Përse jo, simboleve fetare në shkollat shqiptare
e martë, 18 janar 2011 / postieri
Nga: Ina K. Zhupa
Përkatësia fetare e shqiptarëve e bën më të pasur, më të përbërë identitetin kombëtar. Këtë e dëshmojnë të dhënat e panumërta të kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Por pavarësisht kësaj kur flitet për lejimin apo jo të simboleve fetare si psh: shamitë në shkollat publike mendoj se duhet të biem të gjithë dakord për të qenë kundër. Pse kundër simboleve fetare në shkolla?
1. Nuk duhen ngatërruar të drejtat themelore që shpreh kushtetuta sepse e them me bindje të plotë që ato nuk cënohen. Sepse siç e dimë të gjithë dhe për këtë nuk ka kundërshtime, e drejta për tu shkolluar nuk do të thotë që nuk do të vendosen kritere pranimi sipas shkollave. E njëjta gjë ndodh edhe në këtë rast ku nuk i ndalohet asnjë njeriu e drejta e studimin kur i vihen përpara disa kritere etike dhe ligjore, të cilat në qoftë se do të bëhesh pjesë e arsimit publik duhet ti zbatosh. Pra kriteri i mos përdorimit të asnjë lloj simboli fetar në shkollë të të gjitha feve nuk është cënim i të drejtës së shkollimit thjesht kriter për të shmangur fetarizimin e shkollave publike. 2. Ligji e parashikon shkollën si një institucion laik, si i tillë interpretimi më bazik që vjen nga ligji është që feja nuk ka vendin e saj në shkollat publike shqiptare dhe simbolet dhe zakonet e saj aq më pak. 3. Nuk përbën as një cënim të së drejtës për të besuar. Sepse çdo njeri është i lirë të besoj çfarë të dojë dhe si të dojë. Por e drejta e tij sipas ligjit është deri sa nuk cënon të drejtën e një tjetri dhe brenda kufirit të ligjit kjo do të thotë se ti mund të besosh lirisht po pa shfaqje të materializuara në një ambient shkollor publik, me rregulla dhe norma dhe me frekuentues të tjerë. 4. Shkolla mund të shndërrohen në arenë konfliktualiteti mes nxënësve, të cilët ashtu siç mbrojnë me fanatizëm përdorimin e këtyre simboleve në ambientet shkollore, ashtu me fanatizëm do të mbronin edhe fetë e tyre. Duke mbrojtur gjithsecili të vetën me fanatizëm mund të shndërrohet në një vend që vetëm institucion arsimor dhe racional nuk do të quhej më. Sepse kjo nuk mund të mohohet si mundësi edhe pse jemi një popull me tolerancë fetare. 5. Krijohen barriera psikologjike dhe fizike mes studentëve me njëri- tjetrin dhe midis tyre dhe pedagogëve të tyre. Së pari: temat fetare dhe bisedat e këtij lloji do të ishin të pamundura të zhvilloheshin pa komplekse nga palët në raste të këtyre shfaqjeve ekstreme. Së dyti ata nxënës që nuk kanë atë lloj besimi me ta do të ndjeheshin më të distancuar apo dhe vetë personat që duan të përdorin këto lloj simbolesh të dukshme do të ndjehen më të distancuar, të rrethuar me njerëz shumë të ndryshëm nga vetja. Së treti pedagogët nuk mund të ndjehen komodë në qoftë se shpjegonin dhe gjysma e klasës së tyre ka sytë e mbuluara si pjesë e fesë së vet. 6. Deri sot njohim disa lloje të caktuara simbolesh dhe praktikash fetare të cilat personat që i përdorin argumentojnë duke thënë që nuk ka janë ndonjë gjë e papranueshme për mjedisin shkollor, sikurse krahasojnë shaminë për modë të dikujt dhe të tyren për fe. Absolutisht që i kundërshtoj të dyja sepse në themel kundërshtoj jo llojin e simbolit në vetvete por mospasjen e një kodi etik për ambientin ku studion. Argumenti që nuk janë jo etike e hedh poshtë me faktin që vërtetë disa lloje simbolesh që ne njohim dhe shohim sot mund të mos kenë asgjë joetike, por kush na garanton ne që nesër një lloj i ri besimi ose edhe këto ekzistues në shenjë të pastërtisë të tyre e të mospasjen frikë dhe turp nga asgjë vendosin normë të tyren daljen nudo. A do të lejojmë ne në shkolla njerëz që vijnë për të studiuar nudo?! Përgjigja besoj dhe jam e bindur që është jo. Pikërisht përgjigja JO është për çdo lloj shfaqje ekstremiste si nga “e zhveshura” si nga “e veshura” si për fenë dhe si për modën etj. E mesmja e artë thoshte Aristoteli dhe pikërisht kjo është e vlefshme dhe për normat e shkollave. 7. Predispozita më madhe për të krijuar alibi shkollore . Unë e quaj kështu sepse veçantia e tyre në krahasim me të tjerët bën që ata të kërkojnë ndonjëherë më shumë se ç’duhet ose dhe të presin më pak. Që do të thotë ose të akuzojnë në mënyrë të padrejtë psh: një pedagog për notën që i vuri si pasojë e mos përputhjes së tij me besimin e saj. Dhe kjo t'i bëjë pedagogët me frikë se mos bëhen shkak i ndonjë polemike të panevojshme dhe kështu fillojnë ti diskrimojnë pozitivisht. Ose e kundërta që studenti që mund të jetë shumëfish më shumë i përgatitur nga studimi dhe realisht të marr më pak se ajo që meriton për një lloj paragjykimi që mund të këtë profesori dhe në këtë mënyrë pritshmëria dhe vlerat e tij të vërteta ulen, në këtë rast diskriminojnë negativisht. Të dyja rastet janë hipotetike por shprehin atë që ndryshime të panevojshme nga masa tjetër e studentëve çojnë në ndryshime të tjera të panevojshme dhe që prishin mbarëvajtjen e institucionin si në rastin e diskriminimit pozitiv ashtu dhe negativ. Pra janë të dëmshme si psikologjikisht mendimi për një diskriminim pozitiv apo negativ si dhe ndodhja reale e tyre për faktin e përdorimin të simboleve fetare. 8. Të gjithë besoj se e dini se pjesë e rregullave të shkollave publike janë: identifikimi i studentit, ndalimi i kopjes dhe mbrojtja e sigurisë së institucionit. Siç të gjithë besoj se e dini një simbolikë tjetër fetare është mbajtja e perçeve të cilat lejojnë që vetëm sytë të duken, atëherë si do të bëhet e mundur identifikimi i studentes që ke në provim. Kjo fare mirë mund të çojë në futjen në institucion të të tretëve o me qëllimin për të bërë provim në emër të studentes ose një situatë që ndodh shumë shpesh sot në botë kush më siguron mua se një terrorist/e apo një psikopat/e nuk do ta përdori këtë lloj veshje për tu futur me lehtësinë më të madhe në institucionin arsimor? 9. Me lejoni ta mbyll me një shembull pak me humor por e bëj këtë pikërisht për të thirrur gjykimin tuaj të ftohtë për rëndësinë e kësaj çështje. Po marr si shembuj vajzat që veshin ferexhe: Si do ta zhvillonin këto një orë mësimi në akademinë e arteve ku pedagogia i cakton që të luajë në dramën e tyre rolin e prostitutës apo të fëmijës apo të zonjës?! Apo një studente në akademinë e rendit e cila nuk pranon të veshë uniformën policore dhe thotë që do të dalë police me ferexhe! Apo një studente në akademinë e sporteve që nuk pranon të veshë uniformën për ndeshjen e basketbollit! Pra ose do të pengojnë procesin mësimor, ose do ti mohojnë vetes së tyre mundësinë për të studiuar në të gjitha shkollat. I solla këto shembuj ekstremë pikërisht si pasojë e ekstremizmit që mbartin me vete fenomene të tilla, simbolika të tilla fetare të panevojshme dhe të dëmshme për ambientin akademik shqiptar. Të gjitha këto i paraqita në mënyrën më të prekshme dhe më të thjeshtë të mundshme sepse dhe ky problem është i prekshëm dhe i thjeshtë por që shkakton diskutime të forta dhe mbrojtje dhe kundërshti po aq të forta. Shpresoj që kushdo pavarësisht lidhjes së tij me fenë të kuptoj se përse duhet t’i themi jo simboleve fetare në shkollat tona. (*Politologe) 28
Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
|