Kriza e besimit dhe keqpërdorimi i fesë
e diel, 3 korrik 2011 / postieri
Nga: Safet Krasniqi
Konstantes agresive në rritje të zhvillimeve shoqërore në Kosovë nuk po i shpëton dot as diskutimi për ndërtimin e xhamisë për nevojat e besimtarëve në kryeqytet. E panevojshme sigurisht, përderisa deri vonë jemi ndjerë krenarë për trashëgiminë e larmishme fetare që kemi patur gjatë shekujsh. Në një Shqipëri me pothuaj 700 kisha katolike, 430 kisha ortodokse e 570 xhami gjërat duken më të relaksuara. Ndërsa Kosova me mbi 500 xhamitë e saj e me shumë pak kisha katolike, ka një prirje boshnjakëzimi e pozicionimi tekanjoz në sjelljen e disa besimtarëve të saj. E (pa)arsyeshme, e (pa)nevojshme, me pro et contra-t e veta, e gjithë kjo situatë vetëm sa e shpërfytyron sharmin fetar shqiptar.
Shih për këtë, askush nuk ka të drejtë që nevojën për ndërtimin e objekteve fetare ta përdorë për ekspozurë dhe ta njollosë me sjellje afektuoze, siç po ndodh këtyre ditëve në rrugët e Prishtinës. Apo të premtojë nëpër fushata se do të ndërtojë xhami e kisha, sikur bëjnë politikanët në Kosovë e Shqipëri. Shteti duhet të qëndrojë larg fesë, por njëkohësisht duhet të mbrojë fuqishëm vlerat karakteristike të shoqërisë sonë duke kontrolluar çdo veprim të dyshimtë të individëve apo organizatave që veprojnë në vend. Tani jemi dëshmitarë të tendencës për radikalizim e imponim sidomos pas ardhjes së misionarëve dhe organizatave nga çdo cep i globit, të cilat më shumë se që kanë ndihmuar, e kanë komprometuar zhvillimin e shëndetshëm shpirtëror të shoqërisë. Kjo padyshim mund të na krijojë probleme të mëdha si shtet i ri që jemi. Sa për referencë, një shembull tipik të tillë të zhbërjes shpirtërore kolektive e kemi fqinjin verior. Me politikën e kontrolluar nga feja, me ideologjinë kombëtare të strukturuar nga feja, e me ushtarakët vrasës të spërkatur me “ujë të shenjtë”, fqinjit nuk i mbeti më gjë për t’u krenuar. As për anën shpirtërore së paku. Se popujt e vegjël, të paktën, mbahen pas këtyre vlerave. Nuk e kanë luksin të jenë fetarë kryeneçë. Ai luks u takon shteteve të mëdha, SHBA-së, Iranit, Anglisë, Pakistanit, Indonezisë, apo Francës e Gjermanisë, të cilave u shkojnë para të majme për të menaxhuar dhe mbrojtur ideologjitë e tyre. Besimtarët dhe fanatikët e të gjitha feve në Kosovë, më shumë sesa për lokacionet e preferuara dhe për përmasat e objekteve fetare, duhet të shqetësohen për mënyrën se si të kultivojnë kulturën e besimit, si dhe respektin e dashamirësinë për fetë simotra. Pastaj se si të ruhen objektet ekzistente nga boshatisja dhe mungesa e besimtarëve. Nuk flitet këtu vetëm për Prishtinën, Tiranën, Prizrenin apo disa qytete tjera të mëdha që normalisht përthithin besimtarë që në fundjavë ia mësyjnë qytetit për ritet, por edhe për të shijuar të dalurit, shëtinë. Ana tjetër e medaljes qëndron pikërisht në periferitë. Mjafton të shkohet nëpër shumicën e xhamive e kishave nëpër fshatrat e Kosovës e Shqipërisë dhe të takohesh me indiferencën pothuaj totale të shumicës absolute të të rinjve karshi riteve e besimeve, qoftë gjatë festave apo në rutinën e tyre ditore. Njëjtë mund të thuhet edhe për predikuesit moskokëçarës, të cilët shërbimin e bëjnë më shumë nga obligimi sesa nga dëshira për të transmetuar fjalën e mirë. Në dekadën e fundit nga ndërtimet pa kriter është dëmtuar rëndë identitetit arkitekturor i pjesëve të tëra të qyteteve shqiptare. Tendenca për të zaptuar dhe jo për të hijeshuar hapësirat ku ndërtohet ka arritur kulmin. Gjithë kjo duket si garë mes ndërtuesish në kategorinë “kush ndërton më shëmtuar” sesa si zhvillim i mirëfilltë i arkitekturës. Në rastin e ndërtimeve të banesave apo objekteve tjera administrative rregullat janë më të shpërfillshme, sepse në një kohë të caktuar ato edhe mund të largohen, ndërsa objektet e shenjta duhen trajtuar jashtëzakonisht kujdesshëm. Sepse ato mbesin përgjithmonë aty, dhe kështu nuk duhet ndërtuar kudo e dosido. Ato meritojnë lokacion dinjitoz dhe hapësirë të bollshme. Ato duhet të përkasin aty ku ndërtohen, të jenë në harmoni me objektet përcjellëse dhe të kenë gjithë infrastrukturën e nevojshme. Lokacioni i propozuar në Ulpianë nuk i ofron një xhamie atë që i duhet. E futur në mes banesash urbane shumëkatëshe e në një terren të pjerrët xhamia do të dukej si një ndërtim i zorit, i dhunshëm. Edhe ndërtimi në hapësirat universitare do t’ia humbte atyre këtë emër. Për të mos anashkaluar legjitimimin indirekt që do t’i bëhej kishës millosheviqiane e ndërtuar padrejtësisht vite më parë. Kur do të vijë koha kur ne do të mendojmë e punojmë me vizion, përtej emocioneve të momentit? A i duhet Prishtinës një xhami e ndërtuar domosdoshmërisht në qendër, në një qoshe të pjerrtë apo në një hapësirë të respektueshme dhe më në periferi? Në një hapësirë ku do të përkiste, ku të kishte hapësirë të mjaftueshme për infrastrukturën përcjellëse, që të shërbente jo vetëm për t’u falur, por si një kompleks multifunksional, qoftë bashkë me Qendrën Islamike. Kjo do t’i ofronte qasje jo vetëm ca besimtarëve meshkuj, por gjithë të interesuarve, studentëve, vizitorëve familjarë e turistëve potencialë në të ardhmen. Kështu do nderohej besimi, feja, vetvetja. Përndryshe, shkurtpamësinë e sotme s’do na e falë e ardhmja. 13
Komente |
4 korrik 2011 - 09:08
ndiq nyjen
4 korrik 2011 - 09:28
Keshtu rregullohet ceshtja.
4 korrik 2011 - 11:08
4 korrik 2011 - 22:17
Shume ma mire eshte qe populli te mos kete frik per me kunderdshtu fejen. Shume ma mire eshte qe ti zgjojme nga gjumi keta njerez qe i percjellin fjalet e arabeve ne menyr te verber.
5 korrik 2011 - 16:17
Keshtu qe vertet njerezit duhen zgjuar nga gjumi sepse edhe ate lloj zgjuarsie qe kemi patur si shqiptare gjate historise, shume veta nuk e besojne por eshte edhe prej faktit qe perhere e kemi marre lehte fene, ne kete menyre duke i shpetuar gjumit intelektual ne te cilin te fut.
Une ne cdo rast sa here qe kam mundesi e jap ate dije sa kam, te paster dhe te pa interpretuar, pro apo kunder perrallave fetare, madje ne disa raste edhe duke i bere avokat fese sepse kur pyetjet qe me bejne kalojne ne prizmin "po si korelohet kjo me zotin" une pergjigjen e jap "po ty c'te intereson si korelohet, kjo eshte njohuria dhe pike. Analizen beje vete me vone, meso nje here njohurine dhe me pas bej c'te duash."
E rendesishme eshte te mesojne sa me shume per boten qe i rrethon, se me pas njohurine kane per ta perdorur ne menyre te natyrshme sic duhet. Nuk ka si te ndodhe ndryshe.