SHBA: Qelizat e lëkurës shndërrohen në neurone


Në një studim të botuar në revistën shkencore "Cell Stem Cell", dr. Shen-Din i Universitetit të Kalifornisë, San-Francisko, SHBA, ka prezantuar disa metoda efikase dhe të sigurta për shndërrimin e qelizave të lëkurës në neurone me aftësi transmetimi të sinjaleve elektrike të trurit, duke shënuar kështu dhe një nga eksperimentet e para të sukseshme të fushës.

"Kjo do të ketë rëndësi të madhe për pacientët dhe familjet që vuajnë nga sëmundjet e dëmtimit të neuroneve si alchajmeri, parkinsoni dhe hantigtoni," - thotë Lenart Maki, drejtor i kërkimeve neurologjike i qendrës "Gladstone Institutes" për llogari të së cilës janë kryer eksperimentet.

Eksperimentet e fundit janë vijim i punës së mëparshme të dr. Shinia Jamanakës, nga e njëjta qendër, i cili kishte zbuluar në vitin 2006 një mënyrë për të shndërruar qelizat e lëkurës së të rriturve në qeliza që silleshin si qeliza staminale embrionale, duke i dhënë kështu një shtysë të fuqishme zhvillimeve në biologjinë qelizore dhe kërkimeve të mëtejshme rreth qelizave staminale.

Qelizat staminale embrionale (pluripotente) mund të zhvillohen në lloje të ndryshme qelizash në trupin e njeriut dhe premtojnë shumë në mjekësinë rigjeneruese, për zëvendësimin ose riparimin e organeve dhe të indeve të dëmtuara. Në komunitetin shkencor janë të shumtë doktorët që mendojnë se përdorimi i qelizave staminale do të jetë çelësi i terapive në të ardhmen dhe se me anën e këtyre do të arrihet zhdukja e një numri sëmundjesh, duke përfshirë këtu dhe sëmundjet e zemrës me diabetin.

Në eksperimentet e raportuara më 28 korrik u përdorën dy gjene dhe një mikro-ARN (materiali gjenetik që rregullon thuajse çdo proces në çdo qelizë të trupit) për të shndërruar një kampion lëkure të një gruaje 55-vjeçare drejtpërdrejt në neurone. Qelizat e krijuara në këto eksperimente këmbyen në kushte laboratori impulset e nevojshme elektrike për komunikimin e mendimeve dhe të emocioneve.

Përdorimi i mikro-ARN-së për riprogramimin e qelizave është metodë më e sigurt dhe më efikase se sa metodat e deritashme e modifikimit gjenetik. Në eksperimentet e ardhshme dr. Dini parashikon të mbështet vetëm në përdorimin e mikro-ARN-së dhe të përbërjeve farmaceutike për procesin e shndërrimit të qelizave.

"Kjo do të ndihmojë që të anashkalojmë tashmë çdo lloj modifikimi gjenetik," pohon doktori. "Këto qeliza, gjithsesi, nuk janë ende të gatshme për transplantim, por puna e deritashme na ka hequr një nga pengesat më të mëdha të riprogramimit të tyre deri në stadin e fundit përpara transplantimit," - përfundon ai.
Burimi30 korrik 2011


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading