Feja kristiane është armike e së bukurës.
Nëse figura që kanë kristianët në kokë për zotin do të ishte e saktë, zoti i milingonave do të ishte milingonë dhe po kështu dhe me kafshët e tjera.
Si do t'ia bënte Kisha pa mëkatet e besimtarëve? Indulgjenca, me tarifë, i jep Kishës bukën e përditshme.
Nuk i besoj aspak përshtypjes që kanë krijuar shumë njerëz për perandorët romakë. Jam i sigurt se nuk ishte Neroni që dogji Romën. Kanë qenë kristiano-bolshevikët që ia vunë zjarrin, ashtu siç Komuna i vuri zjarrin Parisit më 1871 dhe komunistët Rajhshtagut më 1932.
Kristianizmi i vuri qëllim vetes shkatërrimin sistematik të kulturës së lashtë. Ajo që na ka mbetur sot, ka qenë ose falë rastësisë, ose ndonjë vepër autori liberal romak. Mbase jemi në errësirë të plotë të thesarit të vërtetë shpirtëror të njerëzimit. Kush mund ta dijë ç'kemi humbur?
Certifikatë vobektësie mendore është për kristianizmin fakti se shkatërroi bibliotekat e botës së lashtë! Dhe bolshevizmi bën të njëjtën gjë, që besimtarët të mos të dinë se ç'bëhet në pjesën tjetër të botës.
A i bën dija shkencore të lumtur njerëzit? Këtë s'e di, por kam parë nga ana tjetër njerëz që lumturohen me iluzionet e dijeve të rreme.
Gjithësia, me elementet e saj materiale, ka të njëjtën përbërje qoftë nëse flasim për Tokën, Diellin apo cilindo planet tjetër. Është e pamundur të thuash sot se jeta organike ekziston vetëm në planetin tonë.
A ka ndonjë fe të vetme që mund të ekzistojë pa dogmën? Jo, sepse në atë rast do t'i përkiste rangut të shkencës. Shkenca nuk mund të shpjegojë pse sendet në natyrë janë ato që janë - dhe pikërisht aty turret feja me qetësuesit e saj.
Besëtytnitë nuk duhen lejuar të pengojnë zhvillimin e njeriut. Diçka e tillë do të ishte aq e patolerueshme sa do të justifikonte dhe zhdukjen e feve.
Mikroskopi na ka mësuar se nuk rrethohemi vetëm nga pafundësisht të mëdhatë, por dhe nga pafundësisht të voglat - makrobotë dhe mikrobotë.
Prej sot e tutje mund të themi se nuk ka më dallim midis botës organike dhe joorganike. Eksperimentet e fundit të bëjnë të pyesësh se çfarë i dallon më trupat e gjallë nga lënda jo e gjallë. Në dritën e këtij zbulimi, Kisha do të fillojë të revoltohet dhe në vijim do të vazhdojë të na tregojë "të vërtetat" e veta. Por ky është veç përfundimi logjik, pasi njerëzimi nuk mund të lëshojë tërë kohës perden e misterit pa nxjerrë një ditë prej ditësh përfundimet e veta.
Shpjegimi kishtar i dukurive natyrore është abuzim me realitetin, pasi Kisha ka synime të mëtejshme.
Feja po nxjerr çdo fitim të mundshëm nga fakti që shkenca ende postulon se është në kërkim dhe jo në zotërim të dijes së sigurt së të vërtetës. Le ta krahasojmë shkencën me një shkallë. Në çdo shkallare që ngjitesh fiton dhe një pamje më të plotë të vendit. Por shkenca nuk pretendon të dijë thelbin e gjërave. Kur shkenca shikon se i duhet të rishikojë një koncept apo një tjetër për të cilin mendonte se ishte përfundimtar, menjëherë kërcen feja dhe përpall: "A nuk të thamë?!" Por të flasësh kështu do të thotë të mos dish që një sjellje e tillë është në natyrën e shkencës. Nëse shkenca vendoste të merrte qëndrim dogmatik, do të bëhej dhe ajo vetë një kishë.
Kisha me një vetëdije të qartë të interesave të saj, ka bërë një tërheqje strategjike, me rezultat që shkenca ka humbur disi nga agresiviteti i vet. Sistemi aktual i mësimdhënies në shkolla lejon absurditete të këtij lloji: Në orën 10 të mëngjesit nxënësit ndjekin lëndën e katekizmës ku krijimi i botës iu paraqitet sipas mësimeve të "Biblës", ndërsa orën tjetër ndjekin lëndën e shkencave natyrore ku mësojnë teorinë e evolucionit. Por këto dy doktrina janë në kundërshti të plotë me njëra-tjetrën. Kur isha fëmijë e kam vuajtur dhe vetë këtë përplasje sa i kam rënë murit me kokë. Shpesh iu ankohesha mësuesve të tjerë për ç'më ishte mësuar një orë më parë - dhe më kujtohet se i zinte dëshpërimi. Feja kristiane përpiqet të dalë nga situata duke thënë se "shkrimi i shenjtë" ka vetëm vlerë simbolike. Por nëse dikush do ta kishte thënë këtë para katërqind vitesh do ta kishte përfunduar karrierën në turrën e druve, i shoqëruar nga ndonjë batare me "Hosana!" Duke i hyrë dhe feja valles së tolerancës, ka rifituar nga terreni i humbur gjatë shekujve të kaluar.
Feja është në konflikt të përhershëm me frymën e kërkimit të lirë.
Njeriu që jeton i lidhur me natyrën e sheh domosdoshmërisht veten në kundërshtim me Kishat. Dhe prandaj dhe këto janë nisur drejt rrënimit - pasi shkencës i është taksur fitorja.
Kristianizmi, natyrisht, ka kapur majat e absurditetit dhe prandaj një ditë ngrehina e tij do të bjerë. Shkenca e ka mbarsur tashmë njerëzimin. Për pasojë, sa më shumë kristianizmi i qepet pas dogmave të veta, aq më shpejt do të rrënohet.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2017 I
mbylle
Loading