SHBA: Pikasen 68 planetë sitokësorë më të vegjël se Toka


Teleskopi "Kepler" i NASA-s ka zbuluar planetët më të vegjël sitokësorë deri më tani, 68 prej të cilëve më të vegjël se Toka dhe 54 në zonat jetëmbajtëse të diejve të tyre, të cilët mund të kenë ujë në formë të lëngshme në sipërfaqe e për rrjedhojë jetë.

Misioni i "Keplerit", nisur në vitin 2009, është përcaktimi i numrit të planetëve sitokësorë që sillen në zonat jetëmbajtëse të diejve të tyre.

Deri më tani astronomët pohojnë se kanë gjetur 1235 planetë të mundshëm sitokësorë në 4 muajt e parë maj-shtator 2009, ndërsa vrojtimet e mëtejshme janë ende në stad analizimi të të dhënave.

Planetët e rinj të njoftuar së fundmi përfshijnë:

* 68 planetë me diametër 1,25 herë më të vogël se i Tokës
* 288 planetë super-Tokë 1,25 - 2 herë më të mëdhenj se Toka
* 662 planetë me madhësinë e Neptunit
* 184 planetë me madhësinë e Jupiterit ose më të mëdhenj
* 170 sisteme të mundshme shumëplanetare me dy ose më tepër planetë me orbitë rreth të njëjtit diell

"Nëse shikojmë se planetët me madhësinë e Tokës janë të rëndomtë në zonën jetëmbajtëse të diejve, gjasat janë që jeta të jetë po ashtu e rëndomtë në këto yje," thotë kryeastronomi i misionit "Kepler", Uilliam Boruki, i Qendrës Kërkimore Ames të NASA-s, në Kaliforni.

Ekipi i "Keplerit" planifikon të kryejë vrojtime të tjera të yjeve me planetët e mundshëm sitokësorë, por kësaj radhe me teleskopë më të mëdhenj e më të fuqishëm nga Toka për të shmangur gabime të mundshme.

Veç planetëve të mundshëm sitokësorë, ekipi i "Keplerit" njoftoi të mërkurën dhe për zbulimin e një grupi të pazakontë gjashtë planetësh që sillen pranë njëri-tjetrit në orbitë rreth njërit prej yjeve të vrojtuar.
Burimi3 shkurt 2011


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading