Kaliforni: Në fazat e para aparati për "leximin e mendjes"


Shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë, Berklej, SHBA, kanë krijuar një aparat me anë të të cilit mund të rindërtojnë pjesërisht pamjet që shikon një njeri, duke "çkoduar" veprimtarinë trunore të personit. Në këtë stad aparati vlerësohet si një metodë e re më e sofistikuar e përftimit të stimujve pamorë nga sinjalet e trurit.

Shkencëtarët pohojnë se modeli përllogaritës përdor të dhëna që vijnë nga korteksi pamor i trurit. "Kërkimi ynë shënon përparime thelbësore drejt mundësisë për të çkoduar përmbajtjen mendore të veprimtarisë së trurit, siç kjo matet përmes fMRI-së," thotë Kendrik Keji, bashkëautor i studimit në fjalë.

"Në fakt, përfundimet tona tregojnë se së shpejti mbase do të arrijmë të rindërtojmë përjetimet pamore vetëm përmes veprimtarisë së trurit", vazhdon ai.

Ekipi përdori fMRI për matjen e veprimtarisë mendore të njerëzve që shikonin rreth një mijë fotografi. Kjo iu dha mundësinë të zhvillojnë një model përllogaritës dhe ta "stërvisin" çkoduesin e tyre që të kuptonte se si i përpunon të dhënat truri i secilit person.

Mandej pjesëmarrësve iu tregua një seri e rastësishme prej 100 fotografish të shikuara më parë. Në bazë të modelit përkatës të përftuar në fillim, ekipi arriti të veçonte se cila fotografi po shikohej në secilin rast.

"Studimi tregon se mbase një ditë shkencëtarët do të mund të "lexojnë" ëndrrat, kujtimet dhe pamje të ndryshme", thotë Xh. Hajnesi i Universitetit të Shkencave Njohëse dhe të Trurit të Njeriut, në Lajpzig, Gjermani, "kjo gjithnjë nëse truri i përpunon ëndrrat njësoj si stimujt e tjerë pamorë".

"Vështirësia është në ngritjen e modeleve për lloje të tjera mendimesh të ndërlikuara, si p.sh. kujtimet dhe qëllimet," shton Hajnesi.
Burimi5 mars 2008


Komente

Jep koment

Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading