Tiranë: Shteti heq taksat për klerikët e huaj
e shtunë, 17 janar 2009
Të gjithë shtetasit e huaj që janë pjesë e personeleve fetare dhe laike të komuniteteve fetare në vendin tonë, do të përjashtohen nga detyrimet fiskale kundrejt shtetit shqiptar. Një lehtësim i tillë parashikohet në marrëveshjet që institucionet përkatëse të besimit fetar, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendin tonë, përkatësisht Komuniteti Mysliman Shqiptar, Kisha Orthodokse Autoqefale Shqiptare dhe Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, kanë lidhur më 24 tetor të vitit të shkuar me qeverinë shqiptare dhe që kjo e fundit ia ka paraqitur ditët e fundit Kuvendit të Shqipërisë për ratifikim. Kështu, në bazë të nenit 15 të secilës prej këtyre marrëveshjeve, i cili bën fjalë për statusin juridik dhe fiskal të secilit prej këtyre institucioneve, përjashton nga detyrimi i derdhjes së kontributeve për sigurimin shoqëror dhe shëndetësor të gjithë personelin e tyre me kombësi të huaj dhe me banim të përhershëm në Shqipëri. Nga një klauzolë e tillë duket se përfiton edhe kreu më i lartë i Kishës Ortodokse në Shqipëri, Anastas Janullatosi, i cili ka kombësi dhe shtetësi greke. Këto marrëveshje parashikojnë dhe një sërë lehtësirash të tjera fiskale për këto institucione, të cilat përjashtohen nga të gjitha llojet e tjera të taksave, taksimi i subvencioneve të ndryshme, taksa e trashëgimisë së pronave apo edhe ndërtimi i objekteve të tjera të kultit. Ndërkohë, qeveria merr përsipër që të bëjë një trajtim të diferencuar të çështjes së pronës së këtyre komuniteteve. Sipas nenit 22 të këtyre marrëveshjeve, shteti u njeh këtyre institucioneve të drejtën e pronës mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme, ndërsa merr përsipër që t'i kthejë dhe kompensojë ato për të gjitha pronat e tjera. Ndryshe nga marrëveshjet me Kishën Ortodokse dhe Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, ajo me Komunitetin Mysliman përmban një klauzolë shtesë për sa i përket çështjes së pronës, pasi në të përcaktohet në mënyrë të qartë se Komuniteti Mysliman rinjihet, sipas kësaj marrëveshjeje, trashëgimtar i pronave të tij. Gjithashtu, në bazë të këtyre dokumenteve të nënshkruara nga palët në marrëveshje, objektet e kultit shpallen të shenjta dhe të paprekshme edhe nga vetë shteti. Në bazë të nenit 21, parashikohet që ndërtesat që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare, konsiderohen [B]të shenjta dhe ndërhyrja e autoriteteve në to është ndaluar[/b], me përjashtim të rasteve të flagrancës dhe kur një gjë e tillë kërkohet nga prokuroria, ose në rastet e kanosjes së një rreziku të afërm. Një tjetër e drejtë që u njihet atyre është edhe ajo për propozimin e festave zyrtare dhe ditëve të pushimit për to. Në bazë të këtyre marrëveshjeve, secili prej institucioneve përfaqësuese të besimeve fetare në vend mund të propozojnë festa fetare, sipas mendimit të tyre, të cilat janë të detyrueshme nga shteti për t'i shpallur dhe ditë pushimi. Por, përveç favoreve apo lehtësirave që krijojnë këto marrëveshje për secilin prej këtyre besimeve, institucionet drejtuese të tyre detyrohen që të respektojnë një sërë normash morale dhe të traditës, duke synuar ruajtjen e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Në funksion të këtij qëllimi, institucionet fetare në vend ndalohen që të propagandojnë dhe shpërndajnë informacione që nxisin urrejtjen fetare, apo cenojnë një besim tjetër. Marrëveshja e nënshkruar me Komunitetin Mysliman përmban dhe një klauzolë shtesë krahasuar me dy marrëveshjet e tjera, me anë të së cilës duket se tentohet t'i jepet kompetencë e plotë institucionit drejtues të këtij besimi, që të parandalojë çdo shfaqje të ekstremizmit tek besimtarët, të organizuar ose jo. Marrëveshja garanton reagimet dhe veprimet e vetë komunitetit ndaj deformimeve, prirjeve ekstremizuese apo çdo lloj shfaqjeje të ashpërsisë në mjediset e besimtarëve të vet. Ndërkohë, ndryshe nga sa pritej, këto marrëveshje nuk përcaktojnë detyrimin që drejtuesit e institucioneve fetare në vendin tonë të jenë me nënshtetësi shqiptare, pasi ata edhe tani do të zgjidhen në bazë të statuteve të tyre përkatëse. 0
Jep koment
Komentet e kalimtarëve moderohen në intervale kohore dhe sipas rregullave të pjesëmarrjes. Tematika e faqes është ateizmi dhe antiteizmi. Nuk pranohen komentet me propagandë, predikim apo provokim fetar të cilido lloji.
|
Lajme të ngjashme
|