Paleontologji: Zogjtë mund të kenë zhdukur kandrrat e mëdha parahistorike


Kandrra të stërmëdha sundonin qiejt parahistorikë gjatë periudhave kur atmosfera e Tokës ishte e pasur në oksigjen. Përmasat më të mëdha kandrrat i arritën rreth 300 milionë vite më parë gjatë periudhave të karboniferit dhe të permianit të hershëm. Kjo ishte dhe koha e fluturakëve grabitqarë të ngjashëm me pilivesat që kishin hapje krahu deri në 70 cm.

Vlerësohet sot se përmasat e mëdha të kandrrave të hershme vijnë nga përqendrimi i lartë i oksigjenit në ajër gjatë asaj kohe, mbi 30% (në dallim nga 21% në ditët e sotme), çka u mundësonte të merrnin frymë mjaftueshëm përmes gypave të hollë që përdorin kandrrat, pa qenë nevoja për mushkëri.

Shkencëtarët kanë përpiluar një bazë të gjerë të dhënash me përmasat e kandrrave të fosilizuara të regjistruara deri më sot, mbi të cilat kanë nxjerrë disa përfundime nëse vërtet sasia e oksigjenit në ajër përkon me luhatjen në përmasat e kandrrave, siç mendohet. Rezultatet janë botuar në periodikun e Akademisë së Shkencave të SHBA-së.

"Madhësia maksimale e kandrrave nuk përkon dhe aq mirë me oksigjenin, pasi shkon sa lart, poshtë, për rreth 200 milionë vite," - thotë autori Methju Klapham, prof. i shkencave natyrore në Universitetin e Kalifornisë, SHBA.

"Mandej, pikërisht nga fundi i jurasikut dhe nga fillimi i kretacenit, rreth 150 milionë vite më parë, papritmas, oksigjeni në ajër rritet, por madhësia e insekteve bie. Dhe kjo përkon në fakt me evoluimin e zogjve."

Me ardhjen e zogjve grabitqarë, nevoja për manovrim u bë forca shtytëse pas evoluimit të kandrrave fluturake, duke favorizuar kështu kandrrat më të shkathëta me përmasa më të vogla trupore.

"Përfundimet mbështeten në një analizë pak a shumë të drejtpërdrejtë," - thotë dr. Klapham. "Por gjetja e të dhënave ishte punë e mundimshme".

Në bazën e të dhënave, të krijuar nga shqyrtimi i botimeve të tëra mbi kandrrat e fosilizuara, janë grumbulluar mbi 10 500 zëra ku shënohen gjatësitë e krahëve.

Për përqendrimin e oksigjenit në ajër gjatë periudhave të ndryshme të planetit, kërkuesit kanë shfrytëzuar modelin "Geocarbsulf" të zhvilluar nga gjeologu Robert Berner. Analiza u përsërit gjithashtu me një model të dytë, por me të njëjtat përfundime.

Studimi në fjalë nuk dha ndonjë mbështetje për ndikimin e pterozaurëve - zvarranikët flutures që u zhvilluan në triasikun e vonë rreth 230 milionë vite më parë - mbi madhësinë e kandrrave. Gjatë triasikut, pra, pas shfaqjes së pterozaurëve, kishte insekte më të mëdha se gjatë jurasikut. Por hendeku 20-milionë-vjeçar në regjistrat e fosileve e vështirëson përpjekjen për të treguar se kur ndryshoi madhësia e kandrrave. Rënia e niveleve të oksigjenit gjatë po asaj kohe e ndërlikon edhe më tej analizën.

Një tjetër ndryshim në madhësinë e kandrrave ndodhi në fund të kretacenit, midis 90 dhe 65 milionë vite më parë. Por, dhe këtu, mungesa e fosileve e vështirëson gjurmimin e ndryshimeve në madhësi dhe faktorët mund të jenë nga më të ndryshmit, mes të cilëve specializimi i vazhduar i zogjve, evoluimi i lakuriqëve të natës dhe zhdukja masive në fund të kretacenit.

"Them se vjen nga specializimi i vazhduar i zogjve," - thotë dr. Klaphami. "Zogjtë e hershëm nuk ishin shumë të zotë në fluturim. Por nga fundi i kretacenit, zogjtë ngjanin tashmë së tepërmi me ata të sotmit."

Dr. Klaphami theksoi se studimi u përqendrua mbi ndryshimet në madhësinë maksimale të kandrrave përgjatë kohës. Madhësia mesatare e kandrrave është shumë më e vështirë të përcaktohet për shkak të mungesës së të dhënave, pasi kandrrat më të mëdha kanë pasur më tepër gjasë të konservohen dhe të zbulohen si fosile se sa ato të përmasave të rëndomta.
Burimi8 qershor 2012


Komente

kalimtar/e
komandant tejlor 
22 qershor 2012, 14:19
kujdes nga pilivesat spiune

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading