Japoni: Biologët rrisin pararendësin e syrit me qeliza staminale


Biologjia e qelizave staminale ka shënuar një sukses të ri në përpjekjen për zhvillimin e organeve të gjitarëve në laborator. Biologu Joshiki Sasai, i Qendrës "RIKEN" për Biologjinë Zhvillimore në Kobe, Japoni, ka zhvilluar në laborator pararendësin e syrit të njeriut.

Struktura në fjalë, e quajtur disk optik, është 550 mikrometra në diametër dhe përmban disa shtresa qelizash retinale së bashku me fotoreceptorët.

Kjo arritje ka ngritur shpresat se doktorët një ditë do të mund të riparojnë në klinikë sytë e dëmtuar. Por për biologët, ajo çka është më e rëndësishme është se disku optik arriti të zhvillonte strukturën e vet pa drejtim nga jashtë.

Syri i njeriut ka një strukturë të ndërlikuar, por informacioni se si duhet ngritur kjo strukturë përmbahet brenda vetë qelizave. Deri më sot, biologët kanë mundur të zhvillojnë qeliza staminale embrionale në fletë dypërmasore, por gjatë katër viteve të fundit Sasai ka përdorur qeliza staminale embrionale të kavjeve për të rritur në mënyrë të organizuar dhe në vëllim trepërmasor inde të kores së trurit, të gjëndrës pituitare dhe të diskut optik. Ndërsa rezultati i tij i fundit shënon tashmë herën e parë që biologjia ka arritur të bëjë të njëjtën gjë me qeliza njerëzore.

Pjesët e ndryshme të diskut optik rriten në pak a shumë të njëjtën mënyrë si ato të diskut optik të kavjeve. Kjo rikonfirmon faktin e biologjisë se informacioni vjen nga brenda qelizës dhe nuk varet nga nxitës të jashtëm

Në eksperimentin e Sasait, qelizat pararendëse retinale krijuan vetiu një sferë indi epitelial dhe u frynë për jashtë për të krijuar një flluskë të quajtur fshikëz e syrit. Kjo strukturë elastike u soll më pas rreth vetes për të krijuar një qeskë, duke formuar kështu diskun optik me paret të jashtëm (epiteli retinal) dhe një paret të brendshëm të përbërë nga shtresa qelizash retinale duke përfshirë dhe fotoreceptorë, qeliza dypolare dhe qeliza të nyjës nervore.

"Kjo i jep fund një debati të gjatë," - thotë Sasai, - "në lidhje me atë nëse zhvillimi i diskut optik drejtohet nga faktorë të jashtëm apo të brendshëm".

Midis zhvillimit të diskut optik të kavjeve dhe të njeriut kishte disa dallime të lehta, por dallimi kryesor ishte në madhësi. Disku optik i njeriut ka dy herë diametrin dhe dhjetë herë vëllimin e atij të kavjes. "Është i madh dhe i trashë," - thotë Sasai. "Fakti që dhe madhësia përcaktohet nga qeliza është tepër interesant!" - shton Martin Pera, biolog i qelizave staminale në Universitetin e Kalifornisë së Jugut, SHBA.

Sasai thekson se qelizat në diskun optik janë "të pastra", ndryshe nga ato në agregagët dypërmasorë, të cilat mund të përmbajnë ende qeliza staminale embrionale. Kjo largon dhe shqetësimet nëse transplantimi i këtyre qelizave mund të zhvillohet më tej në kancer apo në fragmente indi të huaj.

"Është si të këpusësh një kokërr mollë nga pema, nuk do të dalë me hekur brenda.” - vijon Sasai. "Kështu as nuk do të zhvillohet kockë në vend të syrit.”

Okulistja Masajo Takahashi, e Qendrës "RIKEN", ka nisur tashmë transferimin e fletëve me retinë të këtyrë disqeve optike te kavjet. Ajo synon të bëjë të njëjtën gjë me majmunët në fund të këtij viti. Pyetja, ndaj së cilës të gjithë presin përgjigje, është nëse indi i transplantuar do të pranohet nga indi natyror.
Burimi15 qershor 2012


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading