SHBA: Inxhinieria gjenetike kundër plakjes


Me anë të inxhinierisë gjenetike një grup kërkimor në Boston ka arritur të prapakthejë plakjen e organeve në kavie laboratorike duke stimuluar riformimin e qelizave dhe të indeve.

Studimi, i botuar në revistën "Nature", ndihmon të kuptojmë pse disa organe dhe inde konsumohen me kalimin e kohës dhe jep shpresë se një ditë kjo formë plakjeje mund të ndalohet dhe madje të anasillet.

Me kalimin e viteve, shumë nga qelizat tona pushojnë së ndari në qeliza të reja, organet nuk kanë më mundësi të përtërijnë vetveten dhe në fund pushojnë së funksionuari. Shkencëtarët nuk e kanë ende të qartë se çfarë e shkakton dukurinë, por shumë prej tyre janë të mendimit se shkaku është tkurrja graduale e telomereve, pjesëve mbrojtëse të ADN-së në skajet e kromozomeve. Telomeret pakësohen me çdo ndarje të qelizave dhe telomeraza, enzima që i mirëmban, nuk është më aq aktive në indet e të rriturve.

Në mbështetje të këtij mendimi është dhe fakti se njerëzit me telomere më të gjata, jetojnë më gjatë dhe kanë jetë më të shëndetshme se ata që kanë telomere më të shkurtra, të cilët vuajnë më shumë nga sëmundjet që vijnë si pasojë e plakjes si diabeti, alchajmeri dhe sëmundjet e zemrës.

Pak vite më parë, Ronald de Pinjo, biolog në fushën e biologjisë molekulare, dhe drejtor i Institutit Belfer të DFCI-së, së bashku me kolegët e Fakultetit të Mjekësisë së Harvardit, modifikuan gjenetikisht një grup minjsh laboratorikë duke iu hequr gjenet funksionale të telomerazës. U vu re se kaviet pësuan plakje të shpejtë dhe ngordhën në moshë 6-mujore, tepër herët për minjtë që rëndom jetojnë deri në 3 vjet.

Që herët në eksperiment, mëlçitë dhe shpretkat e kavieve u fishkën, truri pësoi tkurrje dhe humbën aftësitë riprodhuese. Me vajtjen në fazën e pjekurisë kaviet shfaqën shumë nga sëmundjet që shihen dhe në njerëzit 80-vjeçarë.

Pyetja ishte, sipas De Pinjos, se çfarë do t'i ndodhte këtyre minjve nëse fillonin të prodhonin sërish telomerazë. "A do të mund ta ngadalësonim, ta stabilizonim, apo dhe ta anasillnim procesin?"

Kështu, ekipi riprodhoi një grup të ri kaviesh të modifikuara gjenetikisht, por kësaj here me praninë e gjenit të telomerazës të çaktivizuar dhe që mund të aktivizohej vetëm nëse merrej një ilaç i caktuar. Studiuesit e mbajtën gjenin joaktiv gjatë fazës së zhvillimit, duke i lënë kaviet të plaken para kohe, ashtu si në rastin e parë. Pas 6 muajve mjekët riaktivizuan gjenet e telomerazës.

U vu re se rritja e menjëhershme e prodhimit të telomerazës shkaktoi një shërim thuajse të plotë. Kaviet rimorën aftësitë riprodhuese, mëlçitë dhe shpretkat e tyre shtuan madhësinë dhe neurone të reja u shfaqën në trurin e tyre, sipas raportit të ekipit kërkimor.

"Aftësia për të anasjellë plakjen e organeve në kavie mutante tregon se qelizat që ndahen për të furnizuar indet, nuk vdesin kur ora e telomereve të tyre shënon fundin", thotë De Pinjo. Ato duket se qëndrojnë në gjendje të fjetur prej nga mund të zgjohen.

"Se ç'do të arrinim me këtë qasje te njerëzit, mund ta përfytyroni vetë", - vazhdon ai, duke i bënë theksin terapisë së organeve të caktuara, ku telomeraza mendohet se luan rol të rëndësishëm në rigjenerimin e indeve pas dëmit nga hepatiti, infeksionet parazitare dhe alkoolizmi.

K. Rudolf, studiues i plakjes në qelizat staminale në Universitetin e Ulmit, Gjermani, pohon se rezultatet janë inkurajuese për njerëzit me sëmundje që shkaktojnë plakje të përshpejtuar, si progjeria, pasi kaviet e këtij eksperimenti arritën të shpëtoheshin pavarësisht se kishin vuajtur të gjitha pasojat e sëmundjeve kronike. "Në parim, kjo provon se kjo është punë e telomereve." - thotë ai.

Gjithsesi, studiuesja e telomereve në Qendrën spanjolle të Kërkimit për Kancerin, në Madrid, Maria Blasko, pohon se eksperimenti i De Pinjos nuk duhet ende të merret si terapi kundër plakjes, pasi eksperimenti përdor minj të modifikuar gjenetikisht. "Pyetja e rëndësishme e fushës mbetet a mund të vonohet plakja në minj normalë?" - thotë ajo.

De Pinjo e mbështet shqetësimin e saj, ndërsa paralajmëron që kjo qasje mund të ketë dhe anë negative, si p.sh. shtim të veprimtarisë së telomerazës përtej caqeve të saj natyrore, që mund të shkaktojë kancer. Por megjithatë, ky nuk do të ishte një problem i pazgjidhshëm, nëse ka mënyra kontrollimi të niveleve të telomerazës. De Pinjo thekson se kaviet e eksperimentit, shfaqën nivele normale të veprimtarisë së telomerazës pas riaktivizimit dhe nuk zhvilluan tumore.
Burimi30 nëntor 2010


Komente

kalimtar/e
xheni 
27 shkurt 2011, 20:38
e ver8 eshte kjo??.. :?
kalimtar/e
Frikacaku anonim 
4 mars 2011, 03:33
Po, eksperimenti ka qene ky qe eshte pershkruar ketu. Por pjesa delikate eshte:
---
eksperimenti i De Pinjos nuk duhet ende të merret si terapi kundër plakjes, pasi eksperimenti përdor minj të modifikuar gjenetikisht. "Pyetja e rëndësishme e fushës mbetet a mund të vonohet plakja në minj normalë?"
---
A mund te ndalohet shkurtimi i kromozomeve, nje fenomen qe ndodh deri tashti i vezhguar ne 100% te rasteve, ne 100% te specieve, dhe qe sjell ne plakjen e te 100% te rasteve te vezhguar ne natyre?

Te pretendohet qe eshte bere 'reverse' i ketij procesi eshte nje gje shume shume e jashtezakonshme. Dhe pretendime te jashtezakonshme kerkojne dhe prova te jashtezakonshme.

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading