Saturn: Diktohet oksigjen në atmosferën e Reas


Anija hapësinore "Cassini-Huygens" e ESA-NASA-ASI ka diktuar në ekzosferën e Reas, hënës së akullt të Saturnit, oksigjen dhe dyoksid karboni. Kjo është hera e parë që molekulat e oksigjenit mblidhen nga anijet hapësinore në atmosferën e trupave të tjerë qiellorë.

Oksigjeni i Reas duket se formohet me kalimin e fushës magnetike të Saturnit mbi të, ku grimcat e kapura nga fusha magnetike e planetit godasin mbi sipërfaqen e akullit të hënës duke shkaktuar reaksione kimike që çlirojnë oksigjen në ajër. Ndërkaq burimi i dyoksidit të karbonit është ende i paqartë për astronomët.

Oksigjeni mbi sipërfaqen e Reas vlerësohet të jetë rreth 5 miliardë herë më i rrallë se ai që kemi në Tokë, por rezultatet e reja tregojnë se reaksionet në sipërfaqe mund të prodhojnë molekula të bollshme oksigjeni për të formuar dendësi deri në 100 herë më të madhe se në ekzosferat e Hënës sonë apo të Mërkurit.

"Rezultatet e reja pohojnë se reaksionet kimike me oksigjen mund të jenë të rëndomta në sistemin diellor, madje dhe në gjithësi." - thotë kreu i studimit Ben Teolis, shkencëtar i ekipit të "Cassini-Huygens" në IKJP, San-Antonio, SHBA.

"Zhvillime të tilla kimike mund të jenë parakushte për jetën. Të gjitha faktet nga "Cassini-Huygens" tregojnë se Rea është tejet e ftohtë dhe i mungon uji në gjendje të lëngët i nevojshëm për jetën siç e njohim ne... Çlirimi i oksigjenit me anë të rrezatimit të sipërfaqes mund të ndihmojë në krijimin e kushteve të përshtatshme për jetën në trupa të tjerë të akullt qiellorë që përmbajnë ujë në gjendje të lëngët nën sipërfaqe", - vazhdon Tolis.

Astronomët kanë pasur që më parë tregues se Rea mund të përmbante oksigjen dhe dyoksid karboni në atmosferën e saj, falë vrojtimeve nga anija hapësinore "Galileo" dhe teleskopi "Hubble". Ndërsa vrojtime të tjera nga "Cassini-Huygens" kanë diktuar largim të oksigjenit dhe nga grimcat e unazës së akullt të Saturnit, pas bombardimit me rreze ultravjollcë.

Sakaq, diktimi i oksigjenit në Rea është bërë i mundur falë grupit të posaçëm pajisjeve të instaluara mbi anijen "Cassini-Huygens", e cila është afruar në largësi 101 km nga Rea, kurse misioni është një bashkëpunim i agjencive hapësinore të Evropës, SHBA-së dhe Italisë, ESA-NASA-ASI.
Burimi27 nëntor 2010


Komente

kalimtar/e
HeavyMetal 
13 dhjetor 2010, 13:44
Thnx per kete info, shume interesante :)

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading