SHBA: Shkencëtarët drejt redaktimit të gjenomës


Duke trajtuar kromozomet si tekst të redaktueshëm dhe shabllon evolutiv, shkencëtarët tregojnë mënyrat e reja të rishkrimit të gjenomës së qelizave.

Mundësia për të modifikuar gjenet është një risi me dobi të drejtpërdrejta dhe e pakufizuar në potencial, njësoj siç ishte shtypshkronja e parë e Gutenbergut për fjalën e shkruar. Dhe po ashtu si shpikja e Gutenbergut, dhe pjesa më e madhe e mjeteve të modifikimit të ADN-së sot janë të ngadalta, të shtrenjta dhe të vështira në përdorim, një teknologji ende në hapat e saj të parë.

Por shkencëtarët e Harvardit në kërkim të mjeteve të reja të modifikimit të gjenomës, kanë krijuar një metodë të re më të shpejtë dhe më praktike që ashtu si në programet kompjuterike të përpunimit të tekstit, po e përdorin për të "redaktuar" gjenomën e qelizave të gjalla duke përdorur të barasvlershmen gjenetike të "kërkim-zëvendësimit" brenda në ADN.

"Rëndësia këtu nuk është të kopjohet ajo që ekziston," - thotë Xhorxh Çërçi, profesor i gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë së Harvardit, - "por të ndryshohet nga ana funksionale dhe rrënjësore".

Ndryshime të tilla, thotë Çërçi, i shërbejnë tri qëllimeve. Së pari, t'i shtohet qelizës një funksion i caktuar duke i shtuar aminoacide të reja të dobishme. Së dyti, të futen masa mbrojtëse që parandalojnë infektimin e ndërsjellë midis organizmave të modifikuar dhe organizmave të tjerë. Së treti, të krijohet rezistencë shumëvirale duke rishkruar kodin që preket nga viruset.

Në fushat e industrisë që kultivojnë baktere, si farmaceutika apo energjia, viruse të tilla prekin deri në 20% të kulturave. Për shembull në një rast të tillë që ndodhi së fundi në bioteknologjiken "Genzyme", humbjet për shkak të infektimit viral tejkaluan 1 miliardë dollarët.

Në një studim të përgatitur për revistën "Science", ekipi shkencor i Harvardit përshkruan se si ka zëvendësuar instanca konkrete të kodonit (një "fjalë" e ADN-së e përbërë nga tri "germa" nukleotide) në 32 lloje të bakterit E. coli, dhe në vijim se si i ka drejtuar këto lloje pjesërisht të modifikuara përgjatë një vije evolutive të përbashkët ku kanë arritur përfundimisht të zëvendësojnë të gjithë instancat e kërkuara të kodonit, 314 gjithsej.

Një numër i tillë modifikimesh është 100 herë më i lartë se ai që mund të arrihet me metodat e deritashme, pohon Herris Uengu, pjesëtar i ekipit të Çërçit.

Në kodin gjenetik, shumica e kodoneve përcaktojnë një aminoacid - një bllok ndërtues proteinik. Por disa prej kodoneve luajnë dhe rol tjetër duke i treguar qelizës kur të pushojë së shtuari aminoacide në zinxhirin proteinik. Gjatë punës së tyre, ishte pikërisht një nga këto kodone ndaluese që u studiua nga shkencëtarët e Harvardit.

Me gjithsej 314 instanca, kodoni ndalues TAG është "fjala" më e rrallë në gjenomën e E.coli-t, duke e bërë kështu objektivin kryesor për zëvendësim gjatë eksperimentimit me metodën e re.

Me anë të procesit që ekipi e ka quajtur inxhinieri multiplekse e automatizuar e gjenomës, ose MAGE në anglisht, u arrit të zëvendësoheshin të gjitha instancat e kodonit TAG me një kodon tjetër ndalues, TAA, që gjendet gjithashtu në qelizat e E.coli-t. MAGE është publikuar si proces nga i njëjti ekip në vitin 2009, dhe mbiquhet dhe "makinë evolucioni" falë aftësisë që ka për të përshpejtuar ndryshime të qëllimshme gjenetike në qelizat e gjalla.

Në secilin lloj të bakterit, ekipi arriti të zëvendësojë me procesin MAGE disa, por jo të gjitha kodonet TAG me TAA. U deshën 32 lloje që të përftoheshin të gjitha zëvendësimet e mundshme përgjatë gjenomës, të cilat me evolucion të drejtuar akumulativ prodhuan në fund llojin e bakterit me 314 instancat e zëvendësuara.

Shkencëtarët pohojnë se së shpejti do të mund të zëvendësojnë të gjitha kodonet TAG brenda të njëjtit lloj, ndërsa hapi tjetër do të jetë fshirja e krejt aparatit të qelizës që shërben për leximin e gjenit TAG, duke e liruar kodonin në fjalë për përdorime të reja, si p.sh. për kodimin e ndonjë lloji të ri aminoacidi.

"Po përpiqemi t'i bëjmë njerëzit ta përfytyrojnë gjenomën si diçka tejet të farkëtueshme, tejet të redaktueshme," - përfundon Uengu.
Burimi24 korrik 2011


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading