Kosovë: Janë ndërtuar mbi 100 xhami të paligjshme gjatë këtij dhjetëvjeçari


Lulëzimi i ndërtimeve ilegale që i ka kapluar qytetet dhe fshatrat e Kosovës nuk ka përfshirë vetëm shtëpi e lokale afariste. Një hulumtim i kryer në disa komuna të Kosovës nga Gazeta Jeta në Kosovë, ka zbuluar se në dhjetë vitet e fundit janë ndërtuar më shumë se 100 xhami pa pëlqim përkatës.

Deri në publikimin e këtij shkrimi janë ndërmarrë veprime vetëm ndaj një xhamie të tillë ilegale, ndërkaq autoritetet lokale thanë për Gazeta Jeta në Kosovë se ato ngurrojnë të ndërmarrin veprime për largimin e ndërtesave të tilla.

Që nga viti 1999, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) i ka rindërtuar 113 xhami të dëmtuara gjatë luftës dhe i ka ndërtuar 155 xhami të tjera, falë fondeve të siguruara përmes kanaleve të ndryshme. Hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovë zbuloi se pothuajse të gjitha këto xhami janë ndërtuar në mënyrë ilegale.

“Ne i kemi riparuar apo rindërtuar 113 nga 218 xhamitë e shkatërruara gjatë luftës”, tha Sabri Bajgora nga BIK. “Përveç kësaj, ne deri në fund të vitit 2010 kemi ndërtuar edhe 155 xhami të reja, ndërsa aktualisht jemi duke ndërtuar edhe 20 sish”.

Gazeta JnK ka hulumtuar gjendjen në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë. Autoritetet komunale të të gjitha këtyre qyteteve kanë pranuar se në territoret e tyre janë ngritur xhami ilegale, në veçanti në zonat rurale, megjithëse disa prej tyre nuk deshën të japin shifra të sakta.


Prizreni, qyteti i minareve ilegale

Prizreni njihet për arkitekturën e lashtë otomane të tij, por tani po bëhet i njohur për faktin se nga viti 1999 janë ngritur një numër i madh i minareve ilegale. Autoritetet komunale thanë për Gazeta JnK se 70 për qind të xhamive të qytetit nuk kanë lejet përkatëse.

Bashkësia Islame tha se Prizreni ka numrin më të madh të xhamive në vend – 77 sish. Nëse shifrat e dhëna nga komuna janë të sakta, atëherë 54 xhami në Prizren janë ilegale.

Drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban, Sadik Paçarizi, tha: “Nga të gjitha objektet fetare, përfshirë edhe kishat katolike e ortodokse, xhamitë më së shpeshti shkelin ligjin. Rreth 70 për qind të xhamive në komunën tonë nuk kanë leje të ndërtimit.”

Ai shtoi se është hartuar plani për rrënimin e xhamive ilegale, por shtoi se zbatimi i tij është shtyrë deri në zgjidhjen e problemeve më të mëdha sa i përket ndërtimeve pa leje në këtë qytet.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, pranoi se në komunën e tij pothuajse të gjitha xhamitë e ndërtuara pas luftës janë ndërtuar pa leje ndërtimi. Por, ai thotë se prej kur ai ka marrë pozitën e kryetarit në vitin 2007, situata ka ndryshuar për të mirë.

Sipas BIK, Kosova ka gjithsej 660 xhami. Nga ky numër, 607 janë aktive, 25 janë në ndërtim e sipër, ndërsa 28 nuk janë aktive. Këto shifra janë nga dhjetori i vitit 2010, ndërsa ndërkohë ka filluar ndërtimi i njëzet xhamive të tjera.

Prizreni – 77 xhami
Ferizaj – 61 xhami
Prishtina – 53 xhami
Gjilani – 37 xhami
Gjakova – 34 xhami
Mitrovica – 17 xhami
Peja – 26 xhami

“Që nga koha kur unë e kam marrë pozitën e kryetarit, ky fenomen është ndalur, sepse ne kemi bërë marrëveshje me BIK-un për këtë çështje,” tha ai. “Tani, ata kërkojnë lejet përkatëse para fillimit të ndërtimit të xhamive”, shtoi Mustafa. Megjithatë, ai konfirmoi se asnjë xhami e ndërtuar në mënyrë ilegale nuk është rrënuar.

Në qytetin e Gjakovës, në perëndim të vendit, që nga fundi i luftës në vitin 1999 nuk është prekur asnjë xhami ilegale. “Arsyeja përse nuk desha të shkatërroj asnjë ndërtesë të tillë është sepse këto objekte konsiderohen të shenjta dhe të dobishme për qytetarët”, tha kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.

Drejtori i Drejtorisë për Planifikim Urban në Pejë, Gazmend Muhaxheri, tha se ai nuk kishte shifra të sakta lidhur me numrin e ndërtimeve ilegale, por e pranoi se disa xhami janë ndërtuar pa leje.

“Disa xhami ilegale janë ndërtuar pas luftës, por kohëve të fundit ndërtuesit e tyre kanë filluar të kërkojnë lejet përkatëse nga komuna”, tha ai. “Për momentin ne jemi duke shqyrtuar disa kërkesa të tilla”.

Zyrtarët në Ferizaj dhe Mitrovicë nuk deshën të komentojnë këtë çështje.


Për Prishtinën kjo çështje nuk paraqet prioritet

Komuna e Prishtinës ka thënë për Prishtina Insight se para disa vitesh e kishte rrëzuar një xhami që kishte filluar të ndërtohet pa leje. Përkundër kësaj, në të njëjtin vend ishte ndërtuar një xhami tjetër ilegale.

Muhamet Gashi, ushtrues detyre i Drejtorit të Inspeksionit, tha se xhamitë nuk janë prioritet, kur kemi parasysh problemet e përgjithshme që qyteti ka me ndërtimet ilegale.

“Për momentin ne nuk kemi në plan rrënimin e asnjë xhamie ilegale, pasi që jemi në pritje të ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Pas miratimit të tij, ne do t’i shqyrtojmë të gjitha ndërtimet pa leje, përfshirë edhe xhamitë”, tha Gashi.

“Komuna e Prishitnës ka dhënë leje për restaurimin e xhamive, por jo edhe për ndërtimin e xhamive të reja”, shtoi ai.

Kjo paraqet një çështje tejet të ndjeshme për Prishtinën, pasi që bashkësia islame këtë vit pati protestuar tek komuna për shkak të paaftësisë së kësaj të fundit të t’ua gjej një lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e një xhamie të re në qendër të qytetit.

Ata ankohen për shkak se situata e tyre po dallon shumë nga situata e komunitetit të vogël katolik të qytetit. Komuna u kishte siguruar atyre një lokacion të përkryer për ndërtimin e një katedraleje, e cila u hap vitin e kaluar.

Muhamet Gashi tha se komuna veç i ka dhënë BIK-ut lejen për ta ndërtuar xhaminë në një parcelë të madhe në skaj të qendrës së qytetit, por BIK-u a ke refuzuar atë.

“Çështja tani ka ngecur. Ne nuk kemi vende të tjera të cilat mund t’ua ofrojmë, prandaj nuk ka pasur përparime në këtë kuptim”, tha Gashi.

Sabri Bajgora tha se kërkesat e tyre për një lokacion në qendër të qytetit nuk kanë të bëjnë fare me pozitën e katedrales së re; ato kanë të bëjnë me lehtësinë e qasjes.

“Lokacioni [i ofruar] afër ndërtesës së PTK-së [Postës the Telekomunikacionit të Kosovës] nuk është i mirë ngase parcela është e vogël dhe nuk gjendet në qendër,” tha ai. “Vendi më i mirë për ndërtimin e një xhamie të madhe mbetet lokacioni afër Universitetit të Prishtinës, para Institutit Albanologjik”.

“Ky është vendi më i mirë, por ne ende nuk jemi marrë vesh me komunën. Ne jemi në pritje të një përgjigjeje nga ta, por deri tani, nuk ka pasur kurrfarë zhvillimi”.

Behxhet Shala, Drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, na tha se arsyeja për mostrajtimin e xhamive ilegale nga kryetarët e komunave është se ky akt mund të vlerësohet si akt sulmi mbi lirinë fetare.

Ai shtoi se as kisha ortodokse serbe, ndërtimi i së cilës është nisur në parkun pranë Universitetit të Prishtinës, nuk është prekur që kur ka filluar ndërtimi i saj në mesin e viteve të 90-ta.

“Po të rrënohej kjo kishë ilegale menjëherë pas luftës [në vitin 1999], kjo do të paraqiste një shembull për ndërtimet tjera ilegale nga BIK-u”, tha z. Shala. “Tani është më vështirë që të trajtohen.”

Megjithatë, sipas tij, kjo çështje duhet adresuar herët a vonë. Sabri Bajgora nga BIK pranon se xhamitë janë ndërtuar pa leje përkatëse. “Thënë sinqerisht, disa xhami janë ndërtuar pa leje nga komuna, kryesisht nëpër fshatra. Por, asnjë xhami nuk është ndërtuar pa lejen tonë”, tha ai.

Bahri Sejdiu, udhëheqës i BIK-ut për Prishtinë, gjithashtu pranon se shumica e xhamive në qendër të qytetit nuk kanë leje, por, për këtë e fajëson komunën. “Shumica e xhamive të Prishtinës janë ndërtuar pa leje, për shkak se komuna me muaj të tërë nuk i trajton kërkesat për ndërtimin e tyre,” tha z. Sejdiu.
Burimi12 janar 2012


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading