Prishtinë: Pas lufte janë ndërtuar 11 xhami, 9 të paligjshme


Vetëm 2 nga 11 xhamitë e reja që janë ndërtuar pas luftës në Prishtinë, kanë leje ndërtimi. Kështu ka deklaruar për “Kohën Ditore” kreu i Drejtorisë së Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, Behxhet Musliu, duke sqaruar në detaje se pas lufte në Prishtinë janë ndërtuar xhami pothuajse në çdo lagje të qytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këtu ai ka përmendur xhaminë e ndërtuar në “Kodrën e Trimave”, në “Kodrën e Diellit”, në “Arbëri”, në Fushën e Pajtimit, lagjen “Taukbashçe”, në “Tophane”, tek tregu i Komunës në afërsi të ish-Fabrikës së Amortizatorëve, në lagjen “Sofalia”, në lagjen “Kalabria”, si dhe zgjerimi i dy xhamive të vjetra, njëra në afërsi të tregut të gjelbër dhe ajo në Lagjen e muhaxhirëve.

E në këtë listë nuk hyjnë edhe dy xhamitë më të reja që kanë filluar të ndërtohen, njëra në lagjen “Mati”, dhe njëra në “Taslixhe”, tek të cilat ka ndërhyrë Inspektorati komunal për të parandaluar ndërtimin, pasi që edhe ato janë pa leje ndërtimore.

Musliu ka pohuar se disa nga këto xhami madje janë ndërtuar edhe në pronë komunale dhe madje pa vendim të Komunës për ndarje të parcelës, si dhe pa u pajisur fare me leje ndërtimore.

“Me përjashtim të dy xhamive, asaj në Lagjen e Pajtimit, si dhe në Kalabri, si dhe xhamisë së rindërtuar tek Tregu i Gjelbër, të gjitha objektet e tjera fetare të ndërtuara pas lufte nëpër qytet, nuk kanë leje ndërtimore”, është shprehur Musliu.

Ai madje ka përmendur se leja për rindërtimin e xhamisë tek Tregu i Gjelbër është tejkaluar, pasi Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) as këtu nuk ka respektuar parametrat që janë dhënë përmes lejes së ndërtimit.

“Edhe aty ka pasur shumë tejkalime të lejes ndërtimore”, ka nënvizuar Musliu. Ai ka shtuar se Komuna madje nuk i di as kufijtë e parcelave të xhamive të ndërtuara pa leje. “Disa nga to janë ndërtuar jo vetëm pa leje, por edhe në pronë komunale, pa pasur vendim të Kuvendit Komunal, ndërsa atyre nuk u dihen as kufijtë”, ka deklaruar Musliu.

E zyrtarë të lartë në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës e pranojnë se pas lufte pothuajse në çdo lagje të qytetit janë ndërtuar xhami të reja.

Adnan Bërbatovci, sekretar në këtë Këshill, ka thënë për gazetën se ndërtimi i të gjitha xhamive është bërë me kërkesë të besimtarëve, për çka ata kanë shprehur nevojën për objekte të kultit, pasi që ka pasur mungesë të madhe të tyre.

“Këto xhami janë ndërtuar me kërkesë të besimtarëve, që njëkohësisht janë edhe votues të Komunës, e madje ka kërkesa edhe për xhami të tjera të reja”, ka thënë Bërbatovci.

Ai vetë i ka përmendur me emra secilën prej këtyre xhamive të ndërtuara, por ka deklaruar se pos atyre që ka ndërtuar me lejen e Komunës, ka edhe disa të tjera që, sipas tij, janë “mesxhid”, apo shtëpi private të shndërruara në xhami.

Të tilla, sipas tij, janë xhamia në “Bregun e Diellit”, dhe ajo tek Tregu në afërsi të ish-Fabrikës së Amortizatorëve.

Ndryshe, Bërbatovci nuk ka pranuar të thotë se cilat nga xhamitë janë ndërtuar pa leje dhe pa vendim të Komunës, ndonëse nuk e ka mohuar një gjë të tillë.

“Ne kemi ndërtuar disa xhami apo objekte të kultit pa leje ndërtimore, por kjo është bërë me kërkesë të besimtarëve të fesë islame”, ka vlerësuar Bërbatovci. Por, për këtë ai ka kërkuar “mirëkuptim” nga Komuna e Prishtinës. “Të gjitha kontestet që mund të ekzistojnë rreth këtyre xhamive, qoftë pronësore apo të tjera, besoj se do të zgjidhen me një mirëkuptim ndërmjet Komunës dhe BIK-ut”, ka thënë Bërbatovci.

Ai është shprehur i bindur se një mirëkuptim i tillë edhe do të gjendet, përderisa publikisht ka deklaruar se BIK-u falënderon Komunën për ndarjen e trojeve për të ndërtuar xhami të reja, siç është ajo tek Fusha e Pajtimit, në Kalabri e së fundi edhe për Xhaminë Qendrore së cilës i është vënë guri i themelit para pak ditësh, në afërsi të Postës së Re.

“Ne e falënderojmë Komunën për ndarjen e trojeve për ndërtimin e xhamive që janë ndërtuar në shërbim të qytetarëve dhe besimtarëve të fesë islame”, ka thënë Bërbatovci.

Ndonëse, në BIK nuk janë deklaruar fare nëse për xhamitë pa leje është bërë kërkesë për legalizim në Komunë, në listën zyrtare të aplikuesve për legalizimin, të cilën e ka gazeta, rezulton vetëm një kërkesë për legalizimin e një xhamie. Fjala është për një kërkesë që është adresuar në emër të BIK-ut, për një xhami të paraqitur si e ndërtuar në lagjen “Vellusha” nr.15.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të lartë komunalë xhamitë, ndërtimi i të cilave ka përfunduar, nuk pritet të rrënohen, edhe nëse për to është aplikuar gjatë procesit të legalizimit apo jo.

Muhamet Gashi, kryeinspektor në Komunë, ka thënë se ato objekte të kultit që tashmë janë ndërtuar në Prishtinë, duhet t’u jepet mundësi që të legalizohen.

“Atyre duhet t’u jepet mundësia për t’u legalizuar, kurse për objektet e reja që llogaritet të ndërtohen, për to patjetër duhet të jenë me leje ndërtimore, sepse normalisht që edhe BIK-u duhet të respektojë ligjin”, ka saktësuar Gashi.

Ai ka vlerësuar se objekte pa leje janë ndërtuar gjithkah nëpër qytet në 20 vjetët e fundit, përfshirë këtu edhe xhamitë.

“Dhe atyre që janë përfunduar me ndërtim duhet t’u jepet mundësia për legalizim, dhe nuk mund të hyhet me rrënim, para se të shikohet mundësia e gjetjes së ndonjë mënyre për legalizimin e tyre, përmes adoptimit të planeve rregulluese”, ka theksuar Gashi.
Burimi15 tetor 2012


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading