Një asteroid ka zhdukur dinozaurët duke i hapur rrugën njeriut


goditje-asteroidi-toke.jpeg Një skuadër prej 41 shkencëtarësh nga mbarë bota, pas shqyrtimit të të dhënave të mbledhura gjatë këtyre 20 viteve, ka konfirmuar shkakun e së ashtuquajturës zhdukje të Kretacen-Terciarit (KT), kur krijimi i kushteve të pabanueshme në Tokë rreth 65 milionë vite më parë solli zhdukjen e më tepër se gjysmës së llojeve të deriatëhershme të planetit.

Bota shkencore ka qenë e ndarë derimëtash në lidhje me shkakun e zhdukjes, nëse ky vinte nga asteroid apo nga veprimtaria vullkanike 1.5-milionë-vjeçare në zonën e Dekanit në Indi.

Studimi i ri, i kryer nga shkencëtarë të disiplinave të ndryshme nga shtete të Evropës, Amerikës dhe Japonia dhe botuar së fundmi në revistën "Science", vë re se shkaku i zhdukjes ka qenë pikërisht një asteroid me gjerësi 15 km që ka goditur Tokën në Çikshulub, Meksikë.

"Kjo shkaktoi zjarre në shkallë të gjerë, tërmete mbi 10 rihter, shkarje kontinentale që formuan më tej cunami," thotë Xhoena Morgani, e Kolegjit Imperial Londër, bashkautore e studimit.

Mendohet se asteroidi e ka goditur Tokën me një fuqi miliarda herë më të madhe se bomba atomike në Hiroshimë. Morgani shton se "goditja vdekjeprurëse për dinozaurët" erdhi kur lënda e ngritur nga shpërthimi u përhap në atmosferë duke mbështjellë planetin në errësirë e duke shkaktuar një dimër mbarëbotëror që "zhduku shumë lloje që nuk mundën t'i përshtateshin këtyre kushteve armiqësore".

Shkencëtarët morën në shqyrtim punën e paleontologëve, gjeokimistëve, modeluesve të klimës, gjeofizikanëve dhe sedimentologëve të cilët kanë grumbulluar gjatë 20 viteve të fundit fakte rreth zhdukjes KT.

Të dhënat gjeologjike tregojnë se ka qenë një ngjarje e caktuar ajo që nisi zhdukjen e dinozaurëve dhe shkatërrimin e përshpejtuar të ekosistemeve detare dhe tokësore, dhe se vetëm goditja nga asteroid "ishte i vetmi shpjegim i mundshëm".

Peter Shulte i Universitetit të Erlangenit në Gjermani, kryeautor i studimit, thotë se të dhënat fosile tregojnë qartë një zhdukje masive rreth 65.5 milionë vjet më parë, periudhë kjo që njihet si kufiri K-Pg.

Me gjithë të dhënat për veprimtari vullkanike në Indi, ekosistemet detare dhe tokësore shfaqnin luhatje minimale gjatë 500'000 viteve para kufirit K-Pg, gjë që do të thotë se zhdukja nuk kishte nisur që më parë dhe nuk ishte shkaktuar nga shpërthimet vullkanike.

Teza e vullkanit të Dekanit vihej në dyshim, sipas ekipit shkencor, dhe nga modelet kimike atmosferike, të cilat tregojnë se goditja nga asteroidi do të kishte lëshuar sasi shumë më të mëdha të squfurit, pluhurit dhe blozës në shumë më pak kohë se sa shpërthimet vullkanike, duke shkaktuar errësim dhe ftohje të skajshme.

Gereth Kolinsi, një tjetër bashkautor nga Kolegji Imperial, thotë se goditja nga asteroidi shkaktoi një "ferr" të atillë që shënoi fundin e sundimit 160-milionë-vjeçar të dinozaurëve, por që i hapi rrugën gjitarëve.

"Zhdukja KT ka qenë një çast kyç në historinë e Tokën, duke i hapur përfundimisht rrugën njeriut të bëhet lloji mbizotërues në Tokë," pohon ai në studim.

Kolinsi ka krijuar gjithashtu një faqe (http://impact.ese.ic.ac.uk/ImpactEffects/Chicxulub...) që jep mundësinë të shikojmë pasojat e goditjes nga asteroidi.
Burimi6 mars 2010


Komente

kalimtar/e
Luarasi 
7 mars 2010, 16:18
Kur te na zhduke neve, kujt do t'ia hape rrugen?!
Rojtar i Pyllit
Rojtar i Pyllit 
8 mars 2010, 09:44
Deri tani sunduesit e vërtetë të të gjitha kohërve kan qenë kandrrat, kështu që besoj se ato do vazhdojnë të mbretërojnë.

E mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është shqiptaria!

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading