Tiranë: Myslimanët i luten allahut të sjellë shi
e shtunë, 28 korrik 2007
"Vetëm "zoti" e ka në dorë për të sjellë reshje shiu". Me këtë bindje, dje, ditën e xhuma, lutjet e së premtes së besimtarëve myslimanë, janë përqendruar te thirrja drejtuar allahut për të sjellë shi në tokën e tharë e zhuritur nga thatësira e tejzgjatur. Predikuesi i xhamisë "Dine Hoxha" në rrugën e Kavajës, Ahmed Kalaja, u bëri thirrje besimtarëve që të luten me zemër që siç u shpreh ai, "Allahu i madhëruar, të na mëshirojë si krijesa e të na sjellë shi, në këtë kohë, kur vendi po vuan nga mungesa e energjisë elektrike dhe nga zjarret që po përflakin vendin". Në doktrinën islame, "zoti" është i plotfuqishëm për gjithçka; është ai që krijon shkaqet dhe pasojat. Predikuesi Kalaja tha se nuk ka ndërprerje të kondensimit të avujve në atmosferë, çka mundëson rënien e reshjeve. Por sipas tij, "zoti" me plotfuqishmërinë e tij absolute, ndëshkon njerëzit për zhytjen e tyre në mëkate, duke e bërë të pamundur rënien e shiut që në Kuran, përmendet nga vetë "zoti" si një nga mirësitë më të mëdha të tij mbi të gjitha krijesat në tokë, duke përfshirë, njerëzit, bimët dhe gjallesat. Në këtë kontekst, ai u bëri thirrje të gjithë shtresave të popullsisë që t‘u kthehen lutjeve të sinqerta dhe t‘u largohen gjynaheve që sipas tij, janë lakuriqësia, imoraliteti, vjedhja dhe mashtrimi me të rëndat, vrasjet. Para ritualit të lutjes, besimtarët kthyen nga e prapa veshjen e sipërme si simbol i dëshirës për ndërrimin e gjendjes ku ndodhet sot vendi; pra nga thatësirë në shi e reshje të shumta. Në doktrinën islame, lutja është një ndër kolonat e besimit. Me anë të saj, njeriu tregon pafuqishmërinë e vet përballë fuqisë absolute të "zotit", por po aq e rëndësishme është përpjekja e tij që duhet të bëjë për të arritur qëllimin. Në rastin e lutjes për shi, ajo që duhet të bëjë besimtari si përpjekje, është largimi nga gjynahet, shoqëruar me lutje të pandërprera. 0
Komente |
Lajme të ngjashme
|
12 nëntor 2007 - 10:40