Nga Tetova në Tiranë (apo si kreu i bashkisë do të bëjë vezë të kuqe)
e hënë, 26 shtator 2011 / Ujk
Nga: Arjan Tomorri
Mendohet se Tirana, si qyteti më i madh dhe kryeqytet i Shqipërisë, është shembull i mirë për të gjitha qytetet e tjera shqiptare, sidomos për ato që ende janë nën administrim të huaj ushtarak. Por Tirana e fundgushtit ishte një shembull i keq.
Ditën e “Kurban Bajramit” Tirana u gdhi e ngrysur, e infektuar nga i njëjti virus që kishte prekur qytete të tjera, Tetovën për shembull. Kryetari i bashkisë me rastin e mbylljes së muajit të “Ramazanit” shtroi një darkë ("iftar" në arabisht) për krerët dhe besimtarët myslimanë. Me virus nuk i referohem darkës apo festimeve në vetvete, pasi gjithsecili, në bazë të botëkuptimit dhe të origjinës, ka lirinë të zgjedhë në çfarë beson; Me virus i referohem shkeljes së hapur dhe fodulle që iu bë Kushtetutës. Që Kushtetuta u shkel, këtë nuk e pohoj unë, ose më mirë, e pohoj dhe unë si një nga miliona shqiptarë që e votuan, por këtë e pohon, pa mundësi interpretimi apo keqkuptimi, Neni 10 i saj: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare”. Kjo normë dhe e gjithë fryma dhe tradita kushtetuese e Shqipërisë e detyron Shtetin, në të gjitha nivelet e tij, të përmbahet nga miratimi i akteve ligjore dhe nga sjelljet publike që interpretohen si favorizim, a më keq akoma si propagandë fetare. Organizimi i ritualeve fetare, dhe nuk ka dyshim që “iftari” është ritual, e bën Shtetin një propagandues fetar dhe e vendos përpara përgjegjësive ligjore. Përgjegjësi akoma më e madhe nëse këto rituale kryhen në ambientet zyrtare të Shtetit. Deri më sot ishim mësuar që në raste festash fetare, zyrtarët e lartë dhe përfaqësuesit e tjerë politikë të vizitonin ambientet fetare, të uronin klerikët dhe ndjekësit e tyre, të shpërndanin mesazhe paqeje dhe në fund një “Gëzuar!” ( me verë, raki apo lëng portokalli, sipas rastit). Kaq, e gjitha brenda normave të qytetarisë dhe të traditës shqiptare. Shtrimi i “iftareve” nga ana e zyrtarëve të lartë, pikërisht në veçorinë e tyre si zyrtarë, e theu këtë traditë, e bëri shtetin palë me personat juridikë fetarë duke tejkaluar asnjanësinë e kërkuar nga Kushtetuta. Në këto ditë me lajme jo të mira për rendin tonë kushtetues, pra për vetë themelet e Shtetit, nuk mund të kalonte pa u vënë re dhe urimi i Sekretares amerikane të Shtetit, Klinton, drejtuar shqiptarëve me rastin e “Kurban Bajramit”, aq më pak mund të kalojë pa u vënë re lidhja midis këtij urimi dhe shtrimit në seri të “iftareve” nga politikanët. SHBA-ja dhe gjithë bota perëndimore, në të cilën bëjmë pjesë dhe ne, po përballet me hënëzatat islamike. Në këtë përplasje shumëplanëshe po përdoren të gjitha mjetet për të arritur zgjidhjen. “Dialogu” është, padyshim, një nga këto mjete. Pas spastrimeve të fundit në ushtrinë turke, partia islamike në pushtet, duket se ka eliminuar dhe pasardhësit e fundit të qemalizmit, pra dhe mbrojtësit e fundit të laicitetit në atë vend dhe duket se e ka futur Turqinë në një fazë të re islamizimi institucional dhe ekspansionizmi otoman. Në dritën e këtyre zhvillimeve Turqia nuk mund të jetë më një urë komunikimi dhe dialogu midis Perëndimit dhe botës islamike, për këtë arsye SHBA-ja ka nisur tanimë kërkimin e një “zëvendësuesi”. Një nga këta “zëvendësues” mund të jetë dhe Shqipëria, sipas këndvështrimit amerikan. Në të vërtetë më shumë se rrugë komunikimi, duke parë peshën politike dhe ekonomike të Shqipërisë, këtu flitet për të promovuar dhe për të shpërndarë imazhin e një islami ndryshe, joradikal, të moderuar, një hap afër shekullarizimit, e një islami me të cilin bota perëndimore mund të bashkëjetojë... Në këtë drejtim shkon telegrami i Klintonit dhe e gjithë vëmendja e shtypit ndërkombëtar për “myslimanizmin tolerant” (sic) në Shqipëri, rasti i fundit intervista me kampionen e futbollit Bajramaj. Gabim i trashë! Nuk ekziston një “myslimanizëm tolerant” apo “myslimanizëm i moderuar”. Ajo që në sytë e të tjerëve, e të huajve, duket, apo duan që të duket si një formë e re islami, në të vërtetë është shprehi e ndjenjës së cekët fetare, e afetarizmit shqiptar, apo më shumë akoma e vetëdijes kombëtare. Këto shtysa për të islamizuar me pahir e në mënyrë të “moderuar” shqiptarët përbëjnë një kthim të frikshëm mbrapa, një shkulje nga Perëndimi dhe një vërvitje drejt Lindjes. Shqipëria, si shtet, lindi si shtet laik. Për këtë u punua dhe luftua me shekuj. Dhe jo vetëm kaq: Shqipëria në çështjet fetare ka qenë dhjetëvjeçarë të tërë përpara shteteve evropiane (Belgjika dhe Franca ligjin e ferexhesë e miratuan pothuajse 80 vjet më vonë se Monarkia Shqiptare). Politikanët tanë po bëhen palë e një eksperimenti që mund të na kushtojë shumë, në një të ardhme jo të largët, në çështje të sigurisë publike. Shqipëria po e bën shumë mirë detyrën e saj në mbrojtje të paqes dhe të të drejtave të njeriut në botë. Vëllezërit tanë nën armë po shpërndajnë me trimëri vlerat e qytetërimit në cepat më të errët të globit. Ne nuk kemi pse të rrezikojmë në këtë përplasje dhe identitetin tonë. Për t’u kthyer te kreu i bashkisë së Tiranës, gjesti i tij shkakton probleme jo vetëm ligjore por edhe morale. Shteti duhet të jetë i baraslarguar nga fetë dhe t’i trajtojë në mënyrë të barabartë. Prandaj dhe mezi po pres ditën që kryetari pasi shtroi “iftar” të shpërndajë tani dhe vezë të kuqe; Dhe këtë duhet ta bëjë dy herë në vit se kemi dy “Pashkë”, por më interesante do të jetë kur kreu i bashkisë së Tiranës të gatuajë dhe ashuren. “Po për ne ateistët,” - do protestojë dikush, - “duke qenë se përbëjmë shumicën dhe kemi vendin tonë në Kushtetutë, çfarë riti duhet të kryejë që të mos na lëndohen ndjenjat?” Propozoj, duke parë se për të rënduar xhepat e taksapaguesit kujdesen klerikët, t’i dhurojmë ndonjë libër për të lexuar për çdo ditë të vitit. “Historia e Shqipërisë” do shkonte mjaft mirë por edhe “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është ...” e Samiut bashkë me serinë e plotë të Rilindjes, apo dhe “Grindje me klerin” e Ismet Totos apo dhe .... listë e gjatë. 21
Komente |
5 nëntor 2011 - 18:59
Dhe sërish:
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i ka dërguar urime ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, me rastin e Festës së Kurban.
Clinton ka përgëzuar përmes ministrit Hoxhaj të gjithë myslimanët kosovarë për festën e Bajramit, duke uruar që këtë festë ta kalojnë në paqe dhe të gëzuar.
Festa e Kurban Bajramit, është një rast për të festuar, me ç’rast myslimanët bashkohen për të reflektuar mbi vlerat e rëndësishme të familjes, bamirësisë dhe të komunitetit. /Telegrafi/
ndiq nyjen
27 nëntor 2011 - 10:02
Myslimanët kanë jetuar në Evropë një kohë të gjatë, gati pa u vërejtur fare. Por pas daljes në skenë të islamit radikal, në sipërfaqe dolën edhe pyetjet e përgjithshme si p.sh. : sa mund të harmonizojnë vlerat perëndimore dhe feja islame? Tradita boshnjake mund të përdoret si shembull për respektimin prej kësaj feje të parimeve demokratike. Prandaj përvoja dhe traditat e Bosnjë-Hercegovinës mund të shërbejnë si shembull për tërë Evropën, thotë Armina Omerika, shkencëtare e fesë islame nga universiteti i Bohumit për DW. “Në njërën anë kemi një përvojë shumë të gjatë të fesë islame në një rreth dhe në një shtet sekular. Nga ana tjetër në Bosnjë-Hercegovinë ekziston një numër i madh i institucioneve të cilave u nënshtrohet feja dhe bashkësia islame, si bartësit kryesor të fesë në këtë vend”, pohon ajo.
Toleranca ndërfetare
Myslimanët në Bosnjë janë popull shumicë dhe si të tillë bashkëjetojnë me katolikët dhe ortodoksët e krishterë si dhe me hebrenjtë për një kohë shumë të gjatë. Ata kanë një përvojë të gjatë prej 130 vitesh, që nga koha e dominimit të Monarkisë Austro - Hungareze. Dhe pikërisht austriakët ishin ata të cilët në Bosnjë lejuan themelimin e postit të myftiut, duke u bazuar mbi shembullin e kishës së krishterë. Këto veçori e bëjnë atraktive traditën boshnjake dhe fenë islame në këtë vend për vendet tjera perëndimore, pohon Omerika. “Është kjo një formë e institucionalizimit e cila për shumë evropianë paraqet diçka të njohur, një gjë e cila mund të krahasohet me strukturat dhe format e organizatave të krishtera”, thotë Omerika.
Islami evropian
Çështja është nëse në përgjithësi mund të përdoret nocioni “islami evropian”? Kerem Oktem, docent në Qendrën për studime evropiane pranë universitetit të Oksfordit thotë se kjo pyetje është e gabuar. “Problemi kryesor është përshtypja se feja islame është diçka e huaj, diçka e ndryshme. Një gjë e cila nuk vjen nga Evropa dhe që duhet të evropianizohet”, pohon Oktem, duke shtuar ky mendim është i gabuar, sepse feja islame ekziston në Evropë për shekuj të tërë. Bosnjë-Hercegovina është një shembull, por ekzistojnë edhe Turqia, Shqipëria apo Bullgaria ku ka një element të fuqishëm të kësaj feje. Në shumë vende kemi një traditë të gjatë bashkëjetese mes fesë islame dhe botës së krishterë. Si për shembull, në Poloni, shpjegon kleriku Adam Vas, docent në fakultetin për shkencat islame në universitetin katolik në Lublin.
Rasti i Polonisë
“Ne në Poloni kemi përvoja me fenë islame për 600 vjet me radhë. Kemi përvoja me tatarët”, pohon ai. Ky është një grup i vogël, me më pak se 1% të popullatës, por identiteti i tyre fetar ekziston për një kohë të gjatë. Mirëpo në Poloni ndërkohë është rritur numri i atyre që i përkasin bashkësisë së fesë islame. “Ka dhe studentë që kanë ardhur nga vende të ndryshme arabe në Poloni, në pjesën e dytë të shekullit 20. Shumica prej tyre janë martuar dhe kanë mbetur në Poloni, ku kanë krijuar familje”, thekson ai. Në Evropë ka shumë turq, arabë, shqiptarë apo boshnjakë të fesë islame. Ata flasin me gjuhë të ndryshme dhe kanë kultura të ndryshme, por shumë tradita i kanë të ngjashme. Kerem Oktem thotë se do të ishte mirë sikur në Evropë të krijohej një formë unike e fesë islame.
ndiq nyjen
14 dhjetor 2011 - 20:51
Ambasadori amerikan Christopher Dell në një deklaratë me presidenten Jahjaga në Monmouth University të New Jersey, kanë thënë se Kosova është tregim i suksesshëm, dhe shembull i bashkëekzistencës së vlerave perëndimore e islamike.
“Kosova është një tregim i mirë në lajme, jo një lajm i keq. Është një shtet që kërkon vendin e tij në hapësirën evropiane….Besoj se ajo përfaqëson një të ardhme sipas së cilës një shtet mysliman mund të tregojë se vlerat Islamike dhe ajto perëndimore mund të bashkëjetojnë”, ka thënë Dell.
Ai ka treguar sesi Jahjaga pranoi ta marrë udhëheqjen e shtetit pasi që dy paraardhësit e saj u larguan nga posti brenda 4 muajsh.
ndiq nyjen