Zvicra ndalon minaretë
e diel, 29 nëntor 2009
Televizioni zviceran njoftoi se rezultatet e para nga referendumi i zhvilluar të dielën tregojnë se votuesit e kanë mbështetur masën e ndalimit për ndërtimin e minareve.Sondazhet në prag të këtij referendumi kishin treguar se shumica e votuesve do të kundërshtonte ndalimin e minareve, në përputhje me rekomandimin e qeverisë zvicerane. Partia Popullore Zvicerane, forca e djathtë që e paraqiti propozimin për ndalimin e minareve, thotë se ato janë simbole të forcimit të ideologjisë islamike. Myslimanët përbëjnë afro 4,5% të popullsisë së Zvicrës. Shumica e afro 400 mijë myslimanëve janë refugjatë nga ish-Jugosllavia. Në Zvicër islamizmi është feja e dytë më e përhapur në këtë vend pas krishterimit, por ai nuk është edhe aq i dukshëm. Në të gjithë Zvicrën ka vetëm katër minare dhe aplikimet e myslimanëve për të ndërtuar minare mbi xhami të të tjera janë refuzuar gjithmonë. Organizata "Amnesty International" ka paralajmëruar se ndalimi i minareve përbën shkelje të angazhimeve të Zvicrës për lirinë e besimit fetar. Myslimanët që jetojnë në Zvicër, thonë se ndërtimet e fundit të objekteve të kultit të besimeve të tjera, përfshirë kishën ortodokse serbe, janë prova se e vetmja fe që po diskriminohet nga autoritetet zvicerane është feja islame. Qeveria zvicerane druhet se ndalimi i minareve mund të shkaktojë protesta të komunitetit mysliman dhe mund të dëmtojë marrëdhëniet e Zvicrës me vendet islamike. 4
Komente |
Lajme të ngjashme
|
29 nëntor 2009 - 20:43
Pesëdhjeteshtatë për qind e votuesve zviceranë kanë votuar pro ndalimit të ndërtimit të minareve. Gjatë paradites së 29 nëntorit, banorët e Zvicrës kanë votuar në referendumin e iniciuar nga Partia Popullore e djathtë, që kërkonte moslejimin e minareve në këtë vend.
Partia Popullore pretendon se minaret janë pjesë e një strategjie për ta islamizuar Zvicrën. Konfederata Helvetike ka rreth 400 mijë myslimanë dhe ka aktualisht katër xhami me minare, që do të mbeten edhe pas referendumit.
Votimi u zhvillua pasi Partia Popullore mlodhi 100 mijë firma, çfarë lejon dërgimin e çështjes për votim me referendum. Pjesëmarrja në referendum ishte 55%. Qeveria zvicerane, tha se respekton vendimin e votuesve.
“Propozimi është miratuar nga shumica e votuesve zvicerane dhe shumica e kantoneve”, bën të ditur qeveria në Bernë.
Më herët propozimi ishte cilësuar si kundërthënës nga qeveria dhe sipas qeverisë dhe parlamentit të Zvicrës ai bie ndesh me kushtetutën, të drejtën e besimit dhe të drejtat e njeriut. Sipas zyrtarëve referendumi dhe rezultati i tij mund të provokojë radikalizmin islamik në Zvicër dhe të dëmtojë imazhin e vendit në botë.
Ndërkaq përkrahësit e referendumit kanë kërkuar që përmes ndalimit të minareve të ndalohej islami politik. Politikani i Partisë Popullore, nismëtare e referendumit, Ulrih Shluer deklaroi për Swissinfo se minaret simbolizojnë pretendimin e religjionit politik për të ardhur në fuqi.
“Ne nuk e ndalojmë islamin, ne ndalojmë simbolet politike të islamizimit dhe këto janë minaretë. Minaretë nuk kanë asgjë të bëjnë me besimin fetar. Minaretë janë simbole të fitores politike të islamit. Gjëja e parë që bën turqit kur morën Konstandinopojën ishte ndërtimi i minareve në krye të kishave kryesore”, thotë Shluer.
Amnesty International ka tërhequr vërejtjen se ndalimi i ndërtimit të minareve do të shkelë detyrimet që ka Zvicra për te respektuar lirinë e shprehjes së besimeve fetare.
Agjencitë e lajmeve njoftojnë se rezultatet e referendumit tregojnë për një ndarje mes kantoneve. Kështu kantoni gjermanofon i Lucernës e ka miratuar iniciativën, kurse kantonet frëngjishtfolëse të Gjenevës dhe Vo kanë votuar kundër.
Këtë frymë e transmeton dhe një votues në Gjenevë, i cili ka folur për agjencinë Reuters.
“Jam i tronditur nga kjo iniciativë. Në këtë mënyrë dhe ju kam treguar cili është pozicioni im. Jam kundër kësaj nisme pasi besoj se është jotolerante.”
Tensionet para votimit ishin rritur pasi kjo çështje lidhet me probleme të tjera të ndjeshme, mes të cilave dhe me imigrimin. (I.B.)
ndiq nyjen
30 nëntor 2009 - 19:17
Partia djathtiste e Lirisë në Holandë, njoftoi sot se do të kërkoj nga qeveria, që të mbajë referendum për ndalimin e ndërtimit të minareve, sipas shembullit të Zvicrës.
Lideri i Partisë së Lirisë së Holandës, Gert Vilders, i tha gazetës Volkskrant se partia i tij “do ta ftoj qeverinë, që të bëjë të mundshëm referendum të ngjashëm në Holandë”.
Kjo parti, e njohur për kritikat e saj për islamin dhe imigrantët, aktualisht i ka nëntë vende në Parlamentin prej 150 deputetëve.
Dje, pjesa më e madhe e votuesve zviceranë votoi në favor të ndalimit të ndërtimit të minareve, përkundër kundërshtimit nga ana e qeverisë së këtij vendi.
ndiq nyjen
26 shkurt 2010 - 19:33
Presidenti libian, Muamer el-Gadaffi, u ka bërë thirrje myslimanëve që ta bojkotojë Zvicrën dhe mallrat e saj, për shkak të qëndrimit të këtij shteti për ndalimin e ndërtimit të minareve.
Gjatë një takimi në qytetin Bengazi, ku po shënohet lindja e profetit, Gadaffi tha se “çdo mysliman, në cilëndo pjesë të botës, që punon me Zvicrën është i pavlerë dhe kundërshtar i profetit Muhamed, i Zotit dhe i Kur’anit”.
Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi të premten, se Gadaffi po ashtu porositi që "myslimanët duhet që në numër më të madh të shkojnë nëpër të gjitha aeroportet e botës islame dhe të parandalojnë aterrimin atje të çfarëdo aeroplani zviceran, që të mos lejojnë që asnjë anije zvicerane të ankorohet në asnjë port të tyre dhe të përkujdesen që nëpër dyqanet dhe tregjet e tyre të mos shitet asnjë prodhim zviceran”.
“Bojkotojeni Zvicrën, bojkotoni mallrat e saj, bojkotoni aeroplanët dhe anijet e saj, ambasadat e saj... Bojkotojeni atë racë të pandershme, ata të pavlerë që e sulmojnë shtëpinë e Allahut”, theksoi Gadaffi.
"Thirrjet e shefit të një shteti për luftë të shenjtë janë të papranueshme”, theksoi të premten një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, derisa po reagonte ndaj deklaratës së presidentit të Libisë, Muamer el-Gadaffi.
"Konsideroj se deklaratat e tilla të një shefi të shtetit janë të palejueshme në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare “, deklaroi Sergey Ordzonikidze, sekretar i Përgjithshëm i Zyrë së OKB në Gjenevë.
Sipas BBC, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Zvicrës nuk deshi t’i komentonte deklaratat e liderit libian.
ndiq nyjen
Nju Jork, 26 shkurt Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar thirrjen e liderit të Libisë, Moamer Gadafi, për xhihad kundër Zvicrës.
Gadafi dje bëri thirrje për xhihad për shkak të ndalesës së ndërtimit të minareve në Zvicër.
Drejtori i përgjithshëm i OKB së, Sergei Orxhonokixe, tha se thirrja e tillë nga një shef i shtetit është "e papranueshme". Zyra e komisionerit për politikë të jashtme në Bruksel tha se kjo thirrje ishte "fatkeqe".
ndiq nyjen
27 shkurt 2010 - 13:54
4 mars 2010 - 23:14
Tripoli, 4 mars – Autoritetet libiane paralajmëruan të enjten vendosjen e një embargoje totale ekonomike kundër Zvicrës, pas tensionimit të marrëdhënieve politike ndërmjet dy shteteve si pasojë e referendumit popullor të mbajtur në shtetin helvet për ndalimin e ndërtimit të minareve të reja nëpër xhami.
Vendimi i shkëputjes i të gjithave shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike nga ana e Libisë u njoftua nga zëdhënësi i qeverisë në Tripoli, Mohamed Baayou, pikërisht kur dukej se marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve mund të përmirësoheshin.
Por akuzave të Libisë nuk u kanë shpëtuar as Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zëdhënësi theksoi me këtë rast se është duke u shqyrtuar edhe mundësia e aplikimit të të njëjta masave ekonomike edhe ndaj SHBA-së, pas deklaratave ironizuese lëshuar prej Washingtonit në lidhje me thirrjen e liderit të Libisë, Mohammer Gaddafi për “xhihad” ndaj Zvicrës.
ndiq nyjen