Jetë gjysmësintetike deri në fund të këtij viti, pohon Kreg Venter


Ndonëse shkencëtarët nuk kanë përfunduar ende regjistrimin e tërë gjallesave të planetit, pionieri i gjenetikës Kreg Venter ecën përpara me planin e tij për krijimin e biologjisë version 2.0.

Venteri ndodhet tashmë në ballë të biologjisë sintetike, në të cilën shkencëtarët përpiqen të krijojnë organizma nga pjesët e tyre përbërëse gjenetike.

"Po kalojmë nga leximi i kodit në gjenetik, në shkrimin e tij", ka pohuar më herët Venteri për gazetën "Pittsburg Post". Tani ai së bashku me kolegët kanë hedhur një hap para drejt jetës sintetike.

Në një studim të botuar në revistën "Science", studiuesit shpjegojnë se si morën gjenomën e bakterit "Mycoplasma mycoides" dhe e zhvendosën në një qelizë tharmi, ku teknikat e derisotme të inxhinierisë gjenetike ofrojnë lehtësi manipulimi.

Pas ndryshimit të gjenomës me metoda kyçe, ata e transplantuan në zhguallin e zbrazët të një lloji tjetër bakteri që quajtur "Mycoplasma capricolum". Risia e madhe ndodhi kur gjenoma e ndryshuar "u ndez" dhe filloi t'i japë udhëzime bujtësit të ri që të prodhojë koloni të "M.mycoides"-it.

Ky sukses i ndihmoi studiuesit të tejkalojnë një pengesë kryeneçe që deri më tash nuk lejonte krijimin e formave të jetës nga zero.

Vitin e kaluar, ekipi i Venterit krijoi një gjenomë sintetike bakteriale duke ngjitur pjesë ADN-je të sintetizuar. Por për ndërtimin e një organizmi të tërë sintetik, studiuesve do t'iu duhet të transplantojnë gjenomën sintetike në një qelizë dhe ta "ndezin" qelizën me të dhënat e reja.

Deri tani ky hap i fundit ka qenë problematik. Gjenoma sintetike u zhvillua në tharm, ndaj dhe nuk përmbante disa shenja të caktuara molekulare të baktereve. Studiuesit zbuluan se pa këto shenja, bakteri bujtës e shikonte gjenomën e transplantuar si pushtues të huaj dhe e shkatërronte.

Në kërkimin e ri, studiuesit shtuan shenja kimike, të quajtura etiketa metili (methyl tags), në gjenomën e "M.mycoides"-it teksa ndodhej në qelizën e tharmit, duke i mundësuar kështu gjenomës të kamuflohej dhe të anashkalonte mbrojtjen e bakterit bujtës.

Për çfarë shërben, pra, krijimi i formave të reja të jetës, veç konstatimit se tashmë mundemi ta bëjmë diçka të tillë? Ekspertët e bio-sintit pohojnë se mikroorganizmat e riprojektuara sipas kësaj metode mund të kryejnë lloj-lloj funksionesh.

Tash-për-tash studiuesit janë të kënaqur me përdorimin e baktereve energjiprodhuese si rafineri njëqelizore të etanolit, biodizelit apo zëvendësuesve të tjerë të naftës, pa prekur më të lashtat bujqësore si gruri. Dhe fitimet janë të mëdha në këtë lloj ndërmarrjeje.

"Exxon Mobil" ka njoftuar së fundmi se do të investojë 600 mln USD në shoqërinë e Venterit "Synthetic Genomics", për të prodhuar lëndë djegëse nga algat. Ndërsa algat janë një organizëm më i ndërlikuar se bakteret e thjeshta me të cilat ka punuar deri tani Venteri, për sa botohen në revistën "Science", parimet e manipulimit gjenetik me siguri që do të jenë të dobishme në kërkimin e mëtejshëm.

Venteri ka një historik përpjekjesh të guximshme. Në vitet 1990 ai themeloi një shoqëri private për gjenomat, e cila garoi krah shkencëtarëve të shtetit amerikan në përpilimin e draftit të parë të gjenomës së njeriut. Ai njihet gjithashtu dhe si vetëreklamues por që ka dhe vesin e të bërit premtime të mëdha, ndaj dhe pohimet e tij të fundit për përparimin drejt jetës sintetike nuk kanë shkaktuar dhe shumë habi në qarqet shkencore.

"Nëse nuk bëjmë gabime rrugës, mendoj se kjo do të funksionojë dhe do të kemi llojin e parë të gjallesave sintetike deri në fund të këtij viti", ka thënë Venteri për gazetën "The Times".

Kjo mund të duket optimiste, por për sa kohë që përpjekjet e Venterit për gjenomën e njeriut njihen gjerësisht për shtysën që i dhanë projektit të përfundimit të hartës gjenetike 3 vjet përpara planit, shumë shkencëtarë do të presin me interes fundin e 2009-ës për të parë nëse do të jetë ky viti i parë i jetës sintetike.
Burimi30 gusht 2009


Komente

postieri
postieri 
22 maj 2010, 08:15
Citim:
Krijohet qeliza e parë artificiale me ADN në e njeriut

Uashington, 21 maj Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara thanë se kanë zhvilluar me sukses qelizën e parë të gjallë me material sintetik. Kjo qelizë është bërë bazuar në ADN në e njeriut.

Shkencëtarët e Institutit Kreg Venter në afërsi të Uashingtonit thanë se e krijuan së pari në kompjuter për ta transplantuar më pas në një qelizë pritëse. Mikrobi i ri i krijuar duket dhe sillet si një specie e shumuar normalisht.

Kreg Venter, themeluesoi dhe presidenti i Institutit ku u bë zbulimi deklaroi: "Kjo është hera e parë që prodhohet një qelizë sintetike nga një kromozom sintetik. Kjo është një mënyrë e re sesi t?i bëjmë gjërat në shkencë".

Mbështetësit e kësaj teknologjie pohojnë se zbulimi i fundit mund të përdoret në të ardhmen për të prodhuar karburante apo vaksina ose materiale, që mund të ndihmojnë për të pastruar mjedisin.

http://www.kosova.com/artikulli/61992

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading