SHBA: Vijëzimet stinore mund të jenë shenja uji në Mars


Fotografitë e fundit me rezolucion të lartë nga sateliti MRO i NASA-s, dërguar rreth Marsit, tregojnë disa tipare të ndryshueshme të relievit në hemisferën jugore të planetit, të cilat astronomët mendojnë se mund të jenë shenja të ekzistencës së ujit në formë të lëngët.

Shenjat shfaqen gjatë pranverës së hemisferës jugore dhe janë evidentuar që nga hyrja në orbitë e satelitit në vitin 2006. Ato zgjaten e errësohen gjatë dimrit dhe pranverës dhe zbehen e zhduken gjatë verës dhe vjeshtës. Vrojtimet janë botuar në edicionin e 5 gushtit të revistës "Science".

Shkaku i këtyre shenjave është ende i panjohur, por nuk përjashtohet që të shkaktohen nga rrjedhja e ujit në sipërfaqen ranore të planetit. "Tani për tani nuk kemi përjashtuar asnjë shpjegim të mundshëm," thotë kreu i studimit Alfred Mak-Iven, i Universitetit të Arizonës, SHBA.

Procese të ngjashme në intervale kohe, si rrëzim shkëmbinjsh etj. janë vrojtuar dhe më parë, por Mak-Iveni pohon se shfaqja e rregullt periodike dhe zhvillimi i këtyre shenjave nuk përputhet me dukuritë e thata natyrore.

"Mbase ka ndonjë shpjegim tjetër më të mirë për dukurinë në fjalë," thotë ai, por deri atëherë, uji duket shpjegimi më i mundshëm. "Ky është rajoni më premtues për jetë në planet, pasi nuk është aq ftohtë për jetën siç e njohim ne - e ka dhe ujë," vazhdon Mak-Iveni.

Pllajat jugore të Marsit ku ndodh dukuria e vrojtuar kanë temperatura relativisht të moderuara për planetin e kuq; Gjatë verës ato ngrihen mbi 0°C.

Marsit sakaq nuk i mungon uji në formë akulli, i cili ndodhet nën sipërfaqe. Astronomët madje pohojnë se planeti ka pasur dhe ujë në formë të lëngët miliarda vjet më parë. Për këtë janë sjellë prova të ndryshme, mes të cilave dhe pohimi ende i debatuar se sonda "Phoenix" e NASA-s ka fotografuar bula uji në rrugëtimin e saj mbi planet në vitin 2008. Sonda kishte eksploruar arktikun e ashpër të Marsit, ndaj dhe uji që mund të ketë hasur duhet të ketë pasur përmbajtje kripore dhe kimikate të quajtura perklorate që bëjnë të mundur uljen e temperaturës së ngrirjes nën temperaturën normale 0°C.

Nëse shenjat e vrojtuara në pllajat jugore, që ndodhin në temperatura më të ngrohta, shkaktohen vërtet nga uji, atëherë astronomët pohojnë se dhe ky ujë duhet të jetë njësoj i kripur.

"Marsi në përgjithësi është një vend shumë i kripur," thotë Mak-Iven. "Çfarëdo uji të rrjedhë në sipërfaqe apo nën sipërfaqe kripësohet." Ndërkaq kripërat si kloruri i magnezit, i sodiumit, i kalciumit apo dhe sulfatet e hekurit kanë të gjitha temperatura ngrirjeje që përkojnë me vrojtimet e MRO-së.

Spektrometri që përdor sateliti MRO nuk ka gjurmë spektrale të ujit nga rajoni në fjalë, ndaj ekipi shkencor dyshon se terreni vetë duhet të jetë i thatë dhe se lëngu rrjedh nën sipërfaqe.

Xhejms Hedi, astronom në Universitetin "Braun" i cili nuk ka marrë pjesë në studim, vëren se ndryshimet në sipërfaqen e Marsit janë çështje që janë diskutuar për vite me radhë nga astronomët, por zbulimi në fjalë "na sjell shumë më pranë të kuptuarit të rolit të këtyre lëngjeve në formësimin e planetit, madje dhe të mjedisit të tij të sotëm."

Rregullsia periodike e shenjave në pllajat jugore të planetit u vu re falë krahasimit të fotove të marra nga orbitimi i satelitit gjatë viteve të mëparshme. Ndërkaq një rrotullim i Marsit rreth Diellit është sa 684 ditë tokësore.
Burimi5 gusht 2011


Komente

krikëlli
krikëlli 
5 gusht 2011, 13:39
Këtu është në sekuencë http://news.sciencemag.org/sciencenow/mars.gif, kurse në vijim në rezolucion më të madh nga NASA: http://www.nasa.gov/mission_pages/MRO/multimedia/p....

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading