Gëzuar "Kurban Bajramin"

Nga: Arjan Tomorri
Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, nëse vendosim ta quajmë shtet, nuk mund ta quajmë veçse një shtet të çuditshëm. Provoni ta vini veten në teshat e një personi të tretë, pak të vëmendshëm për çështjet tona kombëtare.

Shorti paraeliminator i Kupës së Kampionëve vendosi përballë kampionen e Serbisë me kampionen e IRJM-së. Gazetat e gjysmës së kontinentit shkruan për rrezikun e përplasjeve midis tifozëve serbë dhe atyre shqiptarë! Për herë të parë në një ndeshje të këtij turneu ishin drejtpërdrejt të interesuara tri shtete (Shqipëria Veriore, Shqipëria Perëndimore dhe Serbia) si dhe dy pseudoshtete (IRJM-ja dhe Mali i Zi). Përgjigjja për hutimin e vëzhguesit të pavëmendshëm është e thjeshtë: ekipi kampion i IRJM-së nuk është ekip sllav, por shqiptar. Situatë e ngjashme u krijua dhe në Ligën e Evropës,ku "SS Lazio” pas fitores së thellë në stadiumin “Olimpik” udhëtoi në IRJM për ndeshjen e kthimit me “Rabotnickin”. Duke parë rezultatin e ndeshjes lacialët me siguri kishin parashikuar një pritje, në mos agresive, të paktën indiferente. Nuk ndodhi, u pritën me lule dhe brohorima, meritë e Canës. Pyetjes hipotetike të trajnerit Edoardo Reja: “Po si..., ti nuk je shqiptar... këtu jemi ...?” i takon përgjigja, po hipotetike: “Po në Shqipëri jemi edhe këtu”.

Kjo është situata që po përjeton pseudoshteti i IRJM-së. Në këtë situatë, detyrë historike e shqiptarëve në këtë shtet është kthimi i IRJM-së në shtetin e tretë shqiptar në rajon. Ky vullnet arrihet:

1. Duke përshtatur peshën demografike me peshën politike.

Shqiptarët nuk luajnë rolin që duhet të kishin në atë shtet, as nga pikëpamja sasiore aq më pak nga ana cilësore. Partitë shqiptare nuk janë, e nuk duhet ta cilësojnë veten, thjesht si parti aleate, të cilat ndihmojnë në krijimin e qeverisë, por duhet të jenë përfaqësuesit e pothuajse 1 000 000 shqiptarëve të cilët jetojnë nën një administratë pushtuese.

Vetëm për administratë ushtarake pushtuese mund të flitet kur ende sot vazhdon procesi i çshqiptarizimit të Shkupit dhe i qyteteve të tjera shqiptare, kur vazhdon diskriminimi në shkolla dhe administratë e ku shqiptarët çdo ditë vuajnë angaritë e një pushtuesi (të humbur). Politikanët duhet ta kuptojnë mirë peshën demografike dhe të mësojnë ta kthejnë në peshë politike, duhet që sllavët e IRJM-së ta kuptojnë që jo thjesht qeveritë, por i gjithë ai pseudoshtet është në vartësi të humorit të shqiptarëve.

2. Duke forcuar identitetin kombëtar.

Lajmi i këtyre ditëve që komuna Tetovë organizon një festë për “Kurban Bajramin” dhe kryekomunari Bexheti deklaron “Festa e madhe e Fitër Bajramit është sinonim i sakrificës, solidaritetit dhe raporteve te mira miqësore” (ndiq nyjen), tregon një veprim që hap dy çështje mjaft delikate.

Kushtetueshmërinë e këtij festimi të organizuar nga komuna dhe vetë deklaratën e kryetarit të saj, në raport, sigurisht, me sistemin kushtetues të shtetit të cilin, ende, shqiptarët mbajnë në këmbë.

IRJM-ja është një shtet laik dhe si i tillë shteti, në të gjitha nivelet e tij, lokale dhe qendrore, nuk mund dhe nuk duhet të kryejë akte publike të cilat të japin përshtypjen se po përkrah këtë apo atë fe, aq më pak të kryejë propagandë fetare, si në rastin e komunës Tetovë. Pra kreu i komunës Sadi Bexheti ka kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës, por nuk po përndiqet nga shteti për arsye që do të shpjegohen më poshtë.

Kjo është njëra anë e çështjes, ana tjetër ka të bëjë me identitetin kombëtar. Komuna Tetovë po promovon një identitet islamik të shqiptarëve. A mundet identiteti islamik të qëndrojë ngjitur me identitetin shqiptar?

Përgjigjja vjen prej një nga personave drejtpërdrejt të interesuar, që është dhe një nga përfaqësuesit më të lartë të ideologjisë islamike në trojet shqiptare, kreu i organizatës “Bashkësia Islame e Kosovës”, shqipfolësi Naim Tërnava. Përgjigja e tij është e pastër dhe e thatë: “JO!”

Tërnava, zëdhënësi shqipfolës numër një i neootomanizmit në territorin tonë deklaroi këto ditë me mënyrën e tij se “shqiptarët janë turq”, gjithashtu kërkoi rishkrim të historisë, futjen e ideologjisë islamike si lëndë shkollore në arsimin publik, ngritjen në seri të institucioneve të indoktrinimit (kupto xhami) e sa prapësi të tjera. Indirekt ky shqipfolës pohoi një të vërtetë thelbësore: papajtueshmërinë e të qenit shqiptar me gjak dhe islamik me bindje.

Kthehemi te kryekomunari Bexheti, i cili edhe pse shkel Kushtetutën e shtetit ku ndodhet, nuk përndiqet (ndërkohë që në raste të tjera shteti ka qenë shumë i zellshëm për të dënuar funksionarë apo dhe shqiptarë të thjeshtë për gjëra shumë më të lehta, por që ishin manifestime të vetëdijes kombëtare).

Politika e islamizimit dhe çshqiptarizimit është e vjetër dhe e zbatuar për dekada në ish-Jugosllavi. Këto politika të shtetit jugosllav, aplikuar me ndihmën dhe bashkëpunimin e zellshëm të hoxhallarëve shqipfolës sollën shpërnguljen e qindra-mijëra shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi.

IRJM-ja sot, përsëri në bashkëpunim me hoxhallarët shqipfolës, është trashëguesja më besnike e Jugosllavisë. Çshqiptarizimi dhe islamizimi i shqiptarëve, përveç se në planin e brendshëm arrin dhe dy qëllime në marrëdhëniet me jashtë.

1. Gërryerjen e mbështetjes ndërkombëtare ndaj shqiptarëve – pasi jetojmë në kohët e luftës globale ndaj terrorizmit islamik dhe e “hënëzatave” postmoderne.

2. Delegjitimimin e interesit dhe të interesimit të Tiranës dhe të Prishtinës për çështjet “e brendshme maqedonase”, duke zhvendosur kështu konfliktin shqiptaro-sllav në IRJM nga rrafshi racialo–historik në rrafshin fetar, pra në rrafshin joshqiptar.

Kjo zhveshje nga mbështetja ndërkombëtare dhe kjo zhvendosje e konfliktit nga rrafshi i tij i vërtetë (racial) në një rrafsh të shpikur (fetar) u jep sllavëve zhdërvjelltësi në planet e tyre dhe na vendos ne shqiptarët në vështirësi, në radhë të parë me vetveten!

Përgjigja ndaj sulmeve neootomane dhe aleatëve të tyre sllavë është gjithmonë e njëjta, historikja, ai që quhet dhe ateizëm kombëtar dhe që e ka treguar veten nga Rilindja e deri sot. “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, është e vlefshme dhe sot, aq më tepër në territoret e pushtuara.

Kryetari i komunës Tetovë gënjehet nëse mendon se po kryen një shërbim për komunitetin e aq më pak për kombin, përkundrazi është duke iu shërbyer qëllimeve të armiqve shekullorë të shqiptarëve.

Për ‘Kurban Bajram” në Tetovë, me bekimin e sllavëve, kurban bëhet identiteti shqiptar.
 18

Komente

skerdilaid
skerdilaid 
30 gusht 2011 - 15:16
Nuk është vetëm komuna e Tetovës, por dhe e Gostivarit, përmendur dhe këtu:

Citim:
Vëllazëria nuk njeh kufij - Iftar të madh në Gostivar

Gostivari do të jetë nikoqir i manifestimit "Ramazani në Ballkan" të organizuar nga Komuna Bajrampasha (Republika e Turqisë) në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, manifestim ky që për çdo vit mbahet në disa vende ballkanike.

Konvoji i bereqetit nën moton "Vëllazëria nuk njeh kufij" më 16 gusht 2011 me fillim në orën 19:00 te parkingu përballë Shtëpisë së kulturës do të organizohet iftar i madh, në të cilin do të shërbehet ushqim për qytetarët.

Në iftar do të jenë prezent kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, delegacion i lartë prej komunës së Bajrampashës, kryetarë komunash dhe deputetë të parlamentit të Turqisë. (INA)

ndiq nyjen



Ky çshqiptarizim administrativ është tashmë i vazhduar dhe i metodizuar prej vitesh me financimin e Turqisë, ndërsa ministri i Jashtëm turk e pohon vetë objektivin:

Citim:
“Çdo xhami e shembur në Ballkan, çdo institucion islam i pakësuar, çdo element tradicional islam i asgjësuar në kuptim kulturor janë nga një gur themeli i shkulur prej ndikueshmërisë përtejkufitare të Turqisë në këtë zonë. Tashmë Turqia është e detyruar të prodhojë politika të mesme alternative që t’ i zënë vendin politikës së emigrimit të shndërruar në simbol të braktisjes së plotë. Është e pashmangshme që në themel të këtyre politikave të mesme të zërë vend mbajtja gjallë e kulturës otomano-islame në Ballkan”.

(Ahmet Davutoglu: “Thellësia strategjike: pozita ndërkombëtare e Turqisë”, Shtëpia botuese Logos-A, Shkup 2010, f. 80-81)



Po ashtu kreu i BFI-së ta thotë dhe ai haptas:

Citim:
BFI: Qeveria turke, krahu ynë i djathtë

Autoritete të larta shtetërore turke kemi pasur në kontinuitet, përkatësisht kohë pas kohe nga e kaluara e largët. Ne si institucion kemi pasur përkrahje të parezervë kur edhe idenë tonë për rekonstruktimin e “Musatafa Pashës” ia kemi shpalosur ish -presidentit të ndjerë Turgut Ozal, i cili na dha dritë jeshile për një bashkëpunim në atë drejtim. Përkrahja e lidershipit turk vazhdon edhe sot e kësaj dite, si me Kryetarin e shtetit Abdullah Gyl e me Kryeministrin Rexhep Taip Erdogan, po ashtu edhe me të gjithë bashkëpunëtorët e tyre. Interesimi i autoriteteve turke ka qenë tejet i madh, bie fjala, për trashëgiminë kulturore islame në Ballkan dhe në veçanti në Maqedoni.

ndiq nyjen


Që në fakt është e anasjellta, BFI-ja, BIK-u, KMSH-ja janë krahu i djathtë i Turqisë në shtetet përkatëse.

Të gjitha këto janë vetëm të javëve të fundit, janë vetëm simptoma të infeksionit... ndërsa sllavët jo vetëm që iu kanë lënë dorë të lirë turqve dhe islamikëve, por madje po i ndihmojnë. Mos ishte rastësi që dhe shtyrja për miratim e ligjit për futjen e fesë në shkolla ishte bërë nga grupet parlamentare të serbëve, turqve dhe islamikëve dhe u votua kundër nga shqiptarët...


Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
Aktualitet | Shkrime | Video | Thënie | Shpoti | Forum | Terminologji | Dijeni | Kontakt

 ateistet.org © 2007 - 2012 L
RSS kryesore