas Latimerit kur njerëzit nisën të qëndrojnë në këmbë, shtylla kurrizore që kishin trashëguar asokohe ishte zhvilluar për të qenë më e ngurtë për efikasitet në kacavjerrje dhe lëvizje nëpër pemë - por njeriu tani e rrotulloi në 90°, pra vertikalisht, një punë që Latimeri e krahason me mbivendosjen e 26 filxhanëve e pjatave të tyre mbi njëri-tjetrin (rruazat dhe disqet nga pikëpamja anatomike) të cilat mbajnë në krye dhe një kokë për drejtpeshim. Kështu për të mos bllokuar kanalin e lindjes si dhe për të drejtpeshuar kraharorin mbi dy këmbët, shtyllës kurrizore të njeriut iu desh tani të merrte formën e njohur të lakuar, të ngjashme me "S".

Tërë ky lakim, me peshën e kokës dhe të organeve të tjera të trupit, ushtrojnë trysni mbi shtyllën kurrizore duke shkaktuar dhe problemet me mesin që hasin njerëzit me kalimin e kohës, sidomos në sporte si p.sh. futbolli, gjimnastika apo noti i lirë. Vetëm në SHBA, p.sh. rreth 700 000 njerëz në vit pësojnë thyerje të shtyllës kurrizore dhe probleme të mesis, të cilat përbëjnë dhe problemin nr. 6 shëndetësor në botë sot.

"Nëse kujdesesh për shtyllën kurrizore, do të jesh në rregull deri në 40-50 vjeç, por më mbrapa je në mëshirë të fatit." - përfundon Latimeri.

Paleoantropologia e Universitetit të Delauerit, Karen Rozenbergu, vijoi më tej me faktin se trupit të njeriut iu desh gjithashtu t'i përshtatej ecjes në këmbë dhe trurit më të madh, me gjithë kufizimet e kanalit të lindjes, për t'u mundësuar mbijetesën bebeve si dhe vetë llojit njeri.

"Vdekja gjatë lindjes ka qenë shkaku kryesor i vdekjes së femrave në moshën e pjellorisë." - thotë ajo duke vijuar më tej me sqarimin se kjo ndodh pasi në dallim nga gjitarët e tjerë, njerëzit lindin bebe me trupa dhe kokë më të mëdha; Mesatarisht bebja e njeriut është sa 6,1% e trupit të nënës, ndërsa te shimpanzetë vetëm 3,3% e te gorillat 2,7%.

Me gjithë këto probleme strukturore të fizikut, që paraqisnin rrezik vdekjeje dhe lëndimesh të ndryshme gjatë lindjes, paraardhësit tanë, sipas Rozenbergut, i dhanë zgjidhje me anë të ndihmës shoqërore.

Sot njerëzit për të lehtësuar lindjen mbështeten mbi kulturën e tyre, tashmë në trajtën e mjekësisë bashkëkohore. Një provë e kësaj është dhe fakti se rreth 30% e lindjeve në SHBA, sipas antropologes, kryhen tanimë me operacion.

"Cila të jetë vallë arsyeja që përmendim gjithë këto probleme të anatomisë njerëzore? I përmendim pikërisht, për të vënë në dukje faktin se evolucioni nuk ka krijim", - thotë antropologu Mat Kartmill, i Universitetit të Bostonit, pjesëmarrës në takim. "Përkundrazi ai punon ngadalë mbi gjenet dhe mbi tiparet që trashëgon, për të modifikuar strukturën e trupit të kafshëve dhe të njeriut sipas ndryshimeve dhe kërkesave të habitatit. Evolucioni nuk shkon drejt përsosmërisë!", - thotë ai. "Shkon drejt funksionales".
Burimi16 shkurt 2013


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading