NASA: Sonda e misionit MSL mbërrin në Mars


Sonda më e përparuar deri më sot e NASA-s ka mbërritur në Mars, në orën 07:31 të Shqipërisë. Sonda njëtonëshe ka zbritur me anë të litarëve sipas itinerarit të projektuar për publikun rreth një vit më parë, pas 36 javësh fluturimi.

Misioni rezultoi i suksesshëm në çdo hap të zbarkimit, në përpjekjen më të ndërlikuar të provuar ndonjëherë deri më sot mbi planetin fqinj.

"[Sonda] do të përpiqet t'u japë përgjigje pyetjeve të vjetra rreth ekzistencës së jetës në Mars", tha drejtori i NASA-s Çarls Bolden.

Sonda ka sjellë ndërkaq dhe pamjet e para nga planeti, ku duket terreni shkëmbor përpara saj, ndërsa priten dhe pamje të tjera ditët e ardhshme gjatë bashkërendimit të vrojtimeve në terren me veprimet e mëtejshme për konfigurimin dhe kontrollin e pajisjeve të instaluara.

Konfirmimi i zbarkimit të suksesshëm të sondës erdhi nga anija "Odyssey" e NASA-s që ndodhet në orbitë rreth Marsit. Sinjali i anijes iu përcoll stacionit marrës të NASA-s në Kanberrë të Australisë.

Sonda, e mbiquajtur "Curiosity" ka të instaluara 10 instrumente shkencore me peshë gjithsej 15 herë më të rëndë se sondat e mëparshme. Disa prej instrumenteve janë të parat në llojin e tyre në planet, si p.sh. lazeri për kontrollin në largësi të përbërjes së shkëmbinjve. Sonda do të përdorë dhe turjelë e lopatëz në skajin e krahut robotik për mbledhjen e dheut dhe të kampioneve shkëmbore, të cilat do t'i nënshtrohen më tej përzgjedhjes dhe analizës me instrumentet e tjera brenda trupit të sondës.
Burimi6 gusht 2012


Komente

krikëlli
krikëlli 
6 gusht 2012, 20:50

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading