NASA: Sonda "Kepler" zbulon planete me dy diej


Më pak se një vit nga njoftimi për planetin e parë që orbitonte rreth dy diejve, emërtuar Kepler-16b, misioni "Kepler" i NASA-s ka zbuluar tashmë një sërë planetësh të tillë. Ky sistem, i njohur si sistem planetar qarkdyshëm, është 4900 vite-dritë larg Tokës në yjësinë e Mjellmës.

Zbulimi provon se planetët mund të formohen dhe të qëndrojnë dhe në kushtet e vështira të sistemeve dydiellore, çka për më tej shërben dhe si tregues i shumëllojshmërisë së sistemeve planetare në galaktikën tonë.

Astronomët i diktuan dy planetët në sistemin Kepler-47 me dy yje që eklipsojnë njëri tjetrin çdo 7,5 ditë nga pikëvrojtimi ynë tokësor. Njëri diell i këtij sistemi ka madhësinë e Diellit tonë, por vetëm 84% të shkëlqimit të tij. Dielli tjetër është i vogël, me masë vetëm sa një e treta e Diellit dhe më pak se 1% e shkëlqimit të këtij.

"Ndryshe nga planetët që orbitojnë rreth një dielli, në sistemet qarkdyshme planetët duhet të përshkojnë trajektore të luhatshme. Si pasojë e kësaj, intervalet kohore midis përshkimeve dhe kohëzgjatjes së secilit në këtë trajektore mund të luhaten shumë, disa herë janë të shkurtra, disa të tjera të gjata" - thotë profesori i Astronomisë, Xherom Orosh, i Universitetit Shtetëror të San Diegos, SHBA, i cili dhe drejton studimin në fjalë. "Intervalet ishin treguesi se këta planetë janë në fakt në orbitë qarkdyshme."

Planeti i brendshëm, Kepler-47b, orbiton dy diej në më pak se 50 ditë. E ndërsa nuk mund të shikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, mendohet se është tepër i nxehtë, ku shpërbërja e metanit në atmosferën e tij të mbinxehur mund të shkaktojë një mjegull të rëndë që rrethon planetin. Me tri herë rrezen e Tokës, Kepler-47b është planeti më i vogël qarkdyshëm i njohur deri më tash.

Planeti i jashtëm, Kepler-47c, orbiton dy diejt çdo 303 ditë, duke e vendosur kështu në "zonën e banueshme", zonë e sistemeve planetare ku mund të ketë ujë në sipërfaqen e planetëve. Megjithëse nuk vlerësohet që në Kepler-47c të ketë jetë, planeti duket të jetë një gjigant i gaztë disi më i madh se Neptuni, ku mund të jenë të pranishme dhe re të mëdha e të shndritshme me avuj uji.

"Ndryshe nga Dielli ynë, shumë yje janë pjesë të sistemeve shumëdiellore ky dy a më shumë diej orbitojnë njëri-tjetrin. Çështja ka qenë gjithmonë, nëse kanë planetë dhe nëse përbëjnë sisteme planetare. Ky zbulim nga "Kepler"-i provon pikërisht se ndodh diçka e tillë," - thotë Uilliam Boruki, kryevrojtues për misionin Kepler, në qendrën kërkimore "Ames" të NASA-s, në Kaliforni. "Në kërkimet tona për planetë të banueshëm kemi hasur gjithnjë e më shumë raste ku janë krijuar kushtet për jetë."

Në kërkimin për planetë qarkdyshëm, ekipi kërkimor përdori të dhënat nga teleskopi hapësinor "Kepler", i cili kryen matje për mbi 150 000 yje. Vrojtimet e mëtejshme spektroskopike nga Toka me anë të teleskopëve të Universitetit të Teksasit, në Ostin, ndihmuan në përcaktimin e tipareve yjore. Rezultatet e këtyre kërkimeve janë botuar në revistën "Science".
Burimi29 gusht 2012


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading