Simbolet fetare dhe "grupet e interesit"
e mërkurë, 19 janar 2011 / Ujk
Nga: Arjan Tomorri
Në vendin tonë kur vjen puna për të folur për të drejtat e njeriut, të gjithë, dhe më të pastërviturit në shkencat juridike, e ndjejnë veten të cilësuar për të dhënë mendimin e tyre autoritar. Aq shumë dhe aq keq flitet sa krijohet përshtypja se, në mos këtu, diku duhet të ekzistojë një shtet që mbron një të drejtë të caktuar, në mos një shtet, duhet të ekzistojë një marrëveshje ndërkombëtare të cilën ne duhet ta kemi firmosur... dhe nëse nuk e kemi firmosur kjo cenon integrimin e vendit.
Gjithmonë dhe më shumë flitet për të drejtën e mbajtjes së simboleve fetare në shkollat publike. Propagandohet, në shtypin e përditshëm se mungesa e simboleve fetare në shkollat publike është një shkelje e të drejtave të pacenueshme të njeriut, duke ngatërruar qëllimisht të drejtën e besimit fetar, e cila është një e drejtë e mbrojtur nga Kushtetuta, me të drejtën për të mbajtur kudo në publik simbolet fetare. E drejta për të mbajtur simbole në publik në Republikën e Shqipërisë është e njohur dhe mbrojtur nga shteti, por njeh një kufizim. Kufizimi që njeh është mosmbajtja e tyre në institucionet shtetërore, pikërisht sepse Kushtetuta parashikon që Shteti nuk ka fe zyrtare dhe është asnjanës në çështjet e fesë. Shkollat publike janë, pa dyshim, institucione zyrtare dhe ku rrjedhimisht mund të vendosen vetëm simbolet zyrtare të Shtetit. Çështja e të drejtave të njeriut është një çështje baraspeshimi, pasi njihen dhe mbrohen ato që quhen të drejtat e pacenueshme, fillon dhe zgjerohet korpusi i të drejtave të njohura dhe të mbrojtura. Ky zgjerim kryhet gjithmonë duke pasur parasysh parimin e sipërpërmendur të baraspeshimit. Të drejtat e reja që pranohen në Rend nuk mund të cenojnë të drejtat tashmë të njohura dhe aq më pak të drejtat e pacenueshme dhe më pak akoma bazat e rendit. Përjashtim bëjnë rastet, e veçanta, të diskriminimeve pozitive, por nuk më duket rasti se OJQ-të fetare kanë nevojë për këto lloj diskriminimesh. Njohja e të drejtës për të mbajtur simbolet fetare jo në ambientet publike, por në ambientet zyrtare (qëllimisht përfaqësuesit e këtyre OJQ-ve përpiqen t'i mbivendosin dhe të krijojnë konfuzion midis këtyre dy ambienteve të veçanta) nuk mund të bëhet pa ndryshuar rendin kushtetues. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë jo vetëm që është miratuar me votën e lirë të shtetasve, por këta (të gjithë ne) kanë marrë pjesë në çdo moment të përpilimit të saj. Për të ndryshuar paragrafin 10 të Kushtetutës, si e vetmja mënyrë për të pranuar simbolet fetare në shkollat publike, duhet përsëri vota e të gjithë shtetasve, pra duhet që shtetasit të votojnë që Republika e Shqipërisë të ketë fe zyrtare! A, jemi për këtë?! Një pikëpamje tjetër nga e cila duhet vështruar kjo çështje është ajo e edukimit. Nëse miratohet vendosja e simboleve fetare në shkollat publike do të kemi, pra, prindër që do të veshin me shami fëmijët e tyre, prindër që do të vendosin në klasa kryqin dhe në një të ardhme të çuditshme, kur këta të mbledhin 10 000 firma, do të kemi dhe prindër që do të vendosin kukulla vudu. Nëse prindërit e krishterë për festat e tyre duan të vendosin në hyrje të shkollave inskenime me kukulla të lindjes së personazhit të tyre fetar, Jezu Krishtit, prindërit myslimanë do kenë të gjithë të drejtën të bëjnë dhe ndonjë dash kurban në oborrin e shkollës, mundësisht të spërkatin dhe klasat me gjakun e flisë që t’u ecë mbarë viti shkollor fëmijëve. Të gjitha simbole fetare... Përtej batutave të lehta, ajo që është shqetësuese është efekti domino që do të marrë udhë me këto çapitje të dyshimta kundër sistemit tonë arsimor e që përfundon me rrënimin e këtij sistemi arsimor publik. Nëse përfaqësuesit e këtyre shoqatave joqeveritare ndihen të ofenduar nga mungesa e simboleve të tyre në shkollat publike, ndiejnë që iu shkelen të drejtat e tyre nga mungesa e këtyre simboleve, si do të shprehen ata nesër për programin arsimor të shkollave shqiptare?! Sepse nëse darvinizmi dhe shkenca e biologjisë i ofendon këta njerëz, po letërsia dhe filozofia çfarë iu ngjall?! (Vaso Pasha haram!) Flitet po ashtu shpesh në këtë debat të simboleve edhe për “grupe interesi”. Dhe është e ulët të flasësh për grupe interesi në këto çështje Kombëtare, thua se po diskutohet çmimi i peshkut në treg apo trusti i bananeve po vendos numrin e importeve. Interesi duhet të jetë një dhe vetëm një, shkolla publike të jetë tempull i kulturës dhe i shkencës, nuk duhet prekur apo përzier nga kurrfarë propagande antishkencore apo antishqiptare. Por nëse dëshirojnë të flitet për “grupe interesi” atëherë të dëgjohet shumica. Bëhet shpesh një trazirë me numrat, herë citohen e pastaj lihen mënjanë për t’u nxjerrë përsëri në dritë e për të thënë që numri nuk është dhe aq i rëndësishëm. Por numri është i rëndësishëm, për sa kohë debati kanalizohet në “grupe interesi”. Në Republikën e Shqipërisë qarkullon ashtu në të zi një përqindje, thuhet 80 apo 70 përqind se i përkasin një feje dhe pjesa që mbetet i përket feve të tjera. Përqindja nuk ka dhe aq rëndësi se sa ka rëndësi këtu shuma irracionale e këtyre përqindjeve, e cila del gjithmonë 100%! Thua se Republika e Shqipërisë jemi i vetmi vend në botë pa asnjë ateist, kur në fakt e vërteta është krejt e përmbysur. Numri i njerëzve që nuk praktikojnë asnjë shërbim fetar, që nuk kanë një kredo të përcaktuar fetare apo që thjesht nuk besojnë përbën tek ne historikisht shumicën absolute. Një tjetër pikëpamje e gjithë kësaj çështjeje është dhe ajo e lirisë së fesë. Feja nuk trashëgohet as nga gjaku e aq më pak nga emri i gjyshit apo i cilitdo tjetri. Besimi apo mosbesimi duhet të jetë një proces i rritjes shpirtërore dhe intelektuale të individit, pa shtysa apo detyrime. Mos të harrojmë se nuk ka fëmijë myslimanë apo të krishterë, por ka prindër myslimanë e të krishterë! Janë këta të dytët që detyrojnë fëmijët e tyre, në shkelje të asaj të cilën “mbrojnë”, lirisë së besimit, të ndjekin një besim të caktuar pa i lënë ata të lirë të zgjedhin vetë. Toleranca fetare ndër ne është më e vjetër si veprim se sa si fjalë. Është një institucion që buron nga gjaku ynë dhe nga ligjet tona, të shkruara e të pashkruara. Ndaj nuk kemi nevojë që as të na e shpjegojnë e as të na e mësojnë të tjerët. 21
Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
|