Regjistrimi fetar i popullsisë, kthim në primitivizëm
e martë, 22 shkurt 2011 / postieri
Nga: Prof. Riza Hasa
Riza Hasa, lektor i "Historisë së Popullit Shqiptar" në universitetin "Aleksandër Xhuvani" shprehet se është kundër deklarimit fetar. Ai e cilëson atë si të panevojshëm dhe që nxit primitivizëm në shoqëri.
Regjistrimi fetar sjell shumë probleme për shqiptarët? Unë e vlerësoj shumë regjistrimin, sepse është i domosdoshëm për Shqipërinë. Në një shtëpi duhet ditur se çfarë kemi brenda, kështu e ka edhe shteti. Një shtet serioz duhet të ketë statistika për çdo gjë dhe aq më tepër kur ne jemi një minibashki mes shteteve të Evropës. Në fakt, nuk është ndonjë vështirësi e madhe për të bërë regjistrimin, pasi shteti vetë ka struktura: prefekturën, qarkun, bashkitë, minibashkitë, komunat që mund ta realizojnë shumë mirë këtë proces. Pse duhen harxhuar 15 milionë euro për të ngritur struktura, kur ato mund ta realizojnë shumë mirë këtë proces? Unë e vlerësoj shumë regjistrimin, por me mënyrën sesi po kërkohet të bëhet, nuk jam në një mendje, sidomos në këtë deklarimin fetar. Pse nuk jam dakord? Ne historia na mëson që të ndjekësh një politikë të tillë bie në një farë primitivizmi, sepse do duket sikur përsërisim atë politikën teokratike që do të thotë të identifikohet kombësia me fenë. Këtë politikë ka ndjekur Perandoria Otomane. Në një mënyrë apo një tjetër, duam apo s'duam ne, ndiqet edhe nga fqinjët tanë jugorë. Një vend që bën pjesë në NATO dhe kërkon të jetë anëtar i BE nuk duhet të bjerë në primitivizëm. Unë nuk e mbështes këtë proces, aq më tepër kur njeriu detyrohet të gënjejë nga halli. Një fjalë e urtë thotë se “halli nuk njeh ligj” dhe duhet ta pranojmë që kemi shumë shqiptarë që janë në hall. Halli i tyre është ekonomik. Me qindra mijëra kanë shkuar në Greqi e punojnë dhe nuk do të bëjnë deklarim të vërtetë, dhe për këtë jam i bindur, sepse halli e çon që të thotë nga një emër shqiptar në një emër grek, sepse kështu është më i pranueshëm. Të paktën nga kontaktet që kemi ne të gjithë e kanë këtë problem. Madje unë do të thosha edhe këtë, që këtu në Elbasan, ndoshta jo vetëm por edhe në vende të tjera, përdoren tone komike kur na vijnë njerëzit tanë nga Greqia dhe themi “Erdhën Jorgot”. Kjo ka tone humori, por tregon edhe shqetësim. A ka kaluar më parë vendi ynë një proces të tillë? Ne nuk kemi statistika të mirëfillta, por i marrim të përafërta, pasi Perandoria Otomane nëse ishe mysliman, të quante turk; nëse ishe ortodoks, të quante grek ose serb; ndërsa po të ishe latin, të quante latin, kështu që ne nuk kemi të dhëna. Të dhënat e para vijnë kur shpërbëhet Perandoria Osmane dhe kishte interes Evropa të dinte për këto kombet e Ballkanit dhe për shqiptarët. Kush janë shqiptarët? Nga vijnë? Cila është origjina? Sa është numri?... Atëherë na jepen disa të dhëna, por edhe këto të dhëna duhet t'i marrim me pak rezerva, sepse vazhdonte inercia e kësaj politike. Megjithatë, po të shikosh historinë e popullit shqiptar, statistikat e para për regjistrimin e popullsisë i kemi nga shekulli XIX dhe na jepet numri i shqiptarëve, numri i popullsive të tjera etj. Është një fazë që kanë punuar shumë historianë e studiues, ku do të përmendja Selami Pulahën, por edhe studiues të tjerë që kanë parë arkivat e Perandorisë Osmane. Sipas këtyre të dhënave, ne kemi një panoramë të Shqipërisë së fundshekullit XIX. Në këto regjistrime nuk bëhet fjalë për fenë, por bëhet fjalë për numrin e popullsisë shqiptare. Ata e kanë pasur shumë të qartë se shqiptarët deklarimin e parë që bënin ishte se ishin shqiptarë të çfarëdo lloj feje ishin. Këtu do të ndalesha. Është vënë re nga të huajt se ndjenja e kombësisë tek shqiptarët ishte më e madhe sesa tek popujt e tjerë të Ballkanit, sepse kur i pyeste një lord anglez i ardhur në një kohë me Bajronin në vendin tonë, shqiptarët përgjigjeshin “jam shqiptar”. Arsyeja kryesore ishte fakti se mendonin se ndarja me fetë mund të sillte edhe armiqësi për shkak të fesë. Është interesante se vetë emri shqiptar u përhap nga fundi i shekullit XVIII dhe ka ardhur pikërisht nga frika e kësaj përçarjeje fetare. Ata të gjithë ishin fare të qartë se feja nuk mund t'i bashkonte, por gjuha dhe kombësia. Doja të thosha këtu se herën e parë që ne jemi regjistruar jemi regjistruar si shqiptarë. Deklarimi për fenë është një moment që do sjellë probleme, pasi të jemi të sigurt që ata që kemi në Greqi do të deklarohen siç do greku. Është e habitshme që qarqe të tilla në Greqi të kërkojnë këtë, sepse unë jam i bindur që në fqinjin tonë ka intelektualë shumë të shquar. Kisha bën një propagandë që nuk i shkon as thelbit të vet, kristianizmit. Kohët e fundit ka filluar patriarku i serbëve të bëjë një propagandë të tillë, duke iu rikthyer politikës së vjetër të shovinistëve serbë. Janë jashtë kohe, por sërish veprojnë. Mendoj që virusi antishqiptar duket sikur dremit, por në fakt herë pas herë zgjohet. Ka ndonjë qëllim të caktuar për regjistrimin fetar në Shqipëri? Nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë qëllim të caktuar. Qëllimi është i mirë për regjistrimin, por duhet shmangur aspekti fetar. Nëse duan të bëjnë studime, ka organizata e shoqata që mund ta bëjnë, por jo qeveria, aq më tepër që jemi një shtet laik. Dhe ajo çfarë do të jetë problem ka lidhje me faktin se ne nuk jemi praktikantë fetarë. Po të lexosh Eqerem Bej Vlorën në fillimshekullin e kaluar thotë: “Shqiptarët dy herë kujtohen për zotin: kur kanë festat fetare të Bajramit dhe Pashkëve”. Nuk jemi praktikantë fetarë dhe në fakt ata që e deklarojnë duhet të jenë praktikantë se ndryshe gënjejnë. Si i vlerësoni reagimet ndaj këtij procesi? Sigurisht që do kishte reagime. Unë kam diskutuar në temat e mësimit me studentë dhe e dini ç'më tha një prej tyre? “Nënën e kam mbesë hoxhe, babanë bir prifti, çfarë feje duhet të deklaroj unë?”. Nga ana tjetër, një shqetësim që kemi është se i bëhet edhe një sfidë identitetit tonë. A do të jemi ne të aftë ta ruajmë identitetin përballë këtyre regjistrimeve? Sepse në fakt këto regjistrime duhet të mbështeten në dokumente zyrtare, pasi unë kam dëshirë të them që kam kombësi tjetër, p.sh. mund të deklaroj që jam amerikan apo një fe që nuk ekziston në Shqipëri. Për mua është sfidë që i bëhet identitetit, ose hidhet një gur në lumë, ose një ide, dhe priten reagimet duke dalë në konkluzionin në fund se nuk deshën shqiptarët. Nëse në fund fare të këtij regjistrimi, ne përcaktohemi si një popullsi me shumicë myslimane, a ka ndikim kjo në integrimin në BE? Me ato që deklaron Evropa dhe Komiteti Evropian duket se nuk ndikon. Por për mua, për atë pjesën që nuk thuhet mendoj se ndikon. Unë këtë e shikoj edhe në vonesën që na bënë ne dhe Bosnjës për liberalizimin e vizave. Do të doja të isha i gabuar, por unë e kam këtë mendim. Jo se kemi ndonjë gjë pse hynë serbët e nuk hyjmë ne, por në fakt serbët, që bënë katrahurën në Ballkan, u pranuan, ndërsa maqedonasit luftë civile bënë në 2001 e sërish u pranuan. Deklarata kundër myslimanizmit nuk janë bërë, por ngjarjet në Zvicër treguan se janë shumë të ndjeshëm. Shqiptarët, nëse kanë një vlerë të dukshme, është toleranca fetare. Kjo vlerë edhe në situata tepër tragjike ka dhënë rezultatet e veta. P.sh. është kjo tolerancë fetare që në Shqipëri gjetën vend hebrenjtë, ose mund të përmend këtu se në Elbasan ka qenë traditë që festa e myslimanit ishte edhe festa e të krishterit. Të marrim festën e shenjtit Shën Gjon Vladimirit, që është ortodoks, e kremtojnë shumë myslimanë. Unë them feja është diçka personale. Ju përfundimisht e kundërshtoni përfshirjen e deklarimit fetar në regjistrimin e popullsisë? Jam kundër deklarimit fetar. Ky deklarim do të ketë shumë probleme. Mund të them se për regjistrimin e minoriteteve kemi 70 fshatra dhe mund të llogariten shumë thjesht si popullsi. Ne nuk kemi pasur asnjëherë probleme me minoritetin grek. Ne mund të bëjmë regjistrime, por kur kemi probleme, siç po ndodh me Francën për shembull, apo Jugosllavia kur u shpërbë. Unë di të them se edhe në kohën e komunizmit, kur ishte varfëri ekstreme, minoritetet jetonin më mirë se ne. Kooperativat e tyre merrnin më shumë pra, se një kooperativë në Elbasan. Pra, asnjëherë nuk ka pasur probleme të kësaj natyre dhe një lloj privilegji e kanë pasur. Shqetësim tjetër për mua është se brezi i fëmijëve të emigrantëve që po rriten në Greqi kanë shumë probleme dhe sidomos me gjuhën. Ka pasur raste që kam hasur çifte shqiptare që u flisnin fëmijëve greqisht. Kur i kam pyetur, më kanë thënë se shkollohen në greqisht dhe nuk kanë mundësi tua mësojnë gjuhën. Ky brez do të asimilohet si dhe shumë homogjenë. Ky është një problem i madh. Atë që nuk e arriti me armë, po e arrin në një mënyrë tjetër. Po t'i referohemi historisë, ka diplomatë grekë që jepnin ide se si mund të asimilohen shqiptarët. p.sh. në vitin 1877, një diplomat grek, Skuludhis, i shkruante një letër ministrit të Jashtëm grek dhe i parashtronte optimizmin e tij për eliminimin e shqiptarëve të Çamërisë. Ja si thoshte: “Shqiptarët pa gjuhë, pa fe të përcaktuar nuk do të ruajnë gjatë kombësinë e tyre, por do të asimilohen nga grekët”. 28
Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
|