SHBA: Qelizat staminale mundësojnë krijimin e pjesëve muskulore për zemrën


Një metodë e re e zhvilluar në Qendrën Kërkimore të Aritmisë në Universitetin e Miçiganit, SHBA, ka shfrytëzuar me sukses qelizat staminale për të krijuar qeliza të zemrës që simulojnë funksionin e saj tkurrës.

Qelizat kanë dhënë veprimtari të ngjashme me rrahjet e zemrës së shumicës së njerëzve. Me 60 rrahje në minutë përcjellja e impulsit elektrik të qelizave rezultoi 10 herë më e shpejtë se ç'ishte arritur në studimet e mëparshme të fushës.

Për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, qelizat staminale përbëjnë tashmë një fushë të re të kërkimeve dhe të zgjidhjeve mjekësore.

"Deri më sot, pjesa më e madhe e studimeve që kanë përdorur qeliza pluripotente muskulore me prejardhje staminale janë përqendruar në analizën funksionale të një qelize të vetme," - thotë profesori Tod Herroni, i Universitetit të Miçiganit dhe pjesë e ekipit kërkimor. "Për terapi rigjenerimi kardiak me bazë qelizash staminale është e domosdoshme të zhvillohet ind shumëqelizor në formë konstrukti që rreh si njësi e vetme," - vijon Herroni.

Objektivi i biologëve në bashkëpunim dhe me universitete të tjera është të zhvillojnë një procedurë të plotë bioinxhinierike me anë të qelizave staminale të marra nga kampione lëkure, të cilat mund të përdoren në vijim për krijimin e sasive të mëdha të qelizave të muskujve të zemrës që mund të punojnë në njësi dhe të përcjellin në mënyrë të njëtrajtshme impulset elektrike.

Për më tej, ekipi ka zhvilluar gjithashtu një platformë fluoreshente fotografimi me ndriçim drite LED për të matur veprimtarinë elektrike të qelizave.

Autorët e studimit theksojnë se shpejtësia e arritur e rrahjeve me metodën e re, megjithëse më e lartë se raportimet e mëparshme, mbetet ende më e ulët se shpejtësia natyrore në zemrën e një personi të rritur.

Metoda e re sakaq mund të përdoret në laboratorët kërkimorë dhe mundëson përdorimin e pjesëve muskulore me qeliza staminale për kërkime në shërimin e sëmundjeve, testim të kurave të reja dhe riparim të muskujve të dëmtuar të zemrës.
Burimi18 qershor 2012


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading